Të shtunën e ardhshme Cristiano Ronaldo do të debutojë në Manchester United, e ky debutim i tij do të tërheqë miliona shikues – por nëna e futbollistit nuk do të jetë në mesin e tyre.
36-vjeçari u kthye te “Djajtë e Kuq” aty ku u bë legjendë e futbollit në fillim të viteve 2000.
Pas 5 ditësh izolim, Ronaldo mund t’iu bashkohet bashkëlojtarëve të tij të mërkurën, kurse debutimi do të jetë tri ditë më vonë.
Konsiderohet rast i madh, dhe për këtë arsye nënës së Ronaldos s’do t’i lejohet ta shikojë këtë ndeshje, teksa djali i saj thyen rekorde.
Sipas djalit të saj, Dolores bëhet nervoz kur i shikon ndeshjet e rëndësishme, madje në dy raste ajo ishte alivanosur.
“Nuk i lejohet t’i shikojë ndeshjet e mëdha. Unë them: ‘Dëgjo, nuk kam më baba. Nuk dua të humbas as nënën time, kështu që ti nuk do të shikosh çerekfinalet, gjysmëfinalet, apo finalet. Ajo bëhet kaq nervoze, nuk e kuptoj pse”, deklaroi mes tjerash ylli i futbollit.
Atmosfera do të jetë elektrizuese në Old Traffor të shtunën, me fanellat nr. 7 të Ronaldos që tashmë gjenerojnë një shitje të raportuar prej 30 milionë funte që nga kthimi i tij në United.
Ronaldo ishte i etur të tregojë për sakrificat e nënës së tij për të arritur deri këtu ku është. Gjithçka filloi në moshë të hershme kur ai doli nga shtëpia për ta ndjekur ëndrrën.
“Ajo vuajti shumë për të ma dhënë mua këtë mundësi. Më kujtohet kur isha 12-vjeç dhe i tregova asaj se dua të shkojë në Lisbonë me ekipin e futbollistëve të rinj. Ajo më tha, “Djali im, nëse këtë e dëshiron vërtet, s’do t’i presë këmbët dhe të të ndalojë. Mund të shkosh. Do të jetë e vështirë për mua, por shko. Ndiq ëndrrat”’, deklaroi ai.
Dy dekada më vonë, Ronaldo po përgatitet për një festë mikëpritëse, një nga festat më të mëdha që ka parë ndonjëherë futbolli anglez./UBTNews
Manchester City dhe Chelsea, përballen me një mision shumë të vështirë për të siguruar kualifikimin në çerekfinale të UEFA Champions League.
Të dy skuadrat pësuan humbje të thella në ndeshjet e para, City u mposht 3:0 nga Real Madrid në “Santiago Bernabeu”, ndërsa Chelsea humbi 5:2 ndaj Paris Saint-Germain në Paris. Ndeshjet e kthimit zhvillohen sot nga ora 21:00.
Përmbysja e disavantazheve të tilla ndaj skuadrave si Real Madridi dhe PSG konsiderohet shumë e vështirë, duke pasur parasysh cilësinë dhe përvojën e tyre në garat evropiane. Megjithatë, te City mbizotëron besimi. Kapiteni Bernardo Silva theksoi se skuadra do të luftojë deri në fund, pavarësisht rezultatit të parë negativ.
Nga ana tjetër, Chelsea synon reagim në shtëpi, edhe pse përballet me mungesën e kapitenit Reece James për shkak të lëndimit. Trajneri Liam Rosenior ka kërkuar përqendrim maksimal dhe shmangie të gabimeve ndaj kampionit në fuqi.
Në kampin e PSG-së, Ousmane Dembele theksoi se skuadra e tij do të hyjë në fushë për fitore, duke paralajmëruar një tjetër ndeshje të fortë ndaj londinezëve.
Në takimet e tjera, Sporting CP përballet me Bodo/Glimt, ku norvegjezët kanë epërsi 3:0 nga ndeshja e parë. Ndërkohë, Arsenal FC dhe Bayer Leverkusen nisin nga barazimi 1:1, duke lënë gjithçka të hapur për kualifikim.
Ka përfunduar gara prestigjioze Karate 1 Premier League Rome 2026, e mbajtur në Romë, Itali, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Federatës të Karatesë së Kosovës.
Në këtë turne të nivelit më të lartë botëror, ku garojnë vetëm 32 sportistët më të mirë në secilën kategori, Kosovën e përfaqësuan Islam Selmani në kategorinë -60 kg dhe Betim Maliqi në kategorinë -75 kg.
Selmani nuk arriti të vazhdojë garën për shkak të një lëndimi që pësoi gjatë fazës së grupeve, ndërsa Maliqi pati paraqitje solide, por nuk arriti të kalojë këtë fazë të garës.
Për të dy garuesit, kjo ishte hera e parë që merrnin pjesë në një kompeticion të këtij niveli. Në këtë aktivitet, ata u shoqëruan nga trajneri i përfaqësueses, Agron Tosuni.
Federata e Karatesë e Kosovës u ka uruar sportistëve suksese në garat e ardhshme dhe rezultate edhe më të mira në skenën ndërkombëtare.
Në kuadër të turneut ndërkombëtar Montenegro Cup, që po zhvillohet në Budva, Mali i Zi, boksierja Agnesa Veseli u paraqit në kategorinë 51 kg.
Ajo u përball me ukrainasen Sofia Turbnina, por nuk arriti të sigurojë fitore në këtë duel.
Turneu po mbledh boksierë të rinj nga vende të ndryshme të Evropës dhe shërben si një mundësi e rëndësishme për fitimin e përvojës ndërkombëtare dhe zhvillimin e tyre në arenën sportive.
Neymar Jr ka reaguar me zhgënjim pasi nuk është përfshirë në listën e fundit të Kombëtarja e Brazilit.
Sulmuesi i Santos FC pranoi se ndihet i mërzitur dhe i trishtuar për këtë vendim, por theksoi se do të vazhdojë të punojë për t’u rikthyer në formën më të mirë.
Ish-lojtari i FC Barcelona dhe Paris Saint-Germain ndau një mesazh emocional, ku nënvizoi se përjashtimi nuk e ndryshon fokusin e tij. Ai u shpreh se do të vazhdojë të përqendrohet në përmirësimin e përditshëm përmes stërvitjes dhe ndeshjeve.
“Jam i mërzitur dhe i trishtuar që nuk jam thirrur, por fokusi mbetet i njëjtë: ditë pas dite, stërvitje pas stërvitjeje, ndeshje pas ndeshjeje,” është shprehur Neymar.
Mungesa e tij në listë lidhet kryesisht me problemet e fundit fizike dhe periudhën e gjatë të rikuperimit, të cilat kanë ndikuar në ritmin dhe formën e tij në fushë. Për këtë arsye, stafi teknik i Brazilit ka vendosur të mbështetet te lojtarët që aktualisht janë në formë optimale.
Ndërkohë, në përfaqësuesen braziliane po zhvillohet edhe një proces rinovimi, ku gjithnjë e më shumë hapësirë po u jepet futbollistëve të rinj, në funksion të ndërtimit të skuadrës për sfidat e ardhshme madhore.