Lajmet

​Rreth 1.6 milion pritet të jetë numri i banorëve në Kosovë

Published

on

Kosova pritet t’i ketë 1.6 milion banorë. Kështu është bërë e ditur në konferencën përmbyllëse për media për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati përmbylljen e këtij projekti, e ka vlerësuar si një ditë të madhe për gjithë vendin, pasi sipas tij, ka vlerë të madhe në disa fusha. Ai derisa ka treguar se çdo gjë ka shkuar sipas planifikimeve, pa ndonjë problem, ka thënë se të dhënat e Kosovës do të jenë të krahasueshme në aspektin rajonal, por edhe në nivel global.

Ndërkaq, Kastrati ka bërë të ditur se gjatë kohës së realizimit të procesit, ka pasur një dezinformatë se nga komuniteti serb do të ketë regjistrim pas dy muajve, mirëpo ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, dhe se regjistrimi i ardhshëm do të jetë në vitin 2031. Ai po ashtu ka thënë se të gjitha komunitetet kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, përveç komunitetit serb që ka pasur disa hezitime.

“Kosova pritet t’i ketë përafërsisht rreth 1.6 milion banor. Pra të dhënat paraprake publikohen në pjesën e parë të muajit korrik… Ndërsa, në bazë të ligjit që është në fuqi ASK ka kohë t’i publikojë të dhënat preliminare në fund të muajit gusht, do të mundohemi të dhënat preliminare të jenë më herët, pra pritjet janë që të dhënat paraprake të publikohen në muajin korrik, pjesën e parë. Praktikat janë që të dhënat finale publikohen një vit pas datës së regjistrimit, apo deri në 15 muaj. Tani planifikojmë të publikojmë pas gjashtë muaj… Po ashtu ashtë një ditë e madhe për Kosovën, institucionet, por edhe statistikën vet, sepse një projekt i tillë madhor ka vlerë të madhe në disa fusha… Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka respektuar parimet, standardet dhe konceptet ndërkombëtare në plotni, që nënkupton se të dhënat e Kosovës të jenë të krahasueshme në aspektin rajonal, por edhe në nivel global… Janë kodifikuar rreth 650 mijë objekte, njëkohësisht është bërë ndarja për projekt në mbi 5 mijë zona regjistruese. Njëkohësisht janë bërë rreth 5 mijë harta digjitale, po ashtu edhe të printuara, si dhe janë përgatitur po aq aplikacione që është dashtë të instalohen në pajisje”, tha Kastrati.

Kastrati ka thënë se sa i përket numrit të personave direkt të përfshirë në këtë proces, ka tejkaluar 5 mijë, pa përfshirë këtu Policinë e Kosovës. Ai po ashtu ka thënë se kishte një dezinformatë nga komuniteti serb se do të ketë regjistrim pas dy muajve, mirëpo ka thënë se kjo nuk qëndron.

“Në përgjithësi numri i stafit direkt të përfshirë në këtë projekt, ka vajuar prej kohës, por maksimumi që ka arritur është mbi 5 mijë, pa përfshirë Policinë e Kosovës. Ndërsa tek regjistruesit është interesant, sepse për herë të parë pas regjistrimit të 2011, regjistruesit kanë qenë dominant femra, rreth 60 për qind e regjistrueseve në terren kanë qenë femra, raporti i njëjtë është pothuajse edhe me mbikëqyrësit. Mosha mesatare e regjistrueseve ka qenë më të rinj, pra rreth 29 vjet, ndërsa mbikëqyrësit pak më të moshuar… Ndërkaq ata që nuk janë regjistruar në gjitha komunitetet, kësaj here do të regjistrohen në vitin 2031. ASK nuk ka plane, sepse ka qenë një dezinformatë që kam marrë nga komuniteti serb, ndoshta nga Lista Serbe se do të ketë regjistrim pas dy muajve, kjo nuk është e vërtetë”, ka theksuar Kastrati.

Ndërsa Kastrati derisa ka përmendur shifra se sa janë kursyer nga ky proces, ka treguar se çfarë kanë menduar të bëjnë me ato para.

“Sistemi është treguar i suksesshëm, dhe çfarë e bënë më madhor këtë sistem, është se janë kursyer përafërsisht mbi gjysmë milion euro në ndërtimin e sistemit, stafi jonë i brendshëm, kanë kursyer një shumë të çmuar… njëkohësisht edhe pajisje është dashur të blihen po aq, kjo ka mundësuar të kursehen po ashtu edhe rreth një milion e gjysmë në pajisje dhe staf…  Ne nuk kishim nevojë të kursejmë për një projekt të tillë, por i kishim kapacitetet dhe kemi diskutuar disa herë me koleg, nëse do ja dalin mirë, dhe kur e pamë që po ecim me kapacitetet tona, pse jo. Përndryshe, stafi i ASK jep mbështetje edhe jashtë Kosove në disa fusha, dhe nuk jam i sigurt, ku do t’i dërgojmë këto mjete, por neve na mungon një pjesë e mirë e stafit që kemi nevojë t’i rrisim kapacitetet humane, njerëz, edhe në pajisje por edhe në ambient më të mirë”, ka thënë ai.

ASK po ashtu ka falënderuar gjithë qytetarët për bashkëpunim me regjistruesit si dhe institucionet pjesëmarrëse, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, si dhe komunat. Ndërsa, ka thënë se gjatë këtij procesi ka qenë dhe një task-forcë për ruajtjen dhe sigurimin e të dhënave nga sulmet kibernetike.

Regjistrimi i popullsisë është një proces i numërimit të gjithë banorëve dhe mbledhjes së informatave demografike, ekonomike, sociale, arsimore, bujqësore dhe informatave të tjera për secilin person. Në këtë proces përfshihet edhe një pyetësor, i cili iu mundëson qytetarëve të deklarohen mbi dëmet e shkaktuara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë më 2011 dështoi të mbahej në katër komunat me shumicë serbe në veri, dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto Lufta në Bosnje dhe Hercegovinë përcillej me interes të madh në Kosovë (Sarajeva)

6 gusht 1993

Shqiptarët në Mal të Zi duhet t’i gëzojnë të drejtat që i gëzojnë edhe malazezët

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, me kërkesën e tij, u takua në Ulqin me prof. dr.Slobodan Vujaçiq, ish-anëtar i Kryesisë së Malit të Zi dhe tash anëtar i Këshillit Republikan për Mbrojtjen e të Drejtave të pjestarëve të grupeve etnike e nacionale, të cilin e formoi Kuvendi i Malit të Zi në mbledhjen e fundit.

Vujaçiqi u interesua për qëndrimin e Lidhjes Demokratike për këtë Këshill, duke thënë se kjo është një iniciativë e mirë dhe njëherësh tregon vullnetin e pushtetit republikan për mbrojtjen e të drejtave të grupeve etnike e nacionale.

Kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, theksoi se formimi i këtij Këshilli pa konsultimin e LD në MZ, të vetmes parti legjitime të shqiptarëve në Mal të Zi dhe pa përfaqësuesit e vërtetë legjitim të shqiptarëve në Mal të Zi, është për të satën herë deri tash, veprim për të mashtruar shqiptarët në Mal të Zi dhe opinionin e gjerë.

Që në qershor të vitit 1992, kur u zhvilluan bisedimet me përfaqësuesit e partive parlamentare dhe me Qeverinë së Malit të Zi, me ç’rast partitë opozitare parlamentare në Malin e Zi, në mesin e tyre edhe Lidhja Demokratike, kërkuan nga Qeveria dhe partia në pushtet që të formohet qeveria e bashkimit qytetar. Qeveria e Malit të Zi, në fakt, partia në pushtet, si përgjigje dhe për të qetësuar opozitën, para së gjithash shqiptarët dhe myslimanët dhe për të kënaqur opinionin ndërkombëtar, propozoi që të formohet Këshilli Republikan i Malit të Zi për paqë e qetësi qytetare dhe barazi nacionale, si trup këshillues. Që atëherë Lidhja Demokratike në Mal të Zi, theksoi se një trup i tillë nuk është i pranueshëm, ngase nuk ka kurrfarë ingjerencash për vendosje.

Lidhja Demokratike në Mal të Zi, përpiqet për pjesëmarrje proporcionale në pushtet në të gjitha nivelet dhe për definimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin e definuan me Memorandumin për Statusin special në Mal të Zi (me Kushtetutë apo me Ligj kushtetues), shtoi Mehmet Bardhi.

Pushteti i Malit të Zi, në vend që të vendos dialogun demokratik dhe të fillojë të zgjidhë çështjet e hapura, ai me veprimet e veta ndaj shqiptarëve në Mal të Zi po sillet në mënyrë injoruese, mospërfillëse, sikur të mos ekzistonin. Shqiptarët në Mal të Zi jetojnë në trojet e veta, përkujtoi Mehmet Bardhi dhe shtoi se Lidhja Demokratike në Mal të Zi edhe njëherë thekson se shqiptarët në Mal të Zi duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, krejtësisht si malazezët dhe të tjerët në të gjithë lëmejtë e jetës. Mu për këtë LD në MZ, është e gatshme për dialog demokratik e konstruktiv për zgjidhjen e problemeve, të cilat sot janë më të mëdha dhe më të theksuara se kurrënjëherë më parë.

Kryetari i LD të MZ përmendi dhe një numër çështjesh tjera të hapura, që nuk janë të zgjidhura si çështja e shkollimit, kërkesën e prindërve nga Plava që të hapet klasa e parë fillore në gjuhën shqipe që është kërkuar qe dy vjet me radhë, por të cilën Ministria e arsimit nuk e ka lejuar; për shkollimin e lartë të nxënësve shqiptarë, për qeverisjen lokale, shërbimin e inspekcionit, heqjen e vizave dalëse për Shqipëri, hapjen e pikës kufitare etj.

 

6 gusht 1994

NATO bombardoi pozicionet serbe në rrethinë të Sarajevës

Mbrëmë në orën 18,35, avionët e NATO-s me kërkesën e UNPROFOR-it, bombarduan pozicionet e izioluara tokësore të serbëve të Bosnjës të vendosura në malin Igman, që shtrihet në zonën e ndaluar prej 20 km, në rrethinë të Sarajevës, njoftojnë burimet zyrtare diplomatike dhe ushtarake nga selia e Aleancës së Atlantikut Verior në Bruksel.

Ky akcion i NATO-s, është një lloj ndëshkimi ndaj forcave të serbëve të Bosnjës, që kohëve të fundit i përsëritën sulmet ndaj ushtarëve të UNPROFOR-it e veçanërisht kur dje në mëngjes (të premten) në afërsi të Ilixhës i detyruan helmetkaltërit ukrainas t’u dorëzojnë një tank T-55, dy qerre të blinduara M-0, një bateri topash kundërajror dhe dy tri orë më vonë e sulmuan helikopterin “Puma” të kontigjentit francez, që kërkonte materialin e “vjedhur”.

Në bombardimet e NATO-s ndaj pozicioneve serbe morën pjesë avionët amerikanë “A10”, mirazhët francez, jaguarët britanikë dhe gjuajtësit holandez. Me këtë rast, komandanti i UNPROFOR-it, gjenerali Lapresle deklaroi “misioni është kkkkryer me sukses, janë qëlluar objektivët në tokë”. Në lidhje me bombardimet dhe “objektivët e qëlluar”, burimet e NATOs theksojnë se “janë shkatërruar disa nga armët e rënda të vjedhura nga forcat serbe”.

Ky aksion ndëshkues i NATO-s, edhe pse i limituar (kufizuar), është një formë presioni drejtuar serbëve të Bosnjës e posaçërisht liderit të tyre Karaxhiq, pas refuzimit të Planit Paqësor të Grupit të kontaktit (SHBA, Anglia, Franca, Gjermania dhe Rusia).

Sot, të gjitha radio e tv programet dhe gazetat në Evropën Perëndimore po i kushtojnë rëndësi të veçantë bombardimeve të NATO-s ndaj pozicioneve të serbëve të Bosnjës.

 

6 gusht 1997

U shpallën fituesit e Çmimit Letrar Kombëtar

Dje në Tiranë u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të Konkursit Letrar Kombëtar për botimet e vitit 1996.

Kryetari i jurisë së këtij konkursi ishte dr. Aurel Plasari. Me çmimin për prozën e gjatë më të mirë të vitit 1996 u vlerësua shkrimtari Zija Çela për romanin “Monedha e dashurisë”, për poezinë Frederik Rreshpja me përmbledhjen “Lirika të zgjedhura” dhe për tregime Faruk Myrtaj me librin “Nudo zyrtare”. Libri më i mirë i përkthyer nga letërsia e huaj u cilësua “Obelisku” i autorit gjerman Erih Maria Remark, i shqipëruar nga Robert Shvarci. Çmimet për librat e parë në poezi dhe prozë i fituan autorët debutues, Ani Spahivogli dhe Andrea Hila.

Vlera e shpërblimit të sivjetshëm të Çmimit Letrar Kombëtar është 150-200 mijë lekë të rinj.

Më pas, studiuesi Ramadan Musliu, anëtar i jurisë, foli për rrjedhat e letërsisë shqipe të viteve 90-të, duke evidencuar veçoritë dhe prirjet karakteristike të saj, të shfaqura kryesisht në fushën e koncepsioneve dhe të teknikave letrare.

Ndërsa, aktorë të teatrit recituan pjesë nga krijimtaria më e mirë e paraqitur në këtë konkurs të ilustruara me muzikë të zgjedhur, njofton “Bujku”.

 

6 gusht 1998

Klinë: Mbi 10 mijë banorë shqiptarë janë buzë katastrofës humanitare

Më 3 gusht të këtij viti, forcat e ushtrisë dhe policisë serbe, pas granatimeve të parreshtuara, hynë në fshatin Çeskovë dhe e dogjën e shkatërruan në tërësi fshatin. Nga kjo ditë, nga kodrinat e këtij fshati forcat srbe po e granatojnë parreshtur Jabllanicën e Gjakovës, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Klinë.

Njoftohet se edhe më tej nën qiellin e hapur vazhdojnë të jetojnë rreth 10 mijë banorë shqiptarë të fshatrave të granatuara të komunës së Klinës.

Gjendja shëndetësore dhe humanitare e këtyre banorëve shqiptarë që tashmë kanë mbetur pa kulm mbi kokë është buzë katastrofës, pasi ata kanë mbetur pa ushqime, ilaçe e gjësende të tjera më elementare për jetë.

 

Vushtrri: Gjatë sulmit serb në Pantinë u vra Jeton Tërstena (24)

Forca të ushtrisë serbe granatuan sot fshatin Pantinë të Vushtrrisë.

NMDLNJ i Vushtrrisë njofton se si pasojë e granatimeve u vra Jeton Tërstena (24) dhe u plagosën dy shqiptarë të tjerë, jeta e të cilëve nuk është në rrezik.

Nga granatimet gjithashtu u dëmtua shtëpia e Ramadan Mehmetit.

Pas sulmit forcat serbe u tërhoqën në drejtim të fshatit Frashër. Varrimi i Jeton Tërstenës bëhet sot në orën 18 në fshatin Oshlan.

 

Zhur: U varrosën dy të varë nga forcat serbe

Më 3 gusht të këtij viti, në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri, në afërsi të fshati Buqe të Dragashit u gjet trupi i pajetë i Nexhat Qazim Fanajt (31) nga Grazhdaniku, ndërsa më 5 gusht u gjet trupi i pajetë i Behamir Rrustem Memajt (28) nga Zhuri, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Zhur.

Njoftohet se kufomat e dy të rinjëve shqiptarë janë varrosur në vendlindjet e tyre.

Bëhet e ditur se dy të rinjët shqiptarë janë vrarë më 28 korrik të këtij viti nga forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, derisa po bombardonin mbi kodrat e fshatrave Buqe e Brazne të Dragashit.

 

Prizren: Teki Ramshaj vdiq nga torturat në polici

KI i Degës së LDK-së në Prizren, duke cituar disa dëshmitarë, njofton se nga torturat e rënda fizike në policinë e Prizrenit, pardje ka vdekur Teki Ramshaj (26), i cili është varrosur në qytetin e Rahovecit.

Gjendja në Prizren e rrethinë vazhdon të jetë e rëndë. Mbi qytet fluturojnë shpesh helikopterë ushtarakë, ndërsa sot në magjistralin Prizren-Kukës sot forcat serbe kanë vendosur katër postblloqe të reja.

 

Në spitalin e Tiranës vdiq Brahim Krasniqi nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë

Brahim Krasniqi nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë vdiq në spitalin ushtarak të Tiranës, pasi ditë më parë ishte plagosur në kufirin Kosovë-Shqipëri, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Varrimi i tij u bë në Tiranë.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Folklor, energji epike dhe balet modern në natën e dytë të “Etno Fest-it”

Published

on

By

Nata e dytë e edicionit të 16-të të “Etno Fest-it” nisi me Ansamblin “Devolli” nga Korça, i cili solli për publikun valle tradicionale devolliane, veshje autoktone dhe harmoninë e lojës instrumentale ku dominonte klarineta.

Programi vazhdoi me aktorin Armend Baloku dhe shfaqjen e tij mbështetur në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Permes një interpretimi me ekspresivitet e temporitëm dinamik, ai përcolli fuqishëm historinë dhe mesazhin aktual të Fishtës “Lidhnju bashkë si kokrrat në shegë”, duke i shtuar mbrëmjes dozën e adrenalinës kombëtare.

Më pas, kompania Dance Theatre nga Gjergj Prevazi prezantoi shfaqjen e baletit “Void” (Bosh). Lëvizjet e precizuara të balerinave Katerina Goga dhe Chiara Xoxi përcollën përmes gjuhës së trupit përpjekjen për të mposhtur apatinë e zbrazëtinë përmes artit. Mbrëmja u përmbyll te “Qilimi fluturues i gjyshes” me performancën e grupit “NA” dhe DJ Cabo, duke gërshetuar muziken tradicionale me atë moderne. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bie për disa centë çmimi i naftës sot në Kosovë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat do të vlejnë gjatë ditës së sotme, 6 gusht.
Sipas vendimit të MINT-it, çmimet tavan të caktuara për tregun janë: Nafta: 1.72 euro për litër, Benzina: 1.45 euro për litër, Gazi 0.60 euro për litër
Ministria bën të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe janë të detyrueshme për zbatim nga të gjithë operatorët e naftës në vend.

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë në një aheng në Pejë, arrestohet një person

Published

on

By

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka përdorur armë zjarri gjatë një ahengu në Pejë. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së mërkurës, ku pas marrjes së njoftimit rreth orës 23:45, zyrtarët policorë kanë dalë menjëherë në vendngjarje.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar nga i dyshuari një armë të llojit Zoraki të kalibrit 9mm, një karikator dhe pesë fishekë. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga përdorimi i armëve gjatë festimeve, duke paralajmëruar se do të ndërmerren masa ligjore ndaj çdo personi që përdor armë në mënyrë të kundërligjshme. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara