Lajmet

REL: Termocentralet e vjetruara në Ballkanin Perëndimor ndotin 6.6 herë mbi limitin e lejuar

Published

on

Tetë vjet pas hyrjes në fuqi të standardeve për kontrollin e ndotjes së ajrit sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, emetimet e ndotjes në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi janë 6.6 herë më të larta se niveli i lejuar, thuhet në raportin e ri të Bankwatch-it.

Bankwatch është rrjeti më i madh i organizatave mjedisore dhe shoqatave për të drejtat e njeriut në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Raporti, i titulluar “Përputhu ose mbyll”, u publikua më 23 qershor dhe trajton moszbatimin e ligjeve për emetimet e dioksidit të squfurit (SO₂) nga termocentralet e vjetruara me qymyr në Ballkanin Perëndimor, të cilat, vitin e kaluar, i kanë tejkaluar kufijtë ligjorë.

Në të njëjtën kohë është rritur edhe ndotja nga pluhuri, duke arritur nivelin më të lartë që nga hyrja në fuqi e rregullave aktuale në vitin 2018.

Termocentralet me qymyr në Bosnje dhe Hercegovinë kanë qenë emetuesit më të mëdhenj të SO₂, me 196.940 tonë, që është 12.7 herë mbi kufirin e lejuar.

Pas saj renditet Serbia me 177.756 tonë, ose 5.1 herë mbi nivelin e lejuar.

Në të gjithë rajonin, emetimet e SO₂ janë ulur vetëm në mënyrë të lehtë që nga viti 2018.

Kufijtë e emetimeve në vitin 2025 janë bërë edhe më të rreptë se në vitet e mëparshme – gjë që ka çuar në shkelje edhe më të mëdha, thuhet në raportin e Bankwatch-it.

Ndotësi më i madh i SO₂ në vlera absolute mbetet termocentrali Uglevik në Bosnje dhe Hercegovinë, edhe pse ai ka pajisje për desulfurizim.

Emetimet në vitin 2025, me 115.079 tonë, kanë qenë më të lartat që nga hyrja në fuqi e rregullave për kontrollin e ndotjes në vitin 2018.

Ndotja nga pluhuri ka qenë 2.9 herë më e lartë se niveli i lejuar në vitin 2025, duke arritur nivelin më të lartë absolut dhe relativ që nga fillimi i zbatimit të rregullave më 2018.

Kjo është nxitur kryesisht nga një rritje e madhe në termocentralin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut, i cili ka dyfishuar emetimet krahasuar me vitin 2024.

Vetëm ai ka emetuar më shumë se 7.094 tonë mbi kufirin e lejuar për të gjithë rajonin.

Qytetarët e Prishtinës në hall me ndotjen e ajrit

Gacko në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet gjithashtu emetuesi më i madh relativ i pluhurit. Pavarësisht një rënieje të lehtë krahasuar me vitin 2024, ai ka emetuar 15.1 herë më shumë se niveli i lejuar.

Ashtu si në vitin 2024, emetimet totale të oksideve të azotit nga termocentralet në vitin 2025 kanë qenë 1.4 herë mbi kufirin e lejuar.

Kosova, Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia kanë tejkaluar kufijtë ligjorë, ndërsa emetimin më të madh e ka pasur Nikolla Teslla B në Serbi – 11.247 tonë.

Termocentrali në Plevle në Mal të Zi ka kaluar nëpër një rikonstruksion në vitet e fundit dhe pjesën më të madhe të vitit 2025 nuk ka funksionuar.

Megjithatë, nuk ka prova se ai është në përputhje me standardet e ndotjes që do t’i lejonin vazhdimin e operimit.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka hapur disa raste shkeljesh kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke konfirmuar funksionimin e paligjshëm të termocentraleve të tyre me qymyr.

Megjithatë, asnjë qeveri nuk ka vendosur gjoba ndaj këtyre termocentraleve dhe nuk ka plane të qarta, të përditësuara dhe realiste për përputhje me rregullat apo mbyllje të tyre.

Nga janari i këtij viti ka hyrë në fuqi edhe Mekanizmi i BE-së për Rregullimin e Emisioneve të Karbonit (CBAM), i cili rrit koston e eksportit të energjisë elektrike dhe e bën edhe më pak fitimprurës prodhimin nga termocentralet me qymyr. /REL/ /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Raportohet zhdukja e dy personave në Viti

Published

on

By

Në të dhënat e raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës raportohet se kanë nisur hetimet se dy persona janë larguar nga shtëpia e tyre dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre.

Rasti po trajtohet nga njësitet përkatëse policore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet e Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT: Ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë diskutojnë për të ardhmen e cilësisë

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së edhe sot do vazhdojnë punimet e Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), ngjarja më e madhe ndërkombëtare e këtij fusha që po mbahet për herë të parë në Kosovë.

Dita e sotme po shoqërohet me sesione të ngjeshura tematike, ku ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, akademikë e profesionistë po paraqesin punimet dhe hulumtimet e tyre. Diskutimet kryesore po përqendrohen në transformimin e menaxhimit të cilësisë në epokën e Inteligjencës Artificiale, ruajtjen e besimit institucional, inovacionin e qëndrueshëm dhe integrimin e vlerave njerëzore në zhvillimin teknologjik.

Kjo ngjarje pason hapjen zyrtare nga Rektori i UBT-së Edmond Hajrizi, njëherësh edhe Zëvendëspresident i EOQ-së, i cili u shpreh se cilësia duhet të transformohet nga një koncept tradicional certifikimi në një forcë strategjike për zhvillim e inovacion.

“Cilësia duhet të bëhet një kapacitet strategjik dhe të mbetet e lidhur ngushtë me vlerat njerëzore, sepse përparimi teknologjik pa besim është i brishtë, ndërsa inovacioni pa përgjegjësi është i paplotë,” theksoi Rektori Hajrizi.

Punimet e kongresit do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës me panele diskutimi dhe tryeza të rrumbullakëta, duke shërbyer si një platformë kyçe për shkëmbimin e përvojave evropiane dhe avancimin e standardeve të cilësisë në Kosovë e më gjerë.

Continue Reading

Vendi

Hetim mbi vdekjen e një personi në Prishtinë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”.

Ngjarja ka ndodhur pasi një person është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në QKUK.

Ekipi mjekësor ka konstatuar më pas vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Kjo bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Konfiskohet lëndë narkotike dhe armë në Podujevë, arrestohet një i dyshuar

Published

on

By

Siç bëhet e ditur në raportin 24-orësh të policisë, një person është arrestuar gjatë kontrollit në një objekt në Podujevë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 428 gramë marihuanë, 0.3 gramë kokainë, 18 cigare elektrike me përmbajtje THC, si dhe një pistoletë me dy fishekë dhe një peshore. 3

I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara