Njësitë policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL) kanë kryer një operacion të suksesshëm të martën, më 14 prill 2026, duke arrestuar një person të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Arrestimi i të dyshuarit, u realizua në qytetin e Leposaviqit.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, personi i arrestuar dyshohet se gjatë vitit 1999, konkretisht rreth datës 20 mars, ka vepruar si pjesëtar i grupeve kriminale në rajonin e Skenderajt. Ai ngarkohet me dyshimin se në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka kryer akte mizore ndaj civilëve shqiptarë në një nga lagjet e këtij qyteti.
Në dosjen e policisë specifikohet se veprimet e tij përfshinin vrasje, tortura, rrahje brutale dhe dëbim të dhjetëra civilëve të pafajshëm nga shtëpitë e tyre. Këto krime lufte mbeten ndër plagët më të rënda të periudhës së konfliktit në Kosovë, dhe ky arrestim shënon një hap tjetër drejt vënies së drejtësisë për viktimat.
Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar për intervistim nga hetuesit kompetentë. Me vendim të prokurorit të rastit, atij i është caktuar masa e ndalimit dhe është dërguar në mbajtje për procedime të mëtejshme gjyqësore.