Botë

Senati konfirmon Tulsi Gabbard si drejtuese të zbulimit kombëtar

Published

on

Ish-ligjvënësja Tulsi Gabbard u konfirmua sot (të mërkurën) pasi senatorët republikanë mbështetën të emëruarën e Presidentit Donald Trump për të drejtuar komunitetin e zbulimit.

Me 52 vota pro dhe 48 kundër, votimi u nda në vija partiake për të konfirmuar zonjën Gabbard e cila do të mbikëqyrë një komunitet me 18 agjenci federale të kundërzbulimit.

Ky votim është fitorja e radhës për Presidentin Trump ndërsa të emëruarit e tij vazhdojnë përballjen me senatorët.

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat John Thune, shtoi në rend të ditës procesin e votimit të emëruarit të Presidentit Trump për të drejtuar Departamentin e Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr menjëherë pas konfirmimit të zonjës Gabbard.

Dyzet e tre vjeçarja Gabbard, ish anëtare e Partisë Demokrate, është përballur me pyetjet e senatorëve të të dyja partive në lidhje me deklaratat e saj të mëparshme që shihen si mbështetje për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara dhe për mungesë përvoje.

Zonja Gabbard asnjëherë nuk ka punuar për ndonjë agjenci spiunazhi dhe as nuk ka shërbyer në komisionin për kundërzbulim të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa ishte ligjvënëse për katër mandate.

Ajo tani do të drejtojë një agjenci që është krijuar nga Kongresi pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2011, për të bashkërenduar aparatin e gjerë të kundër-zbulimit të Shteteve të Bashkuara, një nga postet më të rëndësishme në qeverinë amerikane që ka të bëjë me sigurinë kombëtare.

Përzgjedhja e drejtuesit të zbulimit kombëtar është me rëndësi të madhe”, thotë Emily Harding, Drejtore e Programit për Zbulim, Siguri Kombëtare dhe Teknologji te Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Ajo vë theksin tek qasja e gjerë që ky drejtues ka mbi materialet e klasifikuara dhe rolin që luan si këshilltar i presidentit për inteligjencë.

Aktualitet

Izraeli bombardon qendrën e Bejrutit duke vrarë 6 persona

Published

on

By

Një valë sulmesh ajrore izraelite ka nisur ndërsa ofensiva tokësore po zgjerohet në jug, ku Hezbollahu po lufton kundër forcave izraelite.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) njoftoi se Izraeli ka sulmuar një ndërtesë në Bashoura, një lagje në zemër të Bejrutit. Shpërthimi dhe shtëllungat e tymit u panë mbi zonë pak pasi Izraeli lëshoi një kërcënim për evakuim të atij lokacioni, raporton AlJazeera.

Ky sulm ishte pjesë e një vale vdekjeprurëse goditjesh izraelite në të gjithë Libanin, të cilat vranë të paktën 20 persona dhe plagosën 24 të tjerë të mërkurën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë Publike të vendit. Sulmet u shtrinë nga kryeqyteti deri në pjesët jugore dhe lindore, duke shënuar një front rrënues në luftën më të gjerë midis SHBA-Izraelit dhe Iranit që ka përfshirë rajonin.

Të paktën gjashtë persona humbën jetën nga sulmet ajrore në Bejrut, ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.

Shkatërrime masive dhe pretendime për objektiva

Korrespondentja e Al Jazeera-s në Bejrut, Zeina Khodr, raportoi se sulme intensive izraelite goditën rajone të shumta në Liban gjatë natës. Duke raportuar para një ndërtese 15-katëshe të goditur, Khodr tha se katet e poshtme të saj ishin shënjestruar një javë më parë. Megjithatë, në orët e para të mëngjesit, struktura u rrafshua plotësisht. Ushtria izraelite pretendoi se Hezbollahu kishte fshehur para në atë ndërtesë.

“Mund të shihni dëme të përhapura në të gjithë këtë lagje,” tha Khodr.

Ushtria e Izraelit deklaroi se ka nisur ato që i përshkroi si “operacione tokësore të kufizuara” në jug të Libanit, duke lëshuar urdhra evakuimi për banorët e katër qyteteve pranë lumit Zahrani dhe zonës së Tirit, me paralajmërimin për t’u larguar menjëherë drejt veriut. NNA raportoi gjithashtu sulme mbi Tirin dhe zonën fqinje të Al-Burj Al-Shamali para agimit.

Pasojat humanitare dhe paralajmërimet e OKB-së

Që prej nisjes së ofensivës izraelite më 2 mars, sulmet kanë vrarë të paktën 912 persona në Liban, duke përfshirë 111 fëmijë, dhe kanë plagosur mbi 2,200 të tjerë. Më shumë se një milion njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Kombet e Bashkuara paralajmëruan të martën se sulmet izraelite mbi ndërtesat e banimit dhe infrastrukturën civile mund të përbëjnë krime lufte sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Një zëdhënës i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut tha se shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve ose objekteve civile është krim lufte, duke shtuar se edhe urdhrat e gjerë të Izraelit për zhvendosje në jug të Libanit mund të shkelin ligjin ndërkombëtar.

Pozicioni i Hezbollahut dhe konteksti i konfliktit

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem, vendosi kushtet për përfundimin e luftës:

  1. Ndalimi i sulmeve nga Izraeli.
  2. Kthimi i të zhvendosurve në shtëpitë e tyre.
  3. Lirimi i të burgosurve nga Izraeli gjatë dy viteve të fundit.
  4. Tërheqja e ushtrisë izraelite.

Khodr shtoi se Hezbollahu mbetet prezent në jug, duke u përpjekur të zmbrapsë përparimin e ushtrisë izraelite, me synim parandalimin e marrjes së pozicioneve të reja nga Izraeli.

Konflikti u ndez më 28 shkurt kur forcat amerikane dhe izraelite vranë liderin suprem iranian, Ali Khamenei, në Teheran, gjë që shtyu Hezbollahun të lëshonte raketa drejt veriut të Izraelit më 2 mars. Që atëherë, Izraeli ka vrarë më shumë se 2,000 persona në Iran dhe Liban.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, një aleat i palëkundur i Izraelit, shprehu shqetësimin ndërkombëtar në rritje, duke paralajmëruar se ofensiva tokësore në Liban ishte një “gabim” që rrezikon të përkeqësojë situatën tashmë të rëndë humanitare. /AlJazeera/

 

Continue Reading

Aktualitet

WFP: Lufta në Iran mund të zhysë 45 milionë njerëz në uri akute deri në qershor

Published

on

By

Sipas analizës së Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të publikuar të martën, dhjetëra miliona njerëz të tjerë do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, raporton Reuters.

Sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, që nisën më 28 shkurt, kanë bllokuar rrugët kryesore të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat jetike për disa nga krizat më të rënda në botë.

Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i WFP-së, Carl Skau, u tha gazetarëve në Gjenevë se parashikohet që edhe 45 milionë njerëz të tjerë të bien në uri akute si pasojë e rritjes së kostove të ushqimit, naftës dhe transportit. Kjo do ta çonte numrin global mbi nivelin rekord aktual prej 319 milionë njerëzish.

“Kjo do t’i çonte nivelet globale të urisë në një rekord historik dhe është një perspektivë e tmerrshme,” tha ai.

“Edhe para kësaj lufte, ne ishim në një ‘stuhi të përsosur’ ku uria nuk ka qenë kurrë aq e rëndë sa tani, si në numra, ashtu edhe në thellësinë e saj,” shtoi ai.

Skau tha se kostot e transportit janë rritur me 18% që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt dhe se disa dërgesa është dashur të ridrejtohen. Ai shtoi se këto kosto shtesë vijnë krahas shkurtimeve të thella të shpenzimeve nga WFP, ndërkohë që donatorët po fokusohen më shumë te mbrojtja. /Reuters/

 

Continue Reading

Aktualitet

Udhëheqja e lartë e Iranit shënjestër e sulmeve

Published

on

By

Izraeli deklaron se ka vrarë shefin e sigurisë së Iranit, Ali Larijani, në një sulm dhe se do të “vazhdojë gjahun” ndaj liderëve të vendit. Siç tregon edhe grafika e mëposhtme, shumë prej figurave të larta të vendit të periudhës para-luftës janë vrarë.

Vdekja e Liderit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, u njoftua më 28 shkurt, pas ditës së parë të sulmeve amerikano-izraele mbi Iran.

Gjithashtu, në valën e parë të sulmeve u vranë: këshilltari i sigurisë Ali Shamkhani, ministri i mbrojtjes Amir Nasirzadeh, komandanti i Gardës Revolucionare, gjenerali Mohammad Pakpour, si dhe shefi i shtabit të forcave të armatosura, Abdolrahim Mousavi. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Shtetet e Gjirit kërkojnë nga Trump neutralizimin e Iranit

Published

on

By

Shtetet arabe të Gjirit nuk i kanë kërkuar SHBA-së të hyjë në luftë me Iranin, mirëpo shumë prej tyre tani po bëjnë thirrje që operacioni të mos ndalet pa u siguruar që Republika Islamike të mos ketë më mundësi të kërcënojë rrugët jetike të naftës.

Siç raporton Reuters, burime nga Gjiri bëjnë të ditur se shqetësimi kryesor mbetet mbrojtja e ekonomive që varen tërësisht nga ky rajon.

Sipas burimeve diplomatike perëndimore dhe arabe, Uashingtoni po ushtron presion mbi shtetet e Gjirit që t’i bashkohen luftës SHBA-Izrael. Presidenti Donald Trump dëshiron të tregojë mbështetje rajonale për fushatën, me qëllim që të forcojë legjitimitetin ndërkombëtar dhe mbështetjen e brendshme.

“Ekziston një ndjenjë e gjerë në të gjithë Gjirin se Irani ka kaluar çdo vijë të kuqe me çdo vend të rajonit,” tha Abdulaziz Sager, kryetar i Qendrës kërkimore të Gjirit me seli në Arabinë Saudite. Ai shtoi se sapo Irani nisi sulmet e drejtpërdrejta, u klasifikua si armik.

Irani sulmon gjashtë shtetet e Gjirit

Teherani ka demonstruar tashmë fuqinë e tij duke sulmuar aeroporte, porte dhe objekte të naftës në gjashtë shtetet e Gjirit përmes raketave dhe dronëve. Gjithashtu, është penguar qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit, që shërben si “arteria” kryesore për një të pestën e furnizimit global me naftë.

Udhëheqësit e Gjirit besojnë se mosveprimi tani përbën rrezikun më të madh. Sulmet e fundit kanë dëmtuar imazhin e stabilitetit që këto vende janë përpjekur të ndërtojnë për të tërhequr tregtinë dhe turizmin.

Frika nga një luftë e gjerë

Pavarësisht kërkesave për dobësimin ushtarak të Iranit, brenda Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ende mungon një konsensus i plotë për hapat e mëtejshëm. Ndërsa Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, deklaroi se partnerët e Gjirit po rrisin angazhimin, Emiratet e Bashkuara Arabe janë treguar më të përmbajtura, duke thënë se nuk kërkojnë të përfshihen në eskalime.

Nga ana tjetër, Sager paralajmëroi se Arabia Saudite mund të detyrohet të hakmerret nëse Irani godet pikat kritike, siç janë impiantet e shkripëzimit të ujit ose objektet madhore të naftës. “Në atë rast, Arabia Saudite nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërhynte,” u shpreh ai. /Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara