Lajmet

Rukiqi: Këtë vit mund të ndryshojnë partitë, por jo gjendja ekonomike

Published

on

Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Berat Rukiqi tha se rritja ekonomike për vitin 2021 pritet të jetë vetëm 3.5 deri në 4 për qind, një ndër shkaqet për këtë është jostabiliteti politik në vend.

Tutje, Rukiqi tha se për këtë vit, prioritet është që të mbahet ekonomia e hapur dhe të mos rritet dëmi ekonomik.

“Edhe këtë vit është vështirë për ta projektuar rritjen ekonomike. Ne po shpresojmë që do të arrijmë ta mbajmë ekonominë hapur dhe ta menaxhojmë situatën me pandeminë, në mënyrë që të mos rritet dëmi ekonomik që ka qenë i konsiderueshëm vitin e kaluar. Por shenjat e para janë që edhe ky tre mujor i parë i këtij viti nuk do të jetë i lehtë për ekonominë anembanë globit e sigurisht edhe në Kosovë. Edhe një arsye shtesë që është goxha problematike në projeksionet e rritjes ekonomike është jostabiliteti politik. Fakti që ne kemi zgjedhje të shpeshta nuk e dimë çka do të prodhojë ky cikël zgjedhor a do të prodhojë stabilitet mirëpo në këto raste na mbetet m’i iu referua shifrave zyrtare dhe diku projeksionet janë 3.5 deri në 4% që mund të ketë rritje ekonomike këtë vit”, shtoi Rukiqi.

Sipas tij, qeveria edhe pse është në detyrë e ka buxhetin dhe mund ta shpenzojë për përkrahjen e bizneseve.

Rukiqi theksoi se në këto zgjedhje mund të ndryshojë qasja e qeverisjes në emra të përveçshëm, po ashtu mund të ndryshojnë partitë të cilat e udhëheqin qeverinë, mirëpo jo gjendja ekonomike.

“Nuk pres asgjë të re në raport me këtë që kemi pasur deri tani. Mund të ndryshojë qasja e qeverisjes në emra të përveçshëm, mund të ndryshojnë partitë të cilat e udhëheqin qeverinë, mirëpo ne kemi parë që më shumë me interes kanë qenë disa tema populiste dhe nuk e ndryshojnë gjendjen e ekonomisë. Asnjëherë nuk arritëm që të kemi një zhvillim ekonomik, i cili gjeneron punësim jo në sektorin publik, por në atë privat asnjëherë nuk arritëm që të kemi investime të huaja direkte të cilat do të ishin impakt për rritjen ekonomike”, u shpreh ai.

Rukiqi shtoi se rimëkëmbja dhe diplomacia ekonomike janë prioritete të Odës Ekonomike.

“Pandemia nuk është që po shkon drejt fundit. Ka shenja pozitive me vaksinën. Ne do të fokusohemi në diplomacinë ekonomike. Kosova edhe pas pandemisë ka nevojë të ketë lidhje të forta ekonomike me vendet e tjera. Prandaj duhet të shohim mundësinë të sjellim investime në Kosovë në fushat ku ka nevojë te energjia, infrastruktura, shëndetësia, pjesa e prodhimit. Duhet të shohim se kah mund të eksportojmë më shumë. Prandaj rimëkëmbja dhe diplomacia ekonomike janë prioritete të Odës Ekonomike”, përfundoi ai.

Lajmet

52 vjet burgim për pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë verdiktin dënues për pesë persona të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Trupi gjykues e dënoi të akuzuarin B.Rr. me 12 vite burgim, kurse katër të akuzuarit e tjerë, D.Rr., F.S., M.S. dhe M.R., morën nga 10 vite burgim secili. Koha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do t’iu llogaritet të gjithëve si pjesë e dënimit final.

Përveç dënimit me burg, të dënuarit janë të detyruar të paguajnë nga 500 euro për shpenzimet e procesit gjyqësor dhe nga 50 euro shtesë për Fondin e Kompensimit të Viktimave.

Sa i përket dëmshpërblimit, pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta kërkojë përmes një kontesti të rregullt civil. Ky vendim nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

Ky proces gjyqësor rrodhi nga aktakuza e ngritur në fund të vitit 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila fillimisht shënjestroi tetë persona për ngjarjen e qershorit të po atij viti. Në këtë grup, B.Rr. u ngarkua me veprën penale të dhunimit, ndërsa mbi të pandehurin D.Rr. rëndojnë akuzat për dhunim si dhe për trafikim me njerëz.

 

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati vazhdon mbikëqyrjen intensive të çmimeve të naftës

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur një aksion intensiv monitorimi në pikat e shitjes së derivateve.

Ky vendim, i cili u nënshkrua para pak dite nga ministrja Mimoza Kusari Lila, synon mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e çrregullimeve në treg përmes rregullimit të përkohshëm të çmimeve.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për ditën e hënë ka qenë 1.44 € për litër naftë dhe 1.17 € për litër benzinë.

Ndërkohë, në tregun vendor, nafta po shitet nga 1.44 € deri në 1.55 €, ndërsa benzina nga 1.26 € deri në 1.31 €. Për të kontrolluar këto diferenca, ministria ka vendosur që marzha maksimale e fitimit të jetë 2 centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër për shitjen me pakicë.

Inspektorati, në bashkëpunim me ATK-në dhe Doganën, po analizon me kujdes çmimet e importit përkundrejt atyre që u ekspozohen qytetarëve.

Autoritetet kanë paralajmëruar masa rigoroze ndaj të gjithë operatorëve që nuk respektojnë marzhën e lejuar apo që dëmtojnë konkurrencën e ndershme, duke siguruar publikun se monitorimi do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë.

Continue Reading

Lajmet

Osmani takon ambasadorin britanik: Diskutohet për partneritetin dhe diskursin publik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.

Gjatë takimit, Presidentja vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme britanike për popullin e Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që forcojnë objektivat e përbashkëta mes dy vendeve.

Një fokus i veçantë gjatë bisedës iu kushtua ruajtjes së mjedisit demokratik dhe rëndësisë së debatit publik të përgjegjshëm.

Osmani dhe Hargreaves theksuan se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është tërësisht e papranueshme, duke bërë thirrje që praktika të tilla të mos kenë vend në diskursin publik në Kosovë.

 

Continue Reading

Lajmet

Suharekë: Katër policë të lënduar gjatë arrestimit të një 45-vjeçari

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në fshatin Samadrexhë të Suharekës një 45-vjeçar me inicialet B.K., pasi I njejti kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” me shufra metalike dhe tela, duke penguar qarkullimin e banorëve.

Gjatë ndërhyrjes së policisë rreth orës 08:30, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët me thikë dhe u ka bërë rezistencë të dhunshme.

Si pasojë e kësaj përleshjeje, katër policë kanë pësuar lëndime trupore, ndonëse policia sqaroi se lëndimet nuk erdhën nga goditjet me thikë, por gjatë procesit të neutralizimit të sulmuesit.

Personi i arrestuar është dërguar në stacionin policor në Suharekë, ku po priten hapat e mëtejshëm ligjorë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara