Nga Toyota mund të prisni gjithçka dhe e-Palette e re e konfirmon këtë pritshmëri. Ky automjet nuk është një makinë sportive apo limuzinë luksoze, por një mjet inovativ dhe i pazakontë për transportin e pasagjerëve.
e-Palette u prezantua si koncept në CES 2018 dhe më pas u shfaq në Lojërat Olimpike të Tokios 2021. Pas viteve testimeve, ai hyn tani në tregun japonez. Automjeti ka dimensione të mëdha: 4.95 metra gjatësi, 2.08 metra gjerësi dhe 2.65 metra lartësi.
Dizajni i tij minimal, me sipërfaqe të mëdha xhami dhe drita LED të rrumbullakëta, i jep hapësirës ndjesinë e një dhome ndenjeje në lëvizje.
Shoferi ulet në pozicion qendror, duke përdorur timon të tipit zgjedhë dhe katër ekrane për kontroll. Dyshemeja e ulët dhe rampa e aksesit lehtësojnë lëvizjen për personat me aftësi të kufizuara. Në total, e-Palette mund të marrë 17 persona: 4 të ulur, 12 në këmbë dhe shoferin.
Përveç transportit të pasagjerëve, kabina transformohet në zyrë lëvizëse, sallë pritjeje apo dyqan të vogël. Toyota parashikon përdorimin e tij si transport në mëngjes, pikë shitjeje ushqimesh në mesditë dhe hapësirë argëtimi në mbrëmje.

Performanca dhe teknologjia
e-Palette fuqizohet nga motori elektrik me 204 kuaj-fuqi dhe 266 Nm çift rrotullues, duke arritur shpejtësi deri 80 km/orë katërfish më e shpejtë se prototipet e para. Bateria prej 72.8 kWh ofron autonomi deri në 250 km dhe mund të karikohet deri në 80% në vetëm 40 minuta me karikues të shpejtë. Automjeti mund të furnizojë edhe pajisje elektrike të jashtme në raste emergjence.
Aktualisht e-Palette ka sisteme asistence të Nivelit 2, por Toyota synon drejtimin autonom të Nivelit 4 deri në vitin 2027.
Çmimi dhe disponueshmëria
Surpriza më e madhe është çmimi: në Japoni, e-Palette fillon nga 29 milionë jen (rreth 196,000 euro), duke e bërë makinën më të shtrenjtë në histori, madje më shumë se SUV-i luksoz i kompanisë prej 182,000 eurosh. Subvencionet qeveritare e ulin ndjeshëm këtë çmim.
Prodhimi do të bëhet me porosi, dhe automjeti do të përdoret fillimisht në hapësira publike dhe në “Qytetin e Endur” futurist të Toyota-s, duke demonstruar potencialin e tij si një automjet inovativ, i shumëfunksional e i gatshëm për të ardhmen e transportit. /A.Z/UBT News/