Lajmet

​Rreth 1 mijë e 70 aborte në institucionet shëndetësore gjatë vitit të kaluar

Vitia tha se detyrimi i heqjes së fëmijës është vepër çnjerëzore.

Published

on

Dënim maksimal e meritor po kërkohet nga institucionet e drejtësisë për vrasësit e Liridona Ademajt. Policisë, prokurorisë e gjykatave po iu kërkohet që të mos neglizhojnë rastet e dhunës në familje. Kështu u tha në konferencën “Preferencat Gjinore dhe Aborti Selektiv – Diskriminimi gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave”. Aty u bë e ditur se vetëm vitin e kaluar janë shënuar rreth 1 mijë e 70 raste të aborteve. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se detyrimi i heqjes së fëmijës është vepër çnjerëzore.

“Sot çdo grua në vendin tonë mund të përdor lehtësisht të gjitha shërbimet për të dalluar gjininë e fëmijës gjatë shtatzënisë. Por, ky mjet i shkencës për të ndihmuar jetën dhe shëndetin e njeriut, nuk mund të përdoret kundër vet njeriut, gruas në këtë rast. Është çnjerëzore detyrimi me çfarëdo forme në heqjen e fëmijës së gjinisë femërore. Jo pse ka zgjedhur një grua të abortojë por sepse partneri apo rrethi familjar është duke ju përshkruar vajzën e ardhshme të dytë, apo të tretë si një vështirësi apo si një disavantazh. Pavarësisht nga zgjedhja e dikujt, aborti me përzgjedhje gjinore është një rast i qartë i diskriminimit me elemente edhe të dhunës fizike por edhe të asaj psikologjike”, deklaroi Vitia.

Ai shtoi se vetëm vitin e kaluar në institucionet e shëndetësisë janë shënuar rreth 1 mijë e 70 aborte.

“Sa i përket abortit në vendin tonë, për shkak të arsyeve të ndryshme, fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të sakta meqenëse aborti ende mbetet një sfidë dhe shumë herë me të dhëna të nën raportuara. Kurse për të dhëna të abortit selektiv nuk mund të flasim fare, meqenëse Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë lejon ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 10, kurse përzgjedhja e gjinisë me këtë ligj është e ndaluar. Sipas të dhënave të vitit 2022, janë raportuar diku rreth 1 mijë e 70 aborte në institucione shëndetësore, shifër kjo që mund të jetë shumë herë më e lartë”, shtoi ministri i Shëndetësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shtoi se gjatë këtyre ditëve kanë organizuar aktivitete të shumta, por vazhdojnë të jenë të shqetësuar me dhunën. Ajo përmendi vrasjen e Liridona Ademajt, ku në mesin e tre të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

“Rasti që ndodhi para disa ditëve ishte një krim i rëndë që tronditi shoqërinë tonë sërish. Pra një rast i cili duhet të marr dënimin e merituar nga institucionet tona të drejtësisë. Kjo tregon që edhe përkundër faktit që ne kemi ndërmarrë veprime të shumta si institucione, si qeveri, si Ministri e Drejtësisë për ta luftuar dhunën me bazë gjinore por edhe dhunën ndaj vajzave dhe grave, rasti që ndodhi para pak ditësh është dëshmi që kemi ende shumë punë për të bërë në shoqërinë tonë. Si ministre e drejtësisë, sigurisht që do të kryejë përgjegjësinë më të lartë të gjitha obligimet që kam, por gjithashtu ftoj të gjitha institucionet, me theks policinë, prokurorinë dhe gjykatat që mos të neglizhojnë rastet e dhunës në familje. Sepse neglizhenca e këtyre rasteve sigurisht që po inkurajon dhunuesit dhe ndërmarrja e veprimeve minimale ndaj dhunuesve po i shndërron ata në vrasës”, deklaroi Haxhiu.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se gjatë fushatës globale u vra Liridona Ademaj, rast ky që tronditi Kosovën.

“Për fat të keq jemi përsëri edhe sivjet në këtë fushatë globale ku ne u përballëm me një krim që tronditi Kosovën, ku një grua padrejtësisht në mënyrë kriminale dhe gjakftohtë u privua nga e drejta e saj për jetë. Dhe kjo e tregon se sa shumë është e rëndësishme aktivizimi, përgjegjësia, angazhimi i të gjithë neve, i gjithë shoqërisë por sidomos i institucioneve tona për të rritur vetëdijen për të drejtat që obligojnë që t’i respektojmë, për vetëdijesimin e vajzave dhe djemve tanë. Pra, ashpërsimi i masave të kriminelëve dhe për të krijuar mjedis të sigurt për vajzat dhe gratë tona”, u shpreh Nagavci.

Nagavci shtoi se aborti selektiv është praktikë e cila ndikon negativisht në aspektin e përgjithshëm emocional të nënave.

Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-s, Visare Mujko – Nimani tha se ndër vite ka pasur më shumë lindje të djemve se vajzave.

 “Të dhënat statistikore në Kosovë dekada me radhë kanë indikuar në diskrepancë të raportit të lindjeve të foshnjave vajza dhe djem në krahasim me atë global. Fondi për popullsi i Kombeve të Bashkuara që në thelb të saj i ka të drejtat e njeriut, promovimin e barazisë gjinore dhe luftimin e diskriminimit gjinor, është e angazhuar fuqimisht dhe në mënyrë aktive në iniciativa të ndryshme për të promovuar të drejtat dhe mirëqenien e vajzave dhe grave në mbarë botën. Megjithatë, çështja e diskriminimit gjinor dhe preferencës gjinore ndaj djemve na kujton se puna jonë nuk është e plotë. Ne nuk duhet të trajtojmë pasojat, por duhet të trajtojmë shkaqet rrënjësore të diskriminimit me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave”, përfundoi ajo.

Fushata globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore” ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave. Kjo fushatë do të përfundojë më 10 dhjetor.

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

lajme

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Published

on

By

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT: Formimi profesional për liderët e së ardhmes

Published

on

By

Në një epokë ku media dhe komunikimi po transformohen me ritme të shpejta, profesionistët e së ardhmes kanë nevojë për njohuri të avancuara, mendim kritik dhe aftësi praktike.

Pikërisht për këtë, UBT ofron programin Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim, të konceptuar për të përgatitur profesionistë të aftë për të udhëhequr në sektorin e medias, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Programi Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim ndërthur në mënyrë strategjike shkencat sociale, teknologjinë e informacionit, gazetarinë, Marrëdhëniet me Publikun (PR) dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.

Përmes kombinimit të njohurive teorike me përvojën praktike dhe hulumtimin shkencor, studentët zhvillojnë kompetenca të avancuara për t’u përballur me kërkesat e tregut modern të punës, si në Kosovë ashtu edhe në tregun global.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet etikës profesionale, mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar, interpretuar dhe menaxhuar komunikimin dhe imazhin e institucioneve dhe organizatave.

Kjo e bën programin një mundësi të përshtatshme për të gjithë ata që synojnë të avancojnë profesionalisht në media, gazetari, komunikim strategjik, PR, marketing dhe përmbajtje digjitale.

Përveç mundësisë për të ndjekur një program Master të orientuar drejt zhvillimit profesional, UBT ofron edhe një mbështetje të rëndësishme financiare për studentët. Përmes bursës Engaged Scholarship, studentet që janë pjesë e kësaj fushe përfitojnë 20% zbritje në tarifën e studimeve gjatë gjithë periudhës së programit Master.

Kjo bursë përfaqëson një mundësi konkrete për studentët që duan të investojnë në arsimimin e tyre të avancuar, duke pasur njëkohësisht mbështetje financiare gjatë gjithë rrugëtimit akademik.

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT është një mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca profesionale dhe për të ndërtuar bazat e një karriere të suksesshme në një sektor që ndryshon vazhdimisht.

Apliko në programin Gjuhë, Media dhe Komunikim -Master dhe përfito 20% bursë përmes Engaged Scholarship.

Continue Reading

Të kërkuara