Lajmet

Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Kosovës e Serbisë pritet t’i bëhet thirrje për normalizim

Published

on

Më 13 dhjetor në Bruksel pritet të zhvillohet samiti i përbashkët i liderëve të Bashkimit Evropian me kolegët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosovën në këtë samit pritet ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Serbinë kryeministrja Ana Bërnabiq.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet që të jetë një prej temave kryesore të debatit pasi vlerësohet se këto raporte janë kyçe për stabilitetin e gjithë rajonit. Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Në këtë samit pritet të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët, me të cilën do të konfirmohet, nga njëra anë, orientimi strategjik i rajonit për integrim në BE, dhe në anën tjetër, edhe përkushtimi i BE-së në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e deklaratës që pritet të miratohet në këtë samit.

Bashkimi Evropian edhe përmes kësaj deklarate do të përsërisë përkushtimin e pa rezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e këtij procesi, bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave dhe përmbushjen e kritereve.

Këtu, para së gjithash, nënvizohet nevoja për progres në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe në respektimin e parimeve dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian.

Teksti i draftit është përpiluar nga Bashkimi Evropian dhe pritet që atë ta mbështesin edhe liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Edhe nga ky samit pritet t’u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa t’i përmbushin obligimet nga dialogu të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian.

“Ne vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Presim angazhim konstruktiv nga palët për të arritur progres të shpejtë në normalizimin e raporteve të tyre, që është kyç për sigurinë dhe stabilitetin në gjithë rajonin dhe për të siguruar avancimin e të dyja palëve në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e kësaj deklarate të përbashkët.

“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet më tej në pjesën që u kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Aty, po ashtu, përsëritet edhe ftesa për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.

“Ne, po ashtu, presim nga palët që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për uljen e tensioneve në përputhje me kërkesat e BE-së dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pa koordinuara që mund të çojnë deri te tensionet e reja dhe dhuna, si dhe të përmbahen nga retorika e cila nuk është në përputhje me normalizimin e raporteve”, thuhet në tekst.

Bashkimi Evropian do t’u bëjë ftesë të gjithë partnerëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që t’’ zgjidhin të gjitha mospajtimet e tyre dhe çështjet e hapura.

BE-ja në këtë samit do të shprehë edhe përkushtimin për të ndihmuar vendet e rajonit në përballje me pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si në aspektin e energjisë, ashtu edhe në përballje me kërcënimet hibride që vijnë nga Rusia.

Sa i përket qëndrimeve ndaj Rusisë, BE-ja pritet të shprehë mirënjohje për vendet, të cilat janë përshtatur me qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe të kërkojë nga ato që nuk e kanë bërë një gjë të tillë që ta bëjnë sa më parë. Kjo ka të bëjë, para së gjithash, me Serbinë, që vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon që nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

“Përderisa ne thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë ftesë atyre që të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përshtatjes së plotë me politikën e e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë edhe masat restriktive të BE-së në këtë drejtim. Ne vlerësojmë ata partnerë nga Ballkani Perëndimor, të cilët tashmë kanë dëshmuar përkushtimin e tyre strategjik duke u përshtatur në tërësi me politikën e jashtme të BE -së dhe i inkurajojmë ato të cilat nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri më tash që ta ndjekin këtë rrugë. Ne, po ashtu, i inkurajojmë përpjekjet e përmirësuara për të zbatuar masat restriktive dhe parandalimin e anashkalimit të tyre”, thuhet në këtë tekst.

Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet më 13 dhjetor, një ditë para se të mblidhet edhe Këshilli Evropian, ku zgjerimi do të jetë njëra prej temave kryesore.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara