Lajmet

Serwer: Kosova të largohet nga një marrëveshje e keqe me Serbinë dhe të përmirësojë raportet me Kinën

Serwer ka komentuar edhe katër propozimet e Kurtit me të cilat shkoi përballë Vuçiqit.

Published

on

Në takimin e parë që patën, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, s’u pajtuan për asgjë përveçse të shihen sërish në Bruksel.

Kjo e hënë do t’i vë përballë për të dytën herë dy udhëheqësit ballkanikë për t’i shpalosur qëndrimet e tyre thellësisht të kundërta para lehtësuesve europianë.

Për frymën krejtësisht të re të premtuar në negociatat e saponisura, profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, e arsyeton kryeministrin kosovar duke thënë se ai duhet të nënvizojë qasjen e tij ndryshe meqë vitet e kaluara të dialogut nuk kanë qenë produktive.

Ai në një intervistë për portalin Klankosova.tv ka thënë se Kosova s’duhet të ngutet për të vënë nënshkrimin mbi një marrëveshje me Serbinë që s’i bën mirë vetë asaj.

Analisti amerikan mendon që bisedimet në Bruksel nuk do të japin rezultatin e synuar edhe për një kohë goxha të mirë, prandaj Kosova duhet të shfrytëzojë këtë hendek kohor për të forcuar mbështetjen e saj ndërkombëtare. Dhe në këtë drejtim e inkurajon Kosovën që të jetë më ambicioze për të thyer barrierat me shtetet e fuqishme që s’e njohin Kosovën si shtet.

“Presidenti Vuçiq sheh pak perspektivë me anëtarësimin në BE në një periudhë të afërt dhe si pasojë është kthyer më shumë drejt Moskës dhe Pekinit sesa drejt Brukselit. Ai e ka bërë jashtëzakonisht të qartë se nuk është i përgatitur për një lëvizje të madhe  përpara zgjedhjeve presidenciale serbe të vitit të ardhshëm. Kosova në këto rrethana duhet të bëjë çfarë të mundet  që të përdorë kohën për të forcuar pozicionin e saj në negociata. Lëvizjet e fundit e shteteve mosnjohëse si Greqia dhe Spanja drejt përmirësimit të marrëdhënieve të tyre me Kosovën është pikëirsht ajo që i nevojitet Kosovës. Unë do të doja që Prishtina të përmirësonte marrëdhëniet me Pekinin, i cili është më shumë i interesuar për tregti në Ballkan sesa për politikë”.

Duke forcuar pozitën te ndërkombëtarët, Serwer thotë se Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe me Serbinë dhe në vend të saj të nënshkruajë një më të mirë.

Për më tepër, profesori amerikan nxit Kosovën që të kërkojë reciprocitet me Serbinë për secilën çështje.

“Kosova duhet të insistojë për barazi dhe reciprocitet. Nëse vendoset diçka për serbët në Kosovë, një e tillë ekuivalente duhet të jetë në dispozicion edhe për shqiptarët brenda Serbisë. Dhomat e Specializuara e kanë shkelur këtë parim. Unë do të doja që juridiksioni i tyre të jetë i shtrirë edhe në Serbi, ku u vranë vëllezërit shqiptaro-amerikanë Bytyqi pas luftës”.

Serwer ka komentuar edhe katër propozimet e Kurtit me të cilat shkoi përballë Vuçiqit në takimin e parë, për të cilat thotë se kryesisht është i të njëjtës mendje me Kurtin.

“Padyshim që jam dakord me Albinin për reciprocitetin në përgjithësi, megjithëse mund të kem disa mospajtime me mënyrën se si zbatohet në praktikë. Unë gjithashtu pajtohem që personat e zhdukur të të gjitha etnive duhet të identifikohen dhe eshtrat e tyre të kthehen”.

“Po ashtu edhe për CEFTA/SEFTA pajtohem. Mini-Shengeni më duket një ndërmarrje e përcaktuar keq, në të cilën Kosova s’është qartësisht e barabartë. Më pëlqen gjithashtu ideja e një marrëveshje joagresive, por për të cilën Serbia do të hezitojë sepse ajo nënkutpton sovranitetin e Kosovës dhe Beogradi do të dëshironte që të nënshkruajë edhe NATO gjithashtu”.

Kritik u shpreh për pozicionin e Bashkimin Europian karshi Kosovës, për të cilën tha se do të ishte i aftë të ofronte ide të zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë vetëm nëse do të njihte  sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe t’ia liberalizonte vizat.

Derisa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës thotë se do të jenë sërish të ftuara kur të nevojitet përfundimi i mosmarrëveshjes.

“SHBA-ja duhet ta mbështesë BE-në, por ajo gjithashtu do të thirret që ta “zgjidhë” Kosovën. Unë mendoj se Brukseli dhe Washingtoni duhet të formojnë një entitet si Zyra Civile Ndërkombëtare për të monitoruar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog si dhe për të përmendur dhe turpëruar ata që nuk arrijnë t’i zbatojnë ato”.

Sa i përket rolit të Qeverisë së Kosovës për serbët që jetojnë në Kosovë, eksperti për çështjet e Ballkanit ka thënë se duhet të bëjë gjithçka që mundet për të përmirësuar marrëdhëniet me serbët dhe komunitetet e tjera brenda Kosovës, duke përfshirë identifikimin dhe kthimin e eshtrave të perosnave të zhdukur, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronës së manastirit të Deçanit dhe mbrojtjen e të gjitha komunitetet nga dhuna ndëretnike.

Continue Reading

Vendi

Gjeneral Jashari priti në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës së Ajovës, Gjeneral Major Stephen Osborn

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Major Stephen E. Osborn.

Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e falënderoi mysafirin për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy forcave, duke vënë në pah rëndësinë e madhe të këtij partneriteti strategjik në zhvillimin profesional dhe operacional të FSK-së.

Palët diskutuan për arritjet e deritanishme, projektet e përbashkëta dhe mundësitë e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Po ashtu, gjatë bashkëbisedimit u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe rëndësinë e koordinimit të afërt me partnerët ndërkombëtarë.

Në kuadër të kësaj vizite, Gjeneral Major Osborn vizitoi edhe Njësinë e Operacioneve Speciale të FSK-së, ku u njoftua nga afër me kapacitetet operationale, trajnimet dhe aktivitetet e kësaj njësie elitare.

Në përmbyllje të takimit, Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e thellë për Gardën Kombëtare të Ajovës për mbështetjen e pakursyer, duke vlerësuar lart partneritetin e ndërtuar ndër vite në shërbim të forcimit të paqes dhe sigurisë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

PDK kërkon vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit sot në orën 11:00

Published

on

By

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, për thirrjen e menjëhershme të vazhdimit të seancës konstituive sot, më 12 gusht 2026.

Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afateve ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, mirëpo kjo nuk e shuan detyrimin për përmbushjen e këtij procesi pa vonesa të mëtejshme. Partia kërkon që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga besimi i qytetarëve.

Pavarësisht nëse kryesuesi do ta thërrasë zyrtarisht seancën apo jo, deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar se do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit sot në orën 11:00, kohë kur plotësohet afati 48-orësh sipas rregullores. Me këtë rast, PDK u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve që t’i bashkohen seancës për të dëshmuar gatishmërinë politike për përmbushjen e obligimeve kushtetuese.

Kjo kërkesë vjen pasi vazhdimi i fundit i seancës konstituive, i mbajtur të shtunën, u ndërpre dhe u shty me kërkesë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, pas tensioneve në sallë ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të tij. /E.A/

foto: Koha.net

Continue Reading

Botë

Spektakli qiellor i 12 gushtit: Si do të përjetohet eklipsi i Diellit në Evropë dhe Kosovë

Published

on

By

Miliona evropianë do të kenë mundësinë të ndjekin të mërkurën mbrëma eklipsin e parë të plotë diellor në Evropën kontinentale pas dy dekadash. Fenomeni astronomik do të jetë plotësisht i dukshëm në Spanjë, Portugali, Grenlandë dhe Islandë, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore do të përjetojë një eklips të pjesshëm.

Sipas platformës astronomike TimeandDate, qytetarët në Kosovë do të mund të vëzhgojnë fazën e pjesshme të këtij fenomeni, i cili do të nisë në orën 19:29. Kulmi do të arrihet në orën 19:38, moment kur Hëna do të mbulojë pjesën më të madhe të dukshme të Diellit. Vetëm tre minuta më vonë, në orën 19:41, Dielli do të perëndojë, ndërsa e gjithë faza e pjesshme do të përfundojë përfundimisht në orën 21:07. Sipas raportimeve të The Guardian, kulmi i eklipsit në Spanjë pritet mes orës 20:26 dhe 20:33, ndërsa në Londër do të regjistrohet në orën 19:13.

Për shkak se ky fenomen do të ndodhë shumë pranë horizontit, ekspertët sugjerojnë që vëzhgimi të bëhet nga pika të larta dhe zona pa pengesa, me pamje të hapur drejt perëndimit dhe veriperëndimit. Njëkohësisht, ata paralajmërojnë se shikimi i Diellit me sy të lirë është i dëmshëm. Në mungesë të syzeve mbrojtëse speciale, qytetarët mund të përdorin një kullesë kuzhine si projektor alternativ, duke reflektuar dritën dhe hijen e eklipsit mbi një sipërfaqe të letrës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara