Lajmet

Rusia mbyll konsullatat e Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë

Të gjithë punonjësit e tyre do të shpallen “non grata”.

Published

on

Rusia po mbyll konsullatat e tri vendeve ish-sovjetike baltike, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë për media të enjten.

Në deklaratë thuhet se konsullatat e Letonisë në Shën Petersburg dhe Pskov, si dhe konsullatat e përgjithshme të Estonisë dhe Lituanisë në Shën Petersburg do të mbyllen dhe të gjithë punonjësit e tyre do të shpallen “non grata”.

Sipas ministrisë së jashtme, punonjësit konsullorë dhe personeli tjetër që nuk janë shtetas rusë duhet të largohen nga territori rus brenda të njëjtit afat kohor që ishte caktuar për largimin e punonjësve të misioneve konsullore ruse nga këto vende./UBTNews/

lajme

United Hospital: Teknologji moderne dhe ekspertizë mjekësore për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të tiroides

Published

on

By

Prishtinë – Në një kohë kur diagnostikimi i hershëm po konsiderohet një nga shtyllat kryesore të mjekësisë moderne, United Hospital vazhdon të investojë në teknologji bashkëkohore diagnostikuese dhe në një ekip profesionistësh me përvojë, duke ofruar shërbime të standardeve të larta për pacientët. Kombinimi i pajisjeve të avancuara me ekspertizën klinike synon të sigurojë vlerësim të saktë, trajtim të personalizuar dhe kujdes të vazhdueshëm për çdo pacient.

Një nga fushat që kërkon vëmendje të veçantë është shëndeti i gjëndrës tiroide. Çrregullimet e saj mund të ndikojnë në metabolizëm, energji, ritmin e zemrës dhe mirëqenien e përgjithshme, ndërsa simptomat shpesh mbeten të nënvlerësuara. Lodhja e vazhdueshme, ndryshimet e pashpjegueshme në peshë, nervozizmi, rrahjet e shpejta të zemrës apo ndjeshmëria ndaj temperaturave mund të jenë sinjale që kërkojnë vlerësim profesional.

Me fokus në parandalimin dhe diagnostikimin në kohë, United Hospital ofron kontroll profesional të funksionit të tiroides në kuadër të një oferte të veçantë: nga 65.00 € në vetëm 30.00 €.

Për informata dhe rezervime:
📞 038 60 70 70 | 046 60 70 70
📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

Kujdesi për tiroiden është investim për shëndetin tuaj. Diagnostikimi në kohë mbetet çelësi për parandalim dhe trajtim më efikas./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Kur sulmohet gazetaria, rrezikohet demokracia, të vërtetën nuk e hesht as pushteti, as linçimi

Published

on

By

Sot, të jesh gazetar në Kosovë nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi, është një profesion që kërkon kurajë, durim dhe integritet për të punuar në një klimë të rënduar nga gjuha e urrejtjes, linçimi publik dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve.

Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën. Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës

Ky lumë fyerjesh dhe diskursi degradues nuk e dëmton vetëm dinjitetin e gazetarit; ai cenon vetë kulturën demokratike dhe përpjekjet për ndërtimin e një gazetarie profesionale, të lirë dhe moderne. Megjithatë, zhurma nuk e zëvendëson kurrë të vërtetën. Faktet, argumentet dhe puna serioze gazetareske mbeten gjithmonë më të forta se propaganda dhe etiketimet.

Gjatë rrugëtimit tim shumëvjeçar në gazetari, veçanërisht në gazetarinë hulumtuese, jam përballur me kërcënime, presione e tentativa të ndryshme për të më heshtur. Asnjëra prej tyre nuk më ka ndalur. Përkundrazi, ato më kanë bindur edhe më shumë se gazetaria ka kuptim vetëm kur sfidon krimin e organizuar, korrupsionin politik e ekonomik dhe çdo formë të abuzimit me pushtetin.

Në çdo rrethanë kam qëndruar në mbrojtje të kolegëve, edhe atëherë kur disa prej tyre zgjodhën të heshtnin përballë sulmeve ndaj meje. Por ajo që sot më shqetëson më së shumti nuk janë sulmet që vijnë nga politika apo grupet e interesit. Më shqetëson servilizmi i një pjese të vogël të gazetarëve, të cilët, në vend se ta mbrojnë profesionin, shndërrohen në zëdhënës të pushtetit dhe përpiqen të diskreditojnë kolegët e tyre me narrativa të fabrikuara dhe argumente të imponuara.

Ky deformim i rolit të gazetarit është ndër goditjet më të rënda që mund t’i jepen profesionit. Gazetaria nuk mund të ushtrohet me nënshtrim, as me besnikëri ndaj pushtetit. Misioni i saj është t’i shërbejë publikut dhe interesit qytetar, jo interesave politike apo personale.

Askush nuk është i pagabueshëm. Edhe gazetarët dhe mediat bëjnë gabime. Por ekziston një dallim thelbësor mes gabimit profesional dhe fushatës së organizuar për ta njollosur një koleg. Është e papranueshme që gazetarët të përdoren si instrumente për të goditur gazetarët e tjerë. Solidariteti profesional nuk nënkupton pajtim me çdo qëndrim, por respekt për parimet mbi të cilat ndërtohet liria e medias.

Fatkeqësisht, këtë klimë përçarëse e ka ushqyer edhe retorika e pushtetit aktual, i cili në vazhdimësi ka zgjedhur përballjen me mediat, duke i etiketuar ato si “media të Serbisë” apo duke i sulmuar për faktin se funksionojnë si biznese mediatike. Këto janë narrativa që nuk i shërbejnë demokracisë dhe nuk i shmangin institucionet nga përgjegjësia për transparencë e llogaridhënie.

Mediat financohen nga puna e tyre, nga audienca, nga shërbimet dhe tregu që u lejon të mbijetojnë. Në një shtet demokratik, kjo është krejtësisht legjitime. Pyetja që shtrohet është një tjetër: kush mban përgjegjësi për mënyrën se si shpenzohen paratë publike dhe për çdo cent të taksapaguesve? Pikërisht këtu duhet të drejtohet vëmendja e pushtetit, e jo te përpjekjet për ta delegjitimuar gazetarinë kritike.

Respekt për të gjithë ata gazetarë që, pavarësisht presioneve, vazhdojnë ta mbrojnë integritetin profesional, etikën dhe besueshmërinë e medias. Janë pikërisht ata që e mbajnë gjallë misionin e gazetarisë së lirë dhe e dëshmojnë se e vërteta nuk mund të mposhtet nga propaganda, por vetëm nga heshtja. Prandaj, heshtja nuk duhet të jetë kurrë zgjedhje.

Një fjalë edhe për ata që, të fshehur pas profileve në rrjetet sociale, qofshin nga Evropa, Amerika apo kudo tjetër, e kanë shndërruar fyerjen, kërcënimin dhe linçimin virtual në mjet “debati”.

Kujdes me gjuhën që përdorni dhe me rolin që i jepni vetes. Askush nuk ka të drejtë të marrë në dorë “gjykimin” e gazetarëve, të shpallë fajtorë apo të nxisë urrejtje ndaj tyre, sikur Kosova të mos ishte shtet me ligje, institucione, polici dhe drejtësi.

Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën. Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës.

Musa Sabedini

Autori është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 korrik 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Rexhep Mejdani – President i ri i Shqipërisë

25 korrik 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Gllogovc: – Më 17 korrik, rreth orës 15:00, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve keqtrajtoi Aziz Bytyçin (1938) nga fshati Orllat, i cili pësoi lëndime të rënda trupore dhe njëkohësisht keqtraktoi edhe dy djemt e tij, Azem e Jonuz Bytyçin.

Më 23 korrik, në fshatin Negroc të Gllogovcit, tre policë serb keqtrajtuan fizikish Bedri dhe Avdi Krasniqin, të cilët me qerren e mbushur me dru po ktheheshin mga mali. Pasi i keqtrajtoi fizikisht, policia i urdhëroi ata që t’i shfryjnë gomat e çerres dhe të presin aty deri sa të kthehen sërish policia, ndërsa më vonë, pasi pritën rreth 40 minuta, policia i urdhëroi ata që të nisen në shtëpi me goma të shfryra!

Ferizaj: – Më 21 korrik, me pretekst të kërkimit të armëve, në polici u morën Nexhat Ademi, Ramush Murtezi dhe Adem Ademi nga fshati Koshare. Pasi u pyetën për armë, ata u liruan me kusht që të paraqiten sërish në polici më 25 korrik. Bëhet me dije se Nexhat Ademi u keqtrajtua fizikisht.

Nga i njëjti fshat dhe me të njëjtin pretekst, u urdhërua që të paraqitet më 25 korrik edhe Abdullah Krasniqi.

Prej 19 deri 21 korrik, në polici për armë u mor edhe Sadik Haliti nga Dremnjaku i Ferizajt.

Nga i njëjti fshat, në postkomandën e policisë në Nerodime, më 21 korrik u morën edhe vëllezërit Ilmi, Sefer dhe Rexhep Muhadini. Njoftohet se Ilmi Muhadini ishte për herë të tretë në polici.

Viti: – Dje, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, ishte në shtëpinë e Izet Fetahut në Sadovinë të Jerlive dhe kërkuan djalin e tij Sabri Fetahun, i cili nuk gjendej në shtëpi. Policia ia la thirrjen për t’u paraqitur në polici. Ai u mor sot në pyetje.

Prizren: – Dje rreth orës 11:00, u mor në pyetje Bedri Çejku, kryetar i Shoqatës “Motrat Çiriazi” në Prizren. Ai u pyet kryesisht për veprimtarinë e kësaj shoqate, si dhe për veprimtaritë dhe aktivitetet tjera në këtë komunë.

Në stacionin e policisë në Prizren, Bedri Çejku u mbajt rreth dy orë.

 

 25 korrik 1997

Rexhep Mejdani – President i ri i Shqipërisë

Rexhep Mejdani, sekretar i deritashëm i përgjithshëm i Partisë Socialiste, u zgjodh dje me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, President i Republikës.

Në votim morën pjesë 122 deputetë, nga të cilët 110 votuan për Rexhep Mejdanin, tre ishin kundër dhe dy abstenuan, ndërsa 7 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Në fjalën e tij inauguruese, z. Mejdani tha se vendi dhe populli kanë nevojë për paqe, për frymën e tolerancës, të dashurisë dhe të mirëkuptimit.

“Ne duhet të aspirojmë dhe të luftojmë së bashku që ta ringjallim Shqipërinë, të mënjanojmë dhe të minimizojmë papunësinë, krimin e korrupsionin, të synojmë që sa më shpejt t’u garantojmë njerëzve gëzimin e jetës, qetësinë e sigurinë e saj, mundësinë e gjithanshme dhe shans të mirë për t’i zhvilluar iniciativën e gjerë private dhe emancipimin ekonomik, social e qytetar. Të garantojmë në rrugë ligjore, në mënyrë të shëndetshme investimet e vendit e të huaja aq të domosdoshme, integrimin më të plotë në strukturat bashkëkohore evroatlantike dhe institucionet financiare botërore”, tha Mejdani, duke iu drejtuar deputetëve të parlamentit të ri shqiptar, të dominuar nga socialistët.

“Duke u mbështetur në angazhimin tuaj serioz me detyrën që më ngarkon do të shtoj përpjekjet për konkretizimin real e të vazhduar të politikës së pajtimit kombëtar, për ndërtimin e një politike të re integruese të bashkëpunimit, të bashkëjetesës të gjithë shqiptarëve vëllezër, të të gjitha forcave politike pozitare dhe opozitare, kundër politikës së konfrontimit, të bunkerizimit, të barrikadave, të intolerancës dhe përçarjes. Dhe për këtë të ndërtojmë shtetin real ligjor, të vëmë mbi gjithçka ligjin dhe ta respektojmë atë. Para tij të jemi të gjithë të barabartë që nga kryetari i shtetit e deri te njeriu i thjeshtë. Po ashtu ftoj intelektualët e specialistët shqiptarë të emigruar anembanë botës të punojnë për Shqipërinë e re, duke mundësuar maksimalisht me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në teknokracinë e re, për të cilën ka aq shumë nevojë vendi dhe rimëkëmbja e tij”, shtoi ai.

“Duke pranuar detyrën e presidentit unë shpreh besimin se duke punuar të gjithë së bashku në kooperim të ngushtë planesh me shtetet evropiane e SHBA, me institucionet më prestigjioze ndërkombëtare ne do ta rimëkëmbim Shqipërinë. Ne situatën tejet kritike shqiptare do ta shohim si një ëndërr tepër të dhimbshme, tepër të mbrapshtë, që nuk do të rishfaqet më kurrë. Që Shqipëria sot me kokë të ulur të ringrejë shumë shpejt sytë e saj drejt së ardhmes evropiane për të qenë gjithmonë një faktor pozitiv, një faktor paqeje e mirëkuptimi në rajon e më tej, por në të njëjtën kohë të shërbejë si faktor politik integrues i çështjes shqiptare”, tha mes tjerash në fjalën e tij inauguruese në Parlamentin e ri shqiptar presidenti i ri i Shqipërisë, Rexhep Mejdani.

 

25 korrik 1998

Forcat serbe sulmojnë vendbanimet në mes Carralevës, Grykës së Llapushnikut e Kijevës

Forcat serbe kanë sulmuar prej mëngjesi fshatrat Belincë, Zborc, Carralevë e Reçak (Shtimje), Komaran e Potërk (Gllogoc), Gremnik, Jashanicë, Gllarevë, Cerovik, Stapanicë, Rigjevë, Zabërgjë (Klinë)

Forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe kanë filluar sot në orën 04 të mengjesit një sulm masiv kundër fshatrave të Grykës së Carralevës, Grykës së Llapushnikut dhe fshatrave përreth Kijevës.

Kryetari i Degës së LDK-së në Shtimje, Ali Sadria, i deklaroi QIK-ut se forcat serbe sulmuan sot në mëngjes fshatrat e Grykës së Carralevës: Belincën, Zborcin, Carralevën e Reçakun.

Këto fshatra të komunës së Shtimjes lidhen me fshatrat e Grykës së Llapushnikut e Komoranin në komunën e Gllogocit dhe me fshatrat e komunës së Malishevës.

Njoftohet se dje në orën 17. 30 në Shtime kanë ardhur forca speciale, pjesëtarët e të cilave ishin me fytyra të ngjyrosura.

Nga Shtimja në orën 10. 30 u njoftua se forcat e ushtrisë serbe kanë arritur deri në lagjen e Badragjive në Zborc, ku janë djegur dy shtëpi, ndërsa dy shtëpi të tjera janë djegur në lagjen në qendër të fshatit. Theksohet se granatimet janë të një intensiteti më të ulët, ndërkohë që forcave serbe u janë kundërvënë forcat mbrojtëse shqiptare në mbrojtje të fshatit e të shtëpive.

Veprimtari i NKMLDNJ-së në Gllogoc, Shaban Neziri, i tha QIK-ut sot herët në mëngjes se gjatë natës forcat të mëdha ushtarake e policore serbe ishin përqendruar në Komoran.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogoc njoftoi se sot në orën 02:40 të mëngjesit, nga baza e “Ferronikelit” kishin dalë forca të mëdha të ushtrisë dhe të policisë serbe, të cilat kanë shkuar në drejtim të Komoranit. Këtyre forcave u janë bashkangjitur edhe forca të mëdha ushtarako-policore nga Magura e Lipjanit e nga Prishtina, të cilat po ashtu kanë shkuar sot në orët e mengjesit në Komoran. Ato janë vendosur në vendin e quajtur “Çuka e Zabelit” dhe gjatë tërë kohës po granatojnë drejt Grykës së Llapushnikut. Nga kjo pjesë shihen shtëpitë e lagjeve Mulaku e Vilaku të Komaranit, të cilat po digjen flakë nga granatimet e forcave serbe.

Dëshmitarët thonë se shihet të dalë tym nga shtëpitë e fshatit Potërk të Llapushnikut.

Popullsia e Gllogocit dhe e Çikatovës së Re, nga frika e ndonjë masakre të forcave serbe, ka filluar të largohet nga kjo pjesë e Kosovës në drejtim të viseve të tjera të Drenicës.

Një veprimtar i LDK-së në fshatin Likofc i tha QIK-ut se forcat serbe filluan në orën 04. OO një sulm të egër në drejtim të Grykës së Llapushnikut.

Nga fshatrat e Klinës njoftohet se forcat ushtarake e policore kanë ndërmarr sot një sulm përmasash të mëdha edhe kundër fshatrave Gremnik, Jashanicë, Gllarevë dhe fshatrave të tjera përreth Kijevës.

Forcat serbe po shtijnë kundër këtyre fshatrave me armë të ndryshme nga postblloku i Dollcit, nga Dresniku e nga Pogragja, si dhe nga kodrina e quajtur “Tikvesh”, e cila gjendet në vetë qytezën e Klinës.

Nga postblloku i Kijevës forcat serbe po granatojnë fshatrat Cerovik, Stapanicë, Rigjevë, Zabërgjë etj.

Te moteli “Nora” në Klinë dhe në postbllokun e Dollcit janë përqendruar forca të mëdha serbe, me një arsenal të madh armësh të të gjitha kalibrave, thuhet në një njoftim të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Klinë.

 

Katër trupa të pajetë në morgun e spitalit të Pejës

NMDLNJ në Pejë njofton se në morgun e spitalit të Pejës gjenden katër trupa të pajetë, identiteti i të cilëve nuk dihet.

Organet serbe ia komunikuan këtë lajm kryetarit të Bashkësisë Islame në Pejë Nexhmedin Hoxhës, prej të cilit u kërkua që me ndërmjetësimin e BI të bëhet varrimi i tyre.

Gjendjen edhe ashtu të rënduar në Pejë po e bëjnë edhe më të rëndë lëvizjet e shumta gjatë natës të civilëve të armatosur serbë dhe të policëve. Gjithashtu po vazhdojnë tash disa ditë ndërhyrjet e policisë nëpër shtëpitë e shqiptarëve, bastisjet, demolimet, marrjet në polici, kërcënimet e keqtrajtimet e shumta.

Edhe më tutje forcat serbe vazhdojnë të qëndrojnë në kodrën e quajtur Tabe, ku janë edhe disa bunkerë të vendosur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, në rrokaqiellin e Pejës dhe në disa ndërtesa të tjera në orët e mëngjesit janë vërejtur snajperistët serbë.

 

Luftime të ashpra në disa fshatra të Deçanit

Në disa fshatra të komunës së Deçanit kanë filluar mbrëmë luftime, të cilat po zgjasin edhe më tutje, njofton Nënkëshilli Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Deçan.

Forcat serbe, të pozicionuara në Sukën e Biteshit, kanë filluar mbrëmë të qëllojnë me artileri të rëndë fshatrat Shaptej e Gramoqel. Shumë shtëpive të këtyre fshatrave iu shkaktuan dëme të mëdha materiale, ndërsa ambulanca e Gramoqelit u shkatërrua pothuaj në tërësi. Deri tash nuk ka të dhëna për viktima eventuale në njerëz.

Po ky burim njofton se edhe sot janë zhvilluar luftime të ashpra në disa fshatra të komunës së Deçanit, sidomos rreth fshatrave Junik e Voksh.

Forcat ushtarako- policore dhe paramilitare serbe që mbrëmë kanë sulmuar Junikun në përpjekje që të depërtojnë në këtë fshat. Mirëpo, mbrojtësit e Junikut dhe forcat e UÇK-së i kanë zbrapsur forcat serbe.

Nga Deçani njoftohet se forcat serbe kanë vrarë mbrëmë në fshatin Lybeniq plakun Dervish Aliçkaj (78), i cili është varrosur mbrëmë vonë në varrezat e këtij fshati.

Burimet e Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Deçan kanë njoftuar edhe për luftimet e rrepta që janë zhvilluar në fshatrat e komunës së Klinës, të cilat shtrihen afër fshatrave të Lugut të Baranit. Në sulmet kundër këtyre fshatrave forcat serbe kanë përdorur edhe armët e rënda artilerike.

 

Forcat serbe nga Rahoveci kanë sulmuar fshatrat e Malishevës – të paktën dhjetë policë të vrarë

Njoftohet se sot forca të mëdha policore-ushtarake serbe të këmbësorisë, të ndihmuara nga tanket, nga Rahoveci sulmuan dhe provuan të depërtojnë drejt Malishevës. Atyre u dolën përballë forcat e UÇK-së duke i zmbrapsur me sukses ato sulme. Në luftimet e ashpra u vra një pjesëtar i UÇK-së, kurse një tjetër u plagos.

Ndërkaq në radhët e forcave agresore serbe ka pasur të paktën dhjetë policë të vrarë dhe dy tanke të shkatërruara. Njoftohet se nga policët e vrarë është konfiskuar një sasi armatimi dhe pajisjet kuftarake.

Në drejtim të forcave çlirimtare të Kosovë dhe fshatrave shqiptare të Malishevës gjatë sulmeve të sotme janë hedhur me dhjetra granata.

 

 

 

Continue Reading

Vendi

REL: Përtej Pediatrisë: Me çfarë kushtesh përballen pacientët në QKUK?

Published

on

By

Ankesa e një nëne për papastërtinë dhe për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nxiti reagim të gjerë në mesin e publikut, por fotografi dhe dëshmi të siguruara nga Radio Evropa e Lirë tregojnë se problemet infrastrukturore dhe sanitare shtrihen përtej një klinike të vetme, në spitalin më të avancuar publik kosovar, në Prishtinë.

Në mes të të nxehtit të madh të mesit të korrikut, Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ishte e mbushur me prindër e me të afërm pacientësh, që hynin e dilnin pa ndërprerë.

Shqetësimi për shëndetin e të afërmve iu vërehej në fytyrë. Në duar, disa mbanin ushqime, ndërsa të tjerë jastëkë e shtroja.

Shumë prej tyre hezituan të flisnin për Radion Evropa e Lirë (REL) rreth kushteve në spital, duke thënë se “nuk duan telashe” dhe se “kushtet dihen”.

Më 15 korrik, Arian Cakaj nga Vushtrria e kishte sjellë për trajtim në Pediatrinë e QKUK-së djalin e tij 4-muajsh.

“Kjo klinikë është objekt i vjetër. Ato muret janë të vjetra… Por, sa i përket pastërtisë, është në nivel”, tha ky baba për REL-in.

Ai shtoi se stafi i spitalit ishte i kujdesshëm, dhe se familjes së tij nuk i munguan as çarçafët, ndonëse kishin marrë disa me vete, për t’iu gjendur foshnjës.

Edhe ne mund ta kemi një shtëpi të vjetër, dhe sado që mund ta rregullojmë, prapë ajo është e vjetër”, tha Caka, duke shtuar se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim të infrastrukturës.

Por, vetëm pak ditë më parë, një rrëfim krejt tjetër nxiti debat e reagime për kushtet e trajtimit në Klinikën e Pediatrisë, që është në krye të hierarkisë së shëndetësisë publike në Kosovë, si spitali më i avancuar.

Aulona Mehmeti, nënë e një dyvjeçari, më 12 korrik publikoi fotografi dhe përshkrime të kushteve në Pediatrinë e QKUK-së, ku shiheshin shtretër të njollosur me gjak e të dëmtuar, dhe tualete me mungesë privatësie e pastërtie.

Ajo, veç tjerash, u ankua edhe për mungesë shtrojash, të cilat tha se iu desh t’i huazonte nga një familjare e një pacienti tjetër.

Reagimi në Klinikën e Pediatrisë, pas publikimit të Mehmetit, ishte i shpejtë.

Për pak ditë, aty u bë ndërrimi i disa shtretërve, si dhe filloi riparimi i nyjave sanitare.

QKUK-ja hapi procedura disiplinore ndaj stafit, lidhur me ankesat për sjelljen e pjesëtarëve të tij, si dhe nisi hetimin administrativ lidhur me këtë rast.

Deri më tani, ky institucion nuk ka njoftuar për gjetjet eventuale të komisionit ad-hoc që po kryen hetimin.

Deri më tani, ky institucion nuk ka njoftuar për gjetjet eventuale të komisionit ad-hoc që po kryen hetimin.

Pacienti 2-vjeçar, i shtrirë në Klinikën e Pedatrisë, në fund të qershorit.
Pacienti 2-vjeçar, i shtrirë në Klinikën e Pedatrisë, në fund të qershorit.

Edhe A. I , një paciente tjetër, e cila qëndroi në Pediatri me djalin e saj nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut, i tha REL-it se kushtet ishin “katastrofale”.

Më është dashur tri net të fle në tokë me djalin”, tha ajo, duke shpjeguar se një nga shtretërit që i ishte ofruar nuk ishte i përshtatshëm për fjetje.

Kjo nënë tha se ndihet mirë që rasti i Mehmetit “është trajtuar seriozisht”.

Për të dokumentuar nga afër gjendjen në këtë klinikë publike, REL-i kërkoi leje për të realizuar fotografime dhe xhirime brenda.

Me gjithë aprovimin fillestar nga Drejtoria e QKUK-së, leja u tërhoq me kërkesë të drejtoreshës së Klinikës së Pediatrisë, Alije Keka Sylaj.

Anulimi i lejes për datën 21 korrik, u bë me arsyetimin se klinika ishte në proces renovimi, ndonëse vazhdonte të funksiononte normalisht dhe të pranonte pacientë.

REL-i, megjithatë, siguroi fotografi të shkrepura më 15 korrik, para renovimeve në klinikë, dhe më 20 korrik, pas fillimit të tyre.

Klinika e Pediatrisë, më 15 korrik, dhe më 20 dhe 21 korrik, pas fillimit të renovimeve

 

Institucionet pranojnë sfidat infrastrukturore

Pas reagimeve nga rasti i Mehmetit, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Keka Sylaj, pranoi kushtet jo të mira në Klinikë, por tha se ato po i adresojnë tash e një kohë.

“Nuk i mohojmë sfidat infrastrukturore të objektit të vjetër të Klinikës së Pediatrisë. Përkundrazi, ato janë evidentuar, dokumentuar dhe adresuar vazhdimisht nga menaxhmenti pranë institucioneve përgjegjëse”, tha ajo në një shkrim në Facebook, më 13 korrik.

Sipas saj, klinika ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme“renovimin e reparteve, nyjave sanitare, rehabilitimin e bodrumit, funksionalizimin e lavanderisë, dhe investime të tjera infrastrukturore”, ndërsa një pjesë e këtyre punimeve tashmë kanë nisur.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë thanë se nuk kanë mundur “të transformojnë krejt infrastrukturën shëndetësore”.

Në një reagim publik më 13 korrik, zëdhënësi i ministrisë, Durim Elshani, shtoi se intervenime janë bërë fillimisht aty ku ka pasur “më së shumti nevojë”.

“Standardi i një sistemi shëndetësor… matet edhe me pastërtinë e një dhome, me pastërtinë e një shtrati, me pastërtinë e një tualeti… Në këtë pjesë nuk e kemi pasur dorën e hekurt”, shkroi ai.

Sipas tij, për transformimin e plotë të Klinikës së Pediatrisë tashmë janë ndarë 1.25 milion euro, ndërsa punimet pritet të nisin vitin e ardhshëm.

Por, si është gjendja në klinikat e tjera të QKUK-së?

Hulumtimi i REL-it tregon se debatet për Pediatrinë janë vetëm një pjesë e një problemi më të gjerë.

REL-i ka siguruar fotografi nga disa klinika të QKUK-së, ku shihen dëmtime infrastrukturore dhe kushte jo të mira sanitare, veçanërisht në tualetet e përbashkëta.

Ndonëse Drejtoria e QKUK-së aprovoi një leje xhirimi për gjashtë klinika të QKUK-së, REL-i pati mundësi ta shihte nga brenda, pa u penguar, vetëm Klinikën e Gjinekologjisë.

Kjo klinikë, në të cilën, sipas të dhënave të qeverisë, ka pasur investime prej rreth 5.5 milionë eurosh nga viti 2024, ka tashmë disa reparte me kushte moderne, ndonëse ka ende reparte të parenovuara.

Klinika e Gjinekologjisë, me reparte të renovuara dhe të pa renovuara

Në Klinikat e Kirurgjisë, Pulmologjisë, të Otorinolaringologjisë, e të Kirurgjisë Maksillofaciale, ndër të tjera, REL-i gjeti tualete të prishura, dyer që nuk mbylleshin, mungesë sapunësh të lëngshëm dhe letrash tualeti, si dhe papastërti të përgjithshme.

Viteve të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka investuar miliona euro në renovimin dhe modernizimin e një sërë klinikash.

Sipas njoftimeve zyrtare të ministrisë, vetëm gjatë viteve 2023-2025, përveç investimeve në Klinikën e Gjinekologjisë, edhe rreth 2.8 milionë euro janë investuar për Klinikën e re të Ortopedisë.

Investime të tjera përfshijnë ato në Klinikën e UrologjisëKlinikën Emergjente, atë të Kardiokirurgjisë, të Onkologjisë dhe të Kardiologjisë.

Tualete të përbashkëta, në klinika të ndryshme të QKUK-së

Mungesë higjiene në Klinikën Infektive: Çfarë panë inspektorët?

Një kontroll i jashtëzakonshëm në Klinikën Infektive, ku trajtohen sëmundjet ngjitëse, nxori në pah disa mangësi, që lidheshin me procesin e pastrimit dhe dezinfektimit.

Inspektorati Sanitar i Kosovës, që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, i konfirmoi REL-it se inspektimi u bë më 16 korrik 2026, pas ankesës së shoqërueses së një pacienti.

Sipas raportit të Inspektoratit, objekti ku funksionon Klinika Infektive është i vjetër, “ndërsa hapësira e dedikuar për stafin e pastrimit është në gjendje të amortizuar”.

Për të arritur deri te depoja ku ruheshin materialet e higjienës, inspektorët konstatuan se duhej kaluar nëpër korridore me lagështi të theksuar dhe ujë të grumbulluar, gjendje që, sipas tyre, paraqet rrezik për kontaminim.

“Gjatë kontrollit, u konstatua se stafi nuk ishte i pajisur dhe nuk përdorte pajisje personale mbrojtëse, përfshirë doreza dhe maska, gjatë kryerjes së punëve të pastrimit.”, tha Inspektorati.

Ndër të tjera, Inspektorati gjeti se “nuk pati lecka pastrimi të ndara sipas kodit të ngjyrave, ose sipas destinimit të përdorimit”.

Kjo, sipas tij, mundëson pastrimin e sipërfaqeve të ndryshme, pa rrezik të kontaminimit të kryqëzuar.

Ekipi i REL-it nuk arriti të siguronte qasje për të marrë pamje brenda kësaj klinike.

I pyetur lidhur me gjendjen e përgjithshme të kushteve sanitare në QKUK, Inspektorati tha se, sipas inspektimit të rregullt, në vitin 2026, kushtet infrastrukturore dhe higjieno-sanitare në shumicën e klinikave të QKUK-së janë “përgjithësisht të mira, dhe pasqyrojnë investimet e viteve të fundit”.

Klinika Infektive. Fotografi nga arkivi.

Edhe organizatat që mbrojnë të drejtat e pacientëve dhe të stafit shëndetësor vlerësojnë se kushtet infrastrukturore janë një ankesë legjitime për QKUK-në.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) tha se problemi i kushteve në QKUK nuk qëndron vetëm te rasti publik i Pediatrisë.

“Problemi nuk është vetëm fotografia apo një rast i izoluar, por fakti se një numër i konsiderueshëm i pacientëve dhe familjarëve të tyre vazhdojnë të raportojnë kushte jo të denja për ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, tha kjo shoqatë për REL-in.

“Këto kushte ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien fizike dhe psikologjike të pacientëve. Përveç rritjes së rrezikut për infeksione spitalore, ato ndikojnë edhe në besimin e qytetarëve ndaj sistemit publik shëndetësor”, thuhet tutje në deklaratën e shoqatës.

Veç kësaj, PRAK-u kritikoi edhe qasjen mbrojtëse të institucioneve shëndetësore karshi kritikave të pacientëve.

“Ne besojmë se reagimi institucional duhet të fokusohet në adresimin e problemit, dhe jo në minimizimin apo relativizimin e tij. Kur qytetarët raportojnë shqetësime, institucionet duhet ta shohin këtë si mundësi për përmirësim, dhe jo si sulm ndaj tyre”, tha PRAK-u.

Edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës vlerësoi se problemet infrastrukturore nuk ndikojnë vetëm te pacientët, por edhe te personeli.

Kryetarja e Federatës, Tevide Imeri, tha se kushtet e amortizuara të punës janë një nga arsyet pse shumë profesionistë shëndetësorë largohen nga Kosova.

“Shëndetësia është një oqean me probleme. Nuk është një problem që izolohet në një klinikë ose në një repart. [Gjatë investimeve] të mos bëhet një lloj fasadimi, një lloj ngjyre, një lloj recepsioni ku shkon, pritet një shirit, dhe aty përfundon gjithçka”, u shpreh ajo.

Sipas Imerit, edhe vetë punonjësit shëndetësorë shpesh punojnë në ambiente jo të denja.

“Në shumë institucione nuk ke as zhveshtore për personelin. Tualetet janë katastrofë. Shpesh, punëtorët blejnë vetë materiale higjienike për përdorim gjatë punës”, tregoi ajo. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara