Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim lidhur me rritjen e sërishme të çmimeve të derivateve të naftës në vend, duke vlerësuar se kjo po shton presionin mbi bizneset, sektorin e bujqësisë dhe konsumatorët.
Sipas DHTIK-ut, ndërmarrjet po përballen me kosto më të larta të energjisë, transportit dhe inputeve të tjera, ndërsa ndikimi i rritjes së çmimeve të karburanteve është bërë edhe më i ndjeshëm për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.
“Për një pjesë të ndërmarrjeve, veçanërisht ato prodhuese, ndërprerjet e energjisë i detyrojnë të përdorin gjeneratorë për të vazhduar procesin e punës, duke krijuar shpenzime shtesë për blerjen e derivateve”, thuhet në njoftimin e DHTIK-ut.
Sipas kësaj dhome, rritja e çmimit të karburanteve po prek drejtpërdrejt edhe sektorin e bujqësisë, ku derivatet janë të domosdoshme për punimin e tokës, mbjelljen dhe korrjen.
DHTIK paralajmëron se rritja e kostove të prodhimit bujqësor mund të reflektohet edhe në çmimet e produkteve vendore, duke ndikuar në konkurrueshmërinë e tyre në treg.
Ndërkohë, DHTIK thekson se shtrenjtimi i derivateve po ndikon edhe në rritjen e çmimeve të konsumit, kostove të ndërtimit dhe çmimeve të prodhimit.
Duke e lidhur situatën edhe me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe krizën në Lindjen e Mesme, DHTIK u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të shqyrtojnë masa lehtësuese për sektorët më të prekur.
Ndër kërkesat kryesore të DHTIK-ut janë ulja e përkohshme e akcizës për derivatet e naftës, skema mbështetëse për bizneset që përdorin gjeneratorë gjatë ndërprerjeve të energjisë, masa lehtësuese për fermerët dhe stimulimi i konsumit të produkteve vendore.
DHTIK ka shprehur gjithashtu keqardhje për mungesën e gatishmërisë institucionale për organizimin e një tryeze të përbashkët me komunitetin e biznesit, duke theksuar nevojën për dialog institucional për gjetjen e zgjidhjeve praktike./A.K/