Lajmet

Sekretet e fshehura të Versajës

Ky pallat mbresëlënës ishte dikur rezidenca e mbretërve dhe mbretëreshave franceze.

Published

on

Pallati i Versajës është një nga ndërtesat më madhështore dhe më të rëndësishme historike në botë. Ky pallat mbresëlënës ishte dikur rezidenca e mbretërve dhe mbretëreshave franceze dhe ka një histori të pasur dhe magjepsëse, e cila i ka mahnitur vizitorët për shekuj me radhë.

Por e dini se ai bart ende shumë sekrete dhe thesare të fshehura, të cilat nuk janë të hapura për publikun? Ja cilat janë disa prej tyre:

  1. Një kalim sekret

I njohur si “Kalimi i Fshehtë” ose “Shkallët e Fshehta”, kalimi ndodhet në apartamentet e mëdha të Pallatit dhe është përdorur nga mbreti dhe zonjat e tij për t’u arratisur nga pallati pa u vënë re. Ai u ndërtua gjatë mbretërimit të Luigjit XIV dhe u përdor për të shmangur oborrtarët dhe rojet e pallatit.

Ai ishte shumë i vlefshëm gjatë Revolucionit Francez dhe u përdor për të larguar njerëzit në fshehtësi nga pallati. Vendkalimi është i fshehur pas një dere të maskuar si një raft librash. Kjo derë të çon në një shkallë të ngushtë, e cila të udhëheq në një dalje të fshehtë në kopshtet e pallatit. Kalimi është shumë i ngushtë dhe mund të përdoret vetëm nga një grup i vogël e njerëzve në të njëjtën kohë. Sot qasja tek ky vendkalim është e kufizuar, dhe vizitorët duhet të bëjnë një rezervim paraprak.

  1. Dhoma Sekrete

Mbreti Luigji XV ndërtoi enkas një dhomë sekrete në Pallatin e Versajës, të cilën e përdorte për të organizuar takime dhe diskutime “të fshehta”. E njohur si Secret du Roi, dhoma ndodhet në krahun verior të pallatit, pranë Apartamenteve Private të Mbretit. Mbreti e përdorte si zyrën e tij private dhe si një dhomë takimesh me këshilltarët e tij më të afërt.

Dizajni i dhomës është i veçantë. Për shkak të natyrës së saj sekrete, dhoma ishte projektuar për të qenë plotësisht e papërshkueshme nga zëri. Tek ajo arrihet përmes një dere të maskuar si një raft librash. Dera e saj mund të hapej vetëm nga një mekanizëm sekret i njohur vetëm për mbretin dhe një grup të vogël njerëzisht të besuar. Secret du Roi u përdor për një sërë takimesh konfidenciale, si për shembull diskutimet e çështjeve shtetërore dhe negociatat diplomatike sekrete.

  1. Maria Antoneta dhe “Petit Trianon”

Në vitin 1774, mbretëreshës Maria Antoneta iu dhurua “Petit Trianon”, një pallat më i vogël i vendosur brenda kompleksit më të madh të pallateve nga Luigji XVI si një vendstrehim privat. Antonetës i pëlqente privatësia e saj, ndaj “Petit Trianon” ishte projektuar për të qenë hapësira e saj private, ku mbretëresha mund të shpëtonte nga vështirësitë e jetës së oborrit dhe të shijonte pak pushim me miqtë e saj të ngushtë (dhe nëse duhen besuar thashethemet, edhe të dashurit e saj).

Thuhet se edhe “Petit Trianon” kishte vendkalimin e tij sekret, që supozohet se e bashkon atë me  pallatin kryesor dhe i jepte mundësinë Antonetës të shkonte dhe vinte pa u vënë re. Vendndodhja e saktë e vendkalimit është sot një mister dhe nuk dihet nëse ekziston ende.

  1. Luigji XIV dhe Kabineti i Kurioziteteve

Një nga gjërat më të mira të të qënit mbret, është padyshim të pasurit para por edhe fuqi për të kënaqur vërtet pasione dhe interesat e tua. Në rastin e Luigjit XIV, kjo çoi në krijimin e Kabinetit të Kurioziteteve. Ai përmbante një koleksion të madh ekzemplarësh natyrorë, instrumentesh shkencorë, vepra arti dhe gjëra të tjera të çuditshme dhe të rralla, të cilat mbreti i kishte mbledhur gjatë viteve.

Fillimisht u vendos në një dhomë të vogël, ngjitur me apartamentet private të mbretit dhe mbikëqyrej nga Zhan-Baptist Kolber, një mbrojtës i arteve dhe shkencave dhe Ministri i Financave. Edhe pse nuk ishte një sekret shtetëror, vetëm disa njerëz të përzgjedhur, lejoheshin që të hynin brenda për ta parë. Disa nga objektet përfshinin një bri rinoceronti, një guaskë të madhe deti, një krokodil të balsamosur dhe një pjesë të Kryqit të Vërtetë.

Kabineti u rrit në përmasa dhe kompleksitet, duke u bërë një nga koleksionet më të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse të ekzemplarëve të historisë natyrore në botë. Fatkeqësisht, ai u shkatërrua në vitin 1753 dhe u zëvendësua nga Salloni i Lojërave shumë më pak spektakolar.

  1. Maria Antoneta kishte teatrin e saj privat

Mbretëresha e përdori atë për të vënë në skenë drama, komedi dhe shfaqje muzikore për miqtë dhe familjen e saj më të ngushtë. Teatri, i njohur si Théâtre de la Reine, ose Teatri i Mbretëreshës, ndodhej brenda “Petit Trianon”. Ai është projektuar në stilin neoklasik me një skenë të vogël dhe ndenjëse për rreth 200 persona. Ishte zbukuruar me afreske të përpunuara, mbulesa të praruara dhe perde me shumë qëndisma. Zakonisht shfaqjet muzikore zgjidheshin nga vetë Antoneta dhe prireshin të ishin komedi dhe opereta të lehta. Thuhej se ajo ishte një muzikante dhe aktore e talentuar dhe shpesh merrte pjesë vetë në shfaqje.

  1. Salla e Pasqyrave

Është një nga dhomat më ikonike në Pallatin e Versajës. Fillimisht u projektua për të nderuar fitoret ushtarake të Luigjit XIV, por përdorimi i saj ndryshoi me kalimin e kohës. Ndodhet në katin e parë të pallatit dhe shtrihet në të gjithë gjatësinë e ndërtesës, duke ofruar një panoramë mahnitëse të kopshteve të pallatit.

Salla u projektua nga arkitekti Zhyl Harduin-Mansar dhe u përfundua në vitin 1684. E ka marrë këtë emër nga 357 pasqyrat që veshin të gjitha muret e dhomës. Këto pasqyra janë edhe sot mbresëlënëse. Prodhimi i tyre me cilësi të lartë ishte një sekret.

Kur u ndërtua kjo sallë, Venecia kishte monopolin e prodhimit të pasqyrave më të bukura në botë, dhe thuhej se Franca duhej të rrëmbente prodhuesit venecianë të pasqyrave për të përfunduar sallën. Sipas legjendës, qeveria veneciane ishte aq e vendosur që të ruante  monopolin e saj, saqë i ndaloi krijuesit e pasqyrave të saj të largoheshin nga qyteti. Kush e bënte këtë dënohej me vdekje. Kjo do të thotë se ndërtimi i sallës do të ishte tepër i shtrenjtë dhe po ashtu një proces shumë i fshehtë.

  1. Ka një kishë të vogël sekrete

E vendosur në katin e parë të pallatit, tek ajo mund të hyhet vetëm përmes një dere tjetër të fshehur në Dhomën e Mbretit. Kisha e vogël u përdor nga familja mbretërore për ceremoni fetare më private dhe intime. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XVIII-të gjatë mbretërimit të Luigjit XV dhe ishte projektuar për të qenë një vend ku mund ta faleshin të qetë familja mbretërore dhe miqtë dhe këshilltarët e tyre më të ngushtë.

  1. Ka një tunel sekret që e lidh me pjesën e jashtme

Ai u ndërtua në shekullin XVII-të gjatë mbretërimit të Luigjit XIV dhe u përdor për të transportuar në fshehtësi ushqime dhe njerëz midis pallatit dhe qytetit. Tuneli ishte rreth 1 km i gjatë dhe u gërmua thellë nën tokë për të shmangur zbulimin.

Ishte mjaftueshëm i gjerë për të lëvizur edhe me karroca dhe kuaj dhe ishte i veshur me mure tullash dhe tavane të harkuar. Ai u përdor kryesisht për praktikat e përditshme. Pati një rol edhe më të rëndësishëm gjatë Revolucionit Francez, gjatë të cilit u përdor për të nxjerrë jashtë anëtarët e familjes mbretërore dhe mbështetësit e tyre. / Ancient Origins – Bota.al

Continue Reading

Vendi

Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës

Published

on

Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.

Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.

Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.

Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Leonardo da Vinci sjell frymën e Rilindjes në UBT – ekspozitë që ndërthur artin, shkencën dhe inovacionin

Published

on

By

Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.

Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.

E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.

Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.

Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.

 

 

 

Continue Reading

Aktualitet

40 sportistët më të mëdhenj (2000–2026)

Published

on

By

Sporti është një nga veprimtaritë më tërheqëse në botën modern. Interesimi në vazhdim i publikut bën që edhe media ta ketë temë të shpeshtë.

Këtë herë, kemi zgjedhur të sjellim tek ju një listë prej 40 sportistësh më të mëdhenj, të periudhës 2000-20026:

  1. Michael Phelps – Not
  2. Lionel Messi – Futboll
  3. LeBron James – Basketboll
  4. Tom Brady – Futboll amerikan
  5. Roger Federer – Tenis
  6. Tiger Woods – Golf
  7. Usain Bolt – Atletikë
  8. Kobe Bryant – Basketboll
  9. Rafael Nadal – Tenis
  10. Cristiano Ronaldo – Futboll
  11. Stephen Curry – Basketboll
  12. Tim Duncan – Basketboll
  13. Shaquille O’Neal – Basketboll
  14. Patrick Mahomes – Futboll amerikan
  15. Lewis Hamilton – Formula 1
  16. Aaron Donald – Futboll amerikan
  17. Sidney Crosby – Hokej në akull
  18. Kevin Garnett – Basketboll
  19. Albert Pujols – Bejsboll
  20. Floyd Mayweather Jr. – Boks
  21. Peyton Manning – Futboll amerikan
  22. Randy Moss – Futboll amerikan
  23. Michael Schumacher – Formula 1
  24. Mike Trout – Bejsboll
  25. Clayton Kershaw – Bejsboll
  26. Miguel Cabrera – Bejsboll
  27. Dwyane Wade – Basketboll
  28. Ichiro Suzuki – Bejsboll
  29. Kevin Durant – Basketboll
  30. Justin Verlander – Bejsboll
  31. Dirk Nowitzki – Basketboll
  32. Giannis Antetokounmpo – Basketboll
  33. Alex Rodriguez – Bejsboll
  34. David Ortiz – Bejsboll
  35. Max Scherzer – Bejsboll
  36. Jimmie Johnson – NASCAR
  37. Zinedine Zidane – Futboll
  38. Steve Nash – Basketboll
  39. Adrian Beltre – Bejsboll
  40. Dedrek Jeter – Bejsboll

 

Continue Reading

Lajmet

Mungesa e deputetëve pas pauzës shtyn seancën e Kuvendit për nesër

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme plenare për ditën e nesërme, në orën 11:00, pasi deputetët u vonuan rreth gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.

Duke arsyetuar vendimin, kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se është e pamundur të zhvillohen punimet e Kuvendit kur deputetët nuk respektojnë orarin. Në momentin e ndërprerjes, në sallën plenare ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së, disa të LDK-së dhe vetëm dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për shkak të kësaj shtyrjeje, mbetën pa u shqyrtuar pikat e mbetura të rendit të ditës, ku përfshiheshin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni lidhur me energjinë, si dhe diskutimi për Projektligjin për Gjykatën Speciale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara