Kulturë
‘Rojtari’ shqiptar i piktorit serb konfiskohet në Beograd
Published
5 years agoon
By
UBT news“Rojtari”, vepër e piktorit të njohur serb, Paja Jovanoviq, është konfiskuar në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, kanë raportuar mediat në Serbi. Një udhëtar kishte tentuar ta kontrabandonte veprën duke e fshehur në bagazh.
“Një 39-vjeçar nga Beogradi, duke marrë bagazhet u nis drejt daljes së aeroportit nëpër zonën e gjelbër, ku kalojnë ata që s’kanë çfarë të deklarojnë për doganim. Kur bagazhet e tij u kontrolluan, midis gjësendeve personale u gjet edhe vepra e kornizuar ‘Rojtari’, me dimensione 70 me 56 centimetra”, kanë njoftuar autoritetet doganore të Serbisë.

“Rojtari” muajin e kaluar u shit në ankand në “Dorotheum” të Vjenës.
Në fakt, edhe kjo vepër, njashtu si shumë të tjera të Jovanoviqit (16 qershor 1859 – 30 nëntor 1957), paraqet shqiptarin. Piktori i njohur ka një seri veprash ku portretizohen shqiptarët në Egjipt me kostume të dallueshme tradicionale.
Pos veprës, doganierët të premten kanë gjetur te ky udhëtar edhe faturën origjinale me shumën prej 137 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat. Më 7 qershor, vepra tashmë e konfiskuar, arriti të shitej për 110 mijë euro në njërën prej shtëpive më të njohura të ankandeve, “Dorotheum”, e themeluar në vitin 1707.
Pos “Rojtarit” – në po të njëjtin ankand të veprave të shekullit XIX – u shit edhe vepra tjetër e Jovanoviqit, e titulluar “Albaneze” që paraqet ushtarin shqiptar, me dimensione 16 me 12 centimetra.
U vlerësua prej 12 mijë deri në 16 mijë euro, në ankand shpresuan ta shisnin për 20 mijë euro, por e kaloi edhe këtë shifër, tek e arriti çmimin prej 38 mijë eurosh, përfshirë edhe taksat.
Edhe “Rojtari” theu rekord. U llogarit të shitej për 20 deri në 30 mijë euro, por arriti trefishin. Por, një ditë pas konfiskimit, autoritetet e kryeqytetit të Serbisë kanë dalë me plane për “Rojtarin”.
Nënkryetari i Beogradit, Goran Vesiq, të shtunën ka thënë se kjo vepër do të ekspozohet për publikun e gjerë. Ka bërë me dije se ajo do të zërë vend në Muzeun e Qytetit të Beogradit.
Ka zbuluar edhe një tjetër detaj: vetë qeveria lokale e kryeqytetit serb, kishte synuar ta blinte atë në ankandin e shtëpisë austriake.
“Nuk kemi guxuar ta zbulojmë faktin që ishim të interesuar ta blejmë këtë vepër, sepse do t’ia rrisnim çmimin. E kemi lutur një kompani perëndimore që vepron në Beograd që ta blejë atë dhe t’ia dhurojë Muzeut të Qytetit të Beogradit. Ajo ishte e gatshme ta paguajë deri në 50 mijë euro në ankand, por ajo arriti çmimin prej 110 mijë eurosh”, ka thënë Vesiq.
Veprat e mjeshtrit Paja Jovanoviq, ka kohë që ofrohen për shitje nga shtëpi të njohura ankandesh. Vetëm “Dorothemum” ka shitur 12 vepra të këtij autori. Muajin e kaluar, Dimitra Reimüller, kuratore e artit të klasicizmit në këtë shtëpi, kishte zbuluar se si kishte arritur te ta vepra “Rojtari”.
“Edhe kjo vepër i përkiste një koleksioni privat. Erdhi te ne nga Italia dhe ishte në pronësi të së njëjtës familje mbi 100 vjet. Hulumtuan për prejardhjen dhe e rikonstruktuam historinë. Sipas të gjitha gjasave, është blerë, gjegjësisht i është porositur direkt artistit”, kishte thënë Reimüller për mediat në Serbi.
Paja Jovanoviq llogaritet të ketë bërë tetë piktura me temë shqiptare, ndër të cilat veprat: “Lufta e gjelave”, “Zbukurimi i nuses” apo “Shqiptari me duhan”. Edhe në “Dy bashibozukët para portës” dallohen lehtë kostumet shqiptare. /koha
Kulturë
Filmi “Nderi” me premiere ne Tiranë dhe Prishtinë.
Published
20 hours agoon
April 8, 2026By
UBT News
Filmi i suksesshëm malazez “Nderi”, i realizuar në gjuhën shqipe dhe me regji nga Nikola Vukčević, do të shfaqet për herë të parë për publikun në Tiranë dhe Prishtinë. Ky produksion është përzgjedhur si kandidati zyrtar i Malit të Zi për çmimet prestigjioze Oscar (edicioni i 98-të) dhe ka arritur një sukses të gjerë ndërkombëtar, duke fituar 20 çmime në 31 festivale të ndryshme.Në mesin e festivaleve ku është vlerësuar filmi përfshihen edhe evente të rëndësishme të kategorisë A si Cairo International Film Festival dhe IFFI Goa. Përveç suksesit ndërkombëtar, “Nderi” ka shënuar rezultate të larta edhe në vendin e tij, me mbi 20 mijë bileta të shitura.Premiera në Tiranë u mbajt më 8 prill në Cineplexx, ndërsa publiku në Prishtinë do të ketë mundësinë ta ndjekë më 9 prill.
Filmi bazohet në ngjarje reale të Luftës së Dytë Botërore dhe rrëfen historinë e një fëmije ortodoks malazez, i cili duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehë në shtëpinë e një familjeje myslimane shqiptare. Kryefamiljari, Nuredin Doka, përballet me një zgjedhje të vështirë: të rrezikojë jetën e familjes së tij për të shpëtuar një fëmijë të panjohur apo të shkelë besën.Në rolet kryesore interpretojnë Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski dhe Elez Adžović.
Në konferencën për media në Tiranë ishte i pranishëm regjisori Nikola Vukčević, si dhe përfaqësuesja e Ambasadës së Malit të Zi, Esmira Beqoviq, e cila theksoi rëndësinë e kësaj premiere në kuadër të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.Regjisori u shpreh se filmi ka vendosur rekord në shitjen e biletave në Mal të Zi dhe se historia e tij përcjell mesazhe të forta për pranimin e tjetrit dhe bashkëjetesën, duke shtuar se pret që edhe publiku shqiptar ta mirëpresë ngrohtësisht.
Pas shfaqjeve në Tiranë dhe Prishtinë, filmi do të vijojë rrugëtimin e tij në Beograd dhe Podgoricë.
Kulturë
“Prishtina – vrasja e një ëndrre” sonte në Gjilan
Published
21 hours agoon
April 8, 2026By
UBT News
Shfaqja mysafire “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” vjen sot, nga ora 20:00 në Teatrin e Gjilanit.
Produksioni i Qendrës Multimedia, me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Neziraj, sjell një rrëfim të fuqishëm për fatin e një qyteti që humb ëndrrën e tij bashkë me arkitektin. Duke u mbështetur në historinë e arkitektit Rexhep Luci, shfaqja trajton përplasjen mes vizionit urban dhe interesave të mafisë së ndërtimit.
Përmes një narrative që ndërthur të kaluarën me të tashmen, ajo ngre pyetje të rëndësishme mbi mënyrën se si ndërtohen dhe shkatërrohen qytetet, si dhe mbi pasojat e transformimeve të pakontrolluara urbane. Njëkohësisht, shfaqja vjen si homazh për figurën e Lucit dhe si thirrje për reflektim mbi humbjen e identitetit të qytetit.
Në këtë produksion interpretojnë aktorët Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi dhe Afrim Muçaj.
Kulturë
Koncert që feston trashëgiminë dhe identitetin kulturor rom në Ditën Ndërkombëtare të Romëve
Published
24 hours agoon
April 8, 2026By
UBT News
Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Shoqëria Kulturo-Artistike “Durmish Aslano” ka organizuar një koncert të veçantë, duke sjellë në skenë pasurinë e trashëgimisë shpirtërore rome përmes këngëve të vjetra dhe valleve tradicionale.
Interpretimet autoktone përcollën emocione të forta dhe reflektuan identitetin kulturor rom, ku çdo tingull dhe lëvizje rrëfente histori të ruajtura ndër breza. Publiku pati mundësinë të përjetojë nga afër një kulturë të pasur dhe autentike, e cila vazhdon të mbetet e gjallë përmes artit dhe traditës.
Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të programeve që synojnë ruajtjen, fuqizimin dhe promovimin e diversitetit kulturor në vend.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, si dhe zëvendësministrja Tijana Veljković.
Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon prezantimin dinjitoz të artit tonë në skenat ndërkombëtare.
Sot, në Çeki, publiku ka mundësinë të ndjekë premierën e shfaqjes “TERMIN@L”, një vepër bashkëkohore që sjell në skenë fuqinë krijuese dhe nivelin artistik të baletit kosovar.
Kjo paraqitje është dëshmi e rrugëtimit të suksesshëm të institucioneve tona kulturore, që përmes artit po e prezantojnë Kosovën në botë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke forcuar identitetin tonë kulturor në skenën ndërkombëtare.
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 9 prill, në vitet nëntëdhjetë
Dita e Kushtetutës së Kosovës
UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij
Dukagjini dhe Ferizaj një hap larg finales së Kupës së Kosovës
Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës
Dy superndeshje sonte në Champions: Barcelona-Atletico dhe PSG-Liverpool
Kosova në kamp ndërkombëtar në Brazil para sfidës së “World Boxing Cup 2026”
Kurti pret drejtoren e NATO-s: FSK po përgatitet për mision në Gazë
Filmi “Nderi” me premiere ne Tiranë dhe Prishtinë.
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë
