
Lajmet
REL: Si po përpiqet media shtetërore iraniane të ndikojë në Bosnje dhe Hercegovinë?
Published
2 months agoon
By
UBTNewsShkurtimisht
- Shërbimi shtetëror mediatik i Iranit, IRIB, vepron për gati 30 vjet në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa është nën sanksione nga vendet perëndimore, për shkak të akuzave për propagandë dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
- Në muajt e fundit, ky medium u ka dërguar mediave në Sarajevë njoftime dhe video-materiale për protestat dhe përleshjet në Iran, duke i paraqitur protestuesit si dhunues.
Shumë shpejt pasi u përhap lajmi se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ishte vrarë në sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit, pas gati 40 vjetësh në krye të vendit, në adresat elektronike të mediave në Sarajevë mbërriti një mesazh nga Teherani.
Ai ishte dërguar nga adresa e IRIB-it, shërbimit shtetëror mediatik të Iranit, i cili është nën sanksionet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, për shkak të akuzave për përhapje të propagandës dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Në atë email, të dërguar më 1 mars, IRIB-i ofronte edhe video-materiale nga ajo që e përshkruante si “mbledhje spontane masive e qytetarëve në pjesë të ndryshme”, pas vrasjes së Khameneit.
Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe rreth një muaj më herët.
Derisa forcat qeveritare po vrisnin mijëra njerëz në qytete të Iranit, gjatë protestave kundër regjimit, IRIB Sarajeva u dërgonte mediave materiale nga tubimet proqeveritare, të organizuara si përgjigje ndaj trazirave që lidheshin me pakënaqësitë për gjendjen ekonomike në vend.
Një raport i Ministrisë së Jashtme të Iranit, dërguar më 14 janar mediave në Bosnje dhe Hercegovinë, përmbante fotografi që, siç thuhej, tregonin “veprimet e dhunshme dhe terroriste të protestuesve në periudhën nga dhjetori 2025 deri në janar 2026”.
Në raport, protestuesit krahasoheshin me militantët e grupit terrorist Shteti Islamik, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore paraqiteshin si nxitëse të protestave.
Sipas analizës së Radios Evropa e Lirë, njoftimet e IRIB-it nuk u transmetuan gjerësisht në platformat online të mediave në Bosnje dhe Hercegovinë.
Meisam Mirhadi, i cili prezantohet si përfaqësues i transmetuesit publik iranian, nuk pranoi t’i përgjigjej REL-it se cilave media u janë dërguar njoftime dhe materiale nga IRIB-i.
IRIB-i, përndryshe, ka pothuajse tridhjetë vjet që vepron në Bosnje dhe Hercegovinë – vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pse u sanksionua IRIB-i?
Në dhjetor të vitit 2022, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj individëve të lidhur me IRIB-in, me arsyetimin se rrjeti kufizonte rrjedhën e lirë të informacionit në Iran dhe merrte pjesë në organizimin dhe transmetimin e rrëfimeve të detyruara nga kritikët e regjimit, të cilat siguroheshin përmes frikësimit dhe dhunës.
Bosnje dhe Hercegovina, si vend kandidat për anëtarësim në BE, është e detyruar ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së.
Agjencia Rregullatore e Komunikimeve në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila është përgjegjëse për mediat elektronike në këtë vend, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka marrë udhëzime nga institucionet përkatëse të Bosnje dhe Hercegovinës në lidhje me zbatimin e ndalesës së vendosur nga BE-ja për përmbajtjet e caktuara të huaja.
Sanksionet ndaj IRIB-it u vendosën pas vdekjes së Mahsa Aminit, një gruaje 22-vjeçare iraniane, e cila ndërroi jetë në paraburgim më 17 shtator 2022. Ajo ishte ndaluar për shkelje të dyshuar të kodit të veshjes në Iran, i cili kërkon që gratë të mbajnë shami në kokë.
Pas vdekjes së saj, protestuesit në të gjithë Iranin organizuan protesta të përditshme për muaj të tërë, duke çuar në një lëvizje që u bë e njohur si “Gratë, jeta, liria”.
Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së vendosi sanksione ndaj gjashtë punonjësve të IRIB-it në nëntor të vitit 2022, me arsyetimin se media kishte transmetuar “qindra rrëfime të detyruara nga të paraburgosurit”.
U vu në dukje se IRIB-i dhe degët e tij nuk funksionojnë si media objektive, por si mjet kryesor i Qeverisë iraniane për shtypje dhe censurë ndaj popullit të saj.
Që kur dhe si ka funksionuar shërbimi mediatik iranian në Bosnje dhe Hercegovinë?
Shërbimi publik mediatik i Iranit transmetoi për herë të parë një program radiofonik në gjuhën boshnjake – përmes një faze testimi – në maj të vitit 1994, por u zhvillua ndjeshëm në vitet pas luftës.
Në vitin 1995, televizioni iranian, si pjesë e IRIB-it, filloi të operonte nën emrin Sahar Balkan TV në gjuhën boshnjake. Ai vazhdon të operojë edhe sot, ndërsa programi radiofonik është mbyllur.
Përveçse në platformat digjitale, Sahar Balkan TV transmeton programin e tij ditor edhe në televizionin lokal, TV Vogoshqa, në Sarajevë, që zgjat disa orë.
Televizioni iranian Sahar Balkan ka llogari zyrtare në Facebook, X, Telegram dhe Instagram.
Ai ka më shumë ndjekës në llogarinë e tij në Instagram, rreth 30.000; në Facebook ndiqet nga rreth 17.000 veta, në Telegram i ka rreth 3.500 përdorues, në X rreth 500. Televizioni ka edhe një llogari zyrtare në YouTube, me disa dhjetëra ndjekës.
Përmbajtja është kryesisht e fokusuar në një imazh pozitiv të regjimit iranian, me kritika ndaj Perëndimit dhe “regjimit zionist”.
Numri i postimeve u rrit pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe gjatë protestave kundër regjimit iranian.
Përveç përkthimeve nga media shtetërore iraniane në persisht, Sahar Balkan prodhon edhe lajme në gjuhën boshnjake.
Në studion në Sarajevë, kanali interviston edhe njerëz nga Bosnje dhe Hercegovina, që kryesisht kanë pikëpamje pro regjimit iranian.
TV Vogoshqa, që është një kompani publike në pronësi të Komunës së Vogoshqës, thotë se nuk është në dijeni se Sahar Balkan, si pjesë e IRIB-it, është nën sanksione të BE-së.
“Radio-Televizioni Vogoshqa ka transmetuar programin Sahar Balkan në formate dhe intervale të ndryshme kohore që nga viti 1996. Sot, RTV Vogoshqa, në baza komerciale, ofron një interval ritransmetimi për programin Sahar Balkan, i cili transmetohet nga Teherani”, thuhet në përgjigje.
Sipas regjistrave të biznesit, të disponueshëm publikisht, zyra e IRIB-it në Sarajevë është regjistruar që nga gushti i vitit 2016.
IRIB-i nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me praktikat e tij të biznesit dhe prodhimin e përmbajtjes në gjuhën boshnjake.
Sahar Balkan TV është pjesë e Rrjetit Universal Sahar (SUN) të IRIB-it, i cili transmeton në disa gjuhë, përfshirë atë dari, azerbajxhanase, kurde, urdu, boshnjake dhe shqipe.
Harun Karçiq, analist i politikës së jashtme dhe autor i një monografie për lidhjet mes Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, shpjegon se Sahar TV përgatit pjesën më të madhe të përmbajtjes në Teheran dhe më pas e shpërndan atë në mediat anembanë botës.
“Irani u jep një numër të madh bursash studentëve të huaj, të cilët në vitet e fundit të studimeve përkthejnë lajmet në gjuhët e tyre amtare dhe i prezantojnë ato në studio. E, pastaj, programet e përfunduara dërgohen në vendet e tyre”, thotë Karçiq.
Ai shton se stacionet televizive iraniane kanë pasur një prani shumë më të madhe rreth 30 vjet më parë.
“Me një numër të vogël njerëzish, ata përkthejnë njoftimet për shtyp dhe i dërgojnë ato në stacionet tona televizive, me shpresën se dikush do t’i publikojë ato. Në fund të fundit, gjithçka varet nga mendimi kritik i redaktorëve dhe gazetarëve tanë dhe nga aftësia jonë mediatike për të dalluar propagandën nga faktet”, shton Karçiq.
Si funksionon transmetuesi shtetëror i Iranit?
Transmetuesi i Republikës Islamike të Iranit (IRIB) është i vetmi transmetues radioteleviziv i autorizuar në Iran.
I themeluar pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, ai është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të udhëheqësit suprem, i cili emëron dhe shkarkon drejtorin dhe gjithashtu ushtron ndikim të fortë përmes një bordi mbikëqyrës prej gjashtë anëtarësh.
Financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat nga reklamat.
Ai punëson 30.000 deri në 50.000 njerëz – më shumë se BBC-ja, e cila punëson rreth 21.000, shkruan Iran International, një medium privat në gjuhën perse, me seli në Londër.
IRIB-i ofron shërbime radiotelevizive vendase dhe ndërkombëtare, duke operuar me 12 kanale televizive vendase, katër kanale lajmesh ndërkombëtare, gjashtë kanale televizive satelitore dhe 30 kanale televizive provinciale.
Sipas Al Monitor-it, IRIB-i drejton kanale lajmesh në anglisht, arabisht dhe spanjisht, dhe transmeton në më shumë se 30 gjuhë, duke përfshirë atë boshnjake, azerbajxhanase, mandarin dhe shqip.
IRIB-i bashkëpunon gjithashtu me Ministrinë e Inteligjencës në Iran dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, raporton Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.
Përpjekje “të dështuara” për ndikim
Gjatë luftës së viteve 1990 në Bosnje dhe Hercegovinë, Irani mbështeti Ushtrinë e Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe forcat boshnjake me para, ndihma humanitare dhe armë, si dhe me këshilltarë ushtarakë nga Trupat e Gardës Revolucionare, që u dërguan në këtë vend.
Pas luftës, nën presionin e SHBA-së, autoritetet në Sarajevë i zvogëluan lidhjet politike dhe të sigurisë me Teheranin, të cilat tani janë kryesisht të kufizuara në bashkëpunim kulturor dhe akademik dhe kontakte të rralla politike.
Karçiq thotë se ndikimi i Iranit në Bosnje dhe Hercegovinë ka qenë në rënie që nga lufta.
Në 30 vjetët e fundit, Irani, sipas tij, ka investuar shumë në përpjekjet për të fituar ndikim përmes instituteve, fondacioneve, kolegjeve, si dhe mediave të tilla si stacioni televiziv, Sahar Balkan TV.
Karçiq thotë se IRIB-i donte të fitonte ndikim dukshëm më të madh në Bosnje dhe Hercegovinë pas luftës, ngjashëm me atë që ka në Jemen, Irak ose Liban.
“Por, pas luftës, [misioni i atëhershëm paqeruajtës i NATO-s] SFOR-i ushtroi presion të fortë mbi autoritetet boshnjake dhe këto marrëdhënie u dobësuan ndjeshëm që në vitin 1998”, thotë Karçiq.
Mjet propagande
Për të mundësuar zgjerimin e programit ndërkombëtar, Teherani ka trefishuar buxhetin vjetor të IRIB-it në rreth 480 milionë dollarë deri në vitin 2025, sipas një analize që ka bërë Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive me seli në Uashington.
Përfaqësuesi i Fondacionit, Toby Dershowitz, thotë për Radion Evropa e Lirë se materialet, të cilat dërgohen përmes zyrave të jashtme të IRIB-it, flasin për përpjekjet e autoriteteve iraniane për të zgjeruar ndikimin e IRIB-it jashtë vendit, përfshirë edhe në Ballkan.
“Demonstratat, në të cilat miliona iranianë dolën në rrugë për të protestuar kundër shtypjes nga Qeveria e tyre, portretizohen si trazira të nxitura nga aktorë të huaj. Kjo është një qasje që zyrtarët e regjimit e kanë përsëritur si në mediat shtetërore, ashtu edhe në kanalet ndërkombëtare”, thotë ai.
Sipas këtij fondacioni, sanksionet ndaj IRIB-it dhe degëve të tij janë vendosur edhe në Australi dhe në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të rolit të tyre në transmetimin e rrëfimeve të detyruara dhe të rreme. Faqet e lidhura me IRIB-in janë hequr gjithashtu nga transmetimi. /REL/
You may like
Rajoni
Ka nisur protesta në Shkup, studentë nga Kosova në mbështetje të kolegëve
Published
2 hours agoon
May 18, 2026By
UBT News
Ka nisur grumbullimi i qytetarëve dhe studentëve në Shkup për protestën e paralajmëruar nga studentët e universiteteve në gjuhën shqipe, të cilët kërkojnë mbrojtjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.
Protesta, e organizuar me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, pjesëmarrësit kanë filluar të mblidhen në Urën e Gurit.
Në mbështetje të kolegëve të tyre kanë ardhur edhe studentë nga Kosova, të cilët thanë se përkrahja e tyre nuk do të mungojë dhe se protestat do të zhvillohen në mënyrë të qytetëruar.
“Studentët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar. Duam të tregojmë se mbështetja jonë është e vazhdueshme dhe nuk do të ndalemi këtu”, tha një student nga Kosova. Ai shtoi se në protestë po marrin pjesë të rinj nga të gjitha qytetet e Kosovës.
“Ne kemi ardhur si grup me autobus dhe këtë protestë po e bëjmë në mënyrë të qytetëruar. Jemi prej të gjitha qyteteve të Kosovës”, u shpreh ai.
Organizatorët u kanë bërë thirrje edhe sportistëve, artistëve dhe figurave publike që t’i bashkohen protestës dhe të mbështesin kërkesat e studentëve.
Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët, pas asaj të mbajtur më 6 prill të këtij viti.

Një burrë është gjetur i vdekur sot pas mesditës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:30.
Pas marrjes së informatës, ekipet e urgjencës dhe policia kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.
“Rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Pllana.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur menjëherë hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë rreth identitetit të viktimës apo shkaqeve të vdekjes.
Vendi
Ka nisur Java e 17-të e Albanologjisë në Prishtinë
Published
5 hours agoon
May 18, 2026By
UBT News
Përgjatë katër ditëve, studiues nga Kosova, rajoni dhe më gjerë do të prezantojnë tema që lidhen me gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin dhe etnologjinë shqiptare, duke trajtuar edhe zhvillime bashkëkohore si inteligjenca artificiale, digjitalizimi i shqipes dhe ndikimi i komunikimit virtual në gjuhë.
Programi përfshin sesione të veçanta për letërsinë shqipe, historiografinë, trashëgiminë kulturore dhe antropologjinë e ushqimit, me fokus në identitetin kulturor dhe zhvillimet moderne të shoqërisë shqiptare.
Organizatorët theksojnë se konferenca synon të promovojë kërkimin shkencor dhe të krijojë hapësirë për shkëmbim akademik mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare.
Lajmet
Aksident fatal në Koshare të Ferizajt, humb jetën një person
Published
5 hours agoon
May 18, 2026By
UBTNews
Një aksident komunikacioni ka ndodhur sot në fshatin Koshare të Ferizajt, ku si pasojë ka mbetur i vdekur një person i moshës 60-vjeçare.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, në aksident janë përfshirë dy vetura me targa vendore, ndërsa rasti ka ndodhur rreth orës 12:15. Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar detajet e kësaj ngjarjeje tragjike.
“Sot rreth orës 12:15 kemi pranuar informatën se në fshatin Koshare të Ferizajt ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një person, mashkull, i moshës 60 vjeç, vdekja e të cilit është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor”, ka thënë Veseli.
Njësitet policore të trafikut kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal.

Ka nisur protesta në Shkup, studentë nga Kosova në mbështetje të kolegëve

Gjendet i vdekur një burrë në “Ulpianë”

Xherdan Shaqiri konfirmon qëndrimin te Basel pas sezonit zhgënjyes

Bullgaria pret me festë Darën pas triumfit historik në Eurovision 2026

Ka nisur Java e 17-të e Albanologjisë në Prishtinë

Droni rus godet anijen kineze në Ukrainë, një ditë para vizitës së Putinit te Xi Jinping

Përfaqësuesja e Kosovës në boks udhëton drejt Zagrebit për turneun “Grand Prix”

Aksident fatal në Koshare të Ferizajt, humb jetën një person

Hajrizi: Arsimi tradicional nuk mjafton më, UBT po ndërton universitetin e së ardhmes
Të kërkuara
Lajmet2 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
Live3 months agoKryegjykatësi Smith III shpall mbylljen e çështjes gjyqësore
Lajmet3 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
Opinione2 months agoAvdimetaj: Ekonomia e Kosovës e rrezikuar nga luhatjet në tregut ndërkombëtar
