Lajmet

REL: Viktima e dhunimit në Vukovar “më e besueshme”, sepse nuk kërkoi dëmshpërblim në Serbi

Published

on

Kur Jovan Radan u dënua në mes të qershorit me shtatë vjet burg për përdhunimin e një gruaje në Vukovar, dënimi – vetëm pak më i lartë se minimumi ligjor – nuk ishte e vetmja gjë që ngjalli reagime.

Radan, ish-pjesëtar i Mbrojtjes Territoriale Serbe, e përdhunoi tri herë gruan në shtëpinë ku ajo ishte strehuar përkohësisht në Vukovar.

Por, në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës së Lartë në Beograd thuhet se një nga rrethanat që vërteton se krimi ka ndodhur në vitin 1991, është fakti se viktima nuk kërkoi dëmshpërblim nga autori i krimit.

“Dëshmia e saj nuk është e njëanshme dhe nuk është e motivuar nga dëshira për hakmarrje ndaj askujt, apo nga ndonjë përfitim material ose i ndonjë natyre tjetër, pasi e dëmtuara deklaroi se nuk kërkon asgjë në aspektin e të drejtave pronësore”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së parë të Departamentit për Krime Lufte.

Në procesin gjyqësor, i cili u zhvillua 34 vjet pas krimit, dëshmia e viktimës u vlerësua si e sinqertë, bindëse dhe e mbështetur nga provat, si dhe nga dëshmitë e disa grave të tjera.

Njëra prej tyre është S.M, e cila thotë se e kujton shumë mirë vitin 1991.

“Ky është një dënim shumë i vogël për atë që i është bërë zonjës”, thotë S.M, duke komentuar gjatësinë e dënimit.

Edhe ajo ishte përdhunuar në Vukovar në vitin 1991. Atëherë ishte 22 vjeçe.

“Më kujtohet se erdhën tre burra dhe unë duhej të zgjidhja se cili prej tyre do të më përdhunonte”, kujton S.M.

Mes atyre tre burrave ishte edhe Jovan Radan.

Burri që e përdhunoi, i kishte thënë se Radan po e bënte të njëjtën gjë me një grua tjetër dhe se “nuk je e vetmja që po e përjeton këtë”.

S.M. në Vukovar. Ajo është njëra nga gratë që u përdhunuan në këtë qytet në vitin 1991 dhe që vendosi të flasë publikisht për këtë ngjarje. Rrethimi i Vukovarit zgjati tre muaj, gjatë të cilëve qyteti u bombardua vazhdimisht nga aviacioni, tanket dhe këmbësoria e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), si dhe nga njësitë paramilitare vullnetare nga Serbia dhe serbët e Kroacisë.

Qyteti u shkatërrua pothuajse tërësisht.

Sipas të dhënave kroate, gjatë rrethimit u vranë rreth 2.700 mbrojtës dhe civilë, ndërsa Vukovari vazhdon të kërkojë rreth 300 persona të zhdukur.

Vite më vonë, S.M. dëshmoi në favor të gruas që ishte përdhunuar nga Radan.

Ato vazhdojnë të takohen edhe sot në Vukovar.

Pak ditë më parë, viktima i kishte treguar se kishte marrë një njoftim se mund të paraqiste kërkesë për dëmshpërblim.

“Ajo nuk dëshiron të shkojë në Serbi, ndërsa do të duhej të shkonte atje për ta paraqitur kërkesën”, thotë S.M.

Ku drejtohen viktimat për të kërkuar dëmshpërblim?

Praktika e gjykatave në Serbi është që, pas përfundimit të procesit penal, viktimat të udhëzohen të ngrenë padi civile për të kërkuar kompensim.

Sipas Jovana Kollariqit, hulumtuese në Fondin për të Drejtën Humanitare në Serbi, kjo është problematike për disa arsye.

Së pari, viktimat duhet të kalojnë edhe një proces tjetër gjyqësor. Së dyti, me fillimin e procedurës civile, ato humbasin statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

“Kjo është një nga arsyet pse, sidomos në rastet e dhunës seksuale, viktimat – të cilat shumë shpesh dëshmojnë nën masa mbrojtëse – hezitojnë të hyjnë në një procedurë të tillë. Ky është një krim që bart një stigmë të jashtëzakonshme”, thotë Kollariq për Radion Evropa e Lirë.

Deri më sot, në Serbi janë ndjekur penalisht vetëm 13 raste që përfshijnë dhunë seksuale gjatë luftës, ndërsa vetëm në pesë prej tyre akuzat kanë qenë ekskluzivisht për dhunë seksuale.

Depot e “Veleprometit” në Vukovar, të ngritura nga Ushtria Popullore Jugosllave. Aty qëndruan më shumë se 10 mijë persona nga shtatori i vitit 1991 deri në prill të vitit 1992.

Kollariq thekson se, deri më tani, në asnjë proces për krime lufte në Serbi nuk është miratuar ndonjë kërkesë për dëmshpërblim brenda procedurës penale.

Në rastin e Jovan Radanit, për herë të parë është krijuar një lidhje e drejtpërdrejtë mes të drejtës së viktimës për të kërkuar dëmshpërblim në procesin penal dhe besueshmërisë së dëshmisë së saj. Edhe pse kërkimi i dëmshpërblimit është një e drejtë e garantuar me ligj, Kollariq shpjegon se gjykatat zakonisht konsiderojnë se shqyrtimi i kësaj kërkese e zgjat procesin penal në mënyrë të panevojshme.

Ajo shton se ka pasur raste kur gjatë gjykimit është thënë se gjykata, “tradicionalisht”, nuk vendos për kërkesat për dëmshpërblim.

“Tani kemi edhe një lloj miratimi nga ana e gjykatës për heqjen dorë nga kjo e drejtë, duke e lidhur besueshmërinë e dëshmisë së viktimës me faktin nëse ajo ka kërkuar apo jo dëmshpërblim”, thotë Kollariq.

Sipas saj, kjo është veçanërisht problematike në rastet e dhunës seksuale, ku viktimat përballen me paragjykime dhe dyshime për besueshmërinë e tyre, si dhe me pyetje të llojit: “Pse heshtën deri tani?”

“I dimë të gjitha paragjykimet dhe stereotipat negativë ndaj këtyre viktimave. Tani, në njëfarë mënyre, gjykata po i fut ato në praktikën gjyqësore, duke thënë se dëshmia juaj është e besueshme vetëm nëse nuk kërkoni dëmshpërblim për atë që keni përjetuar”, thotë Kollariq.

Gjykata e Lartë në Beograd nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar arsyetimin e saj për lidhjen mes besueshmërisë së dëshmisë dhe moskërkimit të dëmshpërblimit.

E drejta për të kërkuar dëmshpërblim është pjesë e legjislacionit të Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe përputhet me standardet ndërkombëtare për ndjekjen penale të rasteve të dhunës seksuale.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, praktika e dhënies së dëmshpërblimit gjatë procesit penal është zhvilluar dukshëm, shpjegon Ajna Mahmiq, koordinatore ligjore në organizatën TRIAL International BeH.

Pas rreth dhjetë vjetësh zhvillimi të praktikës gjyqësore, rregulli është që viktimat ta realizojnë të drejtën për dëmshpërblim gjatë procesit penal, e jo përmes një padie të veçantë civile.

“Kjo bëhet për t’ua lehtësuar barrën viktimave dhe për t’i kursyer ato nga traumat shtesë që do të sillte një proces i ri civil”, shpjegon Mahmiq.

Çfarë është kërkesa për dëmshpërblim?

Në Kosovë, deri më tani, janë dhënë katër aktgjykime për dhunë seksuale gjatë luftës.

Vetëm njëri prej tyre është i formës së prerë, ndërsa në asnjërin nga proceset penale nuk është vendosur dëmshpërblim për viktimën.

Çfarë është problematike në arsyetimin e gjykatës?

Për shumë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, drejtësia nënkupton shumë më tepër sesa një aktgjykim dënues.

Këtë e thekson edhe Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) – organizatë që u ofron viktimave mbështetje ligjore dhe psikologjike gjatë proceseve gjyqësore.

“Drejtësia nënkupton edhe qasje në riintegrim, dëmshpërblim të drejtë, rehabilitim dhe njohjen e dëmit të pësuar”, thotë Rushiti për Radion Evropa e Lirë.

Mbështetja si rehabilitimi, e drejta për dëmshpërblim dhe garancitë se krimi nuk do të përsëritet, duhet të jenë në themel të programeve të riintegrimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Megjithatë, të mbijetuarit shpesh kalojnë vite të tëra nëpër gjykata për të siguruar një formë drejtësie dhe mbështetjeje.

Shumë organizata vlerësojnë se është e gabuar që në arsyetimin e aktgjykimit, besueshmëria e viktimës të lidhet me faktin nëse ajo i ka ushtruar apo jo të drejtat që i garanton ligji.

“Nuk u dërgohet një mesazh i mirë dhe i drejtë viktimave”, thuhet në përgjigjen e Qendrës “Rosa” për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare thekson se besueshmëria e dëshmisë së një viktime nuk mund të varet nga fakti nëse ajo vendos të kërkojë apo jo dëmshpërblim – një e drejtë që i garantohet me ligj.

Nga Shoqata e Grave Viktima të Luftës në Sarajevë kujtojnë se çdo vendim gjyqësor dhe arsyetimi i tij dërgojnë një mesazh të rëndësishëm për viktimat.

Sipas tyre, kërkesa për dëmshpërblim është një e drejtë ligjore e çdo viktime dhe nuk duhet të përdoret si kriter për të vlerësuar besueshmërinë e dëshmisë.

“Një qasje e tillë mund të krijojë përshtypjen se nga viktimat pritet të heqin dorë nga të drejtat e tyre, në mënyrë që t’u besohet më shumë. Kjo mund t’i dekurajojë edhe më tej personat që mendojnë t’i raportojnë krimet dhe të kërkojnë drejtësi”, thonë nga kjo shoqatë.

Kjo organizatë, prej dekadash, mbledh dëshmi të grave që janë përdhunuar gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, gjatë luftës në këtë vend, nga viti 1992 deri në vitin 1995, janë përdhunuar mes 20.000 dhe 50.000 gra.

Mes tyre janë edhe anëtaret e kësaj shoqate.

Rasti i zonjës A

Shoqata e Grave Viktima të Luftës bashkëpunon çdo ditë me institucionet e drejtësisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e saj, Bakira Haseçiq, ka shpjeguar se organizata ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës që nga dita e parë.

“Ishim krahu i tyre i djathtë. Nëse u duhej një deklaratë apo një dëshmitar, si organizatë joqeveritare ua siguronim ne. Më pas, ata vazhdonin procedurat sipas ligjit”, ka treguar Haseçiq.

Bakira Haseçiq, kryetare e Shoqatës së Grave Viktima të Luftës gjatë protestës pas vendimit të Tribunalit të Hagës, në tetor të vitit 2005. Gjyqi vendosi të mos e ndiqte penalisht Millan Lukiqin për përdhunim.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) ishte gjykata e parë ndërkombëtare që shpalli vendime fajësie për përdhunimin si formë torture dhe për skllavërinë seksuale si krim kundër njerëzimit.

Para kësaj gjykate, më pak se 40 persona janë dënuar për dhunë seksuale gjatë luftës, ndërsa pas mbylljes së Tribunalit të Hagës, gjykatat vendore në rajon kanë dhënë rreth 96 aktgjykime për raste të tilla.

Në Kosovë janë nën hetime rreth njëqind raste të krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës, por deri më tani janë dhënë vetëm katër aktgjykime.

Vetëm njëri prej tyre është i formës së prerë, ndërsa të dënuarit janë dënuar me gjithsej 72 vjet burg, sipas të dhënave të QKRMT-së.

Rushiti thotë se në secilin rast të dhunës seksuale gjatë luftës që ka përfunduar në gjykatë, viktimat kanë marrë njëkohësisht mbështetje psikologjike dhe juridike.

“Shumë shpesh, rruga drejt drejtësisë është po aq sfiduese sa edhe vetë krimi. Pa mbështetje, stigma dhe pasojat e vazhdueshme të traumës i pengojnë shumë të mbijetuar të kërkojnë drejtësi ose ta përballojnë procesin gjyqësor”, thotë ajo.

Nga Shoqata e Grave Viktima të Luftës në Sarajevë thonë se të flasësh për dhunën e përjetuar seksuale, është jashtëzakonisht e vështirë.

Shumë gra heshtin për vite, madje edhe për dekada, për shkak të traumës, frikës, stigmës dhe mungesës së besimit tek institucionet.

“Kur vendosin të dëshmojnë, ato e bëjnë këtë – para së gjithash – që të vërtetohet e vërteta për krimet që kanë përjetuar dhe që autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

“Pikërisht për këtë është thelbësore që sistemi i drejtësisë, përmes vendimeve dhe arsyetimeve të tij, të ndërtojë besim dhe të tregojë qartë se respekton të drejtat e viktimave, përfshirë edhe të drejtën e tyre për dëmshpërblim”, sipas Shoqatës.

Në arsyetimin e aktgjykimit tashmë të formës së prerë ndaj Jovan Radanit, Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Lartë në Beograd thekson se vendimi mbështetet kryesisht në dëshminë e viktimës, e cila është vlerësuar si prova më e rëndësishme në këtë rast.

Gjykata shton se dënimi është caktuar në përputhje me praktikën gjyqësore.

Për Veselinka Kastratoviqin, hulumtuese në organizatën Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën në Kroaci, pikërisht dënimet e ulëta janë një nga arsyet pse viktimat nuk ndiejnë se është vënë drejtësi dhe pse shumë prej tyre heqin dorë nga raportimi i krimeve.

“Viktimat, thjesht, nuk kanë më forcë të kalojnë sërish nëpër një përvojë kaq të rëndë traumatike. Çdo marrje në pyetje i kthen ato në kohën dhe vendin ku është kryer krimi. Të flasësh përsëri për një përvojë që ta ka ndryshuar jetën përgjithmonë, është jashtëzakonisht e vështirë dhe stresuese”, thotë ajo.

Nga pesë rastet e gjykuara në Beograd për dhunë seksuale gjatë luftës, të gjitha kanë përfunduar me vendime fajësie.

Megjithatë, siç thekson Kollariq, dënimet e shqiptuara kanë qenë gjithmonë shumë pranë minimumit ligjor prej pesë vjetësh burg.

Sa dëmshpërblim marrin viktimat?

Dhjetë vjet pasi u përdhunua në Vukovar, S.M. denoncoi autorët e krimit.

Megjithatë, ata nuk u përballën kurrë me drejtësinë.

“Ata u dënuan me gjashtë vjet burg me aktgjykim të formës së prerë, por, përveç paraburgimit gjatë hetimeve, nuk e vuajtën kurrë dënimin, sepse u lanë të mbroheshin në liri dhe ndërkohë vdiqën”, thotë ajo.

Pavarësisht gjithçkaje, S.M. u bën thirrje grave të mos kenë frikë të flasin për atë që kanë përjetuar.

“Duhet ta nxjerrin nga vetja. Përndryshe, ajo na gërryen nga brenda, sjell sëmundje dhe shkatërron familjet”, thotë S.M.

Vlerësohet se për çdo rast të përdhunimit që raportohet, ekzistojnë 10 deri në 20 raste të tjera që nuk denoncohen.

Frika, stigma shoqërore dhe mungesa e besimit tek institucionet bëjnë që shumica e viktimave të dhunës seksuale të mos e raportojnë krimin.

Edhe disa dekada pas luftërave në rajon, shumë prej tyre vazhdojnë të presin drejtësi, ndërsa autorët e krimeve mbeten ende të lirë.

Shënim: Identiteti i gruas që ngriti padi kundër Jovan Radanit është i njohur për redaksinë.

Burimi: Radio “Evropa e Lirë”

Continue Reading

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara