Lajmet

Rrëfimi i oficerit shqiptar që shërbeu në Afganistan dhe humbi shokun e ngushtë gjatë luftës

Published

on

“Edhe pse përpara se të nisemi për një mision ne trajnohemi dhe studiojmë për kulturën, ritualet dhe traditat e vendit ku do të shkojmë, në Afganistan gjeta shumë gjëra të reja që ti i kupton dhe i mëson vetëm kur i prek nga afër. Kur shkova në shtëpitë e tyre kuptova që ata ishin një popull aq mikpritës, në mënyrën e tyre, por të pakursyer”, thotë që në krye të bisedës për Gazetasi.al Denis Deliu, oficer i forcave speciale të ushtrisë i cili ka marrë pjesë gjatë dy misioneve në vijën e parë të sulmit në Kandahar të Afganistanit.

Denisi i cili është trajnuar për 7 vite me radhë nga Forcat Speciale Amerikane “Navy Seal”dhe “Green berets” e që tashmë nuk gjendet më në këtë detyrë, rrëfen që në kontaktet me pjesën tjetër të popullsisë, tregtarë, këpucarë, berberë dhe afganas të thjeshtë, kishte gjithmonë biseda apo episode që i kishin ngelur në mendje dhe që e linin të kuptonte shumë gjëra për atë popull.

“Një ditë po ktheheshim nga një detyrë e largët. Afër bazës kishte dy grupe me fëmijë të moshës 6-7 vjeç, njëri me çanta shkolle që dukej se sapo kishin mbaruar mësimin, dhe një grup tjetër që po rrinin përtej. Fëmijët nga grupi i dytë filluan të na gjuanin me gur në momentin që ne kaluam pranë tyre ndërsa fëmijët që ktheheshin nga shkolla na përshëndetën me duar.

Ishte një episod i shkurtër, por që më tregoi shumë për atë popull dhe për rëndësinë që kishte arsimi atje”, tregon Denisi për Gazetasi.al.

Për ta përforcuar më tej, ai rrëfen që edhe kur forcat e koalicionit zbrisnin nëpër fshatrat që nuk kishin shkolla dhe u bënin dhurata familjeve vendase, sapo largoheshin, ata nisnin sërish t’i godisnin me gurë, sepse në qasjen e tyre, forcat speciale ishin “pushtuesit.”

“Problemi kryesor ishte mungesa e shkollimit, sepse nëse do të arsimoheshin, ata do të kuptonin ndryshimin dhe do fillonin ta pëlqenin atë.

Talibanët i kishin frymëzuar kundra nesh dhe  pesha jonë ishte shumë e madhe pasi duhej t’u vërtetonim që ne ishim atje për sigurinë e tyre dhe jo për t’u bërë keq. Duhej të ishim të sjellshëm me ta dhe t’i ndihmonim të zgjidhnin problemet.

Ata nuk e dinin se si ishte ndryshimi prandaj ishin pro tyre. Kur shihnin se ne po i ndihmonim, disa syresh filluan që të bashkëpunonin me ne”, vijon ai.

Duke qenë gjithë kohës në luftë, talibanët evoluan edhe në taktika. Tashmë ata kishin nisur që të fusnin brenda strukturave të shtetit njerëz të infiltruar që bashkëpunonin me forcat e koalicionit,të cilët merrnin trajnimin e Amerikës, Shqipërisë, Anglisë duke qenë në dijeni të çdo gjëje.

Në 20 shkurt të vitit 2012, gjatë kohës që Denisi ishte në misionin e njohur si “Eagle 4”, një polic i veshur me uniformë afgane por i infiltruar nga talibanët, i qëlloi nga prapa kurrizit. Denisi humbi shokun e tij të ngushtë, kapiten Feti Voglin.

“Në momentin kur humbëm shokun tonë, ne forcat shqiptare ndryshuam të gjitha rregullat me popullsinë, policinë dhe ushtrinë. Nuk kishim më besim tek ta edhe pse e vijonim bashkëpunimin.

Ishim mosbesues edhe pse rregullat e mirësjelljes nuk i humbëm kurrë por në fund të ditës besonim veç njëri-tjetrin dhe forcat e koalicionit.”

Ta prekësh Afganistanin nga afër në një mision të tillë, është një panoramë që nuk mund të imagjinohet shumë lehtësisht pasi atëbotë peripecitë, ashtu si edhe varfëria, ishin më të mëdha.

Ata vuanin për kushtet më minimale, nuk kishte energji elektrike dhe as ujë. Kandahari ishte një provincë e madhe ku gjithçka ishte e ndërtuar me qerpiç, baltë. Por megjithatë, kur shkoje në shtëpitë e tyre të gjithë të nxirrnin çaj dhe një pite të përgatitur vetëm me brum dhe kripë. Nuk kurseheshin asnjëherë.

Gjatë gjithë kohës ne ishim të pajisur me antiplumb, helmeta dhe armatim, por kur dilnim nga baza dhe zbrisnim në tokë për të bërë takime me të parin e fisit, ishte shumë e vështirë, kjo jo veç për faktin që ishim gjithë kohës të rrethuar me të panjohur por aty sulmi mund të binte kurdo.

Vendi ishte i gjithi me mina dhe ne i besonim shumë qenit antieksploziv i cili ecte përpara nesh. Duhej një guxim dhe një vigjilencë e jashtëzakonshme.”

Duke qenë pjesë e një misioni të tillë dhe duke jetuar në atë zonë,krijimi i miqësive me afganët ishte shpesh i pashmangshëm.

“Shumicën e kontakteve që i kishim besnike ishin përkthyesit që punonin me forcat speciale, të cilët ishin më të përzgjedhur e që kishin kaluar të gjithë filtrat sepse do të merrnin pjesë në operacione sekrete që mund të dekonspiroheshin.

Kishte përkthyes afganë-afganë që jetonin në Kandahar, por që vinin nga Kabuli ose nga qytetet e tjera për shkak se të afërmit, fqinjët dhe shokët e tyre duhej të mos e merrnin vesh që punonin me forcat e koalicionit dhe përkthyes afganë- amerikanë me pasaportë amerikane që ishin tërësisht të besueshëm.”

“Ne trajnuam njerëz që të luftonin për ndryshimin. Në 2014, kur isha në misionin e fundit, i lamë vetë ato të drejtonin misione, të vendosnin vetë objektivat, të merrnin kontrollin gjë që siç duket nuk u arrit siç duhet. Afganët të paktën duhet të kishin bërë më shumë rezistencë.

“Ne kemi luftuar kundra talibanëve dhe tashmë e imagjinoj se si është situata atje. Të jesh gjithë kohës nën trysninë e armëve është shumë e vështirë. Tani nuk ka më rend dhe siguri, do sundojë ligji i më të fortëve dhe më të fortët janë talibanët.”

“Unë besoj tek mirësia e atij populli dhe ndihem krenar që do t’i mikpresim ata afganë që shërbyen pranë nesh në shërbimet tona, njerëz që kanë punuar me forcat e koalicionit, sepse ne vetë e kemi provuar si popull migrimin edhe pse nuk kishim luftë. Ata i pret vdekja pasi talibanët i konsiderojnë si tradhëtarë afganët që kanë bashkëpunuar.”

“Përtej kësaj, Shqipëria është pjesë e NATOS dhe ka përgjegjësi për këta njerëz si edhe për t’iu përgjigjur aleancës.”

“Shqipëria duhet të fuqizojë institucionet e sigurisë. Nuk përjashtohet mundësia që me elitën të futen dhe talibanë të infiltruar  por mendoj që ne i kemi kapacitetet njerëzore dhe operacionale që t’i verifikojmë dhe t’i mbajë të kontrolluar. Mund t’i marrin në pyetje, mbi trajnimet e tyre, mbi përgatitjen ushtarake për të patur një pasqyrë të qartë”, thotë ushtaraku shqiptar që shërbeu në Afganistan”

Për Denisin, afganët janë një popull i zgjuar dhe me zemër të madhe që po vuajnë për shkak të pasivitetit të klasës politike dhe influencës së Pakistanit./KultPlus

Lajmet

Prof. Dr. Halil Krasniqi në United Hospital – ekspert i kirurgjisë vaskulare sjell standarde evropiane në trajtimin shëndetësor në Kosovë

Published

on

By

Në botën moderne të mjekësisë, ku profesionalizmi, inovacioni dhe përkushtimi ndaj pacientit janë vlerat më të çmuara, emri i Dr. Halil Krasniqit zë një vend të veçantë. I njohur si një nga kirurgët shqiptarë më të suksesshëm në Evropë, ai ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në Gjermani, duke u shndërruar në një figurë të respektuar në fushën e kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare.

United Hospital në Prishtinë njofton me kënaqësi ardhjen e një prej emrave më të njohur të kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare në Evropë, Prof. Dr. Halil Krasniqi, i cili do të jetë i pranishëm për konsulta dhe trajtime të specializuara në ambientet e këtij institucioni shëndetësor.

Prof. Dr. Krasniqi, i njohur për përvojën e tij të gjatë klinike dhe kontributin e rëndësishëm në avancimin e kirurgjisë moderne, vjen në Kosovë si një figurë me reputacion ndërkombëtar në fushën e kirurgjisë vaskulare, kirurgjisë endovaskulare, si dhe në trajtimet bashkëkohore diagnostike dhe ndërhyrëse.

Gjatë qëndrimit të tij në United Hospital, nga data 19.07.2026 deri më 22.07.2026, në orarin 08:30 – 16:00, pacientët do të kenë mundësinë të konsultohen dhe të marrin vlerësime profesionale nga një ekspert i nivelit të lartë ndërkombëtar, në kushte të standardeve evropiane të kujdesit shëndetësor.

Fushat e tij të specializimit përfshijnë kirurgjinë vaskulare dhe endovaskulare, kirurgjinë estetike, diagnostikën radiologjike, si dhe kujdesin intensiv dhe emergjencat mjekësore, duke ofruar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj trajtimit të pacientëve.

United Hospital thekson se ky bashkëpunim përfaqëson një mundësi të veçantë për pacientët në Kosovë që të marrin shërbime mjekësore nga një ekspert me përvojë të gjerë evropiane, pa pasur nevojë për trajtime jashtë vendit.

Për shkak të numrit të kufizuar të termineve, pacientët e interesuar mund të rezervojnë vizitën e tyre në numrat e kontaktit: 038 60 70 70 dhe 046 60 70 70, ose të drejtohen në lokacionin e United Hospital në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, Km 7.

Ky bashkëpunim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë dhe afrimin e standardeve evropiane me pacientët vendorë.

Në këtë rrugëtim të avancimit të shërbimeve shëndetësore, një rol të veçantë po luan edhe rektori dhe vizionari i njohur kosovar, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili ndër vite ka lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin e lartë dhe në fushën e inovacionit teknologjik.

Si themelues dhe udhëheqës i një prej institucioneve më të suksesshme universitare në vend, ai ka kontribuar në edukimin e mijëra të rinjve dhe në ndërtimin e urave ndërmjet shkencës, teknologjisë dhe zhvillimit shoqëror.

Hajrizi është vlerësuar edhe për projektet inovative në fushën e robotikës dhe teknologjive të avancuara, përfshirë angazhimet në zhvillimin e sistemeve inteligjente me potencial aplikimi edhe për nevojat e institucioneve të sigurisë.

Sot, duke qëndruar në krye të United Hospital, Prof. Dr. Edmond Hajrizi po e transferon të njëjtin vizion të suksesit edhe në sektorin e shëndetësisë, duke krijuar një institucion modern që synon të ofrojë standardet më të larta të mjekësisë bashkëkohore.

Nën drejtimin e tij, spitali ka arritur të mbledhë një ekip profesionistësh me reputacion vendor dhe ndërkombëtar, duke sjellë në Kosovë ekspertë të fushave të ndryshme mjekësore dhe duke e shndërruar United Hospital në një qendër të rëndësishme të ekselencës shëndetësore. Angazhimi për cilësi, inovacion dhe profesionalizëm e ka bërë këtë institucion një adresë besimi për pacientët që kërkojnë trajtim modern dhe shërbime të nivelit evropian.

Dr. Halil Krasniqi – kirurgu shqiptar që po shkruan histori suksesi në mjekësinë evropiane

Në botën moderne të mjekësisë, ku profesionalizmi, inovacioni dhe përkushtimi ndaj pacientit janë vlerat më të çmuara, emri i Dr. Halil Krasniqit zë një vend të veçantë. I njohur si një nga kirurgët shqiptarë më të suksesshëm në Evropë, ai ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në Gjermani, duke u shndërruar në një figurë të respektuar në fushën e kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare.

Me mijëra operacione të realizuara me sukses dhe me dekada përvojë profesionale, Dr. Krasniqi ka dëshmuar se dija, puna e palodhshme dhe përkushtimi ndaj pacientit janë çelësi i suksesit në mjekësi. Karriera e tij është ndërtuar mbi standardet më të larta evropiane të kujdesit shëndetësor, duke sjellë rezultate që kanë fituar vlerësime nga komuniteti ndërkombëtar i mjekëve dhe institucioneve shëndetësore.

Një nga arritjet më të rëndësishme të tij është kontributi në zhvillimin e teknikave moderne të kirurgjisë vaskulare, si dhe patentimi i instrumentit inovativ “Krassa”, një shpikje që ka zgjuar interesim të madh në qarqet shkencore dhe profesionale, duke ofruar mundësi më të avancuara për trajtimin e sëmundjeve të enëve të gjakut me metoda më pak invazive dhe më të sigurta për pacientët.

Përtej suksesit profesional, Dr. Halil Krasniqi mbetet një zë i fuqishëm në promovimin e dijes mjekësore dhe shkëmbimit të përvojave mes institucioneve shëndetësore evropiane dhe atyre shqiptare. Përmes ligjëratave, trajnimeve dhe aktiviteteve akademike, ai ka kontribuar vazhdimisht në ngritjen profesionale të mjekëve të rinj dhe në avancimin e shërbimeve shëndetësore.

Historia e tij është dëshmi se talenti shqiptar, kur mbështetet nga edukimi cilësor, puna dhe vizioni, mund të arrijë majat e suksesit ndërkombëtar. Sot, Dr. Halil Krasniqi konsiderohet jo vetëm një kirurg i shquar, por edhe një ambasador i vlerave profesionale shqiptare në mjekësinë evropiane, duke dëshmuar se kujdesi për jetën dhe shëndetin e njeriut mbetet misioni më fisnik i profesionit të mjekut./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, diskuton me studentët dhe stafin akademik të UBT-së rreth zhvillimit të industrisë së mbrojtjes

Published

on

By

UBT mirëpriti Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një bashkëbisedim me studentët dhe stafin akademik, ku u diskutua për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, rolin e teknologjisë moderne dhe mundësitë konkrete për përfshirjen e të rinjve në sektorët strategjikë të vendit.

Gjatë takimit, ministri Maqedonci theksoi rëndësinë që kanë studentët e fushave të inxhinierisë, mekatronikës, elektroteknikës, makinerisë dhe kimisë në ndërtimin e kapaciteteve moderne mbrojtëse të Kosovës, duke vënë në pah transformimet globale që po sjell zhvillimi teknologjik në industrinë ushtarake.

“Në historinë e njerëzimit ka pasur gjithmonë evolucion, mirëpo vetëm dy raste kanë qenë revolucionare. I pari ishte zbulimi i barotit në shekullin e XV, ndërsa aktualisht po e përjetojmë revolucionin e dytë me zhvillimin e dronëve dhe teknologjive moderne, të cilat po e ndryshojnë tërësisht mënyrën e luftimit ”, u shpreh ministri Maqedonci para studentëve të UBT-së.

Ai bëri të ditur se Republika e Kosovës po synon të fillojë me projekte konkrete dhe të realizueshme në industrinë e mbrojtjes, duke u fokusuar fillimisht në prodhimin e municionit, si një nga sektorët me kërkesën më të madhe në tregun ndërkombëtar.

“Investimi në dije, inovacion dhe në potencialin e të rinjve është investim në sigurinë, zhvillimin teknologjik dhe të ardhmen e Kosovës. Jam i bindur se brezi i ri i inxhinierëve do të ketë një rol kyç në ndërtimin e një industrie moderne të mbrojtjes, duke sjellë profesionalizëm, kreativitet dhe zgjidhje inovative në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, u shpreh Maqedonci.

UBT vazhdon të mbetet një ndër institucionet kryesore në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe inovative, duke kontribuar në zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe në fuqizimin e potencialit të të rinjve të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

REL: “Në Kosovë ndihesh si në familje”: Turistët zbulojnë “perlën e fshehur” mes maleve të Ballkanit

Published

on

Tre vjet më parë, kur Mariusz Zaremba dhe miqtë e tij vendosën të niseshin drejt Ballkanit për të përshkuar shtegun malor “Peaks of the Balkans” (shqip: Majat e Ballkanit), pritjet e tyre për Kosovën nuk ishin të mëdha.

Për vite me radhë, polaku – që tash jeton në Irlandë – kishte eksploruar Alpet, Dolomitet dhe malet e tjera të Evropës Perëndimore. Por, turizmi malor atje nisi t’i dukej gjithnjë e më komercial.

Kur dëgjoi për herë të parë për Ballkanin si destinacion për ecje malore, fillimisht ishte skeptik.

“Ballkani – ish-Jugosllavia – më bënte të mendoja për varfëri, luftë dhe një atmosferë të zymtë sovjetike. Përshtypja ime e parë bazohej në injorancë dhe stereotipa”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në atë kohë, kujton Zaremba, shumë udhërrëfyes dhe artikuj për shtegun rekomandonin që Kosova të anashkalohej. Por, pikërisht këto këshilla shtynë atë dhe miqtë e tij të bëheshin edhe më kureshtarë për ta parë vendin nga afër.

Ata e nisën udhëtimin në Mal të Zi, ku gjetën peizazhe të bukura dhe shtigje relativisht mirë të shënuara, por me pak kontakt me banorët lokalë.

Në Shqipëri, sipas tij, natyra ishte ndoshta më mbresëlënësja përgjatë gjithë shtegut, por, gradualisht, nisi të ndihej prania e turizmit masiv, me vila që po ndërtoheshin përgjatë gjithë shtegut.

“Dhe, më në fund, erdhi Kosova. Male më të buta, më shumë pyje, lule dhe gjelbërim dhe më e rëndësishmja: qetësi dhe paqe totale”, kujton Zaremba.

Por, ajo që e veçoi Kosovën, sipas tij, nuk ishte vetëm natyra.

“Njerëzit ishin miqësorë kudo… Ndiheshim sikur po vizitonim familjarë dhe jo thjesht si turistë”.

Ai thotë se në shumë destinacione të njohura evropiane është ndier thjesht “si një klient tjetër”, ndërsa në Kosovë ka gjetur ngrohtësi të sinqertë dhe mikpritje.

Pikërisht kjo përvojë bëri që ai të kthehej një vit më vonë dhe të planifikojë edhe një tjetër vizitë këtë vit – kësaj radhe vetëm në Kosovë.

“Kosova është një perlë e fshehur”, thotë Zaremba. “Ende relativisht e paprekur dhe jo e prishur nga dora e njeriut”.

Sipas tij, potenciali i Kosovës nuk është shfrytëzuar ende plotësisht.

Ai thotë se shtigjet nuk janë gjithmonë mirë të shënuara dhe se sinjali telefonik është shpesh i dobët, ndërsa në disa pjesë edhe asfaltimi i rrugëve ka zbehur ndjesinë e natyrës së paprekur.

Kosova, sipas tij, duhet të ketë kujdes të mos ndjekë gabimet e disa vendeve të rajonit, veçanërisht komercializimin e tepruar, në mënyrë që të ruajë dhe shfrytëzojë më mirë potencialin e saj turistik.

Në malet e Kosovës, Safet Behrami e sheh këtë potencial nga afër.

I licencuar si guidë malore dhe aktiv prej vitesh në shtigjet e “Peaks of the Balkans” dhe “High Scardus Trail”, ai thotë se interesimi i turistëve është rritur vazhdimisht.

Behrami thotë se, viteve të fundit, ka shoqëruar turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Izraeli dhe vende të tjera të largëta.

Përveç shtigjeve malore, Kosova tërheq vizitorë edhe për trashëgiminë e saj kulturore dhe historike.

Prizreni konsiderohet gjerësisht kryeqendra kulturore e vendit dhe një nga destinacionet më të vizituara nga turistët e huaj, ngjashëm si monumenti Newborn në Prishtinë që është bërë simbol i pavarësisë së vendit.

Ndërsa Gryka e Rugovës, Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit dhe Brezovica janë ndër atraksionet kryesore natyrore.

Megjithatë, sipas Behramit, Kosova vazhdon të mbetet në hije krahasuar me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Fatkeqësisht, turistët shpesh e evitojnë pjesën e Kosovës”, thotë ai, duke shtuar se një nga arsyet kryesore është mungesa e promovimit ndërkombëtar.

“Kur i kam pyetur turistët se si kanë vendosur të vijnë në Shqipëri ose Mal të Zi, shumë prej tyre më kanë treguar se i kanë parë këto destinacione në televizionet kombëtare të vendeve të tyre”, thotë Behrami për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se në grupet online të dedikuara për “Peaks of the Balkans” shpesh shihen itinerare që e anashkalojnë Kosovën, edhe pse vizitorët që e përfshijnë vendin, zakonisht largohen me përshtypje pozitive.

“Secili prej tyre bën apel që të mos evitohet pjesa e Kosovës. Thonë se është shumë e bukur”, tregon Behrami.

Në Qeverinë e formuar këtë vit, e që aktualisht është Qeveri në detyrë, për herë të parë është ndarë Ministria e Kulturës dhe Turizmit nga ajo e Rinisë dhe Sportit, duke krijuar një institucion të veçantë me mandat të dedikuar për zhvillimin e turizmit.

Në përgjigjen e dhënë për Radion Evropa e Lirë, Ministria thotë se kjo ndarje institucionale tregon përkushtimin më të madh të Qeverisë për ta trajtuar turizmin si sektor më vete dhe për ta forcuar zhvillimin e tij.

Megjithatë, ajo pranon se sfidat mbeten të shumta, duke filluar nga infrastruktura dhe kapacitetet akomoduese, deri te fuqia punëtore, promovimi ndërkombëtar dhe zgjatja e sezonit turistik gjatë gjithë vitit.

“Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe pushtetin lokal, synohet zgjerimi i rrjetit të shtigjeve që lidhin destinacionet kryesore turistike dhe krijimi i standardeve më të larta për sigurinë dhe shërbimet për vizitorët”, thuhet në përgjigje.

Ministria shton se planifikimi i destinacioneve dhe përfshirja e komuniteteve lokale mbeten kyç për suksesin afatgjatë të sektorit të turizmit.

Por, në terren, sfida e kapaciteteve akomoduese del shpesh si pengesë konkrete për zhvillimin e turizmit malor.

“Ka turistë që anulojnë udhëtimet sepse nuk gjejnë vend për të fjetur”, thotë Behrami.

Sipas tij, kjo tregon edhe potencialin e pashfrytëzuar ekonomik të zonave malore, ku zhvillimi i turizmit mund të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet lokale.

Për turistë si Mariusz Zaremba, pikërisht ky autenticitet mbetet një nga asetet më të mëdha të Kosovës.

“Në Kosovë gjej atë që ndonjëherë më mungon: male, pyje, ushqim të vërtetë shtëpiak dhe një mikpritje që të bën të ndihesh pothuajse si pjesë e familjes. Ky është ndoshta komplimenti më i madh që mund t’i japësh një vendi të huaj dhe njerëzve të tij”, përfundon ai.

/A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Një i vdekur nga një aksident komunikacioni në Vranidoll të Prishtinës

Published

on

By

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë komunikacioni që ka ndodhur në fshatin Vranidoll të Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana për Kosova Press.

Sipas njoftimit, në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra nga përplasja, një person ka ndërruar jetë në vendngjarje, ku vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent.

Policia ka bërë të ditur se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal. /Kosova Press/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara