Lajmet

REL: Si erdhi LVV-ja deri te fitorja “spektakolare”?

Published

on

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare – të cilave u paraprinë përplasjet disamuajshe ndërmjet partive politike, bllokadat institucionale dhe fjalori polarizues – përfunduan me një fitore bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë për Radion Evropa e Lirë (REL) se zgjedhjet e 28 dhjetorit ia sollën partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, një fitore “spektakolare”, të cilën ajo e arriti kryesisht falë “dobësive” të partive opozitare.

LVV-ja i fitoi 49.30 për qind të votave, pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo është një fitore spektakolare e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ia ka dhuruar opozita me mungesën totale të ideve se si të ballafaqohen me popullizmin e fuqishëm të Kurtit”, thekson analisti Artan Muhaxhiri për REL-in

Të dhënat preliminare të KQZ-së tregojnë se partitë opozitare ngelën shumë mbrapa.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i fitoi 21.01 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)13.59 për qind, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.68 për qind.

Nisma Socialdemokrate, me vetëm 1.72 për qind të votave nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.74 për qind të votave.

Fitoren e LVV-së, politologu Dritëro Arifi e sheh si rezultat të disa faktorëve të ndërlidhur – “propagandës së fuqishme” që ka kjo parti, si dhe dobësive të partive opozitare, të cilat nuk kanë arritur të jenë mjaftueshëm aktive dhe të prezantojnë ekspertizë.

Më e rëndësishmja është se qytetarët e kanë vërejtur mungesën e lidershipit te partitë opozitare, si dhe të një personi që do të mund ta ndryshonte gjendjen”, thekson Arifi për REL-in.

Bazuar në rezultatet preliminare, LVV-ja pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 23 ulëse, LDK-ja 15 ulëse dhe AAK-ja 6 ulëse.

Lista Serbe pretendon se i ka fituar të gjitha dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, por mbetet ende në pikëpyetje nëse partia tjetër serbe, Partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, do ta fitojë një ulëse.

Çka thanë partitë politike?

Lëvizja Vetëvendosje po shkon në drejtim të përsërisë ose tejkalojë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur kishte fituar 50.28 për qind të votave.

Asokohe ajo e krijoi shumicën parlamentare pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, por vetëm me deputetë nga pakicat joserbe, të cilat i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend, gjithashtu.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se “sa më parë që certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, aq më shpejt do të krijohen institucionet”.

Ai i ka ftuar partitë e tjera që të bashkëpunojnë për marrëveshjet ndërkombëtare, duke thënë se ky hap do të jetë test për bashkëpunimin e mundshëm të mëtejmë, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit në pranverë.

“Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza nuk ka reaguar pas përmbylljes së procesit të votimit.

Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka uruar fituesin e zgjedhjeve, duke thënë se “Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”.

Ai e mori përgjegjësinë për rezultatin e dobët të partisë së tij, duke mos e përjashtuar as mundësinë e dorëheqjes së tij.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, menjëherë pas mbylljes së votimeve u shpreh i kënaqur me rezultatin e partisë së tij.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, tha se ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb dhe “të gjitha dhjetë mandatet” e deputetëve të rezervuara për këtë komunitet.

Megjithatë, ai theksoi se për rezultatin final, Lista Serbe pret vlerësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Fjalori “i zbutur” i Kurtit dhe sfidat e së ardhmes

Fjalimi i Kurtit, kur e shpalli fitoren pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, ishte “mjaft i kujdesshëm dhe i matur”, në raport me partitë tjera shqiptare, vlerësojnë vëzhguesit e zhvillimeve zgjedhore.

Por, sipas tyre, sfidat të cilat e presin shumicën e re parlamentare, por edhe qeverinë e re, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të vendit në pranverën e vitit 2026, nuk i lënë vend “arrogancës të Kurtit”, të cilën ai e kishte shfaqur ndaj kundërshtarëve politikë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe atyre të 9 shkurtit 2025.

“Nuk jemi mësuar ta shohim Kurtin në këtë mënyrë. Por, kjo është gjë pozitive. Mirëpo, nga këndvështrimi im, gjuha e trupit e tradhtonte. Normalisht që gjuha ishte e fituesit, por nuk e kishte entuziazmin e fituesit”, thekson politologu Arifi për REL-in.

Ai, por edhe analisti Muhaxhiri, besojnë se Kurti, i cili pritet të jetë për herë të tretë kryeministër, mund ta krijojë qeverinë e re vetëm me partinë e tij dhe me pakicat joserbe.

Një koalicion me një parti tjetër shqiptare, do të ishte rezultat i dëshirueshëm për Kurtin, vlerësojnë ata.

Megjithatë, Muhaxhiri vlerëson se hendeku i krijuar ndër vite ndërmjet LVV-së dhe PDK-së, frika e LDK-së se mund të humbë edhe më shumë elektorat në rast të një marrëveshjeje me LVV-në, e bëjnë të pamundur një koalicion të LVV-së me dy partitë më të mëdha opozitare, por edhe ndonjë mbështetje të këtyre partive si opozitë.

“Do të jetë shumë vështirë që [Kurti] t’i bindë PDK-në dhe LDK-në që të qëndrojnë në sallë, për të arritur kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit ose presidentes. LDK-ja dhe PDK-ja konsiderojnë që presidentja [Vjosa] Osmani, me shumë veprime të saj, i ka ndihmuar LVV-së”, theksoi Muhaxhiri për REL-in.

Ai shtoi se refuzimi i bashkëpunimit ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, mund ta çojë sërish vendin në zgjedhje, qysh në pranverë kur Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.

Politologu Arifi shpreh mendimin se në rast se Lëvizja Vetëvendosje e tejkalon rezultatin e vitit 2021, Kurti do ta shqyrtojë nëse nevojë edhe për një mandat të presidentes Osmani, apo synon të propozojë një kandidat tjetër.

Sipas tij, kornizat që përcaktohen për partitë politike opozitare shqiptare, në bazë të numrave të ulëseve të fituara në Kuvend, nuk u mundësojnë hapësirë të madhe për manovrim më rastin e zgjedhjes së presidentit në mandatin e ardhshëm.

“Opozita do ta bëjë një kuazi-pragmatizëm, në këtë rast të detyruar, që të qëndrojë në sallë, sepse alternativa tjetër janë zgjedhjet e parakohshme, në të cilat, nëse opozita del si problematike, atëherë zoti Kurti mund të fitojë 60-70 për qind të votave totale”, thekson Arifi për REL-in.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, janë rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituimin Kuvendin deri më 10 tetor.

Kurti më pas nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e qeverisë. Qeverinë nuk arriti ta formojë as i mandatuari i dytë, Glauk Konjufca, po ashtu nga LVV-ja, gjë që detyroi presidenten Osmani të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Teksa Kurti synon të formojë qeverinë e re, KQZ-ja ende ka punë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi duhen numëruar votat për deputetë, ato nga diaspora, votat me kusht, si dhe të personave me nevoja të veçanta.

Të gjitha këto hapa kanë edhe afate për ankesa, të cilët mund të jenë arsye për të marrë disa javë deri te formimi i ekzekutivit të ri./REL

Vendi

UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij

Published

on

By

UBT ka lansuar zyrtarisht konceptin më të ri inovativ në fushën e arsimit, Global Virtual Campus, një platformë që synon të transformojë mënyrën se si ofrohet edukimi në nivel global, përmes partneritetit strategjik me EON Reality.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model është një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë.

Në këtë kontekst, Global Virtual Campus është një koncept dhe model i ri, modeli i së ardhmes, që mundëson ofrimin e të njëjtës përmbajtje dhe të njëjtës cilësi kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, pa humbur kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Pra, kjo qasje e aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë, kudo dhe në çdo kohë, është thelbi i Global Virtual Campus, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi deklaroi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet më të vlerësuara globalisht në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, ndërmarrësia dhe shkenca.

Ai nënvizoi se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është i akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council, si dhe gëzon një validim të fortë në raport me sistemin amerikan të arsimit.

“Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizi, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka mundësuar ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.

Global Virtual Campus synon të ofrojë përmbajtje dhe standard të njëjtë edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.

Video e plotë

Continue Reading

Lajmet

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Vendi

Kurti pret drejtoren e NATO-s: FSK po përgatitet për mision në Gazë

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurinë në vend.

Gjatë takimit, Kurti falënderoi aleancën veri-atlantike për rolin e saj në stabilitetin e Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë mundësi trajnimi për pjesëtarët e FSK-së në institucionet e NATO-s.

Kryeministri njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas sukseseve në disa misione ndërkombëtare, aktualisht po përgatitet për të zbarkuar në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Nga ana tjetër, zyrtarja e lartë e NATO-s vlerësoi lart këtë vendim dhe falënderoi Kosovën për bashkërendimin e ngushtë me aleancën në rrugën drejt integrimit.

 

Continue Reading

Lajmet

Vdes një punëtor në vendin e punës në Strellc të Deçanit, një tjetër i lënduar

Published

on

By

Një aksident fatal në vendin e punës ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Strellc të Ulët të Deçanit, ku si pasojë e lëndimeve ka vdekur një punëtor dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Rajonale e Pejës, sipas së cilës ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në një punëtori druri, ku disa materiale kanë rënë mbi dy punëtorët. Viktimat u dërguan menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku mjekët konstatuan vdekjen e njërit prej tyre.

Njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Continue Reading

Të kërkuara