Lajmet

Rruga më e shpejtë drejt paqes në Ukrainë

Rusia po shkakton një krizë globale ushqimore, duke i bllokuar portet e Ukrainës.

Published

on

Nga András Tóth–Czifra

“Center for European Policy Analysis”

Disa elementë të dobësisë perëndimore janë krijuar nga qeveria ruse. Përveç rajonit ukrainas të Donbasit, ku ka nisur një betejë e përgjakshme, dhe Ukrainës Jugore, e cila po përballet me plaçkitje dhe rrëmbime në shkallë industriale nën pushtimin rus, teatri i tretë i luftës është tani pa asnjë diskutim hapësira e informacionit në demokracitë perëndimore.

Rusia po shkakton një krizë globale ushqimore, duke i bllokuar portet e Ukrainës, duke grabitur drithërat e Ukrainës, dhe duke bombarduar tokat bujqësore dhe infrastrukturën bujqësore të këtij vendi. Po ashtu, ajo po përhap narrativën se kriza ushqimore dhe inflacioni në rritje të shpejtë në Evropë dhe SHBA u shkaktuan nga sanksionet perëndimore.

Ajo po nxit frikën se do ta përshkallëzojë më tej luftën, duke e kërcënuar Lituaninë për shkak të “bllokadës” ndaj enklavës së Kaliningradit, të cilën Kremlini e shpiku, dhe duke u përpjekur të minojë besimin midis Ukrainës dhe mbështetësve të saj perëndimorë, dhe përhapjes së thashethemeve të pabaza se Polonia dëshiron ta pushtojë Ukrainën Perëndimore.

Moska ka reduktuar dërgesat e gazit përmes gazsjellësit “Nord Stream” dhe “Turk Stream”, si dhe ka pezulluar dërgesat e gazit në disa vende anëtare të BE-së. Si gjithmonë, lufta informative e Kremlinit nuk do të funksiononte pa padurimin, hapësirën e shkurtër të vëmendjes dhe ankthin në demokracitë perëndimore, të cilat Rusia i njeh shumë mirë.

Madje, ajo ka mësuar t’i shfrytëzojë ato në avantazhin e vet. Të kombinuara së bashku, ato kanë nxitur zëra që u bëjnë thirrje vendimmarrësve të ndryshojnë rrugën ose fokusin. Zyrtarët e qeverisë amerikane flasin në mënyrë anonime për shqetësimin e tyre për “dëmet anësore” më të mëdha se sa pritej nga sanksionet.

Ndërkohë disa analistë të ekstremit të djathtë dhe të majtë, nënkuptojnë në mënyrë të rreme se ndihma ushtarake dhe humanitare që i është dhënë Ukrainës (54 miliardë dollarë në rastin e SHBA-së, apo rreth 1 për qind e buxhetit federal), është disi e krahasueshme me koston e paketës financiare të stimulit të brendshëm.

Në Evropë, diskursi është strukturuar gabimisht si një debat midis ithtarëve të “paqes”, dhe kundërshtarëve të tyre që duan vazhdimin e luftës, si nga politikanët jo liberalë po ashtu edhe nga analistë liberalë (edhe pse sigurisht me thekse të ndryshme). Ky debati nxjerr shpesh në pah sesa pak kuptohet Rusia.

Për shembull, kriza e gazit ishte tërësisht e parashikueshme. Meqë Rusia nuk ka më një aksion në tregun evropian të gazit, ajo përballet vetëm me kosto dhe përfitime afatshkurtra, dhe mund t’i maksimizojë përfitimet politike dhe shumë të mundshme financiare nëpërmjet reduktimit të dërgesave të gazit.

Megjithatë, ka pak planifikim të dukshëm për emergjencën që kemi përballë, madje edhe në komunikim. Retorika e ekzagjeruar e Rusisë për një “bllokadë” në Kaliningrad (nuk preken pasagjerët dhe mallrat që nuk janë në listën e sanksioneve), diktohet kryesisht nga faktorë të brendshëm.

Ky rajoni përballet në shtator me zgjedhjet lokale, ndërsa ka nisur tashmë edhe një krizë ekonomike. Megjithatë, BE-ja nuk ka dhënë një përgjigje të fortë ndaj deklaratës provokuese të Moskës. Paaftësia për t`iu përgjigjur sfidës së Kremlinit është shumë shqetësuese, pasi ka gjeneruar një sërë mendimesh plot ankth dhe të argumentuara shumë dobët.

Shumë prej tyre vijnë nga analistët, që fatmirësisht nuk janë në gjendje të marrin vendime, por që megjithatë e diktojnë ende debatin publik. Disa prej tyre kanë sugjeruar që Perëndimi duhet të ushtrojë presion ndaj Ukrainës që të heqë dorë nga një pjesë e territorit, me qëllim parandalimin e një krizë globale ushqimore.

Të tjerë kanë argumentuar heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pasi ato nuk kanë arritur ta bindin Moskën që t’i japë fund luftës. Dhe ca të tjerë, deklarojnë se negociatat duhet të fillojnë përpara një afati të caktuar. Këtyre argumenteve u mungojnë zakonisht përgjigjet për pyetjet e rëndësishme në lidhje me kostot dhe përfitimet, apo detajet e proceseve që mbrojnë.

Për shembull, marrim çështjen e rikthimit sa më shpejt të palëve në tryezën e bisedimeve. Kur e vënë theksin tek urgjenca, por nuk përshkruajnë se çfarë duhet të ndodhë përpara fillimit të bisedimeve, këta analistë apo zyrtarë sugjerojnë në mënyrë të hapur se tashmë janë pjekur kushtet për bisedime, kur në fakt kjo nuk është e vërtetë.

Kjo nga ana tjetër mund të çojë lehtësisht në argumentin, se nëse nuk fillojnë negociatat, një Perëndimi kërkues dhe Ukraina janë fajtorë për rezultatin, duke e dobësuar pozitën e Kievit. Zyrtarët rusë po e përdorin tashmë këtë argument. Por në vend të kësaj, diskutimi duhet të fokusohet tek kushte dhe procesi.

Të kuptosh se si mund ta detyrosh Rusinë që të dëmshpërblejë Ukrainën për shkatërrimet që i ka sjellë, ose të pohosh se kjo e fundit ka të drejtë të rimarrë kontrollin mbi kufijtë e saj të vitit 2014, do ta forcojë shumë më tepër pozitën e Ukrainës dhe Perëndimit se sa diskutimet boshe për kufijtë.

Apo merrni debatin për lëshimet territoriale, të përkohshme apo të përhershme qofshin. Edhe nëse Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja mund ta detyrojnë Ukrainën të bjerë dakord, në këmbim të dhënies fund të luftimeve, kjo zgjidhje do të refuzohej pothuajse me siguri në një referendum popullor, dhe do ta dobësonte qeverinë e Zelenskyy, gjë që nuk do jetë në interesin e Perëndimit.

Siç tregoi përvoja e 8 viteve të para të luftës (kur Rusia u lejua de fakto ta pushtonte Krimenë dhe disa pjesë të Donbasit), lëshimet territoriale vetëm sa i japin mundësi Rusisë të rigrupohet dhe më pas ta përshkallëzojë luftën. Këtë herë, rreziqet do të ishin shumë më të larta, pasi dështimi i dytë për të vepruar, do të dëmtonte më tej normat ndërkombëtare, dhe do të inkurajonte shtetet e tjera autoritare të veprojnë njëlloj si Moska.

Problemi është se këto kosto janë afatgjata dhe të vështira për t’u llogaritur. Ndërsa kostot e krizës ushqimore dhe energjetike, si dhe nevojat financiare të Ukrainës janë të matshme dhe afatshkurtra. Ky ekuacion i ezauron nervat e politikanëve që mendojnë sipas cikleve zgjedhore.

Gjithsesi, vendimmarrësit duhet të imagjinojnë kostot e paqëndrueshmërisë së përhershme në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërprerjen e tregtisë globale, luftëra të ngjashme pushtuese që shpërthejnë gjetkë, dhe më shumë gjasa zhdukjen e çdo mundësie kuptimplotë për të ruajtur shkallën e bashkëpunimit ndërkombëtar, të nevojshëm për të trajtuar problemin e ndryshimeve klimatike.

Kjo do të thotë sipas të gjitha llogarive, mënyra më e shkurtër dhe më e lirë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme në Ukrainë duhet të jetë sigurimi i mjeteve – ushtarake, financiare dhe diplomatike – që Ukraina të diktojë kushtet e fitores së saj mbi Rusinë – edhe nëse kjo do të thotë një rikthim në kufijtë e vitit 2014. Gjestet simbolike të rëndësishme dhe të mirëpritura, si vizita e javës së kaluar e presidentit francez dhe rumun, kancelarit gjermane dhe kryeministrit italian në Kiev, dhe tentativat për të zhbllokuar eksportet ukrainase, duhet të pasohen nga hapa vendimtarë.

Kjo do të thotë dhënien e statusit të kandidatit për në BE për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe konfirmimin se Lituania po zbaton në Kaliningrad sanksionet e vendosura nga BE. Dërgesat e armëve dhe sanksionet duhet të rriten sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kryeqytetet perëndimore nuk kanë luksin të shpërqendrohen në këtë fazë të luftës. Ato duhet të pranojnë se duhet paguar një çmim i lartë për një rikthim të shpejtë tek normaliteti relativ. Ata duhet të përqendrohen tek komunikimi i kësaj të vërtete tek votuesit, të cilët po ushqehen gjithnjë e më shumë me gënjeshtrën se janë qeveritë e tyre dhe që po kryejnë luftën, dhe jo Rusia.

Shënim:András Tóth–Czifra, anëtar i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane.

Vendi

Qeveria miraton Projektligjin për Sigurime Shëndetësor; Vitia: Synojmë qasje universale dhe cilësi në shërbime

Published

on

By

Ekzekutivi i Kosovës i ka dhënë “dritën e gjelbër” Projektligjit për Sigurimet Shëndetësore gjatë mbledhjes së mbajtur këtë mëngjes.

Pas prezantimit nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ky projektligj është miratuar për procedim të tutje, duke shënuar një hap drejt njërës prej reformave më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë publike.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Vitia vuri theksin te rëndësia e kësaj nisme pas një periudhe të gjatë sfidash. Ai bëri të ditur se për hartimin e tij janë analizuar mangësitë e sistemit aktual dhe janë studiuar praktikat ndërkombëtare për të krijuar një ligj që i përgjigjet realitetit ekonomik dhe social në vend.

“Është me rëndësi të veçantë të theksoj që ky projektligj vjen pas një periudhe të gjatë sfidash dhe diskutimesh,” u shpreh ministri Vitia, duke shtuar se synimi është krijimi i një ligji të zbatueshëm që u përgjigjet nevojave të qytetarëve.

Sipas ministrit, ky projektligj rregullon disa çështje kyçe që prekin drejtpërdrejt popullatën:

  • Gjithëpërfshirja: Ligji synon qasje universale për të gjithë qytetarët dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve.
  • Financimi: Rregullohen kontributet për sigurime si burim shtesë financimi, krahas buxhetit aktual.
  • Paketa e përfitimeve: Parashihet një paketë adekuate shërbimesh që do të përditësohet çdo vit.

Ministri Vitia sqaroi se ligji siguron kushte të barabarta për të gjithë dhe rregullon mbarëvajtjen e sistemit.

“Ky ligj e përfshin gjithë popullatën duke synuar qasje universale dhe ngritjen e cilësisë në shërbimet shëndetësore,” deklaroi ai, duke nënvizuar se përmes këtij rregullimi do të ketë një performancë më të lartë në të gjithë sistemin shëndetësor në Kosovë.

Miratimi i këtij projektligji në Qeveri konsiderohet si një kthesë drejt funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore, proces ky që ka qenë pezull prej vitesh.

Continue Reading

Vendi

Qeveria procedon dy projektligje: Çmimet tavan dhe sigurimet shëndetësore

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar dy projektligje që i ka cilësuar si jetike për qytetarët në mbledhjen e tetë të radhës së ekzekutivit.

Bëhet fjalë për Projektligjin për çmimet tavan për produktet bazë dhe atë për sigurimet shëndetësore, reforma këto që sipas kreut të qeverisë, synojnë mbrojtjen e xhepit dhe shëndetit të qytetarëve.

Sa i përket rregullimit të tregut, Kurti ka theksuar se Ligji për çmimet tavan do të shërbejë si mburojë në kohë krizash ekonomike.

Sipas tij, ky ligj “garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë”, duke u bërë një barrierë kundër abuzimeve në treg. Kryeministri shtoi se përmes kësaj nisme “parandalohen spekulimet dhe fitimet e pajustifikueshme në kurriz të qytetarëve”, si dhe sigurohet një “reagim i shpejtë institucional kur tregu destabilizohet”.

Një risi e këtij ligji, sipas Kurtit, është krijimi i një mekanizmi të ri mbikëqyrës.

“Për herë të parë krijojmë mekanizëm të pavarur, bordin i cili vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik,” u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e një rregullimi të tillë deri më tani u ka kushtuar shtrenjtë qytetarëve.

Në anën tjetër, mbledhja e qeverisë shënoi edhe rikthimin e një prej reformave më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë.

Kurti bëri të ditur se po e risjellin Projektligjin për sigurime shëndetësore, i cili ishte sfiduar më parë në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.

“Sot po ashtu po e risjellim edhe një tjetër ligj jetik për qytetarët dhe shëndetësinë publike,” tha Kurti, duke nënvizuar se qeveria do t’i qëndrojë besnike premtimeve të dhëna. Ai e cilësoi këtë nismë si një shtyllë të fortë për shtetin, duke deklaruar se: “Kjo reformë e bën shtetin më të fortë në përmbushjen e detyrimit themelor në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”.

Këto dy projektligje tani pritet të kalojnë në procedurat e mëtutjeshme parlamentare, ku pritet të ketë debate mes pozitës dhe opozitës.

Continue Reading

Vendi

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Të kërkuara