Sport

​Sadiku synon olimpiadën e Parisit, por pa mbështetjen e merituar të shtetit

Ajo thekson se përtej këtyre sukseseve, kishte pritje më të mëdha nga vetja e saj.

Published

on

Për boksieren kosovare, Donjeta Sadiku, 2023-ta ishte vit mjaft i suksesshëm duke u shpallur kështu kampione e Ballkanit në konkurrencën e saj, e po ashtu u rendit edhe si e pesta në Lojërat Evropiane. Ajo thekson se përtej këtyre sukseseve, kishte pritje më të mëdha nga vetja e saj.

“2023 për mua ka qenë një vit i suksesshëm, e pesta në Lojërat Evropiane, e para në Ballkan dhe shumë fitore të tjera në garat ndërkombëtare. Mirëpo vitin 2023 nuk e kam parashikuar dhe nuk e kam pritur kështu siç ka shkuar, mirëpo ka qenë një mësim shumë i madh për mua edhe jam shumë e kënaqur me gjërat ashtu siç kanë rrjedhur sepse gjatë këtij viti, kam mësuar shumë për veten time dhe për boksin”, tha Sadiku.

Ajo pranon se kishte synuar që kualifikimin për në Lojërat Olimpike Parisi 2024, ta siguronte gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi.

“Të them të drejtën unë kam pritur që do ta arrijë kualifikimin në Lojërat Evropiane, të cilat janë mbajtur në muajin qershor në Poloni, mirëpo nganjëherë nuk na shkon ashtu siç mendojmë, mirëpo nga ato lojëra kam mësuar shumë për veten time sa i përket boksit, kështu që jam e kënaqur ashtu siç kanë shkuar gjërat”, shtoi Sadiku.

Sadiku shprehet e habitur se si edhe pas këtyre sukseseve nuk ka marrë mbështetjen e duhur nga ana e shtetit.

“Pasi që jam shpallur kampione e Ballkani nuk është se kam marrë ndonjë mbështetje nga vendi ynë, mirëpo që unë jam e kënaqur nga vetja sepse kam arritur që të shpallem edhe si boksierja më e mirë e Ballkanit. Kështu që për mua është një rezultat shumë i mirë dhe që më shtyn të punoj edhe më shumë”, u shpreh boksierja kosovare.

Vitin 2024, kampionia ballkanike e sheh si vit të realizimit të ëndrrës së saj të madhe, që të ngrisë flamurin e Kosovës në Paris duke fituar medalje atje.

“Viti 2024 më pret me shumë gara, kam para vetes shumë sfida. Të them të drejtën vitit 2024 është viti në të cilin më jepet mundësia për ta realizuar një ëndërr të cilën e kam pasur gjatë gjithë jetës sime dhe është qëllimi im kryesor në boks, në karrierën time. Kështu që përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë më trajneren time Marjola Sallauka edhe të gjitha gjërat varen prej nesh. Ne do të japim maksimumin tonë që të kemi paraqitje sa më të mirë në Paris edhe pse jo të ngrisim flamurin e Kosovës në Paris”, theksoi Sadiku.

Për t’i realizuar objektivat e saj, Donjeta po stërvitet fuqishëm, por për fat të keq në kushte tejet të vështira dhe për këtë situatë ajo shprehet krejtësisht e zhgënjyer.

“Pas dy medaljeve që i kam siguruar në vitin 2022, botërorin dhe evropianin, unë kam pritur që do ta kem një mbështetje pak më ndryshe dhe një trajtim pak më ndryshe se që e kam pasur më herët, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Mirëpo, unë kam thënë që unë nuk dorëzohem asnjëherë, salla normalisht që nuk i plotëson kushtet e duhura, sidomos për një sportiste e cila synon të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Parisi 2024, mirëpo unë dhe trajnerja ime nuk do të dorëzohemi asnjëherë. Thash që ajo çfarë varet nga ne do ta japim maksimumin tonë që të jemi formën më të duhur edhe ta përfaqësojmë vendin tonë Kosovën ashtu siç duhet. Kështu që unë po vazhdoj në këto kushte të ushtroj dhe të mos ndalem”, tha Sadiku.

Besim të madh te puna e Sadikut ka edhe vetë trajnerja e saj, Marjola Sallauka. Ajo shprehet e bindur se me punën që po bëhet, do të arrihet edhe norma për kualifikim në Lojërat Olimpike.

“Po punojmë fort për garat e ardhshme, çfarë ka shkuar…ka shkuar edhe po punojmë edhe më fort për kualifikuese e ardhshme…Ne synojmë që të kualifikohemi dhe besoj shumë në Donjetën, në punë tonë që po e realizojmë, në përkushtimin e saj edhe po besoj shumë që do të kualifikohemi”, tha Sallauka.

Garat për ta fituar normën që siguron pjesëmarrjen në Lojërat Olimpikë Parisi 2024, Donjeta Sadiku do t’i nisë në muajin shkurt.

Sport

Kosova U18 rikthehet me fitore, mposht bindshëm Qipron në Kampionatin Evropian

Published

on

By

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll ka reaguar në mënyrën më të mirë pas humbjes ndaj Bullgarisë, duke shënuar fitore bindëse 31:22 ndaj Qipros në xhiron e dytë të “Men’s 18 EHF Championship II”, që po zhvillohet në Telavi të Gjeorgjisë.

Ndeshja nisi e baraspeshuar, me të dyja skuadrat që shkuan në pushim me rezultatin 14:14.

Në pjesën e dytë, hendbollistët kosovarë dominuan plotësisht në parket, duke krijuar epërsi të konsiderueshme dhe duke e mbyllur takimin me nëntë gola diferencë.

Më efikasi te Kosova ishte Lorik Kelmendi me gjashtë gola. Ajan Muqolli realizoi pesë herë, ndërsa Arbian Thaqi, Butrint Miftari dhe Leon Kelmendi kontribuuan me nga katër gola secili.

Pas kësaj fitoreje, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e radhës të mërkurën nga ora 11:45, kur do të përballet me Belgjikën.

D.L

Continue Reading

Sport

Rrudhani dhe Imeri në formacionin e javës në Superligën e Zvicrës

Published

on

By

Donat Rrudhani dhe Kastriot Imeri janë përfshirë në formacionin më të mirë të javës së dytë të Superligës së Zvicrës, pas paraqitjeve të shkëlqyera me skuadrat e tyre.

Ekipi i javës u publikua të hënën nga platforma e specializuar e statistikave, SofaScore, e cila vlerësoi dy futbollistët shqiptarë për kontributin e tyre vendimtar.

Rrudhani ishte protagonist në fitoren 3:0 të Sionit ndaj Luzernit, duke realizuar një nga golat e ndeshjes dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë tri pikët.

Ndërkohë, Imeri shkëlqeu në triumfin bindës 6:0 të Young Boysit ndaj Thunit. Mesfushori 26-vjeçar shënoi një gol pikërisht kundër ish-ekipit të tij, me të cilin sezonin e kaluar fitoi titullin kampion të Zvicrës gjatë periudhës së huazimit.

Pas rikthimit te Young Boysi, Imeri ka nisur sezonin në formë të mirë, ndërsa përfshirja e tij dhe e Rrudhanit në formacionin e javës konfirmon ndikimin e tyre në javën e dytë të kampionatit zviceran.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova publikon listat e volejbollisteve dhe volejbollistëve për Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

Published

on

By

Federata e Volejbollit e Kosovës ka publikuar listat e volejbollisteve dhe volejbollistëve të ftuar për të përfaqësuar vendin në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, që do të zhvillohen në Itali.

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e femrave, Lorik Ilazi, ka bërë publike listën e lojtareve që do të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.

Kosova do të garojë në Grupin B, ku do të përballet me Turqinë, Greqinë, Algjerinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, Federata ka publikuar edhe listën e volejbollistëve të ftuar nga shtabi teknik i Kombëtares së meshkujve. Kosova është shortuar në Grupin C, së bashku me Spanjën dhe Francën.

Ndeshjet e volejbollit në kuadër të Lojërave Mesdhetare do të zhvillohen në palestrën PalaMazzola në Taranto, nga 20 gushti deri më 3 shtator 2026.

Federata e Volejbollit e Kosovës u ka uruar suksese të dyja kombëtareve, duke shprehur besimin se sportistet dhe sportistët kosovarë do ta përfaqësojnë vendin me krenari dhe dinjitet në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.

D.L

 

 

Continue Reading

Sport

Uellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s

Published

on

By

Federata e Futbollit e Uellsit është bërë e para që ka tërhequr publikisht mbështetjen për rizgjedhjen e Gianni Infantinos në postin e presidentit të FIFA-s.

Ky vendim vjen pas humbjes së besimit ndaj drejtimit të Infantinos, veçanërisht pas planit të dështuar për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës tek investitorë privatë.

Në një deklaratë zyrtare, Federata e Futbollit e Uellsit konfirmoi se ka tërhequr mbështetjen për kandidaturën e Infantinos për mandatin 2027–2031.

“Federata e Futbollit e Uellsit ka tërhequr mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos për rizgjedhje si president i FIFA-s për mandatin 2027–2031”, thuhet në njoftim.

Sipas federatës, një sërë dështimesh në drejtimin e organizatës kanë bërë që Infantino të humbasë besimin e tyre.

“Dështimet e fundit në qeverisjen e mirë, proceset, lidershipin, vlerat, menaxhimin e palëve të përfshira, komunikimin dhe gjykimin e shëndoshë na kanë çuar në një pikë ku Gianni Infantino ka humbur besimin tonë për të vazhduar të udhëheqë futbollin botëror. Nuk mund të pranojmë dështimin për t’i vendosur interesat e futbollit në plan të parë”, thuhet më tej në deklaratë.

Para kësaj lëvizjeje, Infantino kishte siguruar mbështetje me shkrim nga shumica e federatave kombëtare për një mandat të ri në krye të FIFA-s. Megjithatë, vendimi i Uellsit shënon rastin e parë kur një federatë tërheq publikisht këtë mbështetje, duke rritur presionin ndaj presidentit aktual të organizatës më të madhe të futbollit në botë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara