Lajmet

Rizvanolli krenohet me gjendjen e ndërmarrjeve publike, opozita ia përmend subvencionimet

Published

on

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është krenuar me raportin vjetor të Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2022, por partitë opozitare e cilësuan si skandaloze dhe me gjendje të rëndë financiare. Si shembull u mor gjigandi metalurgjik, Trepça.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli ka thënë se 17 ndërmarrjet së bashku e kanë mbyllur vitin 2022 me një fitim prej mbi 101 milionë euro. Ndërsa opozita, përmendi gjetjet e auditorit dhe humbjen milionëshe gjatë këtyre viteve. Sipas tyre, Qeveria është dashur t’i shpenzojë miliona euro përmes subvencioneve si shkak i gjendjes së rëndë financiare.

Ministrja Artane Rizvanolli, tha se 9 nga 17 ndërmarrjet në vend e kanë mbyllur vitin 2022 me fitim financiar. Sipas saj, shumica dërrmuese kanë operuar me fitim operativ dhe shume prej tyre kanë ulur humbjet në krahasim me vitin paraprak.

“Ne kemi vazhduar që të përkrahim ndërmarrjet dhe kemi vazhduar që të kërkojmë llogari nga secila ndërmarrje. Kemi kushtëzuar ndihmën tonë me veprime konkrete për vendosjen e ligjshmërisë, zvogëlimin e shpenzimeve operative, rritjen e të hyrave dhe rikonstruktimit. Ndërmarrjet qendrore kanë angazhuar 10 mijë e 401 punëtore gjatë vitit 2022. Ndërsa në përgjithësi të 17 ndërmarrjet bashkë kanë mbyllur vitin me fitim financiar prej 101.5 milionë euro që është rreth 80 milionë euro më shumë se në vitin paraprak. Gjithsej 9 ndërmarrje nga 17 e kanë mbyllur vitin 2022 me fitim financiar. Shumica dërrmuese kanë operuar me fitim operativ dhe shume prej tyre kanë ulur humbjet në krahasim me vitin paraprak”, ka thënë ajo.

E kryetari i Komisionit, Ferat Shala, tha se raporti nuk përmban shifra të sakta të përkrahjes nga buxheti i shtetit.

“Unë nuk dëgjova asnjë shifër e as nuk e pash këto ndërmarrje sa janë subvencionuara nga shteti, sa mjete financiare fiks ka marr secila nga buxheti i i Kosovës gjatë periudhës se vitit 2022, qoftë këto që janë dal pozitiv, qoftë ndërmarrjet që realisht kanë përfomuar negativisht”, u shpreh Shala.

Por ministrja Rizvanolli në rastet kur janë subvencionuar ndërmarrjet publike, ka përmendur ndarjen buxhetore për Telekomin e Kosovës. Ka thënë se kjo ka pasur për synim shtrirjen e rrjetit edhe në veri të vendit.

“Sa i përket subvencione duhet bërë një dallim kyç. Subvencionimi i ndërmarrjeve dhe aktivitete të ndërmarrjeve ose subvencionimi i blerjes së energjisë elektrike në bazë të krizës të cilat nuk kanë subvencion të ndërmarrjes. Sa i përket subvencioneve, këto janë në faqen 11-të te raportit për të gjitha ndërmarrjet qendrore të vitit 2018-2022. Në vitin 2022 kanë qenë 12 milionë euro prej te cilave Telekomi i Kosovës ka qenë subvencionuar për investime kapitale për shtrirje të rrjetit në gjithë vendit përfshirë edhe komunat veriore siç e përmenda 1 milion eurot”, u shpreh Rizvanolli.

Kritika për këtë raport ka edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj. Ai përmendi mungesën e ujit të pijshëm nga qytetarët dhe gjendjen siç e quajti ai të mjerueshme për shumicën e ndërmarrjeve publike.

“Sa i përket raportit mendoj që ka mangësi të shumta janë të cekura në mënyrë të përgjithshme dhe mungon analitika e çdo ndërmarrjeje publike dhe mund të them se sot kam prit mbas 3 vite me të vërtet të vini me shifra qe do të gëzohen qytetaret e Kosovës dhe edhe ne qe keni ardh me një vrull qe do të  ndryshoni gjendjen në ndërmarrjeve publike. Afër 40 për qind nuk furnizohen qytetarët nga rrjetet e ujësjellësit dhe ju mund të shkruani çka doni, mund të lëvdoni sa të doni por gjendja aktuale e ndërmarrjes publike është e mjerueshme keq menaxhim dhe sa i përket pasqyrave financiareve”, tha Lekaj, teksa përmendi edhe opinionin e Auditorit për ndërmarrjet publike.

“I ke vetëm dy ndërmarrjet me opinion të pakualifikuara, ndërsa i ki tjerat jo e rezervuar dhe është nota me dobët e pasqyrave financiare. Unë befasohem që për tri vite vetëm dy ndërmarrje i ke me notë kaluese, tjerat i ke me një menaxhim pothuajse të dobët. Unë nuk e di pse s’keni ndërmarr hapa që të ndërrohen bordet e menaxhmenti por jo të vazhdohet kështu”, u shpreh Lekaj.

Por këto akuza i mohoi ministrja Rizvanolli. Tha se KRU “Gjakova” është përkrahur me 700 mijë euro për investime kapitale gjatë vitit 2022.

“Unë pajtohen që nuk jemi më së miri në bote por është më mirë që kur keni qenë ju. Sa i përket investimeve në ujëra i përmenda që janë bërë  në përkrahje të Ministrisë. Në KRU ‘Gjakova’ i kemi pasur 700 mijë euro përkrahje për shpenzime kapitale në vitin 2022, përmes të cilave janë përkrahur për rrjetet e ujësjellësit”.

lajme

UBT nesër organizon bashkëbisedim me Ministrin Ejup Maqedonci për mundësitë e angazhimit të studentëve në industrinë e mbrojtjes

Published

on

By

UBT do të organizojë më 23 qershor 2026, nga ora 14:00, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, në Lipjan, (Biblioteka), një bashkëbisedim me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me mundësitë e angazhimit profesional të studentëve në fabrikën e parë të municionit në Kosovë.

Ky takim synon të informojë studentët dhe të rinjtë për projektin strategjik të industrisë së mbrojtjes, i cili pritet të fillojë prodhimin gjatë këtij viti dhe që konsiderohet një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike të vendit.

Gjatë aktivitetit, Ministri Maqedonci do të prezantojë mundësitë konkrete të angazhimit profesional për studentët dhe të diplomuarit në fusha të ndryshme teknike dhe inxhinierike, duke përfshirë inxhinierinë mekanike, elektroteknike/elektrike, metalurgjike, kimike, hidraulike, si dhe profile të tjera të ngjashme.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të diskutojnë nga afër për rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, rolin e të rinjve në këtë proces, si dhe perspektivat për zhvillim profesional dhe avancim teknologjik në kuadër të këtij projekti.

UBT vazhdon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, industrisë dhe studentëve, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përfshirje në projekte me rëndësi strategjike për vendin.

Continue Reading

Vendi

Rektori Edmond Hajrizi priti në takim Alaa Garad, nga Stirling Centre në Mbretërinë e Bashkuar

Published

on

By

UBT mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik një delegacion nga Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation, nga Mbretëria e Bashkuar, të kryesuar nga Alaa Garad – Kryetar i Bordit Këshillëdhënës.

Delegacioni u prit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me ç’rast u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional, ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimit të praktikave të mira në sigurimin e cilësisë.

Palët theksuan rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në avancimin akademik dhe institucional.

Continue Reading

lajme

Rektori Hajrizi priti në takim delegacionin e Institutit Yunus Emre në Kosovë

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti në takim një delegacion nga Instituti Yunus Emre në Kosovë, të kryesuar nga drejtori Ramazan Yılmaz.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre në fushën e gjuhës, kulturës dhe arsimit, me fokus të veçantë në gjuhën turke, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Gjatë takimit, u theksua roli i Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, i cili synon të zgjerojë gamën e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në gjuhë të ndryshme për studentët dhe qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Institutin Yunus Emre pritet të kontribuojë në avancimin e ofertës për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.

Palët shqyrtuan mundësinë e organizimit të kurseve të gjuhës turke, punëtorive tematike, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, të cilat do t’u mundësonin studentëve të njihen më nga afër me gjuhën, traditën dhe kulturën turke.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në pasurimin e ofertës akademike dhe ndërkombëtare të UBT-së, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi me institucione partnere nga Turqia.

Continue Reading

Lajmet

PZAP refuzon ankesat për rinumërim, KQZ pret afatin për ankim në Gjykatën Supreme

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se do të presë përfundimin e të gjitha procedurave ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesat e paraqitura nga kandidatët për deputetë, Bekim Haxhiu nga PDK-ja dhe Qëndrim Kryeziu nga LDK-ja, të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave.

Sipas vendimit të PZAP-it, ankesat janë vlerësuar si të pabazuara dhe nuk është urdhëruar rinumërim shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se institucioni është njoftuar me vendimet, por ka theksuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor prej 48 orësh.

Sipas KQZ-së, vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ekzistojnë obligime konkrete për zbatim nga ana e institucionit. Nëse nuk do të ketë vendime të tjera që ndikojnë në proces, atëherë KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Kujtojmë se Bekim Haxhiu kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, duke argumentuar se gjatë rinumërimeve të deritanishme janë evidentuar mospërputhje në numërim dhe se diferencat e ngushta mes kandidatëve mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare. Megjithatë, PZAP nuk e ka mbështetur këtë kërkesë. /A.K/

 

Continue Reading

Të kërkuara