Lajmet
Rusia do të pushtojë Ukrainën në shkurt?! Biden paralajmëron Zelenskyyn
Blinken tha se dokumenti që SHBA-ja i dorëzoi Rusisë: “përfshin shqetësimet e Shteteve të Bashkuara,:
Published
4 years agoon
By
Betim GashiShtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden paralajmëroi të enjten presidentin e Ukrainës se ekziston një “mundësi e dukshme” që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës në muajin shkurt.
Kremlini gjithashtu paraqiti një pamje të zymtë, duke thënë se shihte “pak vend për optimizëm” në zgjidhjen e krizës, kjo pasi SHBA-ja këtë javë, refuzoi sërisht kërkesat kryesore të Rusisë.
Zyrtarët rusë thanë se dialogu ishte ende i mundur për t’i dhënë fund krizës, por Presidenti Biden ofroi një paralajmërim të qartë mes shqetësimeve në rritje se Presidenti rus Vladimir Putin, do të japë dritën jeshile për një pushtim të territorit ukrainas, në një të ardhme jo shumë të largët.
Shtëpia e Bardhë tha se komentet e Presidentit Biden gjatë një bisede telefonike me homologun e tij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh.
“Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt“, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Emily Horne.
“Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë“, shtoi ajo.
Rusia: Pak vend për optimizëm për lehtësimin e tensioneve
Më herët të enjten Rusia tha se kishte “pak vend për optimizëm” për zbutje të tensioneve në Evropën Lindore pasi siç thanë autoritetet e këtij vendi, Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e saj që Ukraina të mos lejohet të anëtarësohet në NATO dhe që Perëndimi të tërheqë trupat dhe armatimet nga vendet në kufi me Rusinë.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave të saj “nuk ishte pozitive”, por shtoi se disa elementë të saj mund të çojnë në “fillimin e bisedimeve serioze për çështje dytësore”. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë hedhur poshtë kërkesat kryesore të Moskës duke i quajtur ato si të papranueshme.
Diplomati i lartë i Kremlinit tha se zyrtarët do t’i paraqesin propozime Presidentit Vladimir Putin. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se Moska do të reagojë së shpejti, duke shtuar se “ka gjithmonë mundësi për të vazhduar dialogun. Është në interesin tonë dhe të amerikanëve“.
Zyrtarët e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë zhvilluan bisedime të mërkurën në Paris dhe ranë dakord për një raund tjetër bisedimesh që do të mbahen në Berlin, në javën e dytë të muajit shkurt. Palët ranë dakord për një armëpushim zyrtar në Ukrainën lindore, sipas Dmitry Kozak, i dërguari i Kremlinit.
“Ne kemi nevojë për një pauzë shtesë. Shpresojmë që ky proces të ketë rezultate brenda dy javësh“, tha ai.
Bisedimet e shkurtit do të zhvillohen në të njëjtin nivel diplomatik sikurse bisedimet e Parisit. Në rendin e ditës nuk është parashikuar ndonjë takim i nivelit të lartë mes krerëve të shteteve.
“Asgjë nuk ka ndryshuar, ky është lajmi i keq“, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba. “Lajmi i mirë është se këshilltarët ranë dakord të takohen në Berlin pas dy javësh, që do të thotë se Rusia për dy javët e ardhshme, ka të ngjarë t’i qëndrojë rrugës diplomatike”.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, që druhen se Rusia mund të pushtojë së shpejti Ukrainën, vazhdojnë të protestojnë kundër grumbullimit të më shumë se 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit të saj me republikën e dikurshme sovjetike, megjithëse Moska thotë se nuk ka në plan të sulmojë.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se dokumenti që SHBA-ja i dorëzoi Rusisë: “përfshin shqetësimet e Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve tanë në lidhje me veprimet e Rusisë që minojnë sigurinë- një vlerësim parimor dhe pragmatik të shqetësimeve që Rusia ka ngritur, dhe propozimet tona për çështjet ku mund të gjejmë gjuhën e përbashkët”.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden, ndërsa përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë, vazhdimisht e ka paralajmëruar Rusinë se Perëndimi do të vendosë sanksione ekonomike të ashpra kundër saj, nëse sulmon Ukrainën.
Zoti Peskov tha se Presidentët Putin dhe Biden do të vendosin nëse duhet të zhvillojnë të tjera bisedime lidhur me ngërçin diplomatik të krijuar, pas dy telefonave të zhvilluara muajin e kaluar.
Zoti Kuleba tha se Kievi e kishte parë përgjigjen e SHBA-së drejtuar Rusisë, përpara se t’i dorëzohej Moskës.
“Nuk kishte asnjë kundërshtim nga pala ukrainase“, tha zoti Kuleba. “Është e rëndësishme që SHBA-ja të mbetet në kontakt të ngushtë me Ukrainën, para dhe pas të gjitha kontakteve me Rusinë. Nuk ka vendime për Ukrainën, pa Ukrainën. Ky është rregulli i artë“, tha ai.
Një gjë me të cilën ra dakord edhe Sekretari Blinken. Në një postim në Twitter, ai shkruante: “Asgjë për Ukrainën, pa Ukrainën“.
Ndërsa Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, shkëmbejnë kërkesa, të dyja palët kanë rritur përgatitjet ushtarake. Rusia ka nisur stërvitjet ushtarake që përfshijnë njësi të motorizuara të këmbësorisë dhe artilerisë në Rusinë jugperëndimore, avionë luftarakë në Kaliningrad në detin Baltik, dhjetëra anije luftarake në detin e Zi dhe Arktik, si dhe avionë luftarakë rusë e parashutistë në Bjellorusi.
NATO, aleanca ushtarake perëndimore prej 30 vendesh, tha se po rrit praninë e saj në rajonin e detit Baltik dhe SHBA-ja ka vendosur në gjendje gatishmërie të lartë 8,500 trupa, të gatshëm për t’u dislokuar në Evropë si pjesë e një operacioni të NATO-s.
Sekretari i Shtypit i Pentagonit John Kirby tha se forcat amerikane që ndodhen aktualisht në Evropë, disa tashmë në gjendje gatishmërie të lartë, mund të mobilizohen gjithashtu “për të përforcuar praninë e aleatëve tanë të NATO-s, nëse ata do të kishin nevojë”.
“Ne vazhdojmë të shohim, përfshirë në 24 orët e fundit, më shumë grumbullim të forcave luftarake nga rusët në pjesën perëndimore të vendit të tyre dhe në Bjellorusi“, u tha ai gazetarëve të enjten.
Zoti Kirby tha gjithashtu se SHBA-ja po përgatit ndihmë shtesë, për ushtrinë e Ukrainës, krahas asaj të dërguar gjatë ditëve të fundit.
“Ne jemi vetëm në fillimin e një pakete krejtësisht të re të ndihmës”, tha ai, duke mos pranuar të ndajë detaje rreth përmbajtjes. “Ne po përpiqemi të shohim nëse mund t’i përshpejtojmë ato“, shtoi zoti Kirby.
Zoti Kuleba tha se Ukraina nuk po planifikon asnjë veprim ofensiv dhe se Kievi pret që përpjekjet diplomatike për të trajtuar krizën përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë të vazhdojnë.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj rrugës diplomatike dhe jemi të gatshëm të angazhohemi me Rusinë në nivele të ndryshme për të gjetur (një) zgjidhje diplomatike për konfliktin“, tha zoti Kuleba në një konferencë shtypi. “Megjithatë, nëse Rusia vendos të luftojë, ne do t’i përgjigjemi. Ky është vendi ynë dhe ne do ta mbrojmë atë”, tha ai.
Burimi: VOA
You may like
Vendi
Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja
Published
4 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.
Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.
“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/
Vendi
Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik
Published
7 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.
Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.
Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.
Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.
Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Vendi
Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës
Published
8 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.
Gjatë takimit, Konjufca informoi Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.
Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.
Lajmet
Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit
Published
8 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.
Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.
Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.
UEFA pezullon përkohësisht Prestiannin pas incidentit me Vinicius
Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja
Zvicra këmbëngul për një marrëveshje tregtare të detyrueshme ligjërisht me SHBA-në
Dalin në shitje biletat për Kosovë – Sllovaki
Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik
Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës
Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit
DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?
Shpërthen dhuna pasi forcat meksikane të sigurisë vrasin bosin e kartelit të drogës “El Mencho”
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
