Kulturë

Rita Ora merr vëmendjen me paraqitjen plot stil

Published

on

Ajo është përfolur kohëve të fundit se ka nisur një lidhje të re me regjisorin e filmit “Thor”, Taika Waititi.

Dhe Rita Ora pa dyshim që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve me fotografitë e saj të fundit në Instagram, shkruan DailyMail.

Këngëtarja 30 vjeçe, u zhyt në arkivat e saj për të publikuar fillimisht një footgrafi me bikini, para se të publikonte imazhe nga performanca e saj në Amazon.

Rita dukej e bujshme në një paraqitje me shumë stil.

Këngëtarja e hitit “Hot Right Now” dukej tejet tërheqëse me këpucët e “Shoe Dazzle” – markë me të cilën ka tash e sa kohë bashkëpunim.

Ylli i nominuar për “Brits” dukej e mrekullueshme në një kostum të bardhë dy pjesësh, i cili vinte në pah barkun e saj të tonifikuar.

Rita dukej fenomenale ndërsa paralajmëronte performancën e saj të radhës.

Ajo shkroi në mbishkrimin e fotografive: “Të premten versioni akustik! Mezi po pres që të gjithë ta shohin! Performancë shumë shumë e veçantë për Amazon Music”.

Fotografitë vijnë mes thashethemeve se Rita ka nisur një lidhje të re me regjisorin Taika, 45 vjeç, ndërsa ajo ka qenë në Sydney e angazhuar me spektaklin “The Voice Australia”.

Megjithatë të martën në mëngjes, ylli i muzikës pop shmangu pyetjet rreth jetës së saj private gjatë një interviste për The Kyle and Jackie O Show.

Në fund të intervistës, drejtuesi i radios Kyle Sandilands e pyeti Ritën për lidhjen e saj të re, ndërkohë që këngëtarja shqiptare u përgjigj me diplomaci duke thënë se për momentin e ka në fokus vetëm veten e saj.

Mbetet të shihet se si qëndron e vërteta rreth kësaj lidhje të shumëpërfolur, e cila ka pushtuar mediat ndërkombëtare. 

Continue Reading

Lajmet

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë të arteve pamore të aplikojnë me projektet e tyre.

Thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Gjithashtu, pranohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.

Projektet mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë, në bashkëpunim me stafin e saj. Për aplikim janë të ftuara edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore, ndërsa kontratat do të lidhen me individë.

Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës: GKK Qendrore dhe GKK QAFA.

Afati i fundit për aplikim është 30 dhjetor 2026. Informacionet e hollësishme për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit mund të gjenden përmes kanaleve zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Restaurohet Mulliri i Cermjanit në Gjakovë, rikthehet një pjesë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mulliri i Cermjanit në Gjakovë është restauruar, duke rikthyer në jetë një pjesë të trashëgimisë kulturore që dëshmon traditën dhe mënyrën e jetesës së brezave të kaluar.

Përmes këtij restaurimi synohet ruajtja e vlerave historike dhe kulturore, si dhe përcjellja e tyre te brezat e ardhshëm.

Puna për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore vazhdon, me qëllim që monumentet dhe traditat që përbëjnë identitetin tonë të ruhen edhe në të ardhmen./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” hapet në Muzeun “Marubi”

Published

on

Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.

Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.

Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.

Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.

Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara