Sport

Robin Krasniqi kritikon komentimin e duelit me Mohammedi

Sipas tij, ishte jo vetëm skandaloz, por edhe tendencioz.

Published

on

Boksieri nga Juniku, Robin Krasniqi ka reaguar pas disa komenteve se ai “e ka humbur duelin ndaj kundërshtarit të tij, Nadjib Mohammedi” dhe se “referi i ka dhënë fitoren”. Ai ka kritikuar komentimin që i është bërë duelit të 5 gushtit, duke thënë se ishte jo vetëm skandaloz, por edhe tendencioz.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se ish-boksieri, Afrim Majanci, nuk ka komentuar asnjë goditje të tij të pastër, madje as ato nga të cilat kundërshtari është dridhur në tri raundet e para.

Reagimi i tij i plotë:

Tani po bëhen gati 20 vite nga kur unë kam filluar me boks profesionist dhe të shtunën e 5 gushtit në mbrëmje, e zhvillova duelin e 60-të. Ndërkohë i kam fituar 2 tituj të botës, 2 tituj evropian dhe dhjetëra tituj internacional, por dje dhe sot e kuptova nga rrjetet sociale se unë nuk po e kuptoja boksin fare, madje paskam ardhur në Kosovë për të më falur referi fitoren.

Sipas ekspertëve të rrjeteve sociale, individëve të caktuar, që çdo gjë bëjnë për të krijuar klikime dhe sipas komentatorëve zyrtarë që e kanë komentuar duelin tim të së shtunës, unë vërtet e paskam humbur duelin dhe fitoren ma paska dhuruar referi.

Me këto dy grupet e para me të vërtetë nuk do merrem fare, sepse është shumë në rregull nëse e kanë një pikëpamje tjetër për shkak se nuk janë profesionistë të fushës, por unë pasi e shikova duelin me komentim, kam mbetur pa koment dhe vërtetë secilin nga “ekspertët” e rrjeteve sociale, e kuptoj, meqë edhe ata e kanë dëgjuar atë komentim.

Komentimi i analistit të quajtur Afrim Majanci i cili është një ish-boksier amator i njohur në Kosovë, ishte jo vetëm skandaloz por edhe tendencioz, ndërkaq komentet e tij ndikonin edhe në komentimin e kolegut të tij, i cili siç dukej pak kishte lidhje me boksin.

Së pari dua të përgëzoj kundërshtarin tim Nadjib Mohammedi për luftën e tij të përzemërt dhe për duelin e madh që ma dhuroi, sepse pa kundërshtar cilësor nuk ka duel cilësor, por ai jo vetëm që humbi me pikë, por u diskualifikua shumë më vonë se që u desh të diskulifikohej, sepse boksi nuk është MMA. Unë ose boksoj ndaj një kundërshtari cilësor, ose nuk boksoj fare, andaj qëllimi im dhe i ekipit tim ka qenë gjithmonë që të sjellim kundërshtar të nivelit të lartë botëror në Kosovë dhe këtë e kemi bërë.

Po kthehem tek komentimi i ztr. Afrim Majancit. Ky zotëria në këtë duel asnjë goditje timen të pastër nuk e paska komentuar, madje as goditjet nga të cilat është dridhur kundërshtari në 3 raundet e para nuk i paska vërejtur. Ndërkaq goditjet pas koke, goditjet me pjesën e brendshme të dorëzave dhe shumë goditje të tjera të pa-pastra, e të palejuara, të kundërshtarit tim nuk i komentoi aspak. Edhemë skandaloze është se ky zotriu as qortimet dhe heqjen e pikëve të kundërshtarit nga referi nuk i kishte parë fare dhe nuk i paska komentuar. Vlerësimi i tij i vetëm paska qenë të shkuarit përpara me kokë nga ana e kundërshtarit.

Nëse unë boksoja në defanzivë atë e quante humbje, ndërsa ofanzivën e quante prirje, pa marrë parasyshë se goditjet më të shumta të kundërshtarit kanë përfunduar në mbrojtjen time!

Unë nuk e di për çfarë arsye ky zotri ia paska “huq” aq fort, por më vjen sinqerisht keq për tifozët e boksit të cilët drejtpërdrejt janë keq-informuar, sepse zëri i komentuesit natyrisht se ndikon shumë tek vlerësimi final i një teleshikuesi. Gjithashtu më vjen keq për partnerin tanë televiziv TËVË1 i cili ka bërë gjithçka që transmetimi të realizohet edhe pse kushtet atmosferike na sollën gati deri tek anulimi i të gjithë mbrëmjes. Kështu përgjegjësia “profesionale” mbetet vetëm tek “profesionistët e rrjeteve sociale” të cilët e marrin detyrën për të komentuar.

Sport

Arsene Wenger mund të sfidojë Infantinon për presidencën e FIFA-s

Published

on

By

Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, Arsene Wenger, po shqyrton seriozisht mundësinë për të kandiduar për president të FIFA-s, përballë presidentit aktual Gianni Infantino, raporton “BBC”.

Për javë të tëra, figura të rëndësishme të futbollit evropian kanë shpresuar që francezi të hyjë në garën për këtë post, ndërsa tashmë Wenger po e konsideron seriozisht një hap të tillë.

Shefi i zhvillimit global të futbollit në FIFA thuhet se mund të ketë mbështetjen e UEFA-s, e cila ka qenë ndër kundërshtarët kryesorë të Infantinos. Për më tepër, Wenger gëzon respekt dhe besueshmëri në qarqet ndërkombëtare të futbollit.

Ndërkohë, pozita e Infantinos është vënë në pikëpyetje pas kritikave të shumta lidhur me planin e dështuar për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës te investitorët privatë. Megjithatë, ai vazhdon të ketë mbështetje të konsiderueshme në Amerikën e Jugut, Afrikë dhe Azi.

Një nga çështjet që mund të ndikojë në kandidaturën e Wengerit është mosha e tij, pasi 77-vjeçari përballet me pikëpyetje rreth mundësisë për të ofruar udhëheqje afatgjatë. Sipas BBC-së, disa nga mbështetësit e tij do të ishin të kënaqur edhe nëse ai do të fitonte zgjedhjet dhe më pas do të tërhiqej para përfundimit të mandatit katërvjeçar.

Megjithatë, burime pranë francezit bëjnë të ditur se ai ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa Infantino vazhdon të konsiderohet favorit për të fituar një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është 18 nëntori.

Wenger, ndërkohë, ishte distancuar nga plani për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës, duke deklaruar se nuk kishte qenë i përfshirë në të dhe se për këtë projekt kishte mësuar përmes raportimeve në media.

Gjatë kohës së tij në FIFA, francezi ka nxitur disa debate me propozimet për organizimin e Kupës së Botës çdo dy vjet dhe ndryshimin e rregullit të pozitës jashtë loje.

D.L

Continue Reading

Sport

Davontrey Thomas shpallet MVP i javës së tetë në ProCredit Superligë

Published

on

By

Basketbollisti i Golden Eagle Yllit, Davontrey Thomas, është shpallur lojtari më i vlefshëm (MVP) i javës së tetë në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll.

Thomas është vlerësuar për paraqitjet e tij gjatë kësaj jave, duke u dalluar me kontributin e dhënë për skuadrën nga Suhareka.

Me këtë çmim, basketbollisti i Yllit merr vlerësimin si lojtari më i mirë i javës së tetë në elitën e basketbollit kosovar.

D.L

Continue Reading

Sport

Zhegrova ende pa asnjë titullar në Serie A, Spalletti i pakënaqur me paraqitjet e tij

Published

on

By

Edon Zhegrova vazhdon të mos fitojë besimin e trajnerit Luciano Spalletti te Juventusi, pasi ende nuk ka regjistruar asnjë paraqitje si titullar në Serie A.

Edhe në ndeshjen ndaj Fiorentinës, të zhvilluar të dielën, futbollisti kosovar u aktivizua nga banka rezervë, por pa arritur të lërë gjurmë në lojë.

Pas ndeshjes, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, foli hapur për paraqitjet e Zhegrovës, duke vlerësuar cilësitë e tij, por edhe duke theksuar mangësitë në lojën pa top dhe aspektin taktik.

“Edoni ka cilësi dhe ato janë të rëndësishme, por ai humb gjëra gjatë lojës. Ai humb qetësinë në mbrojtje dhe pozicionimin, si dhe kur ndjek një kundërshtar. Në këtë nivel nuk mund ta përballosh këtë. Ke nevojë për lojë të vazhdueshme për 90 minuta. Paraqitjet individuale nuk janë të mjaftueshme”, ka deklaruar Spalletti, sipas “Goal”.

Nga 36 paraqitjet e zhvilluara me fanellën e Juventusit, Zhegrova në 35 prej tyre ka hyrë si zëvendësues. E vetmja ndeshje si titullar ishte ajo ndaj Pafosit në Ligën e Kampionëve, ku u zëvendësua pas përfundimit të pjesës së parë.

Ndërkohë, sipas “Goal”, e ardhmja e reprezentuesit të Kosovës në Torino mund të vihet në pikëpyetje që në afatin kalimtar të janarit. Juventusi thuhet se po shqyrton mundësinë e transferimit të një futbollisti që përshtatet më mirë me filozofinë e Spallettit.

27-vjeçari ka realizuar dy gola dhe ka dhuruar dy asistime në Serie A, ndërsa me Juventusin ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2030.

D.L

Continue Reading

Sport

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vizituar futbollistët e Kombëtares së Kosovës në prag të dy ndeshjeve të ardhshme kundër Izraelit dhe Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve

Published

on

By

Gjatë takimit me lojtarët, presidentja u ka uruar atyre fat dhe suksese në përballjet e ardhshme, duke shprehur besimin dhe përkrahjen e saj për përfaqësuesen e Kosovës.

Shiroka Pula ka vlerësuar paraqitjet e futbollistëve si në klubet ku aktivizohen në vende të ndryshme të botës, ashtu edhe me fanellën e Kombëtares, duke theksuar se ata vazhdojnë ta bëjnë vendin krenar.

“Vendi ynë beson në ju dhe do të jetë gjithmonë përkrah jush. Shumë fat dhe suksese në ndeshjet e ardhshme. Forca Kosova”, ka deklaruar presidentja.

Kosova do të përballet me Izraelin të shtunën, në ndeshjen e parafundit të këtij cikli, ndërsa tri ditë më vonë do të luajë ndaj Irlandës në udhëtim.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara