Lajmet

Rregullat për udhëtimet verore në BE

Published

on

Me afrimin e verës, Bashkimi Evropian po përpiqet të bëjë rregulla të unifikuara për qytetarët e BE-së që udhëtojnë brenda bllokut dhe për qytetarët e vendeve të treta që duan të vizitojnë miq e të afërm në BE, ose të bëjnë pushime në Alpe apo Mesdhe.

Ku jemi tani?

Kur bëhet fjalë për pasaportën e vaksinës të vetë BE-së, e quajtur “certifikata e gjelbër digjitale”, procedurat po vazhdojnë, edhe pse ngadalë.

Pasaporta u propozua këtë pranverë nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti dhe Këshilli Evropian, që përfaqësojnë të 27 vendet anëtare të BE-së, u dakorduan për mandatet e tyre përkatëse negociuese. Tri institucionet tani duhet të hartojnë tekstin përfundimtar legjislativ.

Takimi i parë u zhvillua më 3 maj, ndërsa takime të tjera pritet të mbahen në ditët dhe javët e ardhshme.

Ideja për të hapur BE-në (minus Irlandën, por plus Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën) për qytetarët e vendeve të treta, është më e freskët.

Propozimi për lehtësimin e kufizimeve u paraqit fillimisht më 3 maj.

Ambasadorët e vendeve anëtare pritet ta diskutojnë këtë javë.

Komisioni Evropian sugjeroi mirëpritjen e njerëzve që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të ndonjërës prej vaksinave që ka miratuar BE-ja kundër koronavirusit: AstraZeneca, BioNTech/Pfizer, Johnson&Johnson dhe Moderna. Sipas propozimit, doza e dytë duhet të merret së paku 14 ditë përpara arritjes.

Komisioni propozoi edhe relaksimin e metodologjisë së BE-së për llogaritjen e vendeve “të sigurta”. Aktualisht, të sigurta konsiderohen ato vende që për 14 ditë raportojnë 25 raste me koronavirus në 100,000 banorë, ndërsa propozohet që shifrat prej 25 të rritet në 100.

Aktualisht, mesatarja e bllokut është 420 raste dhe vetëm gjashtë vende kualifikohen nën regjimin e rreptë: Australia, Zelanda e Re, Ruanda, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajlanda.

Cilat janë pikat e diskutueshme?

Për certifikatat e vaksinës, ideja është të krijohet një rregullore e përbashkët në të gjithë Bashkimin Evropian, që siguron përsëri lirinë e udhëtimit brenda zonës Shengen.

Por, ka ende disa çështje të mëdha të pazgjidhura.

Parlamenti, për shembull, dëshiron teste falas për COVID për ata që nuk janë vaksinuar ose nuk duan të vaksinohen – gjë të cilën shtetet anëtare nuk janë të etura ta bëjnë, për shkak të mungesave të fondeve si pasojë e pandemisë.

Por, çështja më e madhe kontestuese mund të rezultojë nëse eurodeputetët këmbëngulin që certifikata të nënkuptojë se nuk ka më kufizime shtesë, të tilla si testime shtesë ose karantina të mundshme nga vendet anëtare.

Qeveritë e shumë vendeve anëtare të BE-së, nga frika e varianteve të reja të koronavirusit, besojnë se duhet të varet nga to që të vendosin nëse do ta përdorin certifikatën për të hequr kufizimet ose jo.

Përplasja mund të ndodhë sepse shëndeti është një kompetencë ekskluzive e shteteve anëtare individuale, ndërsa liria e lëvizjes është kompetencë e unionit.

Për hapjen e kufijve të jashtëm të BE-së, shumë varet nga ajo se sa turistë i duan vendet anëtare – dhe nga ku.

Disa mund të insistojnë në masa reciprociteti, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, dhe mund të ketë kritere të tjera, si testimet dhe nivelet e pozitivitetit.

Shtetet anëtare, ashtu si në rastin e certifikatave të vaksinave, mund të rezervojnë të drejtën për të vendosur karantina ose testime shtesë.

Për të kufizuar rrezikun e importimit të varianteve të reja të koronavirusit, Komisioni Evropian propozoi gjithashtu të ashtuquajturën “frenë urgjente”, që do të mundësonte vendosjen e kufizimeve të shpejta të udhëtimit për vendet ku situata shëndetësore përkeqësohet ndjeshëm.

Cili është afati kohor?

Ideja është që të dyja propozimet të jenë plotësisht funksionale deri në fund të qershorit. Puna teknike për certifikatat tashmë është duke u zhvilluar.

Pavarësisht nëse ka ose jo bllokime legjislative midis Parlamentit dhe Këshillit, sistemi është vendosur të jetë teknikisht gati deri më 1 qershor.

Certifikatat, që mund të përdoren edhe në smartfonë, edhe në versionin letër, do të përfshijnë tri mënyra për të dëshmuar se jeni i lirë për të udhëtuar në zonën Shengen: vaksinimin, testin negativ, ose prova të shërimit nga koronavirusi – plus të dhënat e domosdoshme, si: emri, data e lindjes, vendi i lëshimit dhe lloji i vaksinës nëse jeni vaksinuar.

Ideja është që informacioni nga proceset e vaksinimit në vendet e treta, mund të ngarkohet në sistemin e BE-së – diçka që, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk është teknikisht e vështirë, edhe pse çështjet e privatësisë mund ta komplikojnë.

Çfarë në lidhje me vaksinat Sputnik V dhe Sinopharm?

Për Parlamentin Evropian, vetëm vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) duhet të lejohen në skemën e certifikatës së vaksinave, por vendet anëtare kanë insistuar që të lihet hapur dera për vendet e BE-së, që t’i lejojnë edhe vaksinat e vendeve të tjera. Insistimi është bërë në përpjekje për të qetësuar Hungarinë, e cila përdor edhe vaksinën ruse Sputnik V, edhe atë kineze Sinopharm.

Megjithatë, rekomandimi i Komisionit për hapjen e kufijve për shtetasit e vendeve të treta, nuk e ka një bujari të tillë.

Sputnik V është ende në procesin e analizimit nga EMA. Më 4 maj, EMA ka nisur edhe rishikimin e vaksinës kineze.

Po fëmijët?

Fëmijët në BE nuk janë vaksinuar ende, kështu që për certifikatat e vaksinës, prindërit thjesht duhet të përdorin një test negativ PCR për të vegjlit e tyre.

E njëjta gjë vlen për të miturit jo të vaksinuar jashtë BE-së. Por, në këtë rast, vendet anëtare ndoshta do të kërkojnë testime shtesë pas mbërritjes.(RFE)

Lajmet

MAShT cakton datat e provimit të maturës shtetërore

Published

on

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim lidhur me organizimin e provimit të maturës shtetërore për këtë vit.

Sipas vendimit të MAShTI-t, afati i parë i provimit të maturës shtetërore do të mbahet më 20 qershor, ndërsa afati i dytë është caktuar për datën 29 gusht.

Ministria u ka bërë thirrje nxënësve që të përgatiten me kohë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për detaje shtesë rreth organizimit të provimit. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Osmani takon Presidenten e Tanzanisë në Samitin Botëror të Qeverisjes

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Samitin Botëror të Qeverisjes, është takuar me Presidenten e Tanzanisë, Samia Suluhu, si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo.

Osmani ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në një frymë të hapur dhe miqësore, duke reflektuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Tanzanisë.

“Diskutim i hapur dhe miqësor, në vazhdën e marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës dhe Tanzanisë”, ka shkruar Presidentja Osmani. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Shqetësuese – nga viti 2000, në trafik kanë humbur jetën 3.111 persona

Published

on

Në një konferencë për media të Policisë së Kosovës, sot është raportuar një e dhënë shqetësuese – nga viti 2000, në trafik kanë humbur jetën 3.111 persona

Drejtues të Policisë së Kosovë kanë paraqitur statistikat e përgjithshme të të gjitha zhvillimeve në vend nga fusha e sigurisë.

Sipas tyre, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka trajtuar 19 mijë e 941 raste, një rritje në krahasim me vitin 2024 ku ishin raportuar 19 mijë e 874 raste.

Në prezantimin e këtij departamenti, nga drejtori i DRP-së në Prishtinë, Bastri Shabani u theksua se veprat penale kanë qenë në ulje prej -5.90 për qind, 10 mijë e 269 raste, ndërkohë në incidente në trafik ngritje prej 6.8 për qind.

Gjithsej aksidente 10 mijë e 338, persona të lënduar 5 mijë e 866, aksidente me lëndime 3 mijë e 235, aksidente me dëme materiale 7 mijë e 75. Me fatalitet 28 persona, të vdekur 29.

Arrestimet sipas autorizimeve policore gjatë vitit 2024 ishin 2 mijë e 718 arrestime, në 2025 3 mijë e 377 raste apo ngritje 24,3 për qind. Tiketat e shqiptuara në ngritje prej 8.70 për qind nga 212 mijë e 931 në 231 mijë e 478.

Drejtori i DRP-së, Bastri Shabani bëri të ditur edhe rastet e vrasjeve, dhunës në familje dhe vjedhjeve.

Gjashtë raste të vrasje e rëndë, dhuna në familje në ulje prej -1.9 për qind dhe vjedhje e rëndë – 3.1 për qind.

“Disa nga veprat penale më serioze, vrasje-vrasje e rëndë nga 8 në 6, do të donim të mos kemi asnjë vrasje por ja që ka ndodhur, lëndim i rëndë trupor kemi një rritje nga 77 raste në 83, lëndim i lehtë trupor po ashtu një ngritje prej 6.5 për qind, veprat penale kundër pasurisë vjedhje në 5.3 për qind kemi ngritje, vjedhje e rëndë – 3.1 për qind, grabitje -10.5 për qind, dhuna në familje -1.9 për qind, posedim dhe shitblerje e narkotikëve nga 613 në 775 raste apo ngritje në 23.5 për qind”, tha Shabani.

Shabani ka theksuar edhe sfidat që ishin për këtë departament gjatë vitit 2025.

“Si çdo vit edhe në vitin 2025 kemi pasur edhe sfida. Lëvizjet e shpeshta të personelit dhe mungesat e personelit policor të graduar, angazhimet shtesë në Mitrovicë Veri, angazhimet në numër të lartë të organizimeve vendore e ndërkombëtare në kryeqytet, angazhimi në pika statike dhe objekte me rëndësi të veçantë, mungesa e hapësirë së mjaftueshme për DRP Prishtinë dhe kryeqytet”, shtoi Shabani.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ka një rënie të rasteve serioze që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar në Prishtinë.

Sipas tij, problemi kryesor janë rritjet e rasteve me fatalitet në trafik ku mbi 100 persona gjatë 2025 kanë humbur jetën. Që nga viti 2000 deri më sot, Hoxha tha se Kosova ka humbur mbi 3 mijë e 111 persona në trafik.

Hoxha theksoi se një nga prioritetet kryesore të Policisë së Kosovës do të jetë siguria në trafik, ku nevojitet mbështetje e komunave dhe ministrisë së infrastrukturës.

“Kemi një numër në rënie të rasteve serioze që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar në Prishtinë, sidomos te vrasjet, grabitjet, vjedhjet e rënda, po ashtu edhe prej një prej veprave penale shumë të ndjeshme që është dhuna në familje dhe që është prioritet nacional i Kosovës. Problemet që kanë shënuar rritje është rastet e rënda të fataliteteve që jo vetëm në Prishtinë por gjithandej Kosovës, kemi pasur rritje të rasteve me fatalitet në trafik mbi 100 persona të vdekur në trafik nga 89 që kemi pasur një vit më herët… Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve  ka me qenë siguria në trafik. Por që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve”, tha Hoxha.

Në fund pjesëtarë të policisë së Kosovës u nderuan edhe me mirënjohje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. /A. Shala/

/Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Kosova është gati për ekonominë e gjeneratës së ardhshme, e përqafon AI me bindje

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova po i qaset inteligjencës artificiale me vizion të qartë dhe vendosmëri, duke theksuar se shteti është i gatshëm ta përqafojë plotësisht këtë teknologji përmes investimeve në aftësi, modernizimit të arsimit dhe krijimit të një mjedisi rregullator që inkurajon inovacionin, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor. Sipas saj, Kosova është gati për ekonominë e gjeneratës së ardhshme.

Në fjalimin e saj, në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani theksoi se teknologjia pa vlera përfaqëson fuqi pa përgjegjësi dhe se inteligjenca artificiale, nëse nuk udhëhiqet siç duhet, mund t’i thellojë ndarjet shoqërore. Sipas saj, qeverisja e mençur e kësaj teknologjie mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të rrisë potencialin njerëzor, shkruan KosovaPress.

“Kosova nuk i qaset inteligjencës artificiale me frikë, hezitim apo masa gjysmake. Ne i qasemi asaj me qartësi dhe bindje. Jemi të gatshëm ta përqafojmë plotësisht, të investojmë në aftësi, të modernizojmë arsimin, t’i hapim institucionet tona ndaj inovacionit dhe të krijojmë një mjedis rregullator të lirë që inkurajon përparimin, duke mbrojtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor. Sepse teknologjia pa vlera është fuqi pa përgjegjësi. Dhe inteligjenca artificiale, nëse lihet pa udhëzim, mund t’i thellojë ndarjet. Por, nëse qeveriset me mençuri, ajo mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të ngrejë potencialin njerëzor”, tha ajo.

Presidentja Osmani foli edhe për ndërtimin e institucioneve të pavarura, profesionale dhe të qëndrueshme, duke theksuar se Kosova është e vendosur t’i ruajë dhe t’i forcojë ato. Ajo shtoi se përparimi i vendit në këto fusha po njihet gjithnjë e më shumë në nivel ndërkombëtar.

Presidentja Osmani theksoi gjithashtu se Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë, përmes zgjerimit të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe tregje të tjera.

“Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë. Përmes një rrjeti në zgjerim të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë me Emiratet e Bashkuara Arabe këtu dhe shumë vende të tjera, sipërmarrësit, inovatorët dhe profesionistët tanë lëvizin, lidhen dhe bëjnë biznes me më shumë lehtësi. Përmes qasjes tonë në tregjet e BE-së, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe më gjerë, falë marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë së lirë, kompanitë e bazuara në Kosovë operojnë brenda një hapësire ekonomike me më shumë se 700 milion konsumatorë. Kështu ndërtohet besimi. Dhe besimi është themeli i çdo ekonomie konkurruese. Pilar i tretë i ekonomive të gjeneratës së ardhshme është një mjedis biznesi që shpërblen iniciativën”, ka thënë Osmani.

/Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara