Sport

​Sadiku synon olimpiadën e Parisit, por pa mbështetjen e merituar të shtetit

Ajo thekson se përtej këtyre sukseseve, kishte pritje më të mëdha nga vetja e saj.

Published

on

Për boksieren kosovare, Donjeta Sadiku, 2023-ta ishte vit mjaft i suksesshëm duke u shpallur kështu kampione e Ballkanit në konkurrencën e saj, e po ashtu u rendit edhe si e pesta në Lojërat Evropiane. Ajo thekson se përtej këtyre sukseseve, kishte pritje më të mëdha nga vetja e saj.

“2023 për mua ka qenë një vit i suksesshëm, e pesta në Lojërat Evropiane, e para në Ballkan dhe shumë fitore të tjera në garat ndërkombëtare. Mirëpo vitin 2023 nuk e kam parashikuar dhe nuk e kam pritur kështu siç ka shkuar, mirëpo ka qenë një mësim shumë i madh për mua edhe jam shumë e kënaqur me gjërat ashtu siç kanë rrjedhur sepse gjatë këtij viti, kam mësuar shumë për veten time dhe për boksin”, tha Sadiku.

Ajo pranon se kishte synuar që kualifikimin për në Lojërat Olimpike Parisi 2024, ta siguronte gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi.

“Të them të drejtën unë kam pritur që do ta arrijë kualifikimin në Lojërat Evropiane, të cilat janë mbajtur në muajin qershor në Poloni, mirëpo nganjëherë nuk na shkon ashtu siç mendojmë, mirëpo nga ato lojëra kam mësuar shumë për veten time sa i përket boksit, kështu që jam e kënaqur ashtu siç kanë shkuar gjërat”, shtoi Sadiku.

Sadiku shprehet e habitur se si edhe pas këtyre sukseseve nuk ka marrë mbështetjen e duhur nga ana e shtetit.

“Pasi që jam shpallur kampione e Ballkani nuk është se kam marrë ndonjë mbështetje nga vendi ynë, mirëpo që unë jam e kënaqur nga vetja sepse kam arritur që të shpallem edhe si boksierja më e mirë e Ballkanit. Kështu që për mua është një rezultat shumë i mirë dhe që më shtyn të punoj edhe më shumë”, u shpreh boksierja kosovare.

Vitin 2024, kampionia ballkanike e sheh si vit të realizimit të ëndrrës së saj të madhe, që të ngrisë flamurin e Kosovës në Paris duke fituar medalje atje.

“Viti 2024 më pret me shumë gara, kam para vetes shumë sfida. Të them të drejtën vitit 2024 është viti në të cilin më jepet mundësia për ta realizuar një ëndërr të cilën e kam pasur gjatë gjithë jetës sime dhe është qëllimi im kryesor në boks, në karrierën time. Kështu që përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë më trajneren time Marjola Sallauka edhe të gjitha gjërat varen prej nesh. Ne do të japim maksimumin tonë që të kemi paraqitje sa më të mirë në Paris edhe pse jo të ngrisim flamurin e Kosovës në Paris”, theksoi Sadiku.

Për t’i realizuar objektivat e saj, Donjeta po stërvitet fuqishëm, por për fat të keq në kushte tejet të vështira dhe për këtë situatë ajo shprehet krejtësisht e zhgënjyer.

“Pas dy medaljeve që i kam siguruar në vitin 2022, botërorin dhe evropianin, unë kam pritur që do ta kem një mbështetje pak më ndryshe dhe një trajtim pak më ndryshe se që e kam pasur më herët, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Mirëpo, unë kam thënë që unë nuk dorëzohem asnjëherë, salla normalisht që nuk i plotëson kushtet e duhura, sidomos për një sportiste e cila synon të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Parisi 2024, mirëpo unë dhe trajnerja ime nuk do të dorëzohemi asnjëherë. Thash që ajo çfarë varet nga ne do ta japim maksimumin tonë që të jemi formën më të duhur edhe ta përfaqësojmë vendin tonë Kosovën ashtu siç duhet. Kështu që unë po vazhdoj në këto kushte të ushtroj dhe të mos ndalem”, tha Sadiku.

Besim të madh te puna e Sadikut ka edhe vetë trajnerja e saj, Marjola Sallauka. Ajo shprehet e bindur se me punën që po bëhet, do të arrihet edhe norma për kualifikim në Lojërat Olimpike.

“Po punojmë fort për garat e ardhshme, çfarë ka shkuar…ka shkuar edhe po punojmë edhe më fort për kualifikuese e ardhshme…Ne synojmë që të kualifikohemi dhe besoj shumë në Donjetën, në punë tonë që po e realizojmë, në përkushtimin e saj edhe po besoj shumë që do të kualifikohemi”, tha Sallauka.

Garat për ta fituar normën që siguron pjesëmarrjen në Lojërat Olimpikë Parisi 2024, Donjeta Sadiku do t’i nisë në muajin shkurt.

Sport

A do të jetë kjo nata e Trepçës në Greqi?

Published

on

By

Pas humbjes në ndeshjen e kaluar në kuadër të FIBA Europe Cup, Trepça synon të rikthehet te rezultatet pozitive, këtë herë në një përballje të vështirë në transfertë ndaj Promitheas Patras.

Skuadra mitrovicase udhëton drejt Patrës së Greqisë me synimin për të reaguar në parket dhe për të kërkuar fitoren e radhës në garat evropiane.

Tashmë mbetet të shihet nëse Trepça do të arrijë të përmbysë situatën dhe të rikthehet me rezultat pozitiv nga Greqia!

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nga e kanë origjinën sportet botërore

Published

on

By

Garat sportive pëlqehen gjithandej në botë. Ka sporte që tërheqin audiencë në gjithë botën, të tjera pëlqehen më shumë në rajone të caktuara.

Disa kanë lindur mileniume e shekuj më vonë, të tjera janë më të reja. Por, ku ka garë ka interes. Audiencë miliardëshe, sikur futbolli, për shembull.

Por, ku kanë lindur këto sporte, cila është origjina e tyre. Ja një listë me sportet kryesore dhe me vendin e tyre të origjinës fillestare:

  1. Futbolli – Angli – 1863
  2. Basketbolli – Shtetet e Bashkuara – 1891
  3. Kriketi – Angli – shek. XVI
  4. Tenisi (në fushë) – Angli – 1873
  5. Bejsbolli – Shtetet e Bashkuara – 1845
  6. Hokeji në fushë – Angli – shek. XIX
  7. Golfi – Skoci – shek. XV
  8. Volejbolli – Shtetet e Bashkuara – 1895
  9. Badmintoni – Indi – 1873
  10. Pingpongu – Angli – vitet 1880
  11. Ragbi – Angli – 1823
  12. Boksi – Greqia e Lashtë – 688 p.e.s.
  13. Noti (garues) – Angli – shek. XIX
  14. Gjuajtja me hark – Mbarë bota – Parahistori
  15. Xhudo – Japoni – 1882
  16. Karate – Okinava – shek. XVII–XIX
  17. Mundja – Mesopotami – 3000 p.e.s.
  18. Hokeji në akull – Kanada – shek. XIX
  19. Surfimi – Polinezi – shek. XII

Continue Reading

Të kërkuara