Lajmet

Rizvanolli me mesazh të prerë në Komunitetin e Energjisë: Serbia shpërfilli afatin e 1 korrikut, nuk do të qëndrojmë duarkryq

Published

on

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk do të qëndrojë duarkryq përballë refuzimit të Serbisë për të zbatuar vendimin e Komunitetit të Energjisë, i cili e obligon Beogradin të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën.

Gjatë takimit joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili këtë vit kryesohet nga Kosova, Rizvanolli akuzoi hapur Serbinë se ka shpërfillur plotësisht afatin e caktuar të 1 korrikut 2026 për hapjen e këtyre kapaciteteve.

Në këtë forum, ministrja Rizvanolli shpalosi tri prioritetet kryesore të udhëheqjes së Kosovës: përshpejtimin e integrimit të tregut të rrymës sipas legjislacionit të BE-së, harmonizimin e politikave klimatike për zvogëlimin e emetimeve të karbonit dhe bashkëpunimin e shtuar rajonal për shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese transmetuese e gjeneruese.

Megjithatë, ajo theksoi se ky bashkëpunim po sabotohet direkt nga pala serbe.

“Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërritur këtë afat, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për të zbatuar obligimin e vet. Operatori i transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal”, deklaroi Rizvanolli.

Sipas saj, duke penguar shfrytëzimin komercial të interkoneksionit, Serbia po mbingarkon rrjetin e Kosovës dhe të vendeve fqinje, duke u vendosur një barrë financiare të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit. “Pasojat e kësaj i kemi ndier shumë afër dhe shumë rëndë në vitet e kaluara. Ne nuk mund dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq”, paralajmëroi ajo.

Në këtë takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë evropianë, të cilët rikonfirmuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm energjetik të BE-së është një prioritet strategjik.

Yolanda Garcia Mezquita, Shefe e Njësisë për Bashkimin Evropian, përçoi një mesazh të prerë për rajonin.

“Mesazhi ynë sot është i qartë: siguria energjetike e Evropës nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo varet nga një hapësirë më e gjerë energjetike evropiane, e cila është e integruar, e ndërlidhur mirë dhe e bazuar në rregulla të përbashkëta”.

Nga ana tjetër, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, vuri në pah një sfidë specifike gjeografike dhe infrastrukturore të vendit tonë. Ai saktësoi se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka interkoneksione (linja të drejtpërdrejta të transmetimit) me ndonjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian.

Lorkowski shtoi se, përkundër këtyre sfidave, BE-ja tashmë u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të rajonit që të integrohen plotësisht në tregun energjetik evropian, pa pritur anëtarësimin e tyre politik në bllok. /Ekonomia online/ /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

ATK: Mbi 900 milionë euro të hyra gjatë vitit 2026

Published

on

Agjencia Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore, apo 114.5 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo është një rritje prej 14.5 për qind.

Po ashtu ATK ka thënë se ka rënë numri i ndëshkimeve për 22 për qind.

“Këta tregues pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore. Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor.  Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve.  Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, për qasje më të lehtë, procedura më efikase dhe shërbime më të mira për tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK. /A.K/

Continue Reading

Rajoni

Policia në Shqipëri: 71 policë të plagosur, disa prej tyre rëndë

Published

on

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve që të distancohen nga dhuna. 

Ai në  një konferencë për media ka thënë se deri tash janë plagosur 71 policë, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Ka shtuar se protesta është e drejtë e garantuar, por s’mund të jetë mburojë për dhunën e shkatërrimin.

“U bëj thirrje prindërve e mësuesve që të mos lejojnë nxënësit të përfshihen në akte dhune të organizuar. Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës nuk  janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit në natën e parë, asnjë nuk është student. Në natën e dytë një numër shumë i vogël i tyre ishin studentë. Çdo sulm ndaj policëve është sulm ndaj shtetit”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë që nuk duhet ngatërruar vetëpërmbajtjen e policisë së shtetit me dobësi.

Hita ka thënë për vjedhje janë arrestuar disa persona dhe ndaj tyre janë ngritur edhe aktakuza.

Ai ka thënë se kreu i forcave të rendit në Shkodër është lënduar rëndë gjatë protestës, porse tashmë është  në trajtim dhe në gjendje stabile.

Hita ka deklaruar se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.

“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai./A.K/

Continue Reading

lajme

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Zyrtarë të lartë të NATO-s vizitojnë veriun e Kosovës, vlerësojnë situatën e sigurisë

Published

on

By

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.

Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.

Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.

Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara