Incidentet e fundit të shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore polake nga dronët gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës, kanë ngritur pyetje në lidhje me reagimin dhe gatishmërinë e mbrojtjes ajrore të Polonisë.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Polonisë dha deklaratë se hetimet po vazhdojnë.
“Hetimi është duke vazhduar. Në këtë fazë, është shumë herët për të dhënë detaje në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore polake.”thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, në përgjigje të përshkallëzimit të veprimeve që synojnë infrastrukturën dhe civilët ukrainas, Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake ka aktivizuar masat e përcaktuara nga procedurat se është rritur gatishmëria e komponentëve të mbrojtjes ajrore, dhe se janë mobilizuar avionët në detyrë dhe sistemet tokësore të zbulimit kundërajror dhe radar janë mbajtur në nivelin më të lartë të gatishmërisë”, shkruan Ce-Report.
“Ky është një përpjekje e koordinuar dhe e vazhdueshme nga Forcat Ajrore, sistemet kundërajrore, njësitë e inxhinierisë radiofonike dhe qendrat e komandës dhe kontrollit, e kryer në bashkëpunim të ngushtë me Komandën e Përbashkët të Forcave Ajrore të NATO-s brenda Sistemit të Integruar të Mbrojtjes Ajrore dhe Raketore të NATO-s (NATINAMDS) nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Komandantit Operacional të Forcave të Armatosura Polake. Ushtria Polake po monitoron vazhdimisht situatën, mbetet në gatishmëri të vazhdueshme për të siguruar sigurinë e hapësirës ajrore polake dhe ndërmerr veprime të përshtatshme sa herë që e kërkon siguria e Republikës së Polonisë dhe hapësirës ajrore aleate”, thuhet më tej.
Ministria konfirmoi gjithashtu se janë duke u zhvilluar procedurat e dedikuara të prokurimit.
“Shkalla e veprimit dhe funksionaliteti i këtyre sistemeve përshtaten vazhdimisht me kërcënimet aktuale dhe të parashikuara – kjo është një fushë jashtëzakonisht dinamike që kërkon modernizim të vazhdueshëm. Prandaj, ne po zhvillojmë sisteme për t’iu kundërvënë atyre, duke përdorur jo vetëm pajisje bllokimi, por edhe efektorë kinetikë (artileri, raketa, sisteme lazeri dhe mikrovalë, dronë interceptues, etj.)”.
Një sistem gjithëpërfshirës kundër-dronëve po ndërtohet, i optimizuar për kërcënimet në zhvillim, shtoi ministria, duke theksuar se dronët që shkelin hapësirën ajrore të NATO-s veprojnë në lartësi shumë të ulëta dhe shpejtësi të ulët, duke e bërë të vështirë për radarët tradicionalë dhe sistemet kundërajrore t’i zbulojnë ato.
Së fundmi, Ministria theksoi se qëllimi i saj kryesor është siguria e Polonisë dhe siguria e qytetarëve të saj./S.K/KP/