Lajmet
Sarrazin për tensionet Kosovë-Serbi: Dritarja nuk është mbyllur ende
Ai ka theksuar se qëllimi është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiNë kuadrin e Konferencës së Sigurisë në Mynih, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka theksuar se qëllimi është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE.
“Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajcak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajcak e plotëson tani. Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme”, ka thënë ai për DW.
DW: Si duhet shpjeguar?
Manuel Sarrazin: Unë besoj se secili e di, që ne ndodhemi në një fazë, kur lufta në Ukrainë, çështja e rendit të ardhshëm botëror, zgjedhjet në SHBA dhe Trumpi, duket se qëndrojnë në plan të parë një herë për një herë. Besoj se nuk duhet të harrojmë, se në të gjitha këto çështje aftësia strategjike e Evropës për ta zhvilluar pozitivisht Ballkanin Perëndimor, do të jetë vendimtare për pyetjen, nëse do të na marrin seriozisht në çështjet e tjera. Sigurisht që nga BE kërkohet që të furnizojë Ukrainën, por tema së paku e dyta për nga rëndësia është Ballkani Perëndimor. Nëse atje kapaciteti i BE nuk funksionon në mënyrë adekuate, si mund të na marrë seriozisht dikush shumë, shumë larg nesh, në konkurrencën globale për çështjet e mëdha botërore.
DW: Pati një panel lidhur me zgjerimin e BE. Në të mori pjesë presidentja e Gjeorgjisë, një përfaqësuese e Ukrainës, Ballkani Perëndimor mungonte edhe atje. Dhe kur je në rajon, ke shpesh përshtypjen se njerëzit në fakt kanë frikë, se tema e tyre margjinalizohet si rrjedhojë e sfidave të mëdha që sjell Ukraina. Si e interpretoni këtë situatë?
Manuel Sarrazin: Unë e kuptoj që shumë njerëz kanë, të themi frikë, se e shohim veten prej shumë kohësh duke pritur dhe tani të tjerët duket sikur po e parakalojnë Ballkanin. Së pari mendoj se duhet të kemi parasysh, se çdo histori suksesi e secilit vend drejt zgjerimit do t`i sjellë dobi të gjithëve. Ukraina ka bërë që Evropa të jetë e vendosur për ta dashur zgjerimin edhe me Ballkanin Perëndimor, të gjitha kryeqytetet, jo vetëm Berlini apo Brukseli, edhe të tjerët. Kancelari dhe ministrja e Jashtme janë shumë të lidhur me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në biografinë dhe mendësinë e tyre. Ukraina dhe Ballkani Perëndimor për ne nuk përbëjnë kundështi, por të dy kanë një rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike.
DW: Kurrë më parë nuk ka pasur një formacion kaq të mirë të përfaqësuesve për Ballkanin në BE. Nga ana tjetër koha po ikën, ne jemi tani pak para zgjedhjeve evropiane dhe do të ketë me siguri shumë ndryshime në nivel evropian. Çfarë duhet të nxjerrim nga kjo për politikën ndaj Ballkanit Perëndimor. Çfarë duhet të ndodhë në këtë dritare të shkurtër që është ende aty?
Manuel Sarrazin: Unë mendoj se është e qartë, të gjithë e kanë të qartë, që në këto kohë po shkruhet histori. Historia shkruhet shpesh më shpejt nga ç’e mendon. Unë mund të them se nuk kam përshtypjen, se punës, veprimtarisë sime po i ikën koha, por çështja është që të punojmë së bashku, që ne, politika e qeverisë gjermane si shtet anëtar i BE-së, të japim kontributin tonë, në mënyrë që koncerti evropian të jetë i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor. Dhe ne të gjithë punojmë për një qëllim, që është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE. Dhe komisioni do të bëjë së shpejti propozime të reja, për ta bërë më të besueshëm rrugëtimin drejt këtij qëllimi.
DW: Le të ndalemi edhe tek Bosnja e Kosova: Për Bosnjën 12 marsi është një moment i rëndësishëm. A nuk të krijohet përshtypja se vendi po bën një zhvillim politik për të plotësuar më mirë klauzolat e tij. Çfarë duhet të ndodhë nga këndvështrimi juaj si i Ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që nga 12 marsi të hapet ndoshta një kapitull i ri?
Manuel Sarrazin: Koalicioni ka dhënë disa sinjale subtile, se është i gatshëm të bëjë disa reforma paraprakisht, për të na mundësuar që ta ndjekim pozitivisht rrugën. Këtë do ta shohim, shenjat subtile i shohim, por duam t`i shohim vërtet. Kjo më duket se është situata, ashtu siç është, dhe ne sigurisht që do ta mbajmë të fortë presionin, me qëllim që të shohim sa më shumë zhvillime pozitive. Vendimtare është besueshmëria, që ne të jemi të bindur se rruga e reformave do të vazhdohet më tej në mënyrë të qëndrueshme. Dhe për këtë ne duam të marrim sinjale nga Sarajeva.
DW: Sfera e dytë e konfliktit, apo ndoshta më e madhja në rajon, vazhdon të jetë çështja Kosovë – Serbi – dialogu. Shumë janë të dekurajuar, bëhen dy hapa përpara dhe pastaj dy prapa, nganjëherë tri hapa prapa dhe një hap para, dhe për këtë shumë edhe kanë thënë, ndoshta dritarja tani mbyllet, kush e di çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve evropiane, pas zgjedhjeve në SHBA. Cila është qasja e të Ngarkuarit për Ballkanin Perëndimor për të sjellë atje një përparim, në mënyrë që dikur të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme në marrëdhënien ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Manuel Sarrazin: Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajcak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajcak e plotëson tani. Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme.
DW: Si Vuçiq ashtu edhe Albin Kurti ishin në Mynih. Ka ndonjë lajm pozitiv pas bisedimeve me këto dy politikanë për t’u treguar apo ndonjë shenjë shprese? Pati ndonjë impuls për të cilin mund të thuhet se po ndodh diçka?
Manuel Sarrazin: Jo diçka për cilën unë mund të flisja këtu. Por një gjë mund të dihet me siguri, se qeveria gjermane mbetet e angazhuar për të bërë gjithçka, në mënyrë që këtu së shpejti të këtë përparim.
Vendi
UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”
Published
14 hours agoon
February 21, 2026By
ubtnews
Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.
Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.
Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.
Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.
Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.
Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Vendi
Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës
Published
15 hours agoon
February 21, 2026By
ubtnews
Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.
I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.
Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.
Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.


Vendi
Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova
Published
18 hours agoon
February 21, 2026By
ubtnews
UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.
Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:
- Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
- Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
- Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
- Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)
Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.
UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.
Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.
Lajmet
Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale
Published
1 day agoon
February 21, 2026By
ubtnews
Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.
Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.
Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.
Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.


UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”
Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës
Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova
Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale
Studentja dhe kampionia olimpike Nora Gjakova publikon studimin shkencor mbi rikuperimin e shpejtë pas lëndimit të hamstringut
Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane dhe OEGJK vizitojnë Qytetin e Mençur të UBT-së
Siemens Healthineers viziton UBT-në, theksohet potenciali për bashkëpunim në mjekësinë digjitale
Presidentja Osmani u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio
Gjykata Supreme rrëzon tarifat e Trump
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
