Lajmet

Rexhepi: Çmimet e naftës do të bien edhe në Kosovë

Published

on

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë treguar një tendencë stabilizimi dhe rënie gjatë këtij viti, pas periudhës së rritjes së shpejtë si pasojë e agresionit rus dhe sanksioneve ndërkombëtare, dhe një trend i tillë pritet të jetë edhe në Kosovë.

Ekonomisti Sejdi Rexhepi deklaroi se çmimet janë reflektim i kërkesës së tregjeve ndërkombëtare dhe produkteve të saj.

“Çmimet janë reflektim i kërkesës së tregjeve ndërkombëtare dhe produkteve të saj. Në çmimin e naftës kemi të bëjmë me specifika më të veçanta që lidhen me aspektin gjeopolitik ndërkombëtar, të cilat në realitet kanë ndikuar tek ndryshimet e çmimeve gjatë tre katër viteve të fundit. Kishim një periudhë kur, si rezultat i agresionit rus dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, çmimet patën një tendencë rritjeje, të cilat u reflektuan në ato çmime që ishin, por fatmirësisht përballë sanksioneve dhe reduktimit të sasisë së prodhimit të naftës nga Rusia, prodhuesit e tjerë të vendeve të tjera arritën të rrisin prodhimin për nivelin e kërkesës. Në këtë mënyrë u mbyll hendeku i kufizimeve që u vendosën,” ka deklaruar Rexhepi.

Ai shton se vitet 2024 dhe 2025 po i karakterizon stabilizimi i çmimeve dhe një tendencë e lehtë rënie.

“Në këto vitet e fundit, në veçanti viti 2024, vërehet një tendencë stabilizimi të çmimeve me tendencë rënie, që është rezultat i shumë faktorëve. Mund të jetë si rezultat i rritjes së ofertës, por edhe si rezultat i trendeve zhvillimore në nivel botëror, si pasojë e krizave politike dhe konflikteve tregtare, të cilat ndikojnë në tendencën për investime dhe zhvillim, ose ngadalësojnë ritmin e kërkesës për produktet e naftës që shkojnë në industrinë përpunuese. Në veçanti, ka ndikuar gjetja e burimeve alternative në industrinë e automobilave. E shohim tek tregu kinez, evropian dhe amerikan, ku kërkohet më pak energji nga nafta, duke e zëvendësuar atë me produktet e automjeteve që përdorin energji alternative, në këtë rast energji elektrike, që zvogëlon në masë të konsiderueshme kërkesën e ardhshme”, tha Rexhepi.

Sipas Rexhepit, edhe Kosova do të ndjejë ndikimin e këtyre zhvillimeve, por paralajmëron se institucionet duhet të monitorojnë tregun për të siguruar që çmimet të pasqyrojnë rënien globale dhe të parandalohet mbajtja e çmimeve të larta nga ndërmjetësit.

“Kjo ka bërë që çmimi i naftës të ketë tendencë për rënie, me një lloj stabilizimi gjatë këtij viti. Sigurisht, Kosova është pjesë e tregut ndërkombëtar, furnizimin e bën nga furnitorët ndërkombëtarë dhe çmimi hyrës do të jetë në kuotat ndërkombëtare, gjë që do të reflektohet edhe në çmimin që del në tregun tonë. Këto ndryshime që lidhen me çmimet nuk reflektohen menjëherë në tregun lokal, për arsye se ndërmjetësuesit dhe tregtarët mund të kenë rezerva të furnizuara me çmime më të larta, dhe në momentin kur të furnizohet me çmime të reja, efektet nuk do të reflektohen menjëherë. Pres që ato të reflektohen, dhe nëse kjo nuk ndodh, institucionet përgjegjëse do të reagojnë, sepse në natyrë të bizneseve tentojnë të përfitojnë edhe nga kjo mënyrë, duke mbajtur çmimin më të lartë”, theksoi ai./S.K/EO/

Continue Reading

Vendi

Kurti për varrimin e Mlladiqit: Serbia ka kaluar në glorifikim shtetëror të gjenocidit

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë së varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq, duke akuzuar Beogradin zyrtar për glorifikim shtetëror të një krimineli të dënuar për gjenocid.

Kurti ka krahasuar zhvillimet e fundit në Kosovë me ato në Serbi, duke përmendur 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut.

Në anën tjetër, ai ka thënë se Serbia fundjavën e ka kaluar duke u përgatitur për ceremoninë e Mlladiqit.

“Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dokumentuar përmes dëshmive, identifikimeve forenzike dhe dokumentimit të krimeve.

Kurti e ka krahasuar Mlladiqin me ish-presidentin jugosllav, Slobodan Millosheviq, duke e cilësuar atë si një prej figurave kryesore të aparatit ushtarak të tij.

Ai ka kritikuar gjithashtu ceremoninë e organizuar për Mlladiqin, duke thënë se Serbia ka kaluar nga mohimi i krimeve në glorifikimin e tyre.

“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka shkruar Kurti.

Në fund, ai ka deklaruar: “Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”./A.K/

Continue Reading

Vendi

Trepça rikthen në menaxhim lokalin në Sheshin e Mitrovicës së Veriut pas 27 vjetësh

Published

on

Trepça ka rikthyer në menaxhim një lokal në Sheshin e Mitrovicës së Veriut, për të cilin ndërmarrja thotë se kishte qenë jashtë menaxhimit të saj për 27 vjet.

Rikthimit të pronës i ka paraprirë njoftimi zyrtar i 27 gushtit 2026, përmes të cilit Trepça, duke u bazuar në të dhënat e Certifikatës së Pronësisë, kishte kërkuar lirimin e pronës dhe paraqitjen e dokumentacionit që dëshmon të drejtën e shfrytëzimit.

Sipas ndërmarrjes, pas përfundimit të procedurave, lokali është rikthyer nën menaxhimin e Trepçës./A.K/

Continue Reading

Vendi

“Liria Ka Emër” para EULEX-it: “Shpalleni të pafajshëm!”

Published

on

Aktivistë të platformës qytetare “Liria Ka Emër” kanë zhvilluar të martën një aktivitet simbolik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.

Gjatë aktivitetit është vendosur pankarta me mesazhin “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”, ndërsa platforma ka kërkuar drejtësi dhe liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Para mediave foli Flaka Fazlija, vajzë dëshmori, e cila tha se kërkesa e tyre nuk është për hakmarrje, por për drejtësi, duke theksuar se procesi në Hagë nuk duhet të shkëputet nga konteksti historik i luftës së Kosovës.

“Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Ama drejtësia nuk mundet me qenë e drejtë nëse e harron historinë”, deklaroi Fazlija.

Ajo tha se më 16 shtator, kur pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së, nuk pritet vetëm një aktgjykim, por edhe një përgjigje që, sipas saj, ka rëndësi për mënyrën se si trajtohet historia e Kosovës.

Fazlija iu bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që të mos harrojnë sakrificën mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Ndërkohë, platforma “Liria Ka Emër” ka paralajmëruar vazhdimin e aktiviteteve në prag të Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PISA 2025: Rënie në matematikë, Kosova mbetet nën OECD

Published

on

Sipas rezultateve, Kosova ka marrë mesatarisht 357 pikë në shkencë, 340 pikë në lexim dhe 350 pikë në matematikë. Krahasuar me vitin 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i njëjtë, leximi ka rënë nga 342 në 340 pikë, ndërsa matematika nga 355 në 350 pikë.

Rezultati më i lartë është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë. Megjithatë, rezultatet e Kosovës në të gjithë treguesit kryesorë mbeten nën mesataren e vendeve të OECD-së.

Raporti tregon gjithashtu performancë më të lartë të vajzave, veçanërisht në shkencë dhe lexim. Në shkencë vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347, kurse në lexim diferenca është edhe më e madhe, 358 pikë për vajzat dhe 322 për djemtë. Në matematikë rezultatet janë pothuajse të barabarta.

Vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë, ndërsa në matematikë kjo përqindje është 15 për qind dhe në lexim rreth 16 për qind.

Raporti rekomandon përmirësimin e cilësisë së të nxënit, si dhe përdorimin më efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se rezultatet do të analizohen në detaje dhe do të shërbejnë si bazë për ndërhyrjet dhe përmirësimet në Strategjinë e re të Arsimit.

Në PISA 2025, në krye të renditjes u pozicionuan Kina dhe Singapori./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara