Trupa e Teatrit të Kukullave ka përfunduar provat gjenerale për shfaqjen “Zemërimi i shkronjave”, e cila do të prezantohet për publikun këtë fundjavë, plot katër dekada pas premierës së saj të parë.
Bëhet fjalë për një komedi plot fantazi, me mesazhe edukative për fëmijët që sapo hedhin hapat e parë në shkollë.
“Përmes një ‘lufte gjuhësore’, shkronjat e Abetares marrin jetë dhe i tregojnë të vegjëlve se sa me vlerë është të flasim qartë dhe drejt,” tha drejtoresha e institucionit, Melsi Qirici.
Historia vjen përmes dy personazheve kryesorë, Olsit dhe Init, që preferojnë të flasin me shkurtime dhe pa kujdes, duke pretenduar se kanë shpikur një shqipe “moderne”.
Ky qëndrim i revolton shkronjat, që largohen njëra pas tjetrës, duke u sjellë pengesa që i detyrojnë të kuptojnë rëndësinë e gjuhës së pastër.
Teksti origjinal i Minerva Kumit është marrë si bazë, e dramaturgu Endri Çela ka sjellë version të përditësuar më pranë kohës së sotme.
Çela bëri regjinë e interpretojnë: Florian Kokona, Ilia Kaçi, Esmeralda Kame, Ermonela Alikaj, Erdit Asllanaj, Jorida Meta dhe Madi Selimi.
Përndryshe, kjo shfaqje është menduar për fëmijë mbi 5 vjeç, ndërsa premiera e së premtes do të jetë e dedikuar për publikun e verbër dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe UNOPS-it. /A.Z/UBT News/