Magazinë

Selena Gomez: Rrënjët e mia kanë ndikuar në gjithë jetën time

Published

on

Aktorja dhe këngëtarja Selena Gomez, ka treguar se ndihet krenare për origjinën e saj meksikane, e cila sipas saj, ka pasur ndikim të madh në jetën dhe karrierën e saj.

32-vjeçarja ka theksuar se ka krijuar një lidhje të veçantë me gratë e tjera latine në industrinë e argëtimit.

“Prejardhja ime meksikane është diçka që ka ndikuar në gjithë jetën time, dhe jam e vetëdijshme për rëndësinë që ka përfaqësimi. Gjatë këtyre viteve në këtë industri, disa nga gratë më mbështetëse që kam njohur kanë qenë gra të tjera latine. E dua atë lidhje që kemi mes vete”, ka thënë ajo për Billboard.

Më 2021, Gomez ka publikuar albumin e shkurtër “Revelación”, projektin e parë të realizuar në gjuhën spanjolle. Ky album ka debutuar në vendin e parë të Top Latin Albums, duke u bërë albumi i parë nga një artiste grua që arrin këtë sukses që prej albumit “El Dorado” të Shakira.

“Nuk përqendrohem shumë te statistikat apo listat muzikore, por kur dëgjoj diçka të tillë, ndjej vetëm krenari. Shakira është një ikonë, dikë që e kam admiruar gjithmonë dhe që e dua shumë”, është shprehur Gomez.

Ajo ka shtuar se realizimi i një albumi të tërë në spanjisht ishte dëshirë e kahershme.

“Gjithmonë kam dashur të bëj një projekt të tërë në spanjisht. Gjatë viteve kam publikuar versione në spanjisht të disa këngëve, por një album i plotë në këtë gjuhë kishte shumë rëndësi për mua. Kam punuar shumë që të nderoja rrënjët e mia latine”, ka thënë ylli.

Në vitin 2024, Gomez ka luajtur edhe në filmin në gjuhën spanjolle “Emilia Perez”, një tjetër hap i rëndësishëm për karrierën e saj ndërkombëtare. Ajo ka thënë se e ka shijuar sfidën e të aktruarit në një gjuhë tjetër.

“E shtyva veten drejt hapësirave të pakëndshme, që për një aktore janë më shpërblyeset. Ishte një përvojë magjike dhe puna me regjisorin Jacques Audiard ishte një nga përvojat më të mira që kam pasur ndonjëherë”, ka thënë artistja.

Gomez, e fejuar me producentin muzikor Benny Blanco, ka thënë se tani është në një fazë ku po zgjedh me kujdes projektet e ardhshme.

“Po marr kohën time për të gjetur rolin dhe regjisorin e duhur, sepse dua që projekti i radhës të jetë sfidues dhe i papritur”, ka thënë ndër të tjera këngëtarja.

Lajmet

Tirana shpallet destinacioni më ekonomik në Evropë për udhëtime të shkurtra

Published

on

Pas një vere me temperatura të larta në Evropë, një studim i agjencisë britanike të udhëtimeve Thomas Cook ka renditur Tiranën si destinacionin më ekonomik evropian për një udhëtim të shkurtër gjatë muajit shtator.

Sipas studimit, 18 nga 51 destinacionet më të njohura evropiane mund të vizitohen me më pak se 100 paund për person në ditë, ndërsa Tirana kryeson listën me një kosto mesatare prej rreth 51 paundësh në ditë për person.

Kjo do të thotë se një qëndrim tre-ditor në kryeqytetin shqiptar mund të kushtojë rreth 153 paund për person.

Në studim veçohen arkitektura e Tiranës, atmosfera e kafeneve dhe mundësitë për të eksploruar qytetin me një buxhet relativisht të ulët. Çmimi mesatar i atraksioneve turistike me pagesë është më pak se 4 paund, ndërsa edhe ushqimi në restorante konsiderohet i përballueshëm.

Një porcion i tavës së kosit, një prej gatimeve tradicionale shqiptare, kushton rreth 7 paund, ndërsa një birrë Korça rreth 1.31 paund.

Edhe akomodimi mbetet ndër alternativat më të lira. Sipas të dhënave të studimit, një natë qëndrimi në fillim të shtatorit kushton mesatarisht rreth 27.50 paund për person.

Për krahasim, një udhëtim i ngjashëm në Amsterdam do të kushtonte rreth 305 paund për person në ditë, ose rreth 915 paund për një qëndrim treditor.

Sipas Thomas Cook, destinacionet e Evropës Lindore dhe qytetet turke po ofrojnë gjithnjë e më shumë alternativa me çmime të përballueshme për turistët që kërkojnë udhëtime të shkurtra.

Pas Tiranës, ndër destinacionet më ekonomike të renditura në studim janë Bukureshti në Rumani, Antalia në Turqi dhe Varshava në Poloni.

Rritja e interesimit turistik për Shqipërinë, e shoqëruar me çmimet relativisht të ulëta, po e vendos Tiranën gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve evropiane për udhëtarët me buxhet të kufizuar./atsh/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa në bisedime për bashkëprezantuese në Sanremo 2027

Published

on

Negociatat për përfshirjen e Dua Lipës në edicionin e vitit 2027 të Festivalit të Sanremos kanë avancuar ndjeshëm, sipas agjencisë italiane të lajmeve Adnkronos.

Megjithatë, deri tani as transmetuesi italian Rai dhe as organizatorët e festivalit nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen e këngëtares shqiptaro-britanike.

Sipas raportimeve, nëse arrihet marrëveshja, Dua Lipa mund të ketë një rol më të rëndësishëm se ai i një të ft uareje ndërkombëtare. Ajo mund të angazhohet si bashkëprezantuese në njërën prej netëve kryesore të festivalit.

Sanremo 2027 do të mbahet në Teatrin Ariston nga 16 deri më 20 shkurt, ndërsa festivali do të jetë edicioni i parë nën drejtimin e Stefano De Martinos.

Për Dua Lipën kjo do të ishte një rikthim në skenën e Sanremos. Ajo performoi aty në vitin 2020, kur interpretoi hitin “Don’t Start Now”.

Ende nuk dihet se në cilën natë mund të shfaqet ajo në edicionin e ardhshëm. Ndër mundësitë e përfolura janë nata e hapjes, finalja, ose nata që lidhet me përzgjedhjen e përfaqësuesit të Italisë për Eurovision.

Një faktor që mund ta lehtësojë pjesëmarrjen e saj është fakti se, sipas raportimeve, Dua Lipa nuk ka aktualisht të planifikuara koncerte apo performanca live gjatë datave të Sanremos 2027.

Përveç saj, me festivalin janë lidhur edhe emrat e Maria De Filippit dhe humoristes Brenda Lodigianit, por as këto pjesëmarrje nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Nëse marrëveshja finalizohet, Dua Lipa do të rikthehej në Ariston jo vetëm si artiste, por si një prej figurave qendrore të festivalit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Meta pranon marrëveshje deri në 16.68 miliardë dollarë për akuzat lidhur me sigurinë e fëmijëve

Published

on

Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka rënë dakord të paguajë deri në 16.68 miliardë dollarë për të zgjidhur një seri pretendimesh të ngritura nga shtete amerikane lidhur me mënyrën se si platformat e saj trajtojnë përdoruesit e mitur.

Sipas dokumenteve gjyqësore, autoritetet pretendojnë se Meta ka projektuar Facebook dhe Instagram në mënyrë që të krijonin varësi te fëmijët, ka mashtruar konsumatorët për sigurinë e platformave dhe ka mbledhur në mënyrë të papërshtatshme të dhënat personale të fëmijëve.

Marrëveshja është arritur gjatë një gjyqi federal në Kaliforni, ku ishin përfshirë pretendime nga 29 shtete amerikane, duke shmangur një proces gjyqësor të profilit të lartë mbi ndikimin e mediave sociale te të rinjtë.

Në kuadër të marrëveshjes, Meta ka pranuar të bëjë edhe ndryshime për përdoruesit adoleshentë në Facebook dhe Instagram, përfshirë kufizime të përdorimit ditor dhe bllokime gjatë natës.

Pretendimet janë pjesë e një vale më të gjerë padish ndaj kompanive të mediave sociale, të cilat akuzohen se kanë kontribuar në një krizë të shëndetit mendor të të rinjve në Shtetet e Bashkuara.

Rasti përfshin gjithashtu akuza se Meta ka shkelur ligjet federale për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve në internet, duke mbledhur të dhëna personale nga përdorues për të cilët kompania e dinte se ishin fëmijë, pa njoftimin ose pëlqimin e prindërve. Sipas pretendimeve, të dhënat janë përdorur edhe për trajnimin e modeleve të mësimit automatik dhe inteligjencës artificiale gjeneruese.

Meta i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve. Kompania ka argumentuar gjithashtu se nuk mund të akuzohet për mashtrim mbi “varësinë nga mediat sociale”, pasi kjo nuk konsiderohet një diagnozë e njohur psikiatrike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Saranda Bogujevci takon Joe dhe Shirley DioGuardi: “Miq të dëshmuar të Kosovës”

Published

on

Ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka takuar Joe dhe Shirley DioGuardi, duke i cilësuar si miq të dëshmuar të Kosovës dhe zëra të fuqishëm të kauzës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Bogujevci ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e tyre ndër vite dhe kontributin e vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës dhe shqiptarëve.

“Mirënjohje për miqtë që kanë qenë pranë nesh atëherë kur mbështetja kishte rëndësi të jashtëzakonshme”, ka shkruar Bogujevci./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara