Lajmet

REL: Si erdhi LVV-ja deri te fitorja “spektakolare”?

Published

on

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare – të cilave u paraprinë përplasjet disamuajshe ndërmjet partive politike, bllokadat institucionale dhe fjalori polarizues – përfunduan me një fitore bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë për Radion Evropa e Lirë (REL) se zgjedhjet e 28 dhjetorit ia sollën partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, një fitore “spektakolare”, të cilën ajo e arriti kryesisht falë “dobësive” të partive opozitare.

LVV-ja i fitoi 49.30 për qind të votave, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo është një fitore spektakolare e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ia ka dhuruar opozita me mungesën totale të ideve se si të ballafaqohen me popullizmin e fuqishëm të Kurtit”, thekson analisti Artan Muhaxhiri për REL-in

Të dhënat preliminare të KQZ-së tregojnë se partitë opozitare ngelën shumë mbrapa.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i fitoi 21.01 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)13.59 për qind, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.68 për qind.

Nisma Socialdemokrate, me vetëm 1.72 për qind të votave nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.74 për qind të votave.

Fitoren e LVV-së, politologu Dritëro Arifi e sheh si rezultat të disa faktorëve të ndërlidhur – “propagandës së fuqishme” që ka kjo parti, si dhe dobësive të partive opozitare, të cilat nuk kanë arritur të jenë mjaftueshëm aktive dhe të prezantojnë ekspertizë.

Më e rëndësishmja është se qytetarët e kanë vërejtur mungesën e lidershipit te partitë opozitare, si dhe të një personi që do të mund ta ndryshonte gjendjen”, thekson Arifi për REL-in.

Bazuar në rezultatet preliminare, LVV-ja pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 23 ulëse, LDK-ja 15 ulëse dhe AAK-ja 6 ulëse.

Lista Serbe pretendon se i ka fituar të gjitha dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, por mbetet ende në pikëpyetje nëse partia tjetër serbe, Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, do ta fitojë një ulëse.

Çka thanë partitë politike?

Lëvizja Vetëvendosje po shkon në drejtim të përsërisë ose tejkalojë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur kishte fituar 50.28 për qind të votave.

Asokohe ajo e krijoi shumicën parlamentare pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, por vetëm me deputetë nga pakicat joserbe, të cilat i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend, gjithashtu.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se “sa më parë që certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, aq më shpejt do të krijohen institucionet”.

Ai i ka ftuar partitë e tjera që të bashkëpunojnë për marrëveshjet ndërkombëtare, duke thënë se ky hap do të jetë test për bashkëpunimin e mundshëm të mëtejmë, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit në pranverë.

“Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza nuk ka reaguar pas përmbylljes së procesit të votimit.

Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka uruar fituesin e zgjedhjeve, duke thënë se “Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”.

Ai e mori përgjegjësinë për rezultatin e dobët të partisë së tij, duke mos e përjashtuar as mundësinë e dorëheqjes së tij.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, menjëherë pas mbylljes së votimeve u shpreh i kënaqur me rezultatin e partisë së tij.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb dhe “të gjitha dhjetë mandatet” e deputetëve të rezervuara për këtë komunitet.

Megjithatë, ai theksoi se për rezultatin final, Lista Serbe pret vlerësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Fjalori “i zbutur” i Kurtit dhe sfidat e së ardhmes

Fjalimi i Kurtit, kur e shpalli fitoren pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, ishte “mjaft i kujdesshëm dhe i matur”, në raport me partitë tjera shqiptare, vlerësojnë vëzhguesit e zhvillimeve zgjedhore.

Por, sipas tyre, sfidat të cilat e presin shumicën e re parlamentare, por edhe qeverinë e re, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të vendit në pranverën e vitit 2026, nuk i lënë vend “arrogancës të Kurtit”, të cilën ai e kishte shfaqur ndaj kundërshtarëve politikë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe atyre të 9 shkurtit 2025.

“Nuk jemi mësuar ta shohim Kurtin në këtë mënyrë. Por, kjo është gjë pozitive. Mirëpo, nga këndvështrimi im, gjuha e trupit e tradhtonte. Normalisht që gjuha ishte e fituesit, por nuk e kishte entuziazmin e fituesit”, thekson politologu Arifi për REL-in.

Ai, por edhe analisti Muhaxhiri, besojnë se Kurti, i cili pritet të jetë për herë të tretë kryeministër, mund ta krijojë qeverinë e re vetëm me partinë e tij dhe me pakicat joserbe.

Një koalicion me një parti tjetër shqiptare, do të ishte rezultat i dëshirueshëm për Kurtin, vlerësojnë ata.

Megjithatë, Muhaxhiri vlerëson se hendeku i krijuar ndër vite ndërmjet LVV-së dhe PDK-së, frika e LDK-së se mund të humbë edhe më shumë elektorat në rast të një marrëveshjeje me LVV-në, e bëjnë të pamundur një koalicion të LVV-së me dy partitë më të mëdha opozitare, por edhe ndonjë mbështetje të këtyre partive si opozitë.

“Do të jetë shumë vështirë që [Kurti] t’i bindë PDK-në dhe LDK-në që të qëndrojnë në sallë, për të arritur kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit ose presidentes. LDK-ja dhe PDK-ja konsiderojnë që presidentja [Vjosa] Osmani, me shumë veprime të saj, i ka ndihmuar LVV-së”, theksoi Muhaxhiri për REL-in.

Ai shtoi se refuzimi i bashkëpunimit ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, mund ta çojë sërish vendin në zgjedhje, qysh në pranverë kur Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.

Politologu Arifi shpreh mendimin se në rast se Lëvizja Vetëvendosje e tejkalon rezultatin e vitit 2021, Kurti do ta shqyrtojë nëse nevojë edhe për një mandat të presidentes Osmani, apo synon të propozojë një kandidat tjetër.

Sipas tij, kornizat që përcaktohen për partitë politike opozitare shqiptare, në bazë të numrave të ulëseve të fituara në Kuvend, nuk u mundësojnë hapësirë të madhe për manovrim më rastin e zgjedhjes së presidentit në mandatin e ardhshëm.

“Opozita do ta bëjë një kuazi-pragmatizëm, në këtë rast të detyruar, që të qëndrojë në sallë, sepse alternativa tjetër janë zgjedhjet e parakohshme, në të cilat, nëse opozita del si problematike, atëherë zoti Kurti mund të fitojë 60-70 për qind të votave totale”, thekson Arifi për REL-in.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, janë rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituimin Kuvendin deri më 10 tetor.

Kurti më pas nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e qeverisë. Qeverinë nuk arriti ta formojë as i mandatuari i dytë, Glauk Konjufca, po ashtu nga LVV-ja, gjë që detyroi presidenten Osmani të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Teksa Kurti synon të formojë qeverinë e re, KQZ-ja ende ka punë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi duhen numëruar votat për deputetë, ato nga diaspora, votat me kusht, si dhe të personave me nevoja të veçanta.

Të gjitha këto hapa kanë edhe afate për ankesa, të cilët mund të jenë arsye për të marrë disa javë deri te formimi i ekzekutivit të ri./REL

Lajmet

OVL-UÇK organizon nesër homazhe për Ditën e Veteranit

Published

on

By

Nesër, me rastin e Ditës së Veteranit të UÇK-së, OVL-UÇK do të organizojë homazhe në nderim të dëshmorëve të rënë për liri.

Aktiviteti nis në orën 09:30 në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial të Dëshmorëve, te Komandanti legjendar Adem Jashari, ndërsa homazhe do të mbahen edhe në lokacione të tjera nëpër qytetet e Kosovës.

OVL-UÇK fton bashkëluftëtarët, familjarët e dëshmorëve dhe qytetarët të marrin pjesë në këtë ditë kujtese dhe nderimi.

Continue Reading

Lajmet

​Verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave për deputet – Elezi jep detaje

Published

on

By

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka sqaruar afatet kohore sa i përket përfundimit të procesit të verifikimit të rezultateve dhe numërimit të votave për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit.

Në një konferencë për media ai tha se varet nga dinamika e punës qe zhvillohet në çdo qendër komunale të numërimit.

Elezi tha se nëse nuk përfundon numërimi i votave deri më 31 janar në ora 12, atëheëe puna do vazhdojë me 1 janar në ora 16:00.

Ai ka folur edhe për procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, duke theksuar se afatet janë të kushtëzuara edhe nga ditët e festave. Ato do të tërhiqen me 2 janar ose me 5.

“Sa i përket kohës se sa i duhet KQZ për të përfunduar verifikimin e rezultateve dhe numërimin e votave për deputet kjo varet nga dinamika e punës që zhvillohet në çdo QKN, jo të gjitha kanë numër të madh… meqenëse jemi në prag të festave në ato qendra komunale që nuk do kryhet deri me datë 31 në ora 12 të datës 31 do të përfundoj numërimi dhe pastaj do kemi pauzë 30 orë për të rifilluar sërish datën 1 janar 16:00 pasdite. Sa i përket procesit të tërheqjës së pakove me fletëvotime jashtë Kosovës pasi jemi kohë festash në bazë të një plani të KQZ tërheqja nga kutitë postare do bëhet deri me datë 2 janar, në rast se mund të ndodh të ketë festë dhe nuk punojnë postat të atij vendi atëherë tërheqja do bëhet deri më datën 5 janar”, tha Elezi.

Ai ka sqaruar se, sipas legjislacionit në fuqi, numërimi i fletëvotimeve dhe i votave të kandidatëve zhvillohet në faza të ndryshme.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit. Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve”, tha Elezi.

Më tej, ai ka prezantuar edhe të dhënat preliminare për votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta si dhe votimin jashtë Kosovës dhe përmes postës.

“Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860. Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime”, tha Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i numërimit dhe verifikimit të rezultateve po zhvillohet në përputhje me ligjin dhe me transparencë të plotë, nën vëzhgimin e mekanizmave përkatës.

Continue Reading

Lajmet

Haradinaj: Rezultati i zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet

Published

on

By

Kryetari i AAK-së, njërit edhe kandidati për Kryeministër, Ramush Haradinaj ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit e zgjidh ngërçin institucional, por ka shton ta ketë frikën se nuk i zgjidh problemet.

Gjatë gjithë kësaj kohe të fushatës jemi përballur me shqetësime të shumta të qytetarëve që nga kolapsi energjetik, ngecjet në proceset integruese euro-atlantike, posaçërisht në Nato, rënia e investimeve kapitale në gjithë vendin e lënien përgjysmë të krejt projekteve të mëdha, shtrenjtimin enorm të jetesës e stagnimin e pagave e deri te largimi në masë i të rinjve nga Kosova. Rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve. Kosova do të dobësohet në planin e brendshëm e të jashtëm e do të fitojnë armiqtë e saj!”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thëënë se do ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Rezultati është ky që është dhe ne do ta respektojmë votën e qytetarit por dhe do të reflektojmë për proceset tona të brendshme. Për ne zgjedhjet do të përfundojnë këtë pranverë, me zgjedhjet brenda Aleancës në të gjitha nivelet dhe me ringritjen tonë. Nga zemra i falëndëroj të gjithë votuesit, aktivistet e AAK-së dhe gjithë të tjerët nga çdo cilësi e përkatësi e posaçërisht kolegët nga Lista 129 me të cilët kemi garuar në një betejë aspak të lehtë e në kohë të papërshtatshme. Krah Teje Kosovë, pa asnjë kusht!”, ka shkruar ndër të tjerash Haradinaj.

Continue Reading

Lajmet

Hamza uron Vetëvendosjen: Kemi pritur rezultat më të mirë, nuk fshehem nga përgjegjësitë

Published

on

By

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza tha se kanë pritur rezultat më të mirë nga zgjedhjet e djeshme.

Ai ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për fitoren.

Kryetari i PDK-së në konferencë për media tha gjatë këtyre ditëve do të ketë takime të strukturës së partive, për çka theksoi se “do të marrë përgjegjësi”.

“E uroj fituesin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe zotëri Kurtin për fitore. PDK ka pritur rezultat më të mirë, unë kam pritur rezultat më të mirë. Por PDK ka arritur të ruaj elektoratin e vet. Kur je në pozitë ke edhe ato përgjegjësi, unë nuk fshehna pas përgjegjësive. Këto ditë do të kemi takime me strukturat e partisë, vendimet i marrë në kohë. Pres që shpejt të konstituohen institucionet që të mos kemi vakuum institucional sepse mjaftueshëm kemi pasur vonesa”, ka thënë ai në konferencë për media.

Ditën e djeshme ai e ka konsideruar si proces zgjedhor demokratik.

“PDK e ka ruajtur votën e vet edhe si përqindje edhe si numër të votave. Pozita ka edhe përgjegjësi dhe mbi bazën e përgjegjësive merren edhe vendimet. Nuk jam person që i jam shmangur përgjegjësive, por i marrë në kohë dhe pa vonesë”, tha Hamza.

Continue Reading

Të kërkuara