UBT ishte nikoqir i punëtorisë ndërkombëtare për zhvillimin e kurrikulës në fushën e sigurisë kibernetike, e cila u mbajt më 27 dhe 28 janar. Kjo punëtori u organizua në kuadër të projektit SHIELD – United for Cyber Safety: Up-Skilling High School Communities for Protecting Students, i mbështetur nga Erasmus+.

Projekti u koordinua nga Ss. Cyril and Methodius University në Shkup, ndërsa partnerë janë University “St. Kliment Ohridski”, në Sofia, UBT, si dhe Ekonomikas un Kultūras Augstskola, në Letoni. Qëllimi kryesor i projektit është fuqizimi i komuniteteve shkollore të arsimit të mesëm përmes zhvillimit të aftësive dhe njohurive në fushën e sigurisë kibernetike, me fokus në mbrojtjen e nxënësve dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë.
Në hapjen e punëtorisë mori pjesë edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi se UBT ka investuar vazhdimisht në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe ka krijuar departamente të veçanta për fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjive të avancuara, duke e konsideruar këtë fushë si jetike për të ardhmen e arsimit dhe shoqërisë digjitale.
Agjenda e punëtorisë përfshiu sesione të dedikuara për analizën e nevojave arsimore, përcaktimin e fushës së trajnimeve në siguri kibernetike, strukturimin e kurrikulës dhe rezultateve të të nxënit, si dhe qasjen gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme në dizajnimin e trajnimeve. Po ashtu, diskutimet u fokusuan edhe në format e ofrimit të trajnimeve, materialet mësimore, mjetet digjitale, si dhe planifikimin e testimit pilot dhe zbatimit të kurrikulës.
Kjo punëtori paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së arsimit profesional me sfidat aktuale të sigurisë digjitale, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rolin e UBT-së si një institucion lider në zhvillimin e programeve inovative dhe të orientuara drejt nevojave reale të shoqërisë.