Lajmet

REL:Familja shqiptare në jug të Serbisë në shënjestër të një fushate përndjekëse

Published

on

Kordonë policie para furrave të bukës, protesta dhe gjuhë e urrejtjes, kjo është çfarë tregojnë pamjet nga Surdullica në jug të Serbisë.

Në rrugët e këtij qyteti të vogël, i cili ka rreth 10 mijë banorë, një pjesë e qytetarëve ditët e fundit po protestojnë për shkak të vdekjes së një bashkëqytetari në një aksident trafiku, e cila ngjalli tensione etnike, pasi i dyshuari për aksidentin është një i ri me kombësi shqiptare.

Edhe pse i dyshuari është arrestuar, në protesta janë parë pankarta që bënin thirrje për bojkotimin e furrave të bukës në pronësi të familjes së të dyshuarit, si dhe janë dëgjuar thirrje për dëbimin e gjithë familjes shqiptare.

Edhe në protestën e 19 shkurtit pati mesazhe të ngjashme.

Goran Mlladenoviq, një nga pjesëmarrësit në protestë, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se familja duhet të largohet nga ai vend sepse, siç u shpreh ai, ajo është “përgjegjëse për ngasjen e pamatur të veturës” nga i dyshuari.

Ai pretendon se protestat nuk janë të motivuara etnikisht.

“Në këto kushte, me këtë sjellje arrogante dhe mënyrën si sillen, mendoj se duhet të largohen. Ai (shoferi) është vetëm 20 vjeç dhe ngiste makinën me një patentë shoferi të Kosovës”, tha Mlladenoviq.

Ndërsa furrat e tij të bukës janë të rrethuara nga policia, gazetarja e REL-it nuk e gjeti pronarin e furrës në vendngjarje. Ai nuk iu përgjigj as thirrjeve dhe as mesazheve të REL-it.

Fushatës së përndjekjes dhe thirrjeve për dëbim u parapriu gjuha e urrejtjes në një grup lokal në aplikacionin për dërgimin e mesazheve, Viber, anëtar i të cilit është edhe ministri në Qeverinë e Serbisë, Novica Tonqev, ish-kryetar i komunës së Surdullicës.

Edhe pse thekson se i mbështet demonstruesit, Tonqev për REL-in thotë se protestat nuk kanë “bazë kombëtare”.

Sulmet dhe thirrjet për linçim i dënoi ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Demo Berisha, duke theksuar se është “e papranueshme që tragjedia të keqpërdoret për përhapjen e urrejtjes, thirrje për dëbim dhe dënim kolektiv mbi bazë të përkatësisë kombëtare”.

Deri në publikimin e këtij teksti, REL nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria kompetente nëse po heton sulmet dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare në Surdullicë.

Sipas regjistrimit të vitit 2022, në këtë qytet jetojnë gjithsej gjashtë qytetarë me kombësi shqiptare.

Në njërën anë protesta, e në tjetrën mbështetje

Policia, para protestës së fundit më 19 shkurt në Surdullicë, qëndronte para furrave të bukës “Park” në pronësi të familjes së shoferit të dyshuar, por demonstruesit, ndryshe nga herët e mëparshme, kësaj radhe nuk u mblodhën para tyre, raportoi gazetarja e REL-it.

Dhjetëra persona qëndronin në qendër të qytetit me flamuj të Serbisë dhe pankarta me mesazhin “Drejtësi për Rastkon” (i vdekur në aksident).

Pavarësisht thirrjeve për bojkot dhe sulmeve, tri furrat në pronësi të familjes shqiptare vazhdojnë të punojnë.

Një punonjëse në një nga furrat “Park”, e cila kërkoi të mos i zbulohet identiteti, tha për REL-in se nuk i mbështet protestat.

Ajo shtoi se për punëdhënësin e saj mund të thotë “vetëm fjalët më të mira”.

Ndërsa gazetarja e REL-it po bisedonte me punonjësen, disa persona hynë në furrë për të blerë bukë, por nuk pranuan të flasin.

Në qendër të Surdullicës, REL-i takoi edhe Danijellën, e cila theksoi se nuk e mbështet bojkotin e furrave dhe protestat.

Ajo tha se e njeh pronarin e furrës nga pamja dhe se është kundër përndjekjes së një familjeje të tërë.

“Të përgjigjet ai që e ka kryer (veprën penale)”, tha ajo për REL-in.

Prokuroria në Vlladiçin Han, pranë Surdullicës, njoftoi më 19 shkurt se për aksidentin rrugor po zhvillohet hetim për vepër të rëndë kundër sigurisë së trafikut publik, për shkak të vdekjes së një personi.

Aksidenti ndodhi më 9 shkurt, ndërsa nga prokuroria bëjnë të ditur se i dyshuari B.F. posedon patentë shoferi nga Kosova “e cila iu mor menjëherë gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga policia”.

Prokuroria njoftoi gjithashtu se do të urdhërojë ekspertizë “me qëllim që të përcaktohet shkaku i aksidentit, shpejtësia e lëvizjes së automjetit që drejtohej nga i dyshuari, si dhe fakti nëse personit të ndjerë iu ofrua ndihmë mjekësore në kohë”.

Të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa Prokuroria thekson se “në këtë, si në të gjitha procedurat, respektohet prezumimi i pafajësisë”.

Prokuroria theksoi gjithashtu se këtë njoftim e ka lëshuar, ndër të tjera, për shkak të “publikimit të informacioneve të paverifikuara në rrjetet sociale”.

Si nisi?

Protestat në Surdullicë u organizuan përmes rrjeteve sociale dhe aplikacionit për shkëmbim mesazhesh, Viber.

Në rrjetet sociale dhe media u publikuan pjesë nga korrespondenca në grupin Viber “Drejtësi për Rastkon”, i cili thuhet se ka disa qindra anëtarë.

Në këto komunikime, ndër të tjera, bëhet thirrje për bojkotimin e furrave, por edhe për dëbimin e familjes së të dyshuarit.

Gjuha e urrejtjes përshkallëzoi në protesta, ku u sulmua edhe gazetarja Dejana Cvetkoviq, e cila po raportonte nga vendi i ngjarjes.

“Në protestë u sulmova verbalisht dhe u pengova gjatë punës, më drejtonin komente të ndryshme me konotacion seksual. Mendoj se (disa individë) ishin të pakënaqur me raportimin tim, sepse i vendosa protestat në kontekstin e mosdurimit ndëretnik”, tha ajo për REL-in.

Ajo shtoi se protesta e parë u organizua para furrës së familjes së të dyshuarit, kur të pranishmit hodhën vezë në drejtim të objektit.

Cvetkoviq theksoi gjithashtu se në bisedë me pronarin e furrës ka mësuar se pas këtyre ngjarjeve ai ishte detyruar ta evakuonte familjen nga Surdullica, por se as kjo nuk kaloi pa incidente.

“Ai më tha se protestuesit sulmuan automjetin që po evakuonte familjen e tij”, tregoi ajo.

REL nuk mori informacion nga policia nëse dhe sa persona janë ndaluar për sulmet ndaj furrës dhe familjes shqiptare.

Në të njëjtat protesta u formulua edhe një sërë kërkesash drejtuar institucioneve, ku ndër të tjera kërkohet dorëheqja e drejtuesve të policisë në Surdullicë për shkak të pretendimeve për injorim shumëvjeçar të problemit të ngasjes së pamatur nga i dyshuari.

Po ashtu, pyetje iu drejtuan edhe Qendrës Shëndetësore lokale për shkak të pretendimeve se ndihma e shpejtë ka mbërritur me vonesë.

Autoritetet në Surdullicë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me protestat dhe gjuhën e urrejtjes që u dëgjua në këto tubime.

Ministri “në krah të demonstruesve”

Një nga anëtarët e grupit Viber ku u shkëmbyen mesazhe urrejtjeje ishte edhe ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Novica Tonqev, i cili është gjithashtu ish-kryetar i komunës së Surdullicës.

I pyetur nga REL lidhur me thirrjet për dëbimin e familjes shqiptare, Tonqev u përgjigj se në Surdullicë po mbahen “protesta paqësore si formë e shprehjes së pakënaqësisë për sjelljen e pamatur të pjesëmarrësve në trafik”.

“Në këto tubime qytetare, shkaku nuk është aspak baza kombëtare, por vetëm adresimi ndaj institucioneve kompetente se gjëra të tilla dhe të ngjashme nuk duhet të ndodhin”, shkroi ai.

Dënimi i shënjestrimit

Megjithatë, disa organizata joqeveritare dhe institucione në Serbi i interpretojnë ndryshe ngjarjet në Surdullicë.

Organizata “Iniciativat Qytetare” njoftoi më 17 shkurt se në atë vend po zhvillohet një fushatë “që përfshin targetimin kolektiv të qytetarëve mbi bazë të përkatësisë së tyre kombëtare”.

“Veçanërisht shqetësues është fakti se në kanalet e komunikimit ku u përhapën thirrjet për shpërngulje të përhershme dhe ndëshkim kolektiv kanë marrë pjesë edhe funksionarë publikë, përfshirë ministrin Novica Tonqev”, thuhet në reagim.

Komisionari për Mbrojtjen e Barazisë, Millan Antonijeviq, dënoi kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes të drejtuar ndaj familjes me kombësi shqiptare.

Antonijeviq deklaroi se shprehja publike e mesazheve që bëjnë thirrje për linçim, dëbim ose frikësim përbën shkelje serioze të së drejtës për barazi dhe mund të çojë në rrezikimin e sigurisë së qytetarëve dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Së fundmi, për pozitën e pakicës shqiptare në Serbi ka paralajmëruar edhe Uashingtoni.

Anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në janar kërkuan shqyrtimin e një sërë problemesh me të cilat përballen shqiptarët në jug të Serbisë, duke vlerësuar se ata janë të diskriminuar.

Qeveria në Serbi i ka hedhur poshtë këto vlerësime.

Sipas regjistrimit të vitit 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë dhe ata përbëjnë pakicën e katërt më të madhe kombëtare në vend.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

United Hospital – standard i ri në shërbimet spitalore, me teknologji të avancuar dhe kujdes mjekësor 24/7

Published

on

Prishtinë – Në zhvillimin e shërbimeve moderne shëndetësore në Kosovë dhe rajon, United Hospital synon të pozicionohet si një qendër e integruar e kujdesit spitalor, ku ekspertiza mjekësore ndërthuret me teknologjinë bashkëkohore dhe diagnostikimin e avancuar. Si spital i përgjithshëm privat, institucioni ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore, me synim që pacientët të kenë qasje në trajtim dhe diagnostikim të specializuar në një mjedis të vetëm.

Drejtuesi dhe menaxheri i United Hospital, Edmond Hajrizi, i njohur për formimin e tij akademik dhe përvojën e ndërtuar në institucione universitare ndërkombëtare, thekson se filozofia e spitalit mbështetet në një standard të lartë profesional, përgjegjësi institucionale dhe kujdes të vazhdueshëm ndaj pacientit.

Sipas tij, United Hospital synon të ruajë pozicionin e tij lider përmes një game të gjerë profilesh të avancuara shëndetësore, të cilat, sipas tij, nuk ofrohen në të njëjtën përmasë nga spitalet e tjera.

“Jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm ndaj çdo klienti dhe pacienti. Për mua dhe për të gjithë stafin e spitalit, jeta dhe shërbimet shëndetësore janë prioriteti kryesor. Synimi ynë është të vazhdojmë të investojmë në kuadro profesionale, teknologji dhe shërbime cilësore, duke i bërë ato njëkohësisht sa më të përballueshme për qytetarët, në mënyrë që çdo pacient të ketë mundësinë të marrë trajtimin e duhur shëndetësor”, shprehet Hajrizi.

Një prej risive të prezantuara nga United Hospital është Rezonanca Magnetike e asistuar nga Inteligjenca Artificiale, teknologji që synon të mbështesë procesin diagnostik dhe të rrisë efikasitetin e ekzaminimeve radiologjike. Integrimi i teknologjive të reja në mjekësi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt diagnostikimit më të standardizuar dhe marrjes së vendimeve klinike mbi bazën e të dhënave të detajuara.

Një tjetër element i rëndësishëm i modelit të shërbimit të United Hospital është disponueshmëria 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për disa prej shërbimeve kryesore. Laboratori, Emergjenca, Radiologjia dhe Mjekimi Intensiv (ICU) janë të organizuara për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për pacientët, veçanërisht në situatat kur ndërhyrja e shpejtë dhe koordinimi ndërmjet ekipeve mjekësore janë të domosdoshme.

Në kuadër të shërbimeve të specializuara, United Hospital përfshin kardiologjinë dhe kardiokirurgjinë, kirurgjinë e përgjithshme, ortopedinë, si dhe fusha të tjera të kujdesit specialistik. Kjo qasje multidisiplinare synon të krijojë një zinxhir të integruar të diagnostikimit, trajtimit dhe kujdesit pasues.

Me investimet në infrastrukturë, pajisje moderne dhe kapacitete profesionale, United Hospital synon të kontribuojë në ngritjen e standardeve të shërbimeve private shëndetësore në Kosovë, duke vendosur në qendër të veprimtarisë sigurinë, dinjitetin dhe nevojat individuale të pacientit./rajonipress/

📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70
📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës

Published

on

Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.R., B.H., R.Q. dhe N.L, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 02.08.2017 deri më 26.11.2020, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, të pandehurit i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në lidhje me inicimin, prokurimin, menaxhimin, autorizimin, certifikimin dhe pagesën e kontratës publike “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.

“Të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, të Rregullores dhe Udhëzimit Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike, pasi, ndonëse aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500,000 eurosh, janë realizuar pagesa totale në shumën prej 5,377,058.07 eurosh”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas aktakuzës, thuhet se janë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit, pa aneks-kontratë, pa procedurë të re prokurimi dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni i pranimit të punëve.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që të pandehurve t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Shpërthim në portin e Roterdamit, një i vdekur dhe disa të plagosur

Published

on

Një shpërthim ka ndodhur në portin e Roterdamit në Holandë, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Policia njoftoi se shpërthimi ndodhi rreth orës 11:30 në rrugën Moezelweg, ndërsa zona është rrethuar. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet dhe autoritetet kanë nisur hetimet.

Në të njëjtën zonë, kompania Gunvor Energy, e cila menaxhon rezervuarë për ruajtjen e derivateve të naftës, raportoi një incident tjetër gjatë punimeve të mirëmbajtjes, ku disa persona mbetën të plagosur.

Mediat lokale raportuan edhe për ndërprerje të energjisë elektrike në port. Autoritetet po hetojnë nëse ka ndonjë lidhje mes ndërprerjeve dhe shpërthimit.

Porti i Roterdamit është porti më i madh në Evropë dhe përfshin rafineri nafte dhe një numër objektesh petrokimike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama: Ukraina e ka gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, ku ky i fundit tha se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin sa i përket pavarësisë së Kosovës.

Rama ka thënë se Ukraina dhe Zelensky “e kanë gabim për Kosovën”, por ka theksuar se kjo nuk e ndryshon mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe të drejtën e saj për të qenë e lirë.

Në një postim, Rama ka kritikuar ata që, pas deklaratës së Zelenskyt, kanë kërkuar që Shqipëria dhe Kosova të ndryshojnë qëndrimin ndaj Ukrainës.

“Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm popullistë në Tiranë dhe Prishtinë nisën të bëjnë llogaritë gjeopolitike: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të mos e mbështesim më të lirën dhe të mos vajtojmë për viktimat e bombardimeve. Më të pamaturit prej tyre na sulmuan pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Madje, disa brohoritën për Rusinë!”, ka shkruar Rama./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara