Lajmet

Rëndësia e “non-papers” që po trazojnë Ballkanin

Published

on

Në javët e fundit, janë publikuar dy të ashtuquajtura “non-papers” mbi çështje të ndjeshme politike, që kanë trazuar një pjesë të Ballkanit Perëndimor. Ajo që ndryshon me këto “non-papers” nga ato që zakonisht qarkullojnë nëpër korridoret e Brukselit, është se shumë pak, nëse ka, politikanë dhe diplomatë evropianë që vërtetë duket se i posedojnë këto dokumente.

Kjo nënkupton: se gjërat duket se po lëvizin në këtë rajon, veçanërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dikush ose dëshiron t’i testojë ujërat me ide të ndryshme ose, ndoshta është më djallëzor dhe dëshiron të shkatërrojë gjërat.

“Non-papers” janë pjesë e procesit të Brukselit. Qindra prej tyre zakonisht qarkullojnë në mesin e diplomatëve të cilët merren me çështje të ndryshme. E gjithë ideja e këtyre dokumenteve është që të nxiten diskutime brenda bllokut në mënyrë që të dilet me ide të reja në një mënyrë joformale. Prandaj, quhet “non-paper”. Ky dokument nuk është dokument zyrtar dhe nuk nënshkruhet e as miratohet përmes ndonjë vote të ndonjë eurodeputeti të zgjedhur.

Të gjitha këto dokumente normalisht kanë dy gjëra të përbashkëta: së pari, ato nuk janë nxitëse, shkruhen nga zyrtarë dhe burokratë për një temë shumë specifike dhe shpesh jo për tema të rëndësishme. Së dyti, shteti që është autor i një “non-paper” zakonisht ka dëshirë që atij dokumenti t’i bashkohen edhe të tjerët, në mënyrë që si i tillë të ketë më shumë rëndësi, prandaj zakonisht autorët janë të hapur që ta ndajnë një dokument të tillë me të tjerët. Tek e fundit, gjithkush do që të ketë publicitet për idetë e tyre të shkëlqyeshme.

Dy “non-papers” të pretenduar, që dolën në media javët e fundit, nuk kanë këto karakteristika. “Non-paperi” i parë, që u cilësua si “non-paperi slloven”, që mediat boshnjake më herët gjatë këtij muaji thanë se kryeministri slloven, Janez Jansa i dërgoi presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, është më interesanti.


I shkruar pa asnjë konsideratë për korrektësinë diplomatike të Bruselit, paturpësisht propozon ricaktimin e kufijve në linja etnike në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri. Për këtë dokument ende po diskutohet në media për shkak se Jansa dështoi ta mohojë ekzistencën e tij edhe pse ai thënë se nuk është autor i dokumentit dhe ka mohuar se e ka dërguar atë. Por, po ashtu ky dokument vazhdon të jetë aktualisht edhe për shkak të paaftësisë së zyrës së Michelit për të konfirmuar ose mohuar se ai ka pranuar një dokument të tillë.

Dokumenti tjetër, që u publikua më herët gjatë kësaj jave nga një media në Kosovë, është i shkruar më mirë. Në dokumentin, që pretendohet se është hartuar nga Gjermania dhe Franca, parasheh marrëveshjen përfundimtare të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë, aty nuk ka shumë elemente të reja, përveç se thuhet se marrëveshja duhet të arrihet deri në shkurt të vitit 2022 dhe aty parashihet krijimi i një rajoni të posaçëm në komunat në veri të Kosovë, që banohen me shumicë serbe. Gjermania dhe Franca menjëherë mohuan se e kanë shkruar këtë dokument. Por, në të njëjtën kohë, ata nuk e përjashtuan mundësinë për ekzistimin e një dokumenti të tillë, duke rritur kështu edhe më shumë dyshimet.

Ka disa ngjashmëri në mes të këtyre dy dokumenteve, që po ashtu i bëjnë që të dallojnë nga “non-paper” tradicional. Fillimisht, ato nuk kanë tituj, data dhe askush në Bruksel nuk duket se i disponon të njëjtat – duke bërë që diplomatët, me shaka, të ju referohen këtyre dokumenteve si “non-papers që nuk ekzistojnë” ose “non-papers fantome”. Është e çuditshme që për “non-paper” nga Slovenia u raportua se i është dërguar vetëm Charles Michelit dhe askujt tjetër (dhe po aq e çuditshme që zyra e tij as nuk e mohon e as pohon këtë gjë) dhe po ashtu është e çuditshme që “non-paperi” gjermano-francez, duket se buron nga Prishtina dhe nuk është dërguar diku tjetër.

Prej këtyre dy dokumenteve, ai që pretendohet se është shkruar nga Gjermania dhe Franca duket më shumë si një balon provues, edhe pse mund të mos e dimë kurrë se kush e lëshoi atë. Megjithatë, ka disa pikëpyetje. Pse të tregoni se çfarë përfundimi dëshironi të shihni? Ju mund të tregoni për hapat që do të ndërmerrni për të arritur qëllimin, por pse t’i zbuloni të gjitha letrat e juaja? Gjithashtu, Franca dhe Gjermania shumë rrallë kanë të njëjtin qëndrim kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ku Berlini është mjaft aktiv që ta afrojë këtë rajon në BE, ndërkaq Franca në këtë drejtim, hapur është shprehur skeptike, duke e parë zgjerimin e bllokut si një pengesë për qëllim e saj kryesor që është forcimi i mëtejmë i bllokut, duke marrë më shumë borxh të përbashkët ose duke rritur bashkëpunimin evropian sa i përket mbrojtjes.

Sa i përket dokumentit slloven, ka spekulime se ka rrjedhë dhe është publikuar në media për të minuar qeverinë në Lubjanë, para se Sllovenia më vonë gjatë këtij viti, të nisë kryesimin e presidencës së BE-së, por edhe mundësisë që pas gjithë kësaj qëndron Hungaria. Diplomatët evropianë më kanë thënë se ata dyshojnë se Rusia mund të jetë pjesë e gjithë kësaj, me qëllim që të nxisë mëdyshje dhe konfuzion. Ky dokumente duket se e ka arritur këtë qëllim, duke pasur parasysh që gazetarët po vazhdojnë të bëjnë pyetje për dokumentin dhe politikanët po detyrohen që vazhdimisht të përsërisin mbështetjen e tyre për integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, këto dokumente – pavarësisht se a janë të vërtetë apo jo – lënë të kuptohet se gjërat kanë filluar që të lëvizin sërish në rajon. Me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin, Kosova dhe Serbia tani kanë dy liderë që kanë mbështetje dhe mandat që të arrijnë një marrëveshje, nëse duan ta bëjnë një gjë të tillë. Gjermania mund të përballet me zgjedhje të paqarta në vjeshtë, por vazhdon të jetë e përkushtuar për bisedimet, pavarësisht se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve. Por, duhet vëzhguar me vëmendje presidentin francez, Emmanuel Macron, që pritet të përballet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me nacionalisten, Marine Le Pen.

Për shkak të zgjedhjeve lokale në Francë disa vite më parë, ai kishte pezulluar rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Por, tani situata është më serioze – që do të thotë se dritarja për të arritur marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë e hapur tash, por jo për një kohë shumë të gjatë.

Lajmet

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara