E themeluar shumë kohë para Perandorisë Azteke, Biblioteka e Merton College në Oksford ka shërbyer ndër shekuj për figura të njohura, nga matematikanë të shekullit XIV deri te autori i “Lord of the Rings”, J.R.R. Tolkien. Në një intervistë ekskluzive për BBC, me rastin e 750-vjetorit të saj, bibliotekarja e institucionit shpjegon se çfarë e bën këtë vend kaq të veçantë.
Në Merton College të Oksfordit ruhet një arkë e lashtë. Në Mesjetë, për ta hapur atë, duhej të mblidheshin tre mbajtës çelësash, të cilët së bashku zbulonin thesarin brenda saj. Por ky thesar nuk përbëhej nga ari apo gurë të çmuar, por nga libra.
Ky nivel i lartë sigurie mund të duket i tepruar për dorëshkrime në pergamenë. Megjithatë, në një kohë para shpikjes së shtypshkronjës, librat përbënin një pasuri të madhe. Atyre u duheshin muaj të tërë për t’u përfunduar, pasi çdo tekst shkruhej me dorë me shumë kujdes. Për këtë arsye, ashtu si universitetet sot mbështeten në donacionet e ish-studentëve, edhe Merton College kërkonte që anëtarët e tij në shekullin XIII të dhuronin libra.
“Nuk ekziston një përkufizim i vetëm për një bibliotekë”, thekson profesorja Teresa Webber.
Fillimet e bibliotekës datojnë në vitin 1276, kur Kryepeshkopi i Canterbury-t nxori një dekret që e bënte të detyrueshëm dhurimin e librave. Që nga ajo kohë, biblioteka ka funksionuar pa ndërprerje. Për ta kuptuar më mirë këtë kohëzgjatje, mjafton të përmendet se Biblioteka e Merton-it ekzistonte para Perandorisë Azteke. Historia e saj e pandërprerë shtrihet nga periudha para Murtajës së Zezë deri përtej pandemisë Covid-19. Gjatë kësaj kohe, ajo është përdorur nga shumë figura të shquara, nga matematikanë të shekullit XIV deri te shkrimtari i njohur J.R.R. Tolkien.
Këtë muaj, biblioteka shënon 750-vjetorin e saj, një moment i rëndësishëm historik. Megjithatë, jetëgjatësia e saj e jashtëzakonshme është vlerësuar që në epokën viktoriane, kur shpesh cilësohej si biblioteka më e vjetër në Angli.
Në shekullin XX, shkrimtarë si Rudyard Kipling dhe John Buchan e përmendën atë në veprat e tyre historike, duke forcuar reputacionin e saj si një ndër bibliotekat më të lashta dhe më të respektuara. Me rritjen e njohjes kulturore për “Bibliotekën e famshme të Merton-it”, pretendimet për vjetërsinë e saj nisën të ekzagjeroheshin, aq sa disa entuziastë të Oksfordit e shpallën atë edhe si bibliotekën më të vjetër në botë.