Botë

Rrëzimi i avionit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i lidhur me sabotim

Published

on

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se rrëzimi i një avioni mallrash në Lituani më 25 nëntor mund të ketë qenë “incident hibrid” me ndërhyrje nga jashtë.

Tani duhet ta pyesim veten seriozisht nëse ky ishte aksident, apo nëse ishte një incident tjetër hibrid”, tha Baerbock për gazetarë në takimin e ministrave të Jashtëm të G7-ës në Itali.

Së voni kemi parë shumë sulme hibride në Evropë, të cilat shpesh në shënjestër kishin individët dhe infrastrukturën, qoftë atë nënujore apo në sipërfaqe”, tha ajo, duke aluduar në këputjen e kabllove të telekomit në Detin Baltik rishtazi, për çka zyrtarët kanë thënë se mund të ketë qenë sabotim.

Autoritetet e Lituanisë nuk e kanë bërë një lidhje të tillë me rrëzimin e avionit.

Shumë agjenci perëndimore të inteligjencës e kanë akuzuar Moskën për përfshirje në akte sabotimi në Evropë, të cilat, sipas tyre, kanë për qëllim destabilizimin e aleatëve të Ukrainës sepse ajo mbështetet te qeveritë perëndimore në luftën e saj kundër pushtimit të plotë nga Rusia.

Avioni i mallrave, që i përkiste kompanisë DHL, u rrëzua derisa po përpiqej të ulej në aeroportin e Vilniusit. Si pasojë u vra piloti spanjoll i avionit dhe u plagosën një tjetër anëtar ekuipazhi spanjoll, një gjerman dhe një lituan, sipas zyrtarëve të aeroportit dhe policisë të cituar nga Reuters.

Zjarrfikësit nuk kanë qenë në gjendje ta zbulojnë nëse avioni kishte filluar të digjej ose të copëtohej sa ishte ende në ajër. Autoritetet janë ende në kërkim të kutive të zeza që regjistrojnë të dhënat e fluturimit.

Komisionari i Përgjithshëm i Policisë Lituaneze, Arunas Paulauskas, tha se anëtarët e mbijetuar të ekuipazhit u treguan hetuesve se nuk kishte tym, zjarr apo ndonjë situatë emergjente në kabinë para rrëzimit të tij. Ai gjithashtu tha se mundësia e ndonjë ndikimi nga një forcë e jashtme është shumë e ulët.

Rrëzimi i avionit ndodhi pas një sërë zjarresh në depot e DHL-së në Britani dhe Gjermani gjatë verës.

Zyrtarë perëndimorë të sigurisë janë cituar më herët këtë muaj ta kenë lidhur serinë e zjarreve me një operacion të dyshuar rus që kishte për synim shkaktimin e zjarreve në avionë mallrash ose pasagjerësh që udhëtonin drejt Amerikës së Veriut.

The Wall Street Journal citoi zyrtarë të sigurisë duke thënë se pajisjet që u ndezën në korrik në depot e DHL-së në Leipzig dhe qytetin britanik të Birmingemit ishin pjesë e një prove.

Muajin e kaluar, zyrtarët polakë thanë se katër persona u arrestua si rezultat i hetimit për pako u përfshinë nga zjarri rrugës për në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Aktivitetet e katër personave “përbënin sabotim dhe diversion të lidhur me dërgimin e pakove, që përmbanin eksplozivë të maskuar dhe materiale të rrezikshme, përmes kompanive të aviacionit drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, të cilat shpërthyen spontanisht ose shpërthyen gjatë transportit tokësor dhe ajror”, thanë prokurorët polakë në një komunikatë më 25 tetor.

Kanadaja, në fillim të nëntorit, shprehu shqetësim para zyrtarëve rusë pas njoftimit për arrestimet.

Rusia u përgjigj duke e thirrur një diplomat kanadez më 8 nëntor për t’i kundërshtuar akuzat se shërbimet sekrete ruse kishin orkestruar fushatën për të dërguar pako shpërthyese.

Aktualitet

Irani po rindërton shpejt kapacitetet ushtarake pas sulmeve amerikano-izraelite

Published

on

By

Irani ka rifilluar tashmë një pjesë të prodhimit të dronëve gjatë armëpushimit gjashtëjavor që nisi në fillim të prillit, ndërsa inteligjenca amerikane vlerëson se Teherani po rikthen kapacitetet ushtarake shumë më shpejt sesa ishte parashikuar fillimisht.

Sipas burimeve të njohura me raportet e inteligjencës amerikane, Irani po punon në zëvendësimin e bazave raketore, lëshuesve dhe kapaciteteve të prodhimit të armëve që u dëmtuan nga sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit.

Raportet paralajmërojnë se Irani mbetet një kërcënim serioz për aleatët rajonalë në rast se presidenti amerikan Donald Trump vendos të rifillojë fushatën ushtarake kundër Teheranit.

Burime amerikane thonë se Irani mund të rikthejë plotësisht kapacitetin e sulmeve me dronë brenda gjashtë muajsh. Sipas tyre, Teherani ka tejkaluar pritjet e inteligjencës amerikane për shpejtësinë e rindërtimit ushtarak.

Ndërkohë, raportohet se Rusia dhe Kina po ndihmojnë Iranin në rikuperimin e kapaciteteve ushtarake. Sipas inteligjencës amerikane, Kina ka vazhduar furnizimin me komponentë që mund të përdoren për prodhimin e raketave, megjithëse kjo ndihmë është kufizuar nga bllokada amerikane.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Kina po i jep Iranit pjesë për prodhimin e raketave, por Pekini i ka mohuar këto akuza, duke i quajtur “të pabazuara”.

Raportet e inteligjencës tregojnë gjithashtu se Irani ende ruan një pjesë të konsiderueshme të arsenalit të raketave balistike, dronëve dhe sistemeve kundërajrore, pavarësisht dëmeve të mëdha nga sulmet amerikano-izraelite.

Megjithëse ushtria amerikane pretendon se operacionet ushtarake kanë dëmtuar rëndë industrinë ushtarake iraniane, burime të inteligjencës thonë se dëmi mund ta ketë vonuar Iranin vetëm për disa muaj dhe jo për vite të tëra./CNN/

 

 

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Trump dhe Netanyahu përplasen për qasjen ndaj Iranit

Published

on

By

 

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Xi: Partneriteti Kinë-Rusi është forcë stabilizuese globale

Published

on

By

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, deklaroi se bota rrezikon të rikthehet në “ligjin e xhunglës”, ndërsa e cilësoi marrëdhënien mes Kinës dhe Rusisë si një forcë stabilizuese globale gjatë takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Pekin.

Xi priti Putinin me ceremoni shtetërore madhështore në Sallën e Madhe të Popullit, vetëm pak ditë pasi kishte mirëpritur edhe ish-presidentin amerikan Donald Trump. Ushtarët kinezë dhe banda ushtarake interpretuan himnet kombëtare të dy vendeve, ndërsa fëmijë me flamuj rusë dhe kinezë brohorisnin për liderët.

Takimi mes Xi dhe Putin nisi me një mbledhje të ngushtë për çështje sensitive dhe më pas vijoi me bisedime më të gjera mes delegacioneve të të dyja vendeve. Në përfundim, palët nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fusha si teknologjia, tregtia, kërkimi shkencor dhe pronësia intelektuale.

Sipas mediave shtetërore kineze, një nga dokumentet kryesore ishte vazhdimi i “Traktatit të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit miqësor Kinë-Rusi”, i nënshkruar fillimisht 25 vite më parë.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, Xi tha se marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës kanë arritur “nivelin më të lartë të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës”, duke bërë thirrje që të dy vendet të kundërshtojnë “çdo formë të bullizmit unilateral” në arenën ndërkombëtare.

Ai paralajmëroi gjithashtu se tensionet globale po e shtyjnë botën drejt “ligjit të xhunglës”, ndërsa theksoi se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme është “i papranueshëm” dhe se një armëpushim i plotë është urgjent.

Nga ana tjetër, Putin e cilësoi marrëdhënien me Kinën si “në një nivel të paprecedentë”, duke shtuar se Rusia mbetet një furnizues i besueshëm energjie në kohën e krizave globale. Ai ftoi Xi të vizitojë Rusinë vitin e ardhshëm.

Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, me të dy liderët që shpesh i referohen njëri-tjetrit si “mik i dashur” dhe “mik i vjetër”. Gjatë takimit, Putin përdori edhe një proverb kinez për të përshkruar pritjen e tij për takimin me Xi: “Edhe nëse nuk shihemi për një ditë, duket sikur kanë kaluar tre vjeshta.”

Ndërkohë, ekonomia ruse, e goditur nga sanksionet për shkak të luftës në Ukrainë, mbetet e varur nga bashkëpunimi ekonomik me Kinën, e cila është partneri më i madh tregtar i Moskës dhe blen pothuajse gjysmën e eksporteve ruse të naftës.

Takimi Xi-Putin po shihet gjithashtu në kontekstin e rivalitetit mes Kinës dhe SHBA-së, sidomos pas vizitës së fundit të Donald Trump në Pekin. Kremlini deklaroi se rëndësia e samitit nuk qëndron tek ceremonia, por tek përmbajtja dhe rezultatet e bisedimeve. /The Guardian/

 

Continue Reading

Aktualitet

SHBA planifikon të zvogëlojë forcat e gatshme për NATO-n

Published

on

By

Administrata e Donald Trump po planifikon t’u bëjë të ditur aleatëve të NATO se do të zvogëlojë kapacitetet ushtarake që Shtetet e Bashkuara do të kenë në dispozicion për të ndihmuar vendet evropiane të aleancës në rast krizash të mëdha ose konfliktesh ushtarake.

Sipas burimeve të njohura me çështjen, vendimi pritet të prezantohet gjatë një takimi të shefave të politikave të mbrojtjes në Bruksel. Ky veprim lidhet me strategjinë e Trumpit që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit dhe të mos varen aq shumë nga mbështetja amerikane.

Në kuadër të modelit të njohur si “NATO Force Model”, shtetet anëtare përcaktojnë një numër forcash që mund të aktivizohen në rast lufte, sulmi ndaj një vendi anëtar apo ndonjë krize tjetër madhore. Megjithatë, Pentagoni ka vendosur të zvogëlojë ndjeshëm angazhimin amerikan në këtë strukturë, edhe pse detajet e plota mbeten ende sekrete.

Burimet thanë se administrata amerikane ende nuk ka sqaruar se sa shpejt do të transferohen këto përgjegjësi tek aleatët evropianë, por ky ndryshim shihet si një sinjal konkret i politikës së re të Uashingtonit ndaj NATO-s. Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se SHBA-ja do të vazhdojë të ofrojë mbrojtjen bërthamore për aleancën, edhe nëse Evropa merr rol më të madh në forcat konvencionale.

Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh në rritje brenda aleancës. Javët e fundit, administrata Trump ka njoftuar për tërheqjen e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Evropa dhe anulimin e një dislokimi ushtarak në Poloni, vendime që kanë shkaktuar shqetësim te aleatët evropianë dhe kritikë në Kongresin amerikan.

Disa vende evropiane kanë shprehur frikën se Uashingtoni mund të reduktojë më tej praninë e tij ushtarake në kontinent, megjithëse diplomatët e NATO-s besojnë se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë Evropën në rast rreziku serioz. Nga ana tjetër, aleatët evropianë argumentojnë se po rrisin shpenzimet ushtarake dhe kapacitetet mbrojtëse, por theksojnë se ky proces kërkon kohë. /Reuters/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara