Botë

Rikthehen furnizimet me rrymë në shumicën e Spanjës dhe Portugalisë

Published

on

Furnizimi me energji elektrike u rikthye në shumicën e Spanjës dhe Portugalisë më 29 prill pasi një ndërprerje masive e rrymës goditi gadishullin Iberik, duke lënë pasagjerët të bllokuar në trena dhe qindra ashensorë, ndërsa miliona njerëz mbetën pa sinjal në telefonat e tyre dhe pa qasje në internet.

Operatori i energjisë REE tha se energjia elektrike ishte rikthyer në më shumë se 90 për qind të territorit të Spanjës kontinentale, në orët e para të së martës. Dritat u ndezën sërish në Madrid dhe në kryeqytetin e Portugalisë.

Pothuajse asnjë cep i gadishullit, i cili ka një popullsi të përbashkët prej gati 60 milionë banorësh, nuk i shpëtoi ndërprerjes të rrymës. Megjithatë, ende nuk dihet pse pati ndërprerje të energjisë, ndonëse në rrjetet sociale u përhapën thashetheme se kishte pasur një sulm kibernetik.

Kryeministri portugez, Luis Montenegro, tha se burimi i ndërprerjes “ka gjasa të jetë në Spanjë”. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se “të gjitha shkaqet e mundshme” janë duke u analizuar dhe paralajmëroi publikun që “të mos spekulojë”, për shkak të rrezikut të “dezinformimit”.

Sanchez tha se rreth 15 gigavat energji elektrike, më shumë se gjysma e konsumit në atë moment, “u zhdukën papritur” brenda rreth pesë sekondash.

Kryeministri spanjoll nuk ishte në gjendje të thoshte se kur do të rikthehej plotësisht energjia në Spanjë dhe paralajmëroi se disa punëtorë do të duhej të qëndronin në shtëpi të martën. Kryeministri portugez Montenegro, tha se energjia në Portugali do të rikthehej “brenda disa orëve”.

Rreth 6.2 milionë nga 6.5 milionë familje në Portugali u furnizuan sërish me energji gjatë natës, tha operatori kombëtar i rrjetit elektrik.

Ndërprerja e rrymës ndikoi për pak kohë edhe në jugperëndim të Francës, ndërsa në Marok pati ndërprerje të shërbimeve të disa operatorëve të internetit dhe sistemeve të regjistrimit në aeroporte.

Kryeministri spanjoll Sanchez, tha se ndërprerja e energjisë elektrike mesditën e së hënës shkaktoi “ndërprerje serioze” dhe “humbje milionëshe ekonomike në biznese, kompani dhe industri”.

Komisioni Evropian tha se ishte në kontakt me Spanjën dhe Portugalinë lidhur me ndërprerjen e rrymës. Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, shkroi në X se “nuk ka tregues për ndonjë sulm kibernetik”.

Ndërprerjet e rrymës shkaktuan anulimin e shumë fluturimeve nga Madridi, Barcelona dhe Lisbona, sipas organizatës evropiane të trafikut ajror, Eurocontrol.

Edhe shtetet e tjera në mbarë botën viteve të fundit janë përballur me ndërprerje masive të rrymës.

Ndërprerje të rrymës kishte në Tunizi shtatorin e vitit 2023, në Shri Lankë në gusht të vitit 2020, dhe në Argjentinë e Uruguai në qershor të vitit 2019. Edhe India në korrik të vitit 2012 ishte përballur me një ndërprerje masive të furnizimit me rrymë.

Në Evropë, nëntorin e vitit 2006, 10 milionë persona kishin mbetur pa rrymë për një orë në Francë, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Itali dhe Spanjë. Ndërprerja kishte ndodhur për shkak të problemeve me rrjetin në Gjermani./REL/

Botë

SHBA-ja tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare

Published

on

By

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare, që administrata i konsideroi si “joefektive dhe të dëmshme”.

Ne mesin e tyre janë Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women, e Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Në këtë të fundit, Kosova bën pjesë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kjo organizatë synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore dhe synon afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Në Komisionin e Venecias – që është trup këshillues për çështje kushtetuese dhe jep rekomandime për parlamentet dhe qeveritë – SHBA-ja ishte vëzhguese e jo anëtare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se këto organizata janë “antiamerikane ose të padobishme”.

Po ashtu, SHBA-ja është tërhequr nga disa organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara përfshirë nga Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Sociale, Qendra Botërore e Tregtisë, Komisioni i Ligjit Ndërkombëtar, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijë në Konflikte të Armatosura, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Dhunën Seksuale në Konflikt, Fondi i OKB-së për Demokraci dhe një sërë organizatash dhe traktatesh ndërkombëtare.

“Nuk do të vazhdojmë të shpenzojmë burime, kapital diplomatik dhe peshën legjitimues të pjesëmarrjes sonë në institucione që janë të parëndësishme për interesat tona ose bien ndesh me to. Ne e refuzojmë inercinë dhe ideologjinë në favor të maturisë dhe qëllimit. Ne kërkojmë bashkëpunim aty ku ai u shërben njerëzve tanë dhe do të qëndrojmë të palëkundur aty ku nuk ndodh”, u tha në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari Rubio shtoi se me këtë tërheqje po materializohet premtimi kyç i presidentit Trump se do të “ndalojë subvencionimin e burokratëve globalistë që veprojnë kundër interesave tona. Administrata Trump do ta vendosë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë”.

SHBA-ja tha se po vazhdon rishikimi i organizatave të tjera ndërkombëtare./REL

Continue Reading

Botë

Trump mbështet sanksione ndaj Kinës dhe Indisë për blerjen e naftës ruse

Published

on

By

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbështetur një projektligj për vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, përfshirë Kinën dhe Indinë, ka deklaruar senatori republikan Lindsey Graham.

Projektligji dypartiak do t’i japë presidentit të SHBA-së kompetenca për të vendosur tarifa deri në 500 për qind ndaj importeve nga shtetet që bashkëpunojnë me sektorin energjetik rus. Sipas Graham, nisma synon të rrisë presionin ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Kina dhe India mbeten ndër blerësit kryesorë të naftës ruse, pavarësisht sanksioneve perëndimore, ndërsa nisma vjen në kohën e negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA për përfundimin e konfliktit në Ukrainë.

Continue Reading

Botë

Maduro niset drejt gjykatës në New York

Published

on

By

Fotografi të Nicolas Maduro po shfaqin mediat ndërkombëtare teksa është duke u transportua në gjykatë në New York.

Pranë tij, gjithashtu në paraburgim dhe i shoqëruar nga forcat e rendit, është një person që duket të jetë gruaja e tij.

Ata po shoqërohen nga disa agjentë të Administratës Kundër Drogës (DEA).

Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, do të paraqitet të hënën në gjykatën federale të Manhattanit në New York, për t’u përballur me akuzat për narko-terrorizëm, disa ditë pasi kapja e tij nga ushtria amerikane shkaktoi pasiguri të thellë rreth të ardhmes së kombit të pasur me naftë të Amerikës së Jugut.

Maduro, 63 vjeç, dhe gruaja e tij, Cilia Flores, janë burgosur në Brooklyn pasi forcat amerikane i kapën ata nga Karakasi në një bastisje të papritur fundjave.

Të dy do të paraqiten në seancën dëgjimore të planifikuar për në orën 12:00 me kohë lokale të New Yorkut, para gjykatësit të distriktit amerikan Alvin K. Hellerstein. Nuk është e qartë nëse ndonjëri prej tyre ka siguruar avokatë, apo nëse do të pranojë fajësinë.

SHBA-ja e ka konsideruar Maduron një diktator të paligjshëm që kur ai shpalli fitoren në zgjedhjet e vitit 2018, të cilat u akuzuan gjerësisht për parregullsi masive. Kapja e tij shënon ndërhyrjen më të diskutueshme të Uashingtonit në Amerikën Latine që nga pushtimi i Panamasë 37 vjet më parë.

Prokurorët thonë se Maduro është boshti i një karteli zyrtarësh politikë dhe ushtarakë venezuelianë që kanë komplotuar për dekada me grupet e trafikut të drogës dhe organizatat e shpallura terroriste nga SHBA-ja për të përmbytur SHBA-në me mijëra tonë narkotikë.

Maduro u padit për herë të parë në vitin 2020 si pjesë e një çështjeje të gjatë për trafikim narkotikësh kundër zyrtarëve aktualë dhe ish-venezuelianë dhe guerilëve kolumbianë.

Continue Reading

Lajmet

​Bie çmimi i naftës pas arrestimit të Maduros nga ShBA

Published

on

By

Çmimi i naftës ka rënë këtë mëngjes, pas arrestimit të presidentit të Venezulës, Nikolas Maduro.

Nafta e papërpunuar Brent, referenca ndërkombëtare, ka rënë me 0.67% në 60.34 dollarë për fuçi.

Reagimi fillestar ndaj veprimit ushtarak amerikan në Venezuelë në tregjet e aksioneve, të ardhurave fikse dhe mallrave ka të ngjarë të jetë i vogël, parashikon Stephen Dover, drejtor i Institutit Franklin Templeton, shkruan The Guardian.

Kjo gjithashtu do të përforcojë nevojën që disa vende të rrisin shpenzimet për sigurinë kombëtare dhe përfundimisht mund të çojë në furnizime të konsiderueshme me naftë nga Venezuela.

Kujtojmë se, Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës bruto në botë (mbi 300 miliardë fuçi), por gjendja e dobët e infrastrukturës së saj të vjetruar të nxjerrjes dhe transportit të naftës, së bashku me cilësinë e ulët të naftës së saj të papërpunuar “të rëndë”, sugjerojnë se edhe ardhja e stabilitetit politik nuk do ta rrisë shpejt prodhimin ose eksportet e naftës së saj të papërpunuar (aktualisht rreth 1 milion fuçi në ditë ose afërsisht 1% e prodhimit botëror).

Continue Reading

Të kërkuara