Lajmet

REL:Kush përfiton nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?

Published

on

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi Kosovës në qershorin e vitit 2023, u hoqën përfundimisht vetëm në mars të këtij viti, ani pse drita e gjelbër u dha në fund të dhjetorit të vitit 2025. Kosova ka insistuar për kohë të gjatë se masat ishin të padrejta dhe që i kishte plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e tyre. Kush saktësisht ua sheh hairin fondeve evropiane për Kosovën?

Pas gati tre vjetëve, Kosovës nuk i rëndon më pesha e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Lajm edhe më i mirë është se përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës, pasi lëshimi i fondeve pritet të ndikojë, mes tjerash, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Autoritetet në Kosovë i kanë cilësuar masat vazhdimisht si të padrejta, pasi deklaronin me bindje se i kishin plotësuar kohë më parë kërkesat e BE-së për heqjen e tyre: uljen e tensioneve dhe zvogëlimin e pranisë policore afër objekteve të katër komunave në veri të Kosovës.

Masat patën kosto të konsiderueshme financiare për Kosovën, pasi u pezulluan apo u shtynë projekte të ndryshme në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe III), si dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

 

Përfitimet kryesore

Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se në dhjetor të vitit 2025 u liruan 216 milionë euro që lidheshin kryesisht me arsimin, sikurse është skema e bursave Young Cell dhe projekte infrastrukturore e mjedisore.

Young Cell ofron bursa për të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në vendet evropiane. Këtë muaj, kjo skemë përmbylli aplikimin për 37 bursa të plota pasuniversitare. BE-ja i ka ndarë 3 milionë euro, ndërsa Kosova 1 milion shtesë.

Te projektet infrastrukturore përfshihet ndarja e 12 milionë eurove për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në termocentralin Kosovën B, mbështetja për ngrohjen qendrore me 17.6 milionë euro si dhe projekte të tjera.

“Pjesa e mbetur prej 205 milionë eurosh që u lirua këto ditë përfshin kryesisht fonde të IPA-s dhe të WBIF-it dhe do të programohen për të mbështetur reforma të ndryshme që ndërlidhen kryesisht me fushat thelbësore siç janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik, dhe arsimi”, thotë Arifi për REL-in.

Për Rrona Zhurin, koordinatore e hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara – GAP, heqja e masave mundëson rikthimin e normalitetit në raportet me BE-në.

“Lirimi i fondeve pritet të ketë një ndikim të gjerë pozitiv në disa dimensione të zhvillimit. Në aspektin ekonomik dhe të punësimit, rifillimi i projekteve kapitale dhe investimeve pritet të gjenerojë vende të reja pune dhe të rrisë aktivitetin ekonomik në vend. Njëkohësisht, në fushën e shërbimeve publike, sektorë si energjia, mjedisi dhe infrastruktura do të përfitojnë drejtpërdrejt, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët”, thotë Zhuri.

Sipas saj, ndikimi i lirimit të fondeve shtrihet edhe në reformat strukturore, pasi fondet e Bashkimit Evropian zakonisht lidhen me kushte të caktuara reformash, duke nxitur përparim në fusha të rëndësishme sikurse sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

E, Arifi beson se pikërisht këto reforma e përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Prandaj përfitues të këtyre fondeve natyrisht që janë qytetarët e Kosovës, në përgjithësi. Si të tilla, ndihmojnë vendin për të shënuar progres në rrugën evropiane, duke mbështetur procese reformuese që ndërlidhen ngushtë me parakushtet për anëtarësim në BE”, thotë ajo.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Aplikimi që ka bërë vendi më 2022, nuk është shqyrtuar ende nga institucionet e bllokut evropian.

 

Pasojat e masave

Përveç bllokimit të fondeve, masat e prekën edhe aspektin politik, meqë pati kufizime të takimeve dypalëshe të nivelit të lartë dhe në nivelin e nënkomiteteve të lidhura me Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit, marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Megjithatë, Brukseli ka sinjalizuar se synon riangazhim të plotë me autoritetet në Kosovë.

Arifi beson se kështu do të krijohet momentum i ri në dialogun e ndërsjellë me BE-në, pasi masat patën “ndikim negativ në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës”.

Edhe Rrona Zhuri beson se masat i humbën shumë mundësi Kosovës.

“Çdo vonesë apo pezullim i projekteve nënkupton shtyrje apo humbje e mundësive për zhvillim, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, forcim institucional dhe vonesë në procesin e integrimit evropian”.

Sipas një hulumtimi të GAP-it të vitit 2025, masat financiare rezultuan me 613.4 milionë euro projekte të pezulluara apo të shtyra, dhe sektori më i goditur ishte ai i mjedisit me 350 milionë euro.

Sipas njohëseve të këtyre çështjeve, realiteti i ri duhet të shërbejë si shtysë për përparim në fusha që lidhen me integrimin evropian.

“Mbetet shumë e rëndësishme që Kosova ta shfrytëzojë këtë moment pozitiv për t’i përshpejtuar proceset integruese, duke shmangur bllokimet e mëtutjeshme nga krizat e brendshme politike”, porosit mes tjerash Njomza Arifi. /REL/

 

 

Continue Reading

Vendi

Mediat irlandeze lartësojnë mikpritjen në Prishtinë

Published

on

By

Në fushë ishte një përballje e fortë futbolli ku Kosova doli fituese 1-0, por jashtë saj, atmosfera në Prishtinë u shndërrua në një histori falënderimi dhe respekti që kapërcen sportin.

Media e njohur sportive irlandeze, Balls.ie, i ka kushtuar një artikull të veçantë mikpritjes mbresëlënëse që tifozët e Irlandës morën në Kosovë, duke zbuluar arsyen e fortë pse kosovarët e ruajnë me kaq shumë dashuri emrin e Irlandës.

Gjithçka nis në vitet e vështira të pasluftës. Pas shkatërrimit të viteve 1998–1999, ku mbi 10,800 kosovarë u vranë dhe qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, Irlanda u rendit ndër shtetet e para që u doli në ndihmë. Prej vitit 1999 e deri në vitin 2010, mbi 3,000 ushtarë irlandezë shërbyen në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, duke ndihmuar në rindërtimin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, thuhet në artikullin e Balls.ie.

Kjo ndihmë nuk është harruar absolutisht.

“Përderisa Irlanda dhe Kosova nuk kishin ndonjë histori të madhe në futboll, shumë njerëz në këtë vend kanë një simpati të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Një pjesë e madhe e kësaj daton që nga vitet ’90, kur forcat paqeruajtëse irlandeze luajtën një rol jetik në Kosovë,” shkruan Balls.ie.

Gazeta irlandeze tregon se si tifozët që udhëtuan drejt Prishtinës mbetën të befasuar kur vendasit i ndalonin nëpër rrugë e kafene, jo si kundërshtarë të futbollit, por për t’u shprehur falënderime për kontributin e ushtarëve të tyre dekada më parë.

“Shumë nga tifozët tanë mbetën pa fjalë nga përzemërsia dhe respekti me të cilin u pritën. Kosova tregoi se e kujton me shumë mirënjohje rolin e Irlandës gjatë asaj periudhe të vështirë historike,” përfundon artikulli i Balls.ie.

Kjo ndeshje vërtetoi edhe një herë se për kosovarët, ndihma e dhënë në ditët më të errëta mbetet e gdhendur përgjithmonë në memorie.

 

Continue Reading

Vendi

BBC Sport: Kosova e mposht Irlandën me meritë në Prishtinë dhe nis mbarë UEFA Nations League

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundur fushatën e saj në Grupin B3 të UEFA Nations League, duke mposhtur Republikën e Irlandës me rezultat 1–0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo fitore e merituar erdhi pas një paraqitjeje dominuese nga dardanët, ndërsa rrjeti prestigjioz britanik BBC Sport raporton se vendasit e mbizotëruan plotësisht kundërshtarin gjatë gjithë 90 minutave.

Kosova tregoi energji të lartë që nga fillimi i takimit, duke e vënë vazhdimisht në presion mbrojtjen irlandeze. Rreziku kryesor erdhi përmes Baton Zabergjës nga krahët dhe sulmuesit Vedat Muriqi, i cili krijoi probleme të njëpasnjëshme për mysafirët.

Vendimi i ndeshjes erdhi vetëm shtatë minuta para fundit. Pas një goditjeje të Ermal Krasniqit që u kthye nga traveza, Muriqi reagoi më së shpejti duke shënuar me kokë për 1–0 dhe duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Edhe pse lojtarët irlandezë pretenduan për një faull gjatë aksionit, goli u konfirmua pas rishikimit nga sistemi VAR.

Në krahun tjetër, BBC e përshkroi paraqitjen e Irlandës si mjaft të dobët në sulm, me vetëm një goditje në kuadrat përgjatë tërë ndeshjes. Rastin më të mirë për mysafirët e shpërdoroi Chiedozie Ogbene në pjesën e parë, kur goditi mbi travezë.

Pas ndeshjes, edhe vetë përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, pranoi superioritetin e vendasve. “Ata e merituan fitoren, po të jam plotësisht i sinqertë. Nuk kishte asgjë që nuk e dinim për mënyrën se si do të luanin, por ishte një ditë e dobët për shumë nga lojtarët tanë,” u shpreh ai.

Me këtë fitore, Kosova merr tri pikët e para në grup, ndërsa Irlanda mbetet pa pikë pas xhiros së parë. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Të kërkuara