Nuk është e rrallë që ajo të shfaqë figurën e saj të lakmueshme të trupit.
Dhe Rita Ora dukej e pabesueshme ndërsa shijoi një ditë me diell në Los Angeles, shkruan DailyMail.
Këngëtarja 30 vjeçare, shfaqi fizikun e saj të hijshëm në palestër ndërsa ishte e veshur me një palë geta ngjyrë portokalli.
Interpretuesja e hitit “Let You Love Me” i shtoi magji dukjes së saj me një palë syze të bardha dhe atlete bardhë e zi.
Flokët e saj ishin të lidhura dhe të lëshuara prapa, duke i dhënë asaj një dukje edhe më tërheqëse.
Artistja me origjinë shqiptare gjithashtu kishte vënë një gjerdan prej ari dhe disa rrathë që kombinoheshin me veshjen.
Kjo paraqitje e saj vjen pak kohë pasi Rita përfundoi paraqitjen e saj në spektaklin e talenteve The Voice në Australi.
Rita i tha Daily Telegraph të dielën: “Unë jam shumë e ngazëllyer që jam pjesë e panelit të trajnerëve në ‘The Voice Australia këtë vit”.
“Ndjehem kaq e nderuar të jem pjesë e një shfaqje ku të gjithë ndihemi kaq të frymëzuar dhe të shtyrë për t’i bërë ëndrrat të vërteta”.
Rita kaloi disa muaj në Australi duke punuar në “The Voice” ku u kuptua se ishte ‘transferuar’ në një shtëpi me regjisorin e “Thor”, Taika Waititi gjatë qëndrimit të saj.
Rita dhe Taika zbuluan publikisht lidhjen e tyre në fund të prillit, kur mbërritën së bashku në premierën e “RuPaul’s Drag Race Down Under” në Shtëpinë e Operës të Sydneyt.
Ata shmangën fotografimin e përbashkët në tapetin e kuq, por gjithsesi u kuptua që mes tyre kishte diçka.
Filmi i suksesshëm malazez “Nderi”, i realizuar në gjuhën shqipe dhe me regji nga Nikola Vukčević, do të shfaqet për herë të parë për publikun në Tiranë dhe Prishtinë. Ky produksion është përzgjedhur si kandidati zyrtar i Malit të Zi për çmimet prestigjioze Oscar (edicioni i 98-të) dhe ka arritur një sukses të gjerë ndërkombëtar, duke fituar 20 çmime në 31 festivale të ndryshme.Në mesin e festivaleve ku është vlerësuar filmi përfshihen edhe evente të rëndësishme të kategorisë A si Cairo International Film Festival dhe IFFI Goa. Përveç suksesit ndërkombëtar, “Nderi” ka shënuar rezultate të larta edhe në vendin e tij, me mbi 20 mijë bileta të shitura.Premiera në Tiranë u mbajt më 8 prill në Cineplexx, ndërsa publiku në Prishtinë do të ketë mundësinë ta ndjekë më 9 prill.
Filmi bazohet në ngjarje reale të Luftës së Dytë Botërore dhe rrëfen historinë e një fëmije ortodoks malazez, i cili duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehë në shtëpinë e një familjeje myslimane shqiptare. Kryefamiljari, Nuredin Doka, përballet me një zgjedhje të vështirë: të rrezikojë jetën e familjes së tij për të shpëtuar një fëmijë të panjohur apo të shkelë besën.Në rolet kryesore interpretojnë Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski dhe Elez Adžović.
Në konferencën për media në Tiranë ishte i pranishëm regjisori Nikola Vukčević, si dhe përfaqësuesja e Ambasadës së Malit të Zi, Esmira Beqoviq, e cila theksoi rëndësinë e kësaj premiere në kuadër të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.Regjisori u shpreh se filmi ka vendosur rekord në shitjen e biletave në Mal të Zi dhe se historia e tij përcjell mesazhe të forta për pranimin e tjetrit dhe bashkëjetesën, duke shtuar se pret që edhe publiku shqiptar ta mirëpresë ngrohtësisht.
Pas shfaqjeve në Tiranë dhe Prishtinë, filmi do të vijojë rrugëtimin e tij në Beograd dhe Podgoricë.
Shfaqja mysafire “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” vjen sot, nga ora 20:00 në Teatrin e Gjilanit.
Produksioni i Qendrës Multimedia, me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Neziraj, sjell një rrëfim të fuqishëm për fatin e një qyteti që humb ëndrrën e tij bashkë me arkitektin. Duke u mbështetur në historinë e arkitektit Rexhep Luci, shfaqja trajton përplasjen mes vizionit urban dhe interesave të mafisë së ndërtimit.
Përmes një narrative që ndërthur të kaluarën me të tashmen, ajo ngre pyetje të rëndësishme mbi mënyrën se si ndërtohen dhe shkatërrohen qytetet, si dhe mbi pasojat e transformimeve të pakontrolluara urbane. Njëkohësisht, shfaqja vjen si homazh për figurën e Lucit dhe si thirrje për reflektim mbi humbjen e identitetit të qytetit.
Në këtë produksion interpretojnë aktorët Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi dhe Afrim Muçaj.
Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Shoqëria Kulturo-Artistike “Durmish Aslano” ka organizuar një koncert të veçantë, duke sjellë në skenë pasurinë e trashëgimisë shpirtërore rome përmes këngëve të vjetra dhe valleve tradicionale.
Interpretimet autoktone përcollën emocione të forta dhe reflektuan identitetin kulturor rom, ku çdo tingull dhe lëvizje rrëfente histori të ruajtura ndër breza. Publiku pati mundësinë të përjetojë nga afër një kulturë të pasur dhe autentike, e cila vazhdon të mbetet e gjallë përmes artit dhe traditës.
Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të programeve që synojnë ruajtjen, fuqizimin dhe promovimin e diversitetit kulturor në vend.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, si dhe zëvendësministrja Tijana Veljković.
Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon prezantimin dinjitoz të artit tonë në skenat ndërkombëtare.
Sot, në Çeki, publiku ka mundësinë të ndjekë premierën e shfaqjes “TERMIN@L”, një vepër bashkëkohore që sjell në skenë fuqinë krijuese dhe nivelin artistik të baletit kosovar.
Kjo paraqitje është dëshmi e rrugëtimit të suksesshëm të institucioneve tona kulturore, që përmes artit po e prezantojnë Kosovën në botë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke forcuar identitetin tonë kulturor në skenën ndërkombëtare.