Lajmet

Përfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë

Published

on

Seanca e sotme në Hagë ka përfunduar. Sot nisi gjykimi për pengim të drejtësisë, ku të akuzuar janë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Prokuroria tha se Thaçi dyshohet se ka udhëhequr tri grupe për të ndikuar dëshmitarët në rastin e parë kundër tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata prezantuan prova, duke përfshirë incizime audio nga qendra e paraburgimit në Hagë, që tregojnë se Thaçi ka udhëzuar të akuzuarit të ndryshojnë pjesë të dëshmive të disa dëshmitarëve. Gjithashtu u gjetën materiale të dyshuara që i janë dhënë të akuzuarve nga Thaçi.

Mbështetësit e të akuzuarve nuk pranuan provat: mbrojtja e Kilajt tha se nuk ka prova bindëse kundër tij, ndërsa mbrojtja e Smakajt tha se klienti i tyre nuk ka ndërhyrë te dëshmitarët.

Pas deklaratave hyrëse, gjykata filloi dëshminë e parë të mbrojtur nga ZPS-ja. Pyetjet nga mbrojtja do të fillojnë të hënën.

Mbrojtja e Kilajt: Prokuroria nuk ka prova kundër tij

Avokati i Isni Kilajt, Ian Edwards, deklaroi se Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë që vërteton se klienti i tij ka vepruar sipas “udhëzimeve” të pretenduara nga Hashim Thaçi gjatë takimit të 6 tetorit.

Sipas tij, Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu zhvilluan një takim disaorësh me Thaçin në atë datë, ku biseduan për jetën dhe UÇK-në, si miq të vjetër, por jo për çështje që lidhen me dëshmitarët.

Edwards theksoi se nuk ekziston asnjë dëshmi që Kilaj ka ndërmarrë ndonjë veprim pas vizitës në Hagë. Ai shtoi se dëshmitari i identifikuar si “Dëshmitari 4” ka deklaruar se Kilajn e ka takuar për herë të fundit në vitet 2017–2018.

Mbrojtja mohoi kategorikisht se Kilaj ka ndikuar në dëshmitarë lidhur me mënyrën e dëshmimit në Hagë.

Mbrojtja e Smakajt: Nuk ka pasur asnjë diskutim me Zyrapin për dëshminë në Hagë

Pas përfundimit të deklarimeve të Prokurorisë, avokati i Smakajt, Jonathan Rees, deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm dhe nuk ka biseduar asnjëherë me Bislim Zyrapin për dëshminë e këtij të fundit në Hagë.

Sipas Rees, edhe pse Smakaj ka qenë mik me Zyrapin dhe është takuar rregullisht me të, mes tyre nuk ka pasur asnjë diskutim lidhur me dëshminë në çështjen 6, që ka të bëjë me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai theksoi se Smakaj nuk i ka paraqitur Zyrapit asnjë dokument që lidhet me këtë rast.

Lidhur me dokumentin që ZPS pretendon se është gjetur në veturën e Smakajt, mbrojtja argumentoi se nuk ekziston asnjë provë që dëshmon se dokumenti ka qenë në veturën e tij apo kush e ka vendosur aty. Avokati mohoi gjithashtu pretendimin se dokumenti ishte marrë nga Smakaj në Hagë.

Rees shtoi se Prokuroria nuk ka paraqitur prova që vërtetojnë se kush e ka printuar dokumentin e titulluar “për avokatët” në qendrën e paraburgimit në Hagë.

ZPS: Thaçi udhëhoqi grupet për të penguar dëshmitarët në rastin e krimeve të luftës

Prokuroria e Specializuar (ZPS) tha se ish-presidenti Hashim Thaçi drejtoi tre grupe të ndryshme me qëllim pengimin e dëshmitarëve në çështjen 6, që lidhet me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Grupi i parë përbëhej nga Fadil Fazliu dhe djali i tij, Fahriu, grupi i dytë nga Blerim Shala dhe Artan Behrami, ndërsa grupi i tretë përfshinte Vllaznim Kryeziu, nën drejtimin e Thaçit. Sipas prokurorisë, të gjithë të akuzuarit vepruan me qëllim dhe ishin të vetëdijshëm se po kryenin një vepër penale, që në Kosovë dënohet me 1–5 vjet burgim.

ZPS gjithashtu njoftoi se iu sekuestrua një dokument në makinën e Smakajt, i printuar në Hagë nga Thaçi pak orë para vizitës së Behramit dhe Smakajt. Dokumenti përmbante udhëzime se si duhet të fliste dëshmitari Bislim Zyrapi dhe për të minimizuar rolin udhëheqës të Thaçit në UÇK. Një audio-incizim nga 7 tetori 2023 tregon Thaçin duke dhënë udhëzime të ngjashme për dëshmitarët dhe komandantët e tjerë.

ZPS: Thaçi dhe Kuçi u përpoqën të ndikojnë në dëshmitarë, zbulohet audio-incizim dhe mesazhe

Prokuroria e Specializuar (ZPS) njoftoi se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe i akuzuari Kadri Kuçi diskutuan për tre dëshmitarë gjatë një takimi në Hagë. Dy prej tyre ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa i treti do të dëshmonte për keqtrajtimin e pretenduar nga UÇK, sipas ZPS. Thaçi, pretendon prokuroria, udhëzoi se si duhej të dëshmonin.

ZPS tha se ka prova që mbështesin të gjitha pikat e aktakuzës, duke përfshirë vizita të tjera dhe përpjekje për të nxjerrë informacione konfidenciale dhe për të ndikuar në dëshmitarë, me qëllim që ata të ndryshonin dëshmitë ose t’i ndihmonin çështjes së Thaçit.

Prokurori Joshua Hafetz bëri të ditur se ka nëntë audio-incizime të Thaçit në qendrën e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike, shkelje të urdhrave të gjykatës dhe ekspertizë që tregon se dokumentet e gjetura në Kosovë janë printuar nga printeri i përdorur nga Thaçi në Hagë.

Gjatë seancës u shfaq një audio-incizim të Thaçit dhe Fazliut në takimin e tyre më 2 korrik 2023, ku diskutohej dëshmia e komandant Remit. Në audio dëgjohet Thaçi duke thënë: “Thuaj shkurt, po, jo, mos filozofo” dhe më pas duke sugjeruar që dëshmia të jetë e shkurtër, jo 12 orë.

ZPS gjithashtu shfaqi mesazhe të Mustafës dhe Fazliut, të shkëmbyera gjatë kthimit të Fazliut në Kosovë, që lidhen me takimet dhe komunikimin rreth dëshmitarëve.

Prokurorja West: Sjellja e të akuzuarve thelbi i krijimit të Gjykatës Speciale

Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, gjatë fjalës hyrëse në seancën gjyqësore, theksoi se veprimet e të akuzuarve janë arsyeja kryesore pse është krijuar Gjykata Speciale në Hagë.

West shpjegoi se krijimi i kësaj gjykate nuk lidhet vetëm me krime lufte apo krime kundër njerëzimit, por përfshin në mënyrë specifike krimet e përfshira në këtë rast gjyqësor. Ajo i cilësoi të akuzuarit si pjesë të një grupi “të vogël në Kosovë që vendosin interesin e tyre mbi të tjerët” dhe premtoi të ekspozojë veprimtarinë e tyre.

“Nëse të akuzuarit kanë pasur sukses në ndikimin e dëshmitarëve, kjo nuk ka rëndësi,” tha West, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së procesit gjyqësor dhe të dëshmitarëve.

Prokurorja akuzoi Thaçin dhe katër të akuzuarit e tjerë për përpjekje për të “minuar” Gjykatën Speciale. Sipas saj, ata kanë shkelur vendimet gjyqësore që synonin mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, duke ndikuar në dëshmitë dhe duke cenuar besimin se informacioni i konfidencialitetit do të ruhej.

West tha se Thaçi ka ndërhyrë vazhdimisht në dëshmitë e dëshmitarëve dhe ka shkelur rregullat për mbrojtjen e informacionit konfidencial, ndërsa bashkëakuzuarit e tij kanë marrë pjesë në këto veprime.

Thaçi dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për akuzat – pengim i drejtësisë

Gjatë seancës gjyqësore, të akuzuarit, përfshirë  Hashim Thaçin, u deklaruan sërish të pafajshëm për aktakuzat që rëndojnë mbi ta, duke përfshirë tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, mosbindje ndaj gjykatës dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Gjykatësi i informoi ata për të drejtat e tyre, duke përfshirë të drejtën për të mos dhënë deklarata që i inkriminojnë ata ose familjarët e tyre, të mos pranojnë fajësinë dhe të kenë avokat.

Prokuroria njoftoi se Thaçi akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

Po ashtu, për të njëjtat akuza për pengim të drejtësisë akuzohen edhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, të cilët mbajnë përgjegjësi për tentim ose mosbindje ndaj gjykatës. Të gjithë të akuzuarit janë prezentë në seancë.

REL: Sot deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit për pengim të drejtësisë

Mbrojtja e Thaçit dhe Fazliut, pa deklarata hyrëse

Teksa jemi në pritje të nisjes së seancës në Hagë, përmes parashtrimeve të bëra ditë më parë, mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Fazliut kanë njoftuar se nuk do të bëjë deklarata hyrëse, por do ta rezervojë të drejtën që të deklarohet më vonë gjatë procesit gjyqësor.

Kur u liruan me kusht të akuzuarit e tjerë?

Isni Kilaj u arrestua më 2 nëntor 2023 dhe një ditë më pas u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë. Në maj të vitit pasues, Gjykata vlerësoi se zgjatja e paraburgimit ishte e paarsyeshme dhe ai u lirua në Kosovë nën kushte të rrepta. Por, pas konfirmimit të aktakuzës në dhjetor të vitit 2024 ai u dërgua sërish në paraburgim në Hagë më 6 dhjetor. Një vit më vonë, më 10 dhjetor 2025 ai u lirua sërish me kusht.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Fadil Fazliu, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj dhe Kilajn, u arrestuan më 5 dhjetor dhe u dërguan më 6 dhjetor 2024 në paraburgim në Hagë. Ai, së bashku me Smakajn u liruan me kusht më 10 shkurt 2026.

Ndërkaq, Hajredin Kuçi, që gjatë periudhës së aktakuzës ishte pjesë e ekipit të mbrojtjes të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitej dhe gjatë kësaj kohe ai është mbrojtur në liri.

Thaçi në paraburgim

Nga pesë të akuzuarit në rastin kundër pengimit të drejtësisë, vetëm ndaj Hashim Thaçit ka masë paraburgimi dhe ai gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku po pret edhe vendimin e trupit gjykues për rastin kundër tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë paraqitjeve para Gjykatës për rastin e dytë, atë të pengimit të drejtësisë, Thaçi nuk ishte deklaruar për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Deklarimin e pafajësisë ai e bëri me shkrim më 6 janar 2025. I pafajshëm me shkrim u deklarua edhe Smakaj ditë më vonë, përkatësisht më 14 janar 2025.

 Për çfarë akuzohen pesë të pandehurit?

Më 29 nëntor 2024, Gjykata Speciale njoftoi se është konfirmuar aktakuza kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.

Në aktakuzën janë përshkruar takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.

Prokuroria pretendon se gjatë dhënies së udhëzimeve, Thaçi ka dhënë edhe referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të dëshmitarëve në rastin e parë kundër tij.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.

Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërkaq, Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

“Përmes veprimeve të tyre, Hashim Thaçi, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe të tjerë tentuan që të komprometonin aftësinë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive, përfshirë aftësinë e DHSK-së/ZPS-së për të marrë dhe mbrojtur prova relevante të dëshmitarëve”, thuhet në aktakuzë.

ZPS-ja po ashtu pretendon se gjatë bastisjeve që ka kryer në Kosovë, disa të akuzuarve u ka gjetur dëshmi, sikurse janë lista me emra dëshmitarësh apo edhe udhëzimet se si ata duhej të dëshmonin. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

FSK merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26” në Gjermani

Published

on

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i përfaqësuar nga një kompani këmbësorie e Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.

Sipas FSK-së, kompania kosovare është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh ka shërbyer edhe për testimin e aftësive të saj në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

Gjatë “Observation Day”, aktivitetet e kontingjentit të FSK-së janë përcjellë nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, dhe rreshter majori i KFT-së, Naim Smakolli.

Pjesëmarrja në ushtrime të tilla, sipas FSK-së, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara