Lajmet

REL:Stërvitjet e ushtrisë serbe afër Kosovës: Kurti i quan agresore, KFOR-i thotë se s’përbëjnë rrezik

Published

on

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Beogradin për shfaqje të “agresionit” pasi ushtria serbe kreu stërvitje të mërkurën në një fshat të banuar me shqiptarë etnikë në jug të Serbisë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë tha për Radion Evropa e Lirë se stërvitjet nuk përbënin rrezik për sigurinë në rajon.

Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij të enjten në Prishtinë, Kurti tha se “jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë, në zonat e banuara me shqiptarë në Bujanoc, fare pranë kufirit me Kosovën”.

Kurti tha se stërvitjet – të cilat vijnë në një kohë kur Serbia bleu raketa shkatërruse kineze – u zhvilluan pranë shtëpive, shkollave dhe qendrave të mjekësisë, pa ofruar më shumë hollësi.

“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 të parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Kosovën, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit”, tha Kurti.

Por, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i tha Radios Evropa e Lirë të enjten se ishte njoftuar paraprakisht nga Beogradi se Forcat e Armatosura të Serbisë do të zhvillonin stërvitje të planifikuara në fshatin Muhovc, pranë kufirit jugor të Kosovës.

Stërvitjet në këtë fshat të banuar më shumicë shqiptare në Bujanoc, përfshinin parashutistë të dislokuar nga një helikopter, tha KFOR-i.

“Ky është një aktivitet rutinë i zhvilluar brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë apo stabilitetin në rajon”, thuhet në përgjigje.

Misioni paqeruajtës tha se po vazhdon të vëzhgojë nga afër gjendjen përgjatë vijës administrative kufitare në gjithë Kosovën, dhe se po mban komunikim të vazhdueshëm me autoritetet lokale të sigurisë dhe me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë.

KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Në bazë të një marrëveshjeje me KFOR-in, Policia e Kosovës mund të patrullojë në kufirin me Serbinë deri në një kilometër afër vijës ndarëse. Forcat e Armatosura të Serbisë, po ashtu, duhet ta njoftojnë KFOR-in nëse njësitë e tyre afrohen më afër se 1 kilometër nga kufiri me Kosovën.

 

“Koha që Serbia të ndëshkohet”

Kurti i bëri thirrje të enjten bashkësisë ndërkombëtare ta ndëshkojë Serbinë për “këtë qasje destabilizuese, që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale”.

Ai tha se stërvitjet e së mërkurës “së bashku me retorikën nxitëse të presidentit [serb] Aleksandar Vuçiq se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleance Kroacia-Shqipëri-Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez e rus, konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për ta mbajtur rajonin e Ballkanit nën tension të vazhdueshëm”.

Në fillim të këtij muaji, Vuçiq tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Ai i bëri këto pretendim duke iu referuar një deklarate të përbashkët që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në vitin 2025.

Që të tri vendet fqinje e kanë mohuar pretendimin e Serbisë, duke thënë se bashkëpunimi i tyre ushtarak nuk është i drejtuar kundër Beogradit.

Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Serbia kryen stërvitje pranë kufirit me Kosovën dhe në të kaluarën është akuzuar nga autoritetet kosovare se e ka dërguar ushtrinë shumë pranë kufirit me të, gjë që është mohuar nga Beograd.

Kurti theksoi në mbledhjen e kabinetit të tij të enjten se “agresioni i së mërkurës bëhet edhe më alarmues kur kujtojmë që kjo njësi e ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Millan Radoiçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në Zveçan kur vranë rreshterin Afrim Bunjaku”.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara, posaçërisht prej vitit 2023, kur autoritetet kosovare e akuzuan Beogradin për një sulm të një grupi serbësh kundër Policisë së Kosovës që la të vdekur rreshterin Bunjaku dhe për një shpërthim në një kanal jetik të ujit.

Serbia e ka mohuar përfshirjen në këto dy sulme që ndodhën në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

Prej atëherë, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes dy vendeve fqinje ka ngecur dhe nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë, pavarësisht se palët u pajtuan për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të 2023-ës.

Serbia, me Kushtetutën e saj, vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të veten, edhe pse Kosova e shpalli pavarësinë qysh në vitin 2008.

Dy vendet fqinje janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Por, Marrëveshja bazë të cilën e arritën më 2023 për normalizimin e marrëdhënieve – cila, mes tjerash, parasheh respektim të ndërsjellë të sovranitetit dhe tërësisë territoriale – nuk është duke u zbatuar.

Continue Reading

Vendi

UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij

Published

on

By

UBT ka lansuar zyrtarisht konceptin më të ri inovativ në fushën e arsimit, Global Virtual Campus, një platformë që synon të transformojë mënyrën se si ofrohet edukimi në nivel global, përmes partneritetit strategjik me EON Reality.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model është një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë.

Në këtë kontekst, Global Virtual Campus është një koncept dhe model i ri, modeli i së ardhmes, që mundëson ofrimin e të njëjtës përmbajtje dhe të njëjtës cilësi kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, pa humbur kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Pra, kjo qasje e aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë, kudo dhe në çdo kohë, është thelbi i Global Virtual Campus, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi deklaroi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet më të vlerësuara globalisht në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, ndërmarrësia dhe shkenca.

Ai nënvizoi se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është i akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council, si dhe gëzon një validim të fortë në raport me sistemin amerikan të arsimit.

“Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizi, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka mundësuar ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.

Global Virtual Campus synon të ofrojë përmbajtje dhe standard të njëjtë edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.

Video e plotë

Continue Reading

Lajmet

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Vendi

Kurti pret drejtoren e NATO-s: FSK po përgatitet për mision në Gazë

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurinë në vend.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi aleancën veri-atlantike për rolin e saj në stabilitetin e Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë mundësi trajnimi për pjesëtarët e FSK-së në institucionet e NATO-s.

Kryeministri njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas sukseseve në disa misione ndërkombëtare, aktualisht po përgatitet për të zbarkuar në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Nga ana tjetër, zyrtarja e lartë e NATO-s vlerësoi lart këtë vendim dhe falënderoi Kosovën për bashkërendimin e ngushtë me aleancën në rrugën drejt integrimit.

 

Continue Reading

Lajmet

Vdes një punëtor në vendin e punës në Strellc të Deçanit, një tjetër i lënduar

Published

on

By

Një aksident fatal në vendin e punës ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Strellc të Ulët të Deçanit, ku si pasojë e lëndimeve ka vdekur një punëtor dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Rajonale e Pejës, sipas së cilës ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në një punëtori druri, ku disa materiale kanë rënë mbi dy punëtorët. Viktimat u dërguan menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku mjekët konstatuan vdekjen e njërit prej tyre.

Njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Continue Reading

Të kërkuara