Lajmet

REL: Serbia dhe Mali i Zi si poligonë të shërbimeve ruse

Published

on

Kampe paraushtarake, përhapje e urrejtjes racore dhe fetare, spiunazh në Evropë, ndjekje e aktivistëve opozitarë rusë dhe strehim për diplomatët e dëbuar rusë.

Këto janë disa nga aferat që e lidhin Rusinë me Serbinë.

Autoritetet serbe, të cilat ruajnë lidhje miqësore me Kremlinin, deri më sot nuk kanë zbardhur asnjë prej tyre.

“Etiketimi i strukturave ruse si inspiruese ose organizatore do të nënkuptonte një ashpërsim të hapur të marrëdhënieve me Rusinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Maja Bjellosh nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë.

Beogradi mbështetet te Moska, jo vetëm për shkak të kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës, por edhe për shkak të varësisë nga gazi.

Serbia është një nga pak vendet evropiane që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.

Kontaktet zyrtare nuk janë ndërprerë as katër vjet pas fillimit të luftës, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që Beogradi të distancohet nga Moska.

“Prania e shërbimeve ruse në Serbi është një sinjal, si për Perëndimin ashtu edhe për aktorët vendas, që tregon se Rusia ka ende qasje dhe ndikim në Serbi”, shton Bjellosh.

Kampet e trajnimit

Rasti i kampit paraushtarak rus, i zbuluar pranë lumit Drina në pjesën perëndimore të Serbisë në shtator të vitit 2025, është ende në fazën e hetimeve.

“Të dyshuarit janë marrë në pyetje, dëshmitarët janë intervistuar. Në proces janë ekspertizat e nevojshme”, tha për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Lartë Publike në qytetin e Shabacit.

Kjo prokurori po kryen hetime ndaj Llazar Popoviqit nga Beogradi dhe Sava Stevanoviqit nga Lloznica.

Më 6 shkurt, Popoviqit iu zëvendësua masa e paraburgimit me disa garanci, iu tha Radios Evropa e Lirë nga Gjykata e Lartë në Shabac, ndërsa Stevanoviq u lirua më 17 tetor, pas intervistimit të dëshmitarëve.

Dyshohet se trajnimi luftarak-taktik, i organizuar në objektin turistik “Sunçana reka”, kishte për qëllim të ofronte rezistencë fizike ndaj Policisë së Moldavisë, në rast trazirash gjatë ditës së zgjedhjeve, më 28 shtator 2025.

Të dy ata janë të lidhur me ministrin prorus pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq.

Llazar Popoviq ishte më herët këshilltar i tij, ndërsa Stevanoviq fillimisht ishte anëtar i Partisë Popullore Serbe (SNP) të Popoviqit, e më pas i “Serbisë së Shëndetshme” – pjesë e koalicionit qeverisës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më vonë se autoritetet në Serbi kanë konstatuar se në kamp kanë qenë tre shtetas rusë.

Megjithatë, ai nuk e lidhi kampin me shërbimet ruse të inteligjencës.

Rusia nuk përmendet zyrtarisht as në njoftimet e Policisë dhe Prokurorisë serbe.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë bëri të ditur se gjatë trajnimit luftarak-taktik në “Sunçana reka” kanë marrë pjesë 150 deri në 170 shtetas nga Moldavia dhe Rumania.

Në kuadër të hetimeve në Moldavi u ndaluan mbi 70 persona, dhe shumica dyshohet se janë trajnuar në Serbi.

Ata akuzohen për përgatitjen e trazirave masive dhe destabilizimin e Moldavisë përpara zgjedhjeve parlamentare më 28 shtator, ku partia proevropiane qeverisëse fitoi bindshëm ndaj koalicionit prorus.

Nga Zyra e Prokurorit të Moldavisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me fazën e hetimeve dhe nëse ka të dhëna të reja për këtë rast.

Rusia e ka mohuar përfshirjen në procesin zgjedhor të Moldavisë.

Gjykata në Moldavi, ndërkohë, ka dënuar tre persona për organizimin e trajnimeve gjatë vitit 2024 në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Bosnje e Hercegovina ka hapur, gjithashtu, një rast lidhur me trajnimet që janë mbajtur në këtë vend gjatë vitit 2024.

Nxitja e urrejtjes racore dhe fetare në Paris dhe në Berlin

Në fazën e hetimeve është edhe rasti i 11 shtetasve serbë të arrestuar nën dyshimet se kanë kryer një sërë veprimesh raciste në Paris dhe në Berlin.

Sipas Policisë serbe, këto veprime ishin të drejtuara kundër komuniteteve hebraike dhe myslimane, me qëllim rritjen e tensioneve në shoqëri.

Ata u arrestuan në fund të shtatorit të vitit 2025 në Smederevë – 60 kilometra në jug të Beogradit.

Në lidhje me statusin aktual të të dyshuarve, Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga Prokuroria e Lartë në Smederevë.

Në dhjetor, kjo prokurori i tha REL-it se për 9 të dyshuar është zgjatur paraburgimi, ndërsa për 2 të tjerë që më parë janë transferuar në paraburgim shtëpiak, nuk është bërë e ditur nëse masa është zgjatur.

Pas arrestimeve, Ministria e Brendshme e Serbisë bëri të ditur se një person, i cili është ende në arrati, dyshohet se “në bazë të udhëzimeve të një shërbimi të huaj inteligjent” ka organizuar dhe trajnuar në territorin e Serbisë një grup prej 14 shtetasish serbë.

Prokuroria e Lartë në Smederevë, në një prononcim për REL-in lidhur me arrestimin e këtij personi, deklaroi se “për momentin, nuk është e mundur të jepen informacione, për të mos i dëmtuar hetimet”.

Dy incidente, që ndodhën brenda disa muajve, tronditën opinionin publik në Francë në vitin 2025.

Fillimisht, në fund të majit, persona të panjohur hodhën ngjyrë të gjelbër mbi Muzeun e Holokaustit, tri sinagoga dhe një restorant në qendër të Parisit.

Më pas, në fillim të shtatorit, përpara nëntë xhamive në Paris u vendosën koka derri, ndërsa mbi disa prej tyre ishte shkruar emri i presidentit francez, Emmanuel Macron.

Para Portës së Brandenburgut në Berlin, gjithashtu, ishin shkruar mesazhe diskriminuese.

Portali hulumtues “Mediapart” nga Parisi shkroi në nëntor të vitit 2025 se shërbimi sekret francez ka arritur të sigurojë dokumente të brendshme të Kremlinit, nga të cilat shihej se administrata presidenciale e Rusisë kishte “miratuar drejtpërdrejt” shkatërrimin e monumenteve hebraike në maj të vitit 2025.

Sipas përmbledhjes së raportit, Kremlini synonte “t’i rriste tensionet” midis komunitetit hebraik dhe atij mysliman në Francë, “për të nxitur ndarje brenda shoqërisë franceze dhe për të dobësuar kohezionin kombëtar”.

Prokuroria kompetente në Francë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me këto informacione.

Afera “Spiuni rus”

Në nëntor të vitit 2019, në internet u shfaq një video ku supozohej se një agjent i inteligjencës ruse po i jepte para një ish-pjesëtari të Ushtrisë së Serbisë.

Sipas zyrtarëve të lartë serbë, videoja u regjistrua gati një vit më parë, më 24 dhjetor 2018.

Autenticitetin e videos për mediat e konfirmoi Rela Zhelski, udhëheqës i analizës në Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA), duke thënë se “në të shihej agjenti rus, Georgij Kleban”.

Edhe pse fillimisht thirri një mbledhje të Këshillit për Sigurinë Kombëtare, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me ambasadorin rus, Aleksandr Bocan-Harchenko, deklaroi se për të, çështja e agjentit rus është e mbyllur.

Nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd thanë për REL-in në dhjetor të vitit 2019 se ky institucion nuk është duke zhvilluar ndonjë procedurë në lidhje me këtë rast.

Vdekja e përfaqësuesit të SDPR-së në Moskë

Përfaqësuesi i kompanisë shtetërore serbe për tregtinë e armëve, “Jugoimport-SDRP”, në Moskë, Radomir Kurtiq, u gjet i vdekur në kryeqytetin rus në mes të nëntorit 2025.

Lajmin e publikuan mediat proqeveritare në Serbi një muaj më vonë, duke pretenduar se shërbimet serbe të sigurisë e kishin informuar presidentin e shtetit për “vdekjen e dyshimtë”.

Më pas, lajmin e konfirmoi edhe Vuçiq, duke thënë se Beogradi zyrtar pret përgjigje nga shërbimet ruse dhe se Moska nuk i ka dërguar raportet e forenzikës.

Ai gjithashtu shtoi se “nuk dëshiron të marrë pjesë në përhapjen e dyshimeve dhe teorive konspirative”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse nga Rusia kanë mbërritur përgjigjet dhe raportet e kërkuara.

Topi zanor

Autoritetet ruse i dolën në ndihmë Beogradit zyrtar gjatë protestave masive kundër Qeverisë dhe bllokadave të universiteteve, të shkaktuara nga vdekja e 16 personave në një aksident në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Beogradi zyrtar kërkoi që hetuesit rusë të zhvillonin një “hetim të pavarur”, për të përcaktuar nëse gjatë protestës paqësore kundër Qeverisë më 15 mars 2025, është përdorur topi zanor.

Në shumë video të publikuara shihej se mijëra protestues u shpërndanë në panik, pas atyre që i përshkruan si valë të forta dhe të pazakonta zhurme dhe dridhjesh.

Në raportin e Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), në prill të vitit 2025, u tha se, pas testeve të kryera, është arritur në përfundimin se nuk është përdorur top zanor – një armë që, përndryshe, është e ndaluar në Serbi.

Në raportin, i cili u publikua në faqen e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), u tha se pajisjet akustike të tipit LRAD, që i posedojnë organet policore serbe, nuk janë përdorur gjatë protestës.

 

Bjellosh, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thekson për Radion Evropa e Lirë se Kremlini, me veprime të tilla, u ofron mbështetje autoriteteve në Beograd.

“Qëllimet e mundshme të Kremlinit janë të ruajë regjimin politik në Serbi – domethënë të mbështesë Qeverinë që mban marrëdhënie të ngushta me të dhe nuk vendos sanksione ndaj Rusisë – si dhe të rrisë ndikimin në rajon”, shton ajo.

Disa organizata joqeveritare në Serbi dhe ndërkombëtare, që e hetuan incidentin në protestën e 15 marsit 2025, siç është organizata “Earshot”, deklaruan – duke paraqitur edhe prova – se ka shumë të ngjarë që armët me zë të jenë përdorur në protestë.

Strehë për diplomatët rusë të dëbuar nga BE-ja

Të paktën tre diplomatë rusë, të cilët u dëbuan nga vendet e Bashkimit Evropian për spiunazh, u akredituan më pas në Serbi.

Një hetim disamujor i Radios Evropa e Lirë, i publikuar në mars të vitit 2023, tregoi se dy prej tyre kishin lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse.

Rusia e rriti praninë e saj diplomatike në Serbi pas një vale dëbimesh të diplomatëve nga BE-ja në vitin 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Lista e diplomatëve të akredituar nga Ministria e Jashtme serbe në mars të vitit 2023 përfshinte 62 syresh – nga 54 sa ishin në mars 2022.

Asnjë institucion në Serbi nuk i ka komentuar këto gjetje deri më sot.

 

Spiunimi i aktivistëve rusë

Në dhjetor të vitit 2021, aktivisti i opozitës ruse, Vladimir Kara-Murza, akuzoi Aleksandar Vulinin, atëkohë ministër i Brendshëm i Serbisë, se kishte çuar në Moskë video të një takimi të opozitarëve rusë në Beograd, pas së cilës njëri prej tyre u arrestua në Rusi.

Në dhjetor të atij viti, Vulin u takua në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev, me të cilin diskutoi për të ashtuquajturat “revolucione me ngjyra”.

Vulin i mohoi pretendimet e bëra kundër tij nga opozitari rus dhe paralajmëroi padi kundër Kara-Murzës, por nuk dihet nëse ajo është ngritur ose jo.

Ministria e Brendshme e Serbisë dhe BIA nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është ndërmarrë ndonjë veprim për të hetuar pretendimet e Kara-Murzës.

Dy vjet më vonë, Kara-Murza u dënua në Rusi për tradhti dhe përhapje të informacioneve të rreme dhe u dënua me 25 vjet burg.

Por, Kara-Murza ishte në mesin e tre aktivistëve rusë që u liruan në verën e vitit 2024, në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve midis Rusisë dhe vendeve perëndimore.

Vulin është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara që nga korriku i vitit 2023 për korrupsion të dyshuar dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.

Përpjekja për grushtshtet në Mal të Zi

Rasti “Grushtshteti”, i cili tronditi Malin e Zi një dekadë më parë, mori aktgjykimin përfundimtar më 20 shkurt.

Gjykata e Apelit e Malit të Zi njoftoi se ka konfirmuar lirimin nga akuzat në një gjyq të përsëritur “për tentativën e terrorizmit në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetor 2016”.

Arsyetimi i gjykatës ishte se nuk ishte provuar që të pandehurit kishin kryer krimet për të cilat akuzoheshin.

Me vendimin e Gjykatës së Apelit, politikanët proserbë në Mal të Zi, Millan Knezheviq dhe Andrija Mandiq, u liruan nga akuzat, si dhe të pandehurit e tjerë në këtë rast.

Gjithsej 13 persona nga Rusia, Serbia dhe Mali i Zi ishin të përfshinë në aktakuzë. /REL/

 

Continue Reading

Vendi

Kosova ekstradon në Gjermani një shtetas të kërkuar përmes INTERPOL-it për trafikim droge

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar sot me sukses ekstradimin e një shtetasi gjerman drejt vendlindjes së tij, i cili kërkohej me letër-rreshtim ndërkombëtar. Operacioni u udhëhoq nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim të plotë me njësitë e tjera të policisë dhe institucionet e drejtësisë në vend.

I dyshuari me inicialet A.R. ishte arrestuar më parë në Kosovë, pasi autoritetet e drejtësisë në Gjermani kishin lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar përmes INTERPOL-it. Ai ngarkohet me veprën penale “Trafikim me narkotikë”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, ky ekstradim u krye në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, duke dëshmuar edhe një herë bashkëpunimin e ngushtë dhe efikas në fushën e sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci nga Kroacia: FSK dëshmoi profesionalizëm të lartë në stërvitjen ndërkombëtare “Combat Power 26”

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në kuadër të stërvitjes së madhe ndërkombëtare “Combat Power 26”, e cila u zhvillua në Slunj të Kroacisë. Ky aktivitet 11-ditor bëri bashkë mbi 3,000 ushtarakë nga vendi mikpritës dhe qindra pjesëtarë nga vendet aleate e partnere, përfshirë SHBA-në, Italinë, Shqipërinë e Slloveninë.

Në këtë stërvitje, Republika e Kosovës u përfaqësua nga një kontingjent prej 45 ushtarakësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elemente të mbështetjes logjistike. Ministri Maqedonci u shpreh i ndjerë mjaft krenar me performancën e ushtarëve kosovarë, duke theksuar se ata dëshmuan disiplinë të lartë në terrene sfiduese dhe konfirmuan se FSK zotëron kapacitetet e plota për të operuar krah për krah me ushtritë e NATO-s.

Si një pikë të veçantë të progresit, ministri veçoi avancimin në fushën e qëndrueshmërisë logjistike, specifikisht në shërbimet e ushqimit. Ai bëri të ditur se nga varësia prej operatorëve privatë që ishte para një viti, FSK sot ka ndërtuar kapacitete të plota organike, sa që kuzhinierët ushtarakë kosovarë ofruan mbështetje ushqimore edhe për forcat partnere gjatë këtij ushtrimi.

Në fund, Maqedonci rikonfirmoi se bashkëpunimi strategjik me Kroacinë është i ndërtuar mbi një miqësi të sinqertë mes dy popujve. Ai porositi se Kosova po forcon çdo ditë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe mbetet një partner i besueshëm që kontribuon me përgjegjësi për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Kosova humb mbi 40 milionë euro nga BE-ja për shkak të mosmiratimit të reformave në Kuvend

Published

on

By

Kosova pritet të humbasë një pjesë të konsiderueshme të fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Për shkak të mospërmbushjes së reformave të parapara brenda afatit shtesë, që ishte deri më 30 qershor 2026, vendi do të mbetet pa mbi 40 milionë euro nga totali prej 882 milionë eurosh që i takonin.

Lajmin e bëri të ditur koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (IRRrE), Jeton Zulfaj, gjatë një konferencë për media të mbajtur këtë të mërkurë, më 1 korrik. Ai sqaroi se nga 13 hapat reformues që kishin afat shtesë, vetëm shtatë u zbatuan, ndërsa gjashtë të tjerë mbetën të papërfunduar. Sipas Zulfajt, paratë për këta hapa të dështuar humbin përgjithmonë dhe nuk mund të rikuperohen më.

Dështimi kryesor rëndon mbi Kuvendin e Kosovës, pasi rreth 83 për qind e reformave të papërmbushura vareshin pikërisht nga miratimi i ligjeve në parlament. Ndër reformat ligjore që nuk u përfunduan në kohë janë: Ligji për Energjinë dhe Energjinë Elektrike; Sistemi i kontrollit të ndihmës shtetërore; Ligji për Inovacionin dhe ai për Kamatëvonesat; Pakoja e ligjeve për reformën në drejtësi (përfshirë KPK-në dhe KGJK-në); Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar

Pavarësisht kësaj humbjeje, Kosova do të dorëzojë më 16 korrik kërkesën e parë zyrtare tek Komisioni Evropian për të tërhequr fondet për 15 reformat që janë përmbushur me sukses deri në fund të qershorit. Në total, Agjenda e Reformave përmban 111 hapa, ku 49 prej tyre janë ende në proces zbatimi, e ku 27 hapa të tjerë pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti. /E,A/

 

Continue Reading

Lajmet

UBT në Prizren hap dyert për studentët e rinj: Gjashtë drejtime në kampusin më inovativ në rajon

Published

on

By

UBT si institucion lider i arsimit të lartë në Kosovë ofron mundësi të shkëlqyera studimi edhe në Prizren, duke sjellë kampusin më inovativ në rajon më afër studentëve që synojnë një karrierë të suksesshme.

Përmes një gërshetimi të teknologjisë moderne dhe programeve cilësore, ky kampus është shndërruar në një pikënisje të rëndësishme për formësimin e kuadrove të reja dhe lidhjen e tyre direkte me tregun e punës.

Për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe profesionale, UBT në Prizren ofron gjashtë drejtime studimi mjaft të kërkuara.

Të rinjtë mund të studiojnë në programin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë për t’u bërë pjesë e industrisë globale të teknologjisë, apo në Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor për të projektuar mjediset e të nesërmes.

Gjithashtu, profilet si Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, së bashku me Fakultetin Juridik, ofrojnë përgatitje të lartë për udhëheqje biznesi dhe fushën e drejtësisë.

Për më tepër, studentët e pasionuar pas fushave specifike dhe krijuese kanë në dispozicion programet Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, si dhe Dizajnin. 

Drejtori i kampusit të UBT-së në Prizren, Vehbi Sofiu, potencoi se ky kampus është projektuar për t’iu përgjigjur kërkesave më të mëdha të tregut.

“Përmes programeve inovative dhe kampusit modern brenda ITP-së, synimi ynë është t’u ofrojmë të rinjve të Prizrenit arsim të standardeve botërore direkt në qytetin e tyre. I ftoj të gjithë studentët e rinj të bëhen pjesë e UBT-së, ku talenti shndërrohet në sukses dhe ku ne së bashku formësojmë liderët e së nesërmes”, shprehet Sofiu.

Ndërsa, reputacioni ndërkombëtar i UBT-së është konfirmuar fuqishëm në rangimin global WURI, ku UBT është renditur si universiteti numër një në botë për nga brendi dhe reputacioni, si dhe është vlerësuar me titullin prestigjioz “Engaged University of the Year” para shumë universiteteve të njohura botërore.

Ky kampus përfaqëson një kryeqendër të vërtetë të mundësive, jo vetëm për studentët nga Prizreni por edhe nga qytetet tjera si Kukësi, Suhareka, Rahoveci, ku talenti dhe përkushtimi i secilit student shndërrohen në sukses të garantuar.

Profesioni që keni ëndërruar tashmë gjendet në qytetin tuaj, duke ju ofruar të gjitha mjetet e nevojshme që idetë tuaja të marrin formë dhe vlerë.

Siguroni vendin tuaj në kohë dhe filloni rrugëtimin tuaj akademik në institucionin që udhëheq me inovacionin.

Aplikimi është i hapur dhe mund të realizohet plotësisht online përmes platformës zyrtare: apliko.ubt-uni.net

 

Continue Reading

Të kërkuara