Lajmet

Scholz sot në Kosovë, mesazhet që pritet të përcjellë

Pozitë dhe opozitë presin nga kancelari Scholz mesazh të qartë për liberalizimin e vizave.

Published

on

Kancelari gjerman, Olaf Scholz do të qëndrojë paraditen e sotme në Prishtinë ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti (ora 10:45), si dhe së bashku do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për media. Kancelari pritet të takojë edhe kontingjentin gjerman të trupave të KFOR-it.

Pozitë dhe opozitë presin nga kancelari Scholz mesazh të qartë për liberalizimin e vizave, mbështetje ndaj Procesit të Berlinit dhe intensifikim të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

Duke komentuar vizitë kancelarit Scholz në Kosovë, kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme tha se pret një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit.

“Një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit, ku jemi të gjithë të barabartë dhe ku përshpejtohet anëtarësimi i të gjitha vendeve, duke u bazuar në respektimin e sundimit të ligjit, demokratizmit, luftimit të korrupsionit dhe ballafaqimit me të kaluarën, meqenëse kemi në Serbi një pushtet që mohon masakrën e Reçakut dhe nuk ka bërë asgjë në raport me kriminelët e luftës, të cilët vazhdojnë atje të jenë të lirë dhe pamenduar, përveç të pandëshkuar”, tha Kurti.

Deputetja opozitare e AAK-së, Time Kadrijaj, kërkoi që institucionet e Kosovës të shfrytëzojnë momentumin e përkrahjes ndërkombëtare për të shtyrë përpara temat si liberalizimi i vizave dhe dialogu.

“Është një disponim i mirë për çështjen e liberalizimit të vizave, përveç disa vendeve që kanë hezitime për çështjen e liberalizimit të vizave, disa janë në procese zgjedhore… Në çështjen e dialogut të përfshihen edhe vendet tona, siç janë një emisar nga ShBA, që e kemi aleatin më të madh dhe kryesor. Fatmirësisht ne kemi një emisar, të njëjtin e kemi edhe nga Gjermania dhe Britania e Madhe. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë momemtun dhe prej dialogut teknik të kalohet në dialog politik”, thotë ajo për KosovaPress.

Nga ana tjetër, drejtori i institutit Epik, Demush Shaha paraqet tri mesazhet kryesore që mund t’i adresojë kancelari gjerman gjatë vizitës në Kosovë.

“Kancelari Scholz dëshiron të nënvizojë se ky rajon është i një rëndësie të veçantë për të personalisht si kancelar. I dyti mesazh është sa i përket rëndësisë së stabilitetit të rajonit dhe vijimësisë së rrugës së tij drejt BE-së. Ky mesazh në veçanti do të sforcohet në kuptimin e zhvillimeve që po ndodhin në Ukrainë, në këtë sfond kancelari do të nënvizojë rëndësinë e avancimit të Procesit të Berlinit dhe qëllimit të tij që në pjesën e dytë të këtij viti të mbajë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Ky do të jetë mesazhi i tij i dytë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe mjeti kyç do të jetë Procesi i Berlinit. Mesazhi i tretë do të jetë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi si një nga elementet më të rëndësishme të stabilitetit rajonal. Këtu kancelari gjerman do të përsërit atë që e ka thënë në Berlin që sa më shpejtë është me rëndësi që të avancohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”, shton ai.

Kryeministri Albin Kurti, javë më parë pati një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u prit në takim nga kancelari Scholz.

Lajmet

Dyshohej për varrezë masive në ish-shkollën teknike në Obiliq, Policia: U tentua të kultivohej drogë

Published

on

Gjatë pastrimit të ish-shkollës teknike në Obiliq, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Pastrimit “Kastrioti” në bodrumin e shkollës, kanë hasur pamje që kanë ngritur dyshime dhe shqetësim.

Fillimisht është dyshuar për varrezë masive, por sipas Policisë, më pas u kuptua se në këtë objekt është tentuar kultivimi i disa substancave narkotike.

Pastrimi i objektit pati filluar të bëhej pas vendimit të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçit që kjo shkollë të rikthehet dhe të fillojë mësimi përsëri.

Në bodrumin e objektit, shihen thasë të mbushur me materiale të panjohura, të varur në tavan, ndërsa në hapësirat e bodrumit është evidentuar edhe një gropë e madhe.

I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, i cili kishte thënë se rasti po hetohet nga Policia dhe Prokuroria.

“Sipas policëve dhe antidrogës shihet që është tentim i një kultivimi të disa substancave narkotike, por nuk dihet çfarë substanca, siç më tha eprori i policisë. Mirëpo, sido që të jetë, prokuroria edhe policia këtë punë e kanë në dorë dhe ato merren me rastin. Ndërsa sa i përket varrezës masive, unë nuk pashë, apo edhe policia qysh ma ka konfirmuar, nuk ka ndonjë dyshim për momentin”, ka dekalruar ai, raportoi EO.

Kjo shkollë që nga viti 1990, kur nxënësit ishin dëbuar nga forcat serbe, nuk kishte funksionuar më. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

3 milionë euro për efiçiencë të energjisë, mbi 1,400 qytetarë do të përfitojnë

Published

on

Rreth 3 milionë euro do të investohen në masa të efiçiencës së energjisë, projekt nga i cili pritet të përfitojnë mbi 1,400 qytetarë në Kosovë.

Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë rinovuar 51 shtëpi të familjeve të cenueshme, me një investim prej rreth 610 mijë eurosh. Në mesin e përfituesve është edhe familja Dragidella në Prishtinë.

Para renovimit, kjo familje konsumonte mbi 85 MWh energji në vit, ndërsa pas përfundimit të punimeve pritet të kursejë rreth 74 për qind të energjisë.

Deri në fund të këtij viti, pritet të përkrahen 192 familje përmes renovimit të shtëpive të tyre, ndërsa deri në vitin 2028 numri i familjeve përfituese pritet të arrijë në 280, në të gjithë Kosovën.

Përfituese do të jenë familjet që marrin asistencë sociale, me përparësi të veçantë për familjet me pensionistë, personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit vetushqyes.

Projekti po realizohet me mbështetjen e Qeverisë së Danimarkës, UNDP-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeprokurori i Speciales takon shefin e ri të EULEX-it

Published

on

Prishtinë, 8 shtator 2026 – Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur të martën në takim shefin e ri të EULEX-it, Antero Lopes.

Në këtë takim të parë njohës, Isufaj dhe Lopes kanë diskutuar për çështje me interes të përbashkët lidhur me punën, prioritetet dhe sfidat me të cilat përballet Prokuroria Speciale.

Gjatë takimit është vlerësuar rëndësia e bashkëpunimit institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

Shefi i ri i EULEX-it, Antero Lopes, ka theksuar se misioni evropian do të vazhdojë të mbështesë punën dhe përkushtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti për varrimin e Mlladiqit: Serbia ka kaluar në glorifikim shtetëror të gjenocidit

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë së varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq, duke akuzuar Beogradin zyrtar për glorifikim shtetëror të një krimineli të dënuar për gjenocid.

Kurti ka krahasuar zhvillimet e fundit në Kosovë me ato në Serbi, duke përmendur 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut.

Në anën tjetër, ai ka thënë se Serbia fundjavën e ka kaluar duke u përgatitur për ceremoninë e Mlladiqit.

“Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dokumentuar përmes dëshmive, identifikimeve forenzike dhe dokumentimit të krimeve.

Kurti e ka krahasuar Mlladiqin me ish-presidentin jugosllav, Slobodan Millosheviq, duke e cilësuar atë si një prej figurave kryesore të aparatit ushtarak të tij.

Ai ka kritikuar gjithashtu ceremoninë e organizuar për Mlladiqin, duke thënë se Serbia ka kaluar nga mohimi i krimeve në glorifikimin e tyre.

“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka shkruar Kurti.

Në fund, ai ka deklaruar: “Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara