Ish-pronarja e OpenAI, Mira Murati, ka dalë për herë të parë në publik pas 18 muajsh, duke prezantuar projektet e kompanisë së saj të re “Thinking Machines Lab” dhe duke ngritur shqetësime për mungesën e mekanizmave të qartë të kontrollit në industrinë e inteligjencës artificiale.
Në një intervistë për Bloomberg në San Francisko, Murati prezantoi konceptin e ri të kompanisë së saj të quajtur “interaction models”, që synon një mënyrë më natyrale komunikimi mes njeriut dhe AI-së, përmes audio-s, tekstit dhe videos në kohë reale.
Sipas saj, këto modele mund të kuptojnë më mirë mënyrën e komunikimit njerëzor, përfshirë pauzat, ndërprerjet dhe korrigjimet gjatë bisedës. Ajo tha se qëllimi është krijimi i një ndërveprimi më të afërt mes njeriut dhe inteligjencës artificiale.
Murati foli edhe për largimet e fundit nga kompania e saj, duke theksuar se ndërtimi i një laboratori të avancuar të AI-së sjell ndryshime të shpeshta në ekip dhe nuk lidhet vetëm me çështje financiare, pavarësisht ofertave të mëdha nga kompanitë konkurrente.
Po ashtu, ajo u rikthye te periudha e vitit 2023, kur për disa ditë kishte shërbyer si CEO e përkohshme e OpenAI pas shkarkimit të Sam Altman. Murati tha se vendimet e asaj kohe i kishte marrë me fokus mbrojtjen e misionit dhe ekipit, por pranoi se do të kërkonte më shumë transparencë dhe një plan më të qartë tranzicioni.
Duke folur për të ardhmen e inteligjencës artificiale, Murati tha se zhvillimi i saj nuk është as i sigurt drejt një skenari pozitiv, as negativ, por varet nga mënyra se si do të menaxhohet në këtë fazë të hershme.
Ajo theksoi se një nga problemet kryesore të industrisë është përqendrimi i vendimeve të mëdha në duart e pak njerëzve dhe mungesa e mekanizmave të mjaftueshëm të kontrollit dhe balancës.
Sipas saj, nëse njerëzit “heqin dorën shumë shpejt nga drejtimi i teknologjisë”, atëherë e ardhmja mund të marrë një drejtim të paparashikueshëm.
Murati shtoi se kompania e saj aktualisht ka një produkt të lançuar dhe po punon në zhvillime të reja, ndërsa tregu i inteligjencës artificiale po bëhet gjithnjë e më konkurrues.