Lajmet

Rritet numri i veprave penale të narkotikëve në kryeqytet

Published

on

Rreth 20 mijë raste janë raportuar në Policinë në Prishtinë gjatë vitit të kaluar. Në vitin 2024 janë realizuar mbi 800 plane operative, ku janë arrestuar mbi 2700 persona. Kështu u tha në prezantimin e raportit vjetor të Policisë rajonale të Prishtinës, ku mes tjerash u theksua se siguria publike në kryeqytet është e qetë. Megjithatë, u bë e ditur se ka rritje të numrit të veprave penale të narkotikëve.

Drejtori i Policisë së kryeqytetit, Basri Shabani tha se kanë caktuar si prioritetet për kontrollim të territorit dhe rritjes së sigurisë publike.

“Mbështetur në analizat e gjendjes së sigurisë të drejtorisë rajonale të Policisë në Prishtinë, konstatoj para juve se rendi dhe siguria publike në territorin e rajonit të Prishtinës nga të gjitha parametrat vlerësohet e qetë. Njëkohësisht ne zotohemi që do të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm, profesional dhe të përkushtuar gjatë gjithë kohës me qëllim të përmbushjes së misionit fisnik të Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Ai bëri të ditur se ulja e numrit të veprave penale kundrejt jetës dhe trupit, si dhe veprave penale kundër pasurisë është rezultat i policimit modern e parandalues.

“Nga Policia rajonale e Prishtinës janë evidentuar 19 mijë e 874 raste të cilat janë administruar, hetuar, zbuluar dhe përcjellë në institucionet përkatëse të drejtësisë. Gjatë kësaj periudhe kohore janë realizuar me sukses mbi 800 plane operative nga më të ndryshmet, të cilat kanë rezultuar me parandalim të krimit dhe arrestimin e më se 2718 personave apo 3 për qind më tepër se në vitin 2023. Ulja e numrit të veprave penale kundrejt jetës dhe trupit, si dhe veprave penale kundër pasurisë është rezultat i policimit modern e parandalues. Ndërsa, rritja e fuqisë zbuluese nga 78 në 85 për qind ka ardhur si rrjedhojë e punës profesionale dhe të palodhshme nga hetuesit rajonal”, deklaroi ai.

Nënkoloneli Basri Shabani tha se gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe shtim të aktiviteteve vetëdijesuese për siguri në komunikacionin rrugor.

“Kemi arritur uljen e numrit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet për minus 34 për qind. Po ashtu janë shënuar 212 mijë e 931 fletëparaqitje apo rreth 30 mijë më tepër se në vitin 2023. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe punës lidhur me sigurinë në shkolla me ç’rast janë marrë masa parandaluese, janë hartuar plane operative dhe programe të veçanta, janë realizuar shumë ligjërata dhe është bashkëpunuar ngushtë me drejtoritë komunale të arsimit dhe drejtorët e shkollave përkatëse, si në aspektin vetëdijësues edhe në atë të sigurisë duke realizuar projekte të përbashkëta”, shtoi Shabani.

Ndër tjera, Shabani tha se vitin e kaluar nga numri emergjent “192” janë pranuar rreth 300 mijë thirrje nga qytetarët.

Raporti vjetor është prezantuar nga majori Bekim Bislimi, ku tha se ka rritje të veprave penale kundër rendit kushtetues.

“Vepra penale kundër rendit kushtetues kemi ngritje. Kundër njerëzve dhe vlerave të mbrojtura është i njëjtë. Kundër jetës dhe trupit, aty hyn një kategori e madhe e veprave penale është ngritje 1.5. kundër lirive dhe të drejtave të njeriut është 20 për qind…veprat penale të narkotikëve kemi ngritje, 17.7 për qind. Veprat penale kundër ekonomisë kemi ngritje 5 për qind”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama shtoi se ndihmesë për policinë e Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve, do të jetë instalimi i qytetit inteligjent, me fokus instalimin e kamerave që do të monitorohen nga qendra e monitorimit nga policët tanë.

E një hap i rëndësishëm, sipas Ramës ka qenë krijimi i drejtorisë së kryeqytetit brenda Policisë së Kosovës.

“Një moment i rëndësishëm për sigurinë në Prishtinë, ka qenë po ashtu edhe krijimi i Drejtorisë së kryeqytetit, brenda policisë së Kosovës. Kemi bë dhe do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje për të rritur kapacitetet teknike dhe logjistike të policisë duke ndihmuar edhe modernizimin e mjeteve dhe pajisjeve të tyre për një shërbim më të shpejt dhe më të efektshëm ndaj qytetarëve. Moment me rëndësi të madhe dhe që ka me qenë ndihmesë shumë e madhe për policinë e Kosovës, e kryeqytetit, sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë është edhe instalimi tash i Smart City, apo i qytetit inteligjent. Me fokus, që edhe instalimin e kamerave që kanë me qenë të ndërlidhura me këtë qytetin inteligjent, ku edhe sigurojnë një siguri shtesë për policët tanë”, tha Rama.

Rama, premtoi shtimin e kapaciteteve teknike dhe logjistike, duke ndihmuar edhe në modernizimin e mjeteve dhe pajisjeve të tyre për shërbim më të shpejtë dhe të efektshëm.

Rajoni

Protestuesit sulmojnë objektin e Gjykatës së Apelit

Published

on

By

Protestuesit në Shqipëri kanë hyrë në objektin e Gjykatës së Apelit. 

Pasi kanë qëndruar për pak minuta aty, ata janë larguar. 

Kjo është hera e parë që është sulmuar objekti i Gjykatës së Apelit.

Pasi janë larguar protestuesit, në vendngjarje kanë arritur pjesëtarë të Policisë. Njëri prej protestuesve është shoqëruar në Polici.

Continue Reading

Vendi

Presidenti i Malit të Zi në vizitë në Kosovë

Published

on

By

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare, do të ndërmarrë masat e sigurisë si dhe do të kujdeset për rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të tij në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë – Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. 

Continue Reading

Rajoni

Alarm për bombë në disa institucione në Shqipëri

Published

on

By

Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.

Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/

Continue Reading

Lajmet

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.

Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.

Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara