Lajmet

Sabedini: Opozita pa alternativë, Kurti përfituesi kryesor i krizës politike

Published

on

Profesori universitar, Musa Sabedini, ka shprehur shqetësimin e tij për ngërçin e zgjatur politik në Kosovë, duke vlerësuar se vendi po përballet me një krizë serioze institucionale, e cila, sipas tij, rrezikon stabilitetin e brendshëm dhe kredibilitetin ndërkombëtar të shtetit.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Sabedini thekson se klasa politike mban përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar, duke e cilësuar të papranueshme vazhdimin e bllokadës institucionale dhe mungesën e një vullneti real për zgjidhjen e krizës.

Sipas tij, Kosova tashmë po paguan një kosto të lartë politike dhe diplomatike, ndërsa besimi i qytetarëve dhe i partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve të vendit është në rënie.

“Është e lehtë të bllokosh një proces të rregullt institucional, por është krejtësisht e pakuptimtë që kjo gjendje të vazhdojë për një kohë kaq të gjatë. Zgjedhjet e reja nuk do të prodhonin domosdoshmërisht një rezultat ndryshe, sepse opozita nuk ka arritur të krijojë alternativa bindëse dhe të rrisë mbështetjen qytetare. Ndërkohë, Albin Kurti, pavarësisht kritikave dhe zhvillimeve politike, vazhdon të mbetet përfituesi kryesor i kësaj situate”, deklaron Sabedini.

Profesori universitar vlerëson se përgjegjësinë më të madhe për krizën aktuale e mban kryeministri Albin Kurti, ndërsa opozitën e konsideron të pafuqishme për të ofruar vizion dhe zgjidhje konkrete.

Ai rikujton se kishte paralajmëruar më herët zhvillime të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke shtuar se tensionet në këtë subjekt politik, sipas tij, po ndodhin në një moment shumë të ndjeshëm për skenën politike dhe njëkohësisht po i shkojnë në favor pozitës aktuale.

Sabedini thekson se Kosova nuk ka më luksin të vazhdojë me eksperimente politike, në një kohë kur sfidat ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

“Albin Kurti po dëshmohet një negociator i vështirë për kompromis politik, ndërsa opozita po vazhdon të mbetet pasive dhe pa iniciativa serioze. Zgjidhja më e mirë, jo sepse e meriton Albin Kurti, por sepse e meriton Kosova, është që vendi të gjejë rrugën e daljes nga kjo krizë përmes zgjedhjes së një presidenti kredibil dhe ndërtimit të institucioneve funksionale. Në këtë kontekst, unë konsideroj se Ramush Haradinaj i plotëson tiparet e një lideri me besueshmëri, përvojë dhe përgjegjësi politike”, shprehet ai.

Sipas Sabedinit, çdo ditë e humbur pa institucione funksionale reflektohet drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, investimet e huaja dhe mbështetjen ndërkombëtare që Kosova ka gëzuar ndër vite.

Ai paralajmëron se zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasjet ndërmjet fuqive ndërkombëtare, mund të kenë pasoja edhe për Kosovën, duke e bërë edhe më të domosdoshëm stabilitetin e brendshëm politik.

Profesori universitar vlerëson se ngërçi institucional dhe politik do t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, zvarritja e proceseve shtetërore po reflektohet në dobësimin e besimit institucional, në zvogëlimin e mbështetjes financiare dhe në mungesën e donacioneve e investimeve që dikur Kosova i siguronte me përkrahjen e pakushtëzuar të shteteve mike.

“Zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, si dhe konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, vendi ka nevojë urgjente për dialog politik, komunikim konstruktiv dhe një marrëveshje që do të rikthente stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve, të cilët sot ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer nga kriza e zgjatur politike. Në këtë fazë, çelësi i zgjidhjes mbetet te kryeministri Albin Kurti. Ai duhet të dëshmojë lidership shtetëror dhe të kuptojë se një kompromis në funksion të interesit publik nuk është dobësi politike, por përgjegjësi ndaj shtetit, rinisë dhe së ardhmes së Kosovës”, ka deklaruar Sabedini.

“Përballë këtyre rrethanave, dialogu, kompromisi dhe përgjegjësia shtetërore janë domosdoshmëri. Shoqëria kosovare ka nevojë për qetësi, institucione funksionale dhe rikthim të besimit qytetar. Çelësi i zgjidhjes, në këtë fazë, mbetet te kryeministri Albin Kurti, i cili duhet të dëshmojë gatishmëri për të vendosur interesin e shtetit dhe të qytetarëve mbi kalkulimet politike”, përfundon profesori universitar Musa Sabedini. /Ekonomia online/

Continue Reading

Vendi

BE-ja i bën thirrje Kosovës për respektimin e sundimit të ligjit dhe karakterit shumetnik

Published

on

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, duke përcjellë mesazhin e BE-së për respektimin e sundimit të ligjit dhe karakterit shumetnik të institucioneve.

Palatova është takuar me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku ka theksuar nevojën që institucionet e Kosovës të veprojnë në përputhje me parimet e sundimit të ligjit.

Sipas mesazhit të BE-së, pretendimet për sjellje të pahijshme nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës duhet të hetohen, ndërsa çdo veprim duhet të ndërmerret duke respektuar procedurat e rregullta ligjore.

Në të njëjtën ditë, Palatova është pritur në një takim lamtumirës nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Konjufca e ka falënderuar për angazhimin dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të saj në Kosovë, duke vlerësuar kontributin në forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në takim është theksuar rëndësia e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe vazhdimit të bashkëpunimit me BE-në në fushat me interes të përbashkët.

Palatova ka përcjellë mesazhin se BE-ja vazhdon ta mbështesë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, ndërsa ka theksuar se Kosova duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj në këtë proces.

Në fund të takimit, Konjufca i ka uruar Palatovës sukses në angazhimet e saj të ardhshme./A.K/

Continue Reading

Vendi

Ekzekutohen pagesat për Masat Aktive të Tregut të Punës dhe Pushimin e Lehonisë

Published

on

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat për përfituesit e Masave Aktive të Tregut të Punës dhe për Pushimin e Lehonisë.

Sipas njoftimit të ministrisë, përfituesit e të dyja skemave kanë marrë pagesat përkatëse, duke mundësuar realizimin e mbështetjes financiare të paraparë për ta.

Ministria ka bërë të ditur se procesi i pagesave është përfunduar për përfituesit e të dy kategorive./A.K/

Continue Reading

Vendi

Ulen çmimet e mjeteve shkollore, pakicat duhet t’i shesin të paktën 15% më lirë

Published

on

Qeveria ka marrë vendim për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore, në kuadër të masave për të lehtësuar shpenzimet e familjeve para fillimit të vitit të ri shkollor.

Nga sot deri më 30 shtator, tregtarët me shumicë duhet t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë duhet të ofrojnë ulje prej të paktën 15%, krahasuar me çmimet që kanë qenë në fuqi në qershor.

Masa përfshin një gamë të gjerë produktesh, si çanta, fletore, blloqe, lapsa, stilolapsa, ngjyra, plastelinë, flomasterë, markerë, tempera, furça, vizore, goma, mprehëse, gërshërë, futrola, ngjitëse, kompasë, kalkulatorë, dosje dhe materiale për punë praktike.

Sipas Qeverisë, tregtarët janë të detyruar të shfaqin përkrah çmimit të ri edhe çmimin e vjetër të produktit, të vlefshëm më 1 qershor 2026, në mënyrë që konsumatorët të mund të verifikojnë uljen.

Qeveria ka vlerësuar se kjo masë synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet në periudhën kur shpenzimet për përgatitjen e fëmijëve për vitin shkollor janë më të larta./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Studio regji, aktrim dhe dramaturgji në UBT — në programin Artet Dramatike

Published

on

By

Programi i Arteve DramatikeUBT është ndërtuar për ata që duan të bëhen profesionistë të përgatitur, jo vetëm të talentuar. Ky është programi më inovativ i nivelit bachelor në fushën e arteve dramatike, me tri orientime specializimi: aktrim, regji dhe dramaturgji.

Aktrimi të përgatit për skenën, kamerën dhe mikrofonin, duke ndërtuar trupin, zërin, teknikën dhe interpretimin. Regjia të mëson të lexosh një tekst, të ndërtosh një vizion dhe të udhëheqësh një ekip nga ideja e parë deri në shfaqjen ose projektin e përfunduar. Dramaturgjia të përgatit për të shkruar tekst skenik dhe skenar, për të ndërtuar personazhe, konflikt dhe strukturë. Të tri orientimet ndajnë një bazë të përbashkët dhe punojnë bashkë në prodhime konkrete sikurse ndodh në industri reale.

Misioni i programit të Arteve Dramatike është të përgatisë profesionistë krijues dhe kritikë, që kontribuojnë në zhvillimin kulturor në Kosovë dhe më gjerë. Kjo nënkupton një qasje që e ndërthur artin me mendimin kritik: studenti nuk mëson vetëm si të krijojë, por edhe çfarë kuptimi ka një vepër, si komunikon me publikun dhe çfarë përgjegjësie mbart ndaj shoqërisë ku lind.

Programi ofron njohuri të avancuara në teori dhe praktikë dramatike, duke e lidhur bazën teorike drejtpërdrejt me punën në sallë provash dhe në set. Në të njëjtën kohë, nxit zhvillimin e kapaciteteve krijuese origjinale në aktrim, regji dhe dramaturgji, duke inkurajuar gjuhën artistike personale të secilit student në vend të formulave të gatshme. Përgjegjësia etike dhe profesionale është pjesë e formimit, jo shtesë e tij.

Studentët mësojnë standarde të qarta në prodhimin artistik, në punën me ekipin dhe në raportin me publikun, sepse arti i mirë ndërtohet mbi besim dhe disiplinë. Krahas kësaj, programi pajis studentët me aftësi ndërdisiplinare që funksionojnë njëkohësisht për teatër, film dhe media digjitale. Kjo qasje e gjerë nuk është rastësore. Arti dramatik i sotëm nuk jeton më vetëm në një skenë: një aktor filmon serial dhe luan në teatër, një regjisor kalon nga shfaqja në përmbajtje digjitale, një dramaturg shkruan tekst skenik dhe skenar njëkohësisht. Programi është ndërtuar mbi këtë realitet, me punë ekipore dhe prodhime konkrete gjatë studimeve, sepse eksperienca fitohet duke krijuar, jo vetëm duke lexuar për krijimin.

Të diplomuarit dalin të përgatitur për një spektër të gjerë rrugëtimesh profesionale: aktorë në teatër, film dhe televizion, regjisorë të shfaqjeve skenike dhe projekteve audiovizive, dramaturgë dhe skenaristë, krijues përmbajtjeje për media digjitale, si edhe kritikë, studiues, pedagogë dhe menaxherë projektesh kulturore.

Ky program i drejtohet të gjithë atyre që kanë pasion për skenën dhe rrëfimin, që duan të zhvillojnë zërin e tyre artistik dhe të punojnë me disiplinë profesionale. Nuk kërkohet të jesh i përsosur, kërkohet të jesh i gatshëm për të punuar.

Nëse skena, kamera dhe rrëfimi i historive të tërheqin, ky program është vendi ku ky pasion kthehet në profesion. Në UBT do të gjesh mentorë, ekip dhe hapësirë për të provuar dhe për të krijuar. Talenti e hap rrugën, puna e ndërton karrierën. Zgjidh orientimin tënd — aktrim, regji apo dramaturgji, apliko në programin e Arteve Dramatike në UBT dhe fillo atje ku fillojnë historitë.

Continue Reading

Të kërkuara