Lajmet

Robertson e Foster u shkruajnë partive të Kosovës: Vendoseni të ardhmen e popullit në radhë të parë

Published

on

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson dhe ish-inxhinieri i ushtrisë britanike që shërbeu në Kosovë, tash deputet, Paul Foster, u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për zgjidhjen e çështjes së presidentit dhe formimin e një qeverie funksionale.

Në një deklaratë drejtuar Kuvendit të Kosovës, të siguruar nga KOHA, Robertson dhe Foster, të cilët e kanë cilësuar veten miq të hershëm të Kosovës, kanë kërkuar nga të gjithë deputetët dhe liderët politikë që të angazhohen për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Si miq të hershëm të Kosovës, ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit dhe udhëheqësve në të gjithë spektrin politik që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të zgjidhur çështjen e Presidencës dhe për të formuar një qeveri plotësisht funksionale pa vonesë të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.

Ata kanë paralajmëruar se bllokimi i vazhdueshëm institucional mund të dëmtojë besimin e qytetarëve dhe të largojë vëmendjen nga çështjet kryesore për vendin, si siguria, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe perspektiva evropiane.

“Kosova ka demonstruar vazhdimisht guximin, qëndrueshmërinë dhe shpirtin demokratik të popullit të saj. Këto arritje tani duhet të shoqërohen me një lidership politik të barabartë me momentin. Bllokimi i vazhdueshëm institucional rrezikon dobësimin e besimit të publikut dhe largimin e vëmendjes nga prioritetet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët: siguria, mundësitë ekonomike, sundimi i ligjit dhe e ardhmja evropiane e Kosovës”, kanë thënë ata.

Robertson dhe Foster kanë theksuar gjithashtu se situata aktuale zhvillohet në një kohë të pasigurisë së shtuar globale dhe rajonale, duke vënë në pah sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa dhe shqetësimet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Dy zyrtarët britanikë kanë bërë të qartë se nuk synojnë t’u tregojnë përfaqësuesve të Kosovës se kush duhet ta udhëheqë vendin, duke theksuar se kjo çështje u takon institucioneve kushtetuese dhe përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Megjithatë, ata u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të zgjedhin presidentin në përputhje me Kushtetutën, si dhe të formojnë sa më shpejt një qeveri të qëndrueshme.

Duke cituar thënien e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy (“Le të mos kërkojmë përgjigjen republikane ose përgjigjen demokratike, por përgjigjen e duhur”), Robertson dhe Foster kanë përcjellë mesazhin se në rrethanat aktuale politike në Kosovë duhet të mbizotërojë ajo që është në interes të vendit.

“Në rrethanat aktuale të Kosovës, përgjigjja e duhur është ajo që e vendos vendin, popullin e tij dhe të ardhmen e tij në radhë të parë”, thuhet në deklaratë.

Në fund, ata kanë thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë institucione funksionale, të afta për të qeverisur, mbrojtur interesin kombëtar dhe avancuar Kosovën drejt Evropës dhe komunitetit më të gjerë demokratik.

“Ne shpresojmë sinqerisht që një zgjidhje të mund të arrihet shpejt dhe në frymën e bashkëpunimit”, kanë përfunduar Robertson dhe Foster.

Kosova ende nuk i ka formuar institucionet pas zgjedhjeve që u mbajtën më 7 qershor. Nesër do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive, ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarët. Sipas radhës, më pas formohet Qeveria e zgjidhet presidenti. Megjithëse votat për qeveri, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, i ka, ngërçi vazhdon të mbetet te emri i presidentit./EO/

Continue Reading

Lajmet

Edhe në rigjykim për “53-milionëshin”, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në procesin e rigjykimit lidhur me rastin e njohur si “53-milionëshi”, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”. Të akuzuarit u dënuan sikurse në gjykimin e parë- Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgi, Tahiri dhe Shatri me nga 1 vit e 8 muaj burigm, dhe Berisha me 3 vjet e 3 muaj burgim.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkoheshin nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është marrë të mërkurën nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra- kryetare, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli-  anëtarë.

Sipas vendimit, Lekaj u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj.

Besim Tahiri u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burigm. Edhe ndaj tij u shpall dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.

Eset Berisha u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 3 vjet.

Kurse, Nebih Shatri u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.

Prezent në shpallje ishin prokurori special Valdet Gashi, mbrojtësi i Lekajt- avokati Artan Qerkini, mbrojtësi i Berishës- avokati Afrim Salihu dhe mbrojtësi i Tahirit, avokati Urim Vokshi.

Ndryshe, ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama kishte refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj ishte dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata kishte shpall edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre ishte shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha ishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës ishte shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit./EO/

Continue Reading

Lajmet

Kapet me mbi 2 kilogramë marihuanë në Vërmicë, arrestohet shtetasi i Shqipërisë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë, pasi gjatë kontrollit në pikën kufitare në Vërmicë i është gjetur mbi 2 kilogramë marihuanë.

Rasti ka ndodhur më 8 shtator, gjatë realizimit të planit taktik “Transporti”, ku njësitë policore të Stacionit Policor Kufitar në Vërmicë, në bashkëpunim me zyrtarët doganorë, kanë ndaluar për kontroll një autobus që po hynte në Kosovë nga Shqipëria.

Gjatë kontrollit të autobusit dhe bagazheve të pasagjerëve, në çantën e krahut të të dyshuarit është gjetur një qese me rreth 2.162 kilogramë marihuanë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, të cilat kanë administruar provat materiale.

Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa i njëjti është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

1.Emri “sanduiç” vjen nga një aristokrat anglez i shekullit të 18-të, i njohur si Earl of Sandwich.

 

2.Rreth 92 për qind e parave që ekzistojnë në botë janë në formë digjitale dhe jo si para fizike.

 

3.Franca është vendi më i vizituar në botë, me rreth 90 milionë turistë në vit.

 

4.Rusia është shteti me sipërfaqen më të madhe pyjore në botë, me qindra miliona hektarë pyje.

 

5.Ulërima e një tigri mund të dëgjohet deri në rreth 3 kilometra largësi.

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen dy jelekë antiplumb dhe pajisje elektronike, i dyshuari në kërkim

Published

on

Pas hetimeve lidhur me një rast të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, Policia e Kosovës ka kontrolluar vendbanimin e një të dyshuari mashkull kosovar në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy jelekë antiplumb, një DVR, një USB, nëntë telefona, një laptop, një tabletë dhe pasaportën e të dyshuarit.

I dyshuari aktualisht ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara