Lajmet

REL: Komisionarja Kos shtyn vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit

Published

on

Komisonarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka shtyrë vizitën e saj të planifikuar në Kosovë, kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian, dhe si arsye janë përmendur zhvillimet e fundit politike në vend.

“Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti, komisionarja Kos i tha atij se do ta shtynte udhëtimin e saj të planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike”, ka bërë të ditur zyra për media e Komisionit.

Sipas saj, Kos synon të udhëtojë në Prishtinë “në momentin e parë të mundshëm”.

Vizita e zyrtares evropiane ishte bërë e ditur javën e kaluar. Jozyrtarisht dihej se ajo do ta vizitonte Kosovën më 12 mars, dhe kjo do të ishte vizita e saj e parë në Kosovë në cilësinë e Komisionares së Zgjerimit.

Kosova është vendi i vetëm që Kos nuk e ka vizituar ende – e që është në zonën e fushëveprimit të saj – edhe pse e drejton Departamentin e Zgjerimit në Komisionin Evropian që nga dhjetori i vitit 2024.

Në vitin 2025, si mungesë për vizitë ishte përmendur fakti që nuk ekzistonte një bashkëbisedues për shkak të krizës institucionale në Kosovë.

Lajmi për shtyrjen e vizitës së saj në Kosovë vjen një ditë pas Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin, meqë institucioni nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars.

Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, e ka çuar rastin në Kushtetuese.

Në vendimin e Gjykatës, masa e përkohshme vlen deri më 31 mars dhe deri atëherë, as Osmani nuk mund të shpallë datën e zgjedhjeve, dhe as Kuvendi nuk mund të thërrasë seancën për të vazhduar punën.

 

Çfarë ndodhi javën e kaluar në Kosovë?

Më 6 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se ka lëshuar dekret për shpërndarjen e vendit, meqë, siç tha ajo, përfaqësuesit politikë “vendosën ta çonin vendin në zgjedhje”.

Një ditë më parë, më 5 mars, procesi i zgjedhjes së presidentit dështoi për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend.

Pasi presidenti nuk u zgjodh, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i pezullonte përkohësisht afatet që lidhen me zgjedhjen e një presidenti të ri të Kosovës.

Menjëherë pasi këtyre zhvillimeve pati interpretime të ndryshme të neneve të Kushtetutës së Kosovës.

Disa njohës të çështjeve ligjore besojnë se Kuvendi duhet të zgjedhë një president brenda 60 ditëve nga fillimi i seancës për të zgjedhur një president.

Megjithatë, Osmani insiston se Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentes aktuale, dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentin e zgjedh Kuvendi. Një kandidat duhet të ketë shumicën prej dy të tretave të votave të deputetëve në Kuvendin me 120 vende, ose të paktën 80 vota.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton numrin e kërkuar të votave në dy raundet e para, një shumicë e thjeshtë, ose të paktën 61 vota, është e mjaftueshme në raundin e tretë, me kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh të pranishëm.

Sipas Kushtetutës, nëse procesi i zgjedhjes së presidentit dështon në tre raunde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Zyrtarët evropianë tashmë kanë shprehur keqardhje për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

 

Continue Reading

Lajmet

Turizmi dhe inteligjenca artificiale në fokus të konferencës në Prishtinë

Published

on

Në Emerald Hotel në Prishtinë, sot, më 25 shtator, po mbahet Konferenca Qendrore për Shënimin e Ditës Botërore të Turizmit, ku përfaqësues të institucioneve, sektorit të turizmit, teknologjisë dhe arsimit po diskutojnë për gjendjen aktuale, sfidat dhe perspektivën e zhvillimit të turizmit në Kosovë.

Konferenca, e cila zhvillohet nga ora 09:00 deri në 14:00, ka temën “RE: TOURISM, AI në promovimin e turizmit në Kosovë”, me fokus te zhvillimi i sektorit turistik, promovimi i Kosovës dhe mundësitë që sjell digjitalizimi.

Paneli i parë trajton gjendjen aktuale të turizmit në Kosovë, sfidat dhe perspektivën e zhvillimit të tij, ndërsa paneli i dytë i kushtohet digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale si mundësi për transformimin dhe promovimin e sektorit.

Në konferencë marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, organizatave të turizmit, sektorit të teknologjisë, arsimit, hotelerisë dhe udhërrëfyes të turizmit.

Konferenca synon të bashkojë aktorë të ndryshëm për të diskutuar mënyrat se si teknologjia dhe inteligjenca artificiale mund të shfrytëzohen për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mot me diell, vranësira dhe mundësi për reshje të dobëta shiu

Published

on

By

Sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).

Sipas parashikimit, gjatë ditës vranësirat vende-vende mund të shoqërohen me reshje lokale të dobëta shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 dhe 5°C, ndërsa ato maksimale të ditës do të arrijnë nga 20 deri në 24°C.

Do të fryjë erë nga e lehtë deri në mesatare nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 5 m/s.

Continue Reading

Lajmet

Mediat irlandeze lartësojnë mikpritjen në Prishtinë

Published

on

By

Në fushë ishte një përballje e fortë futbolli ku Kosova doli fituese 1-0, por jashtë saj, atmosfera në Prishtinë u shndërrua në një histori falënderimi dhe respekti që kapërcen sportin.

Media e njohur sportive irlandeze, Balls.ie, i ka kushtuar një artikull të veçantë mikpritjes mbresëlënëse që tifozët e Irlandës morën në Kosovë, duke zbuluar arsyen e fortë pse kosovarët e ruajnë me kaq shumë dashuri emrin e Irlandës.

Gjithçka nis në vitet e vështira të pasluftës. Pas shkatërrimit të viteve 1998–1999, ku mbi 10,800 kosovarë u vranë dhe qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, Irlanda u rendit ndër shtetet e para që u doli në ndihmë. Prej vitit 1999 e deri në vitin 2010, mbi 3,000 ushtarë irlandezë shërbyen në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, duke ndihmuar në rindërtimin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, thuhet në artikullin e Balls.ie.

Kjo ndihmë nuk është harruar absolutisht.

“Përderisa Irlanda dhe Kosova nuk kishin ndonjë histori të madhe në futboll, shumë njerëz në këtë vend kanë një simpati të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Një pjesë e madhe e kësaj daton që nga vitet ’90, kur forcat paqeruajtëse irlandeze luajtën një rol jetik në Kosovë,” shkruan Balls.ie.

Gazeta irlandeze tregon se si tifozët që udhëtuan drejt Prishtinës mbetën të befasuar kur vendasit i ndalonin nëpër rrugë e kafene, jo si kundërshtarë të futbollit, por për t’u shprehur falënderime për kontributin e ushtarëve të tyre dekada më parë.

“Shumë nga tifozët tanë mbetën pa fjalë nga përzemërsia dhe respekti me të cilin u pritën. Kosova tregoi se e kujton me shumë mirënjohje rolin e Irlandës gjatë asaj periudhe të vështirë historike,” përfundon artikulli i Balls.ie.

Kjo ndeshje vërtetoi edhe një herë se për kosovarët, ndihma e dhënë në ditët më të errëta mbetet e gdhendur përgjithmonë në memorie.

 

Continue Reading

Lajmet

BBC Sport: Kosova e mposht Irlandën me meritë në Prishtinë dhe nis mbarë UEFA Nations League

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundur fushatën e saj në Grupin B3 të UEFA Nations League, duke mposhtur Republikën e Irlandës me rezultat 1–0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo fitore e merituar erdhi pas një paraqitjeje dominuese nga dardanët, ndërsa rrjeti prestigjioz britanik BBC Sport raporton se vendasit e mbizotëruan plotësisht kundërshtarin gjatë gjithë 90 minutave.

Kosova tregoi energji të lartë që nga fillimi i takimit, duke e vënë vazhdimisht në presion mbrojtjen irlandeze. Rreziku kryesor erdhi përmes Baton Zabergjës nga krahët dhe sulmuesit Vedat Muriqi, i cili krijoi probleme të njëpasnjëshme për mysafirët.

Vendimi i ndeshjes erdhi vetëm shtatë minuta para fundit. Pas një goditjeje të Ermal Krasniqit që u kthye nga traveza, Muriqi reagoi më së shpejti duke shënuar me kokë për 1–0 dhe duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Edhe pse lojtarët irlandezë pretenduan për një faull gjatë aksionit, goli u konfirmua pas rishikimit nga sistemi VAR.

Në krahun tjetër, BBC e përshkroi paraqitjen e Irlandës si mjaft të dobët në sulm, me vetëm një goditje në kuadrat përgjatë tërë ndeshjes. Rastin më të mirë për mysafirët e shpërdoroi Chiedozie Ogbene në pjesën e parë, kur goditi mbi travezë.

Pas ndeshjes, edhe vetë përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, pranoi superioritetin e vendasve. “Ata e merituan fitoren, po të jam plotësisht i sinqertë. Nuk kishte asgjë që nuk e dinim për mënyrën se si do të luanin, por ishte një ditë e dobët për shumë nga lojtarët tanë,” u shpreh ai.

Me këtë fitore, Kosova merr tri pikët e para në grup, ndërsa Irlanda mbetet pa pikë pas xhiros së parë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara